Kreu i KMSH-së: Islami është një vlerë e madhe e kombit

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Skender Bruçaj në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” është shprehur se islami është një vlere madhe e kombit dhe shoqërisë sonë dhe raste sporadikë incidentesh nuk mund ta zhbëjnë këtë vlerë.

Skender Brucaj

Ju jeni zgjedhur në  krye të KMSH, komunitetit më të madh fetar në Shqipëri, cila është sfida juaj me e madhe?

Jam plotësisht i bindur se kjo detyrë, është një barrë dhe përgjegjësi e madhe para Zotit dhe para të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë. Pa dyshim që sfidat janë të shumta, por mbi të gjitha për mua e rëndësishme është që gjatë ushtrimit të kësaj detyre të punoj drejt fitimit të kënaqësisë së Zotit, si dhe të përkrah në çdo aspekt të drejtat dhe nevojat e besimtarëve. Në mënyrë të veçantë do të punoj që zëri i besimtarëve myslimanë të përfshihet sa më denjësisht dhe më gjerë në shkallët e institucionit. Stabilizimi i situatës ekonomike dhe financiare të institucionit është një tjetër sfidë, pasi kemi me qindra punonjës. Sigurisht që ndër synimet afatshkurtra është finalizimi i projektit të kompleksit të Namazgjasë.

Ish- kreu z. Muça si peng të tij është shprehur se ka ndërtimin e Xhamisë së madhe. Në këto pak ditë në detyrë si e shikoni ndërtimin e saj, të mundshëm? Në një kohë të afërt apo do vijojë të përdoret si premtim elektoral në 2015  e në vitet në vijim, si është bërë këto 15 vitet e fundit? 

Besoj se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bërë një punë mjaft të mirë në këtë drejtim vitet e fundit, si dhe ka qenë këmbëngulës në kërkesat e veta, duke e trajtuar çështjen me maturinë e duhur. Aktualisht projekti arkitekturor është gati, i hartuar si një kompleks multifunksional në dobi të të gjithë qytetarëve të Tiranës, ndërsa është siguruar dhe fondi për ndërtimin e tij. Mbetet vetëm zgjidhja e pronësisë për një pjesë toke, për të cilën kemi marrë garancinë e qeverisë për zgjidhje sa më të shpejtë.

Ti rikthehemi pak ditës që ju u zgjodhët në krye të KMSH. Ka qenë aspiratë juaja e kahershme apo erdhi si e papritur?

Në fenë islame pozicionet drejtuese nuk para vijnë si rezultat i ambicieve personale, pasi vetë Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, këshillon që posti nuk i besohet atyre që e mëtojnë atë me ambicie, por i besohet atij që bashkësia e gjykon si më të përshtatshëm. Në rastin tim, kjo erdhi krejt natyrshëm, siç ndodh në të gjithë proceset që përmbajnë zgjedhje demokratike.

Ka pas zëra që kanë qenë skeptikë në zgjedhjen tuaj, janë shprehur se janë shkelur procedurat, dhe statuti, pasi ju kishit pak muaj në postin e nënkryetarit dhe jo 10 vjet… ç’mund të na thoni për këtë? 

Mund të them se zgjedhjet për detyrën e kryetarit të KMSH-së ishin një model shumë i mirë i pjekurisë dhe maturisë së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, dhe mbarë opinionit të besimtarëve, i cili shoqëroi këtë proces. Zërave që ju i referoheni ndoshta janë të painformuar për statutin e KMSH-së, si dhe mesa duket nuk i njohin sa duhet procedurat e Komunitetit Mysliman.

Para një jave janë bërë disa arrestime të disa besimtareve mysliman të vetëshpallur dhe imam, pasi dyshohet se kanë nisur persona në Siri për të luftuar. Si e gjykoni këtë gjë?

Më duhet të sqaroj se Islami së pari është fe e paqes, e qëndrimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e besimtarëve myslimanë në luftën e Sirisë ka qenë shumë kohë më parë i njohur për opinionin publik. KMSH me anë të strukturave që posedon iu ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë t’i rrinë larg përfshirjes në konfliktin e Sirisë.

KMSH nuk i njeh këto xhami. Cila është arsyeja? Sa është numri i këtyre xhamive që nuk njihen prej jush? 

Me anë të mosnjohjes ne nënkuptojmë që nuk janë nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman, që do të thotë se xhamia ligjërisht nuk është në pronësinë e KMSH-së, pasi pas ndërtimit të saj nuk i është dorëzuar KMSH-së dhe rrjedhimisht imami nuk është i emëruar nga KMSH dhe për më tepër nuk ka një komunikim institucional mes imamit dhe institucionit të Komunitetit Mysliman. Numri i këtyre xhamive në shkallë republike është i vogël, por ne kemi formuar disa grupe pune që po punojnë për identifikimin e saktë të këtyre xhamive, si dhe hartimin e një plan-strategjie në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështjeje.

A keni të dhëna se sa besimtarë falen në këto institucione? Po për fëmijët që shkollohen në to?

Duke qenë se zyrtarisht nuk varen nga ne, nuk kemi një të dhënë të saktë në lidhje me besimtarët që i frekuentojnë.

Nga prokuroria, Xhamia e Unazës së re, dyshohet si një vend ku kryheshin veprime të dyshimta kriminale ku gjatë kontrollit janë gjetur sende të ndaluara. Kjo xhami nuk është bllokuar pasi zëra brenda institucioneve thonë se një veprim i tillë do të ngjallte islamofobi. Ç’mund të na thoni lidhur me këtë?

Nuk besoj të jete situata e tillë. Megjithëse hetimi i takon organeve kompetente, siç është prokuroria që të japë variantin zyrtar, por nga sa jemi informuar nga media, policia ka ushtruar kontroll në objektin në fjalë dhe nuk janë gjetur armë. Nuk besoj se në zbatimin e ligjit kur konstatohen, apo dyshohet se janë kryer vepra penale, shteti shfaq fobi, apo në këtë rast islamofobi. Por trajtimi përtej lajmit i kësaj çështjeje, mund të sjellë frikë, apo islamofobi tek njerëzit e thjeshtë dhe opinioni i gjerë publik, prandaj duke qenë një çështje delikate, shpresoj te organet e drejtësisë, që ta zbardhin sa më shpejt të vërtetën në lidhje me ngjarjen në fjalë.

Keni ju informacion se ku gjenden financimet për ndërtimin e këtyre xhamive? 

Burimet e financimeve mund të jenë të shumta, si individë, apo shoqata te ndryshme.

Një prej të arrestuarve është Genc Balla, ka qenë pjesë e strukturës së KMSH më pare? Kemi informacion se ka qenë në prag për t’u bërë imam, por është përjashtuar…

Nuk kam një informacion te tillë.

 A është i rrezikuar vendi ynë nga disa sekte radikale të Islamit për terrorizëm? 

Diversiteti i personalitetit të njeriut gjithmonë gjen hapësirën për t’u shfaqur në forma të ndryshme deri në ekstremizëm, dhe kjo fatkeqësisht është një problematikë që prek pothuajse të gjitha religjionet e mëdha në botë, por në rastin e Shqipërisë nuk besoj që ekziston një rrezik i tillë, më shumë se çështje sektesh radikale ka të bëjë me qasje individuale të personave të caktuar, si dhe me formimin e tyre fetar, kulturor, arsimor dhe familjar.

Parlamenti është drejt miratimit të një ligji që dënon deri në 10 vite burg personat që shkojnë në luftë jashtë Shqipërisë (për ata që shkojnë në Siri), si e gjykoni? 

U takon ligjvënësve që ta formulojnë sa më mirë ligjin, pasi mund të ketë klauzola ligjore të cilat ndonëse mund t’i përgjigjen aktualitetit, në të ardhmen mund të mos jenë më të tilla dhe njëkohësisht, duke marrë për bazë dhe eksperiencën legjislative të vendeve të tjera, duhet shmangur me sa të jetë e mundur çdo forme diskriminimi fetar dhe racor.

Megjithatë ashtu si unë, edhe i gjithë populli ynë, si dhe të huajt, e dinë dhe është vërtetuar se, komuniteti i besimtarëve myslimanëve shqiptarë, si komuniteti më i madh fetar në vend, përbën një rast unikal, përsa i përket respektit të “tjetrit”, fqinjit, mikut, bashkëkombësit të vet, që i përket një besimi tjetër, etj., prandaj rastet sporadike nuk duhet të prishin imazhin pozitiv që posedojmë ne si popull, në sytë e mbarë botës, sepse kjo është një vlerë e madhe në këtë kohë krize vlerash.

 

You must be logged in to post a comment Login