Kreu i KMSH dënon ISIS-in dhe flet për keqkuptimet me termin “Islam shqiptar”

intervita Java

nga Lorenc Vangjeli

Nuk është habi që njerëzit e fesë zakonisht janë mjaft të artikuluar. Dhe nuk bën përjashtim as Skëndër Bruçaj, kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Tepër i ri, Bruçaj duket se meriton atë që ia thonë mbas “shpine” kolegët e tij, i mençur si plak. Nuk ka tabu dhe përgjigjet lirshëm për çdo pyetje. Ngulmon se Shqipëria ka më shumë se tolerancë mes besimeve fetare. “Kemi bashkëjetesë e harmoni midis të ndryshmëve në besim…”, thotë duke bërë kontrast me këtë eksport shqiptar në një gadishull konfliktesh etnike dhe fetare dhe duke e konsideruar gjithashtu si një nga arsyet që “…Papa Françesku ka zgjedhur vendin tonë për ta vizituar, një vend dhe popull i vogël me një vlerë kaq të madhe, e cila mund të eksportohet në Evropë dhe kudo në botë, si një shembull i mirëzbatueshëm”.

Nga ana tjetër, Bruçaj nuk ka dilema në tablonë që vizaton për luftën e tmerrshme të ISIS. “Ajo çfarë po ndodh atje është një çmenduri e vërtetë dhe injorancë e thellë. Vetëm se me fenë Islame s’kanë asnjë lidhje”. Sipas tij, Komuniteti Mysliman Shqiptar është nga të parët në botë që është shprehur publikisht se “…konflikti i Sirisë në tërësi nuk është një konflikt fetar dhe se pjesëmarrja, jo vetëm me ISIS, por me këdo grup në atë luftë, është e dëmshme, e rrezikshme dhe nuk përputhet aspak me fenë”.

1-  Si do t’ja shpjegonit publikut jetëshkrimin tuaj, domethënë, cili është Skender Bruçaj i parë me sytë e Skenderit?

Të them të drejtën jam nga ata njerëz që nuk më pëlqen të flas për veten. Vij nga një familje e thjeshtë, e njohur në Malësinë e Madhe si ndjekëse e traditave fetare dhe atdhedashëse. Shkollën e mesme, medresenë, si dhe universitetin i kam mbaruar në Stamboll, Turqi. Ndërsa studimet pas universitare i kam mbaruar në Tiranë. Por rrugëtimi në kërkim të dijes vazhdon akoma, sepse jeta ime e deritanishme ka qenë dhe vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me arsimin dhe botën akademike. E vlerësoj shumë sinqeritetin dhe komunikimin e hapur te njerëzit dhe jam munduar gjithmonë që shoqërinë ta zgjedh më të mirë se veten dhe për këtë e falënderoj shumë Zotin ndaj të Cilit i jam falënderues edhe për familjen që më ka dhuruar. Jam i martuar dhe kam dy djem.

2- Tashmë u bë një kohë e mjaftueshme për ju në krye të Komunitetit Mysliman për të mos u quajtur i ri në detyrë. E megjithatë jeni ndoshta kreu më i ri në moshë i ndonjë komuniteti fetar. Jeni mësuar tashmë me këtë fakt?

Të jesh në pozicionin e kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është një  përgjegjësi shumë e madhe dhe nuk është e lehtë të mësohesh me këtë fakt. Mosha ime e re më ndërgjegjëson më shumë drejt përgjegjësive dhe angazhimeve, që lindin nga kjo detyrë fisnike. Për më tepër e konsideroj shumë të rëndësishme ruajtjen e traditës islame të  trashëguar nga hoxhallarët dhe dijetarët tanë, themeluesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Stafi i përkushtuar dhe i kualifikuar i Komunitetit Mysliman, i cili vitet e fundit është konsoliduar me të rinj të mirëshkolluar, ka merita të mëdha për arritjet dhe zhvillimet pozitive të deritanishme. Për këtë arsye i falënderoj të gjithë, por në mënyrë të veçantë vlerësoj punën e Kryetarit tashmë të Nderit, Haxhi Selim Muçës, për të gjithë kontributin e dhënë në krye të këtij institucioni, duke realizuar ndërtimin e qindra xhamive, hapjen e shumë medreseve, Universitetit Bedër, etj. Rruga jonë drejt progresit dhe mirëqenies së besimit të popullit tonë është e gjatë dhe do shumë punë. Shumica e problemeve të sotme kanë lidhje me krizën e besimit, që vjen si rrjedhojë e sistemit ateist dhe komunist.

3- A mund të shpjegoni diçka për të cilën ka paqartësi në Shqipëri, sidomos nga ata që janë larg besimit; çfarë vendi zë besimi tradicional mysliman në Shqipëri në ndarjet që ka Islami? Për shembull, jemi Shiitë, Sunitë, a çfarë?

Besimi Islam në përgjithësi është unik si në rrafshin historik, ashtu edhe në atë global. Islami i jep shumë rëndësi drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, moralit të mirë dhe urdhëron njerëzit që në çdo punë të sillen ndershmërisht e të respektojnë të drejtat e të tjerëve, kërkon që njerëzit të jenë të moralshëm e të pastër. Të besosh Zotin Një, të jetosh me vetëdijen se vëzhgohesh prej Tij në çdo hap dhe se një ditë do të japësh llogari përballë Tij në botën tjetër, janë ndër pikat e rëndësishme të Islamit. Kur’ani dhe tradita profetike flet shumë qartë për parimet e besimit Islam, të cilat janë të padiskutueshme nga të gjithë myslimanët në të gjithë botën. Pikërisht këto parime i bëjnë një myslimanët e mbarë botës, si sunitët dhe shiitët. Besimi tradicional islam në Shqipëri, i cili vazhdon të jetë i tillë edhe sot, është suni. Unë mendoj se mënyra e besimit Islam, që ne trashëguam nga paraardhësit tanë është mënyra më gjithëpërfshirëse, larg instrumentalizimit, larg politizimit, tolerant, ndjekës korrekt i parimeve burimore, si dhe i hapur për të dialoguar me gjithkënd, duke respektuar gjithsecilin në pozicionin e vet. Shpeshherë autorë të ndryshëm  këtë, edhe pse me dashamirësi, gabimisht e quajnë “Islami shqiptar”, por unë jam i bindur, që kjo mënyrë e të jetuarit të Islamit është më e afërta me atë burimor.

4- Keni nisur një iniciativë për regjistrimin e xhamive në vend, a kontrollohen ato të gjitha nga ju në kuptimin e financave dhe të zgjedhjes së drejtuesve?

Regjistrimi i objekteve të kultit, konkretisht xhamive është një proces i vazhdueshëm. Bazuar në punën e bërë më parë, ne i kushtuam një vëmendje të veçantë kësaj çështjeje. Aktualisht mbi 95 për qind e xhamive në vend janë nën juridiksionin e KMSH-së. Financimi dhe emërimi i punonjësve në këto xhami bëhet konform statutit të KMSH-së dhe ligjeve në fuqi. Ne e ndjekim me përparësi këtë proces, pasi e konsiderojmë të rëndësishëm për parandalimin e shumë problemeve që mund të dalin tani dhe në të ardhmen.

5- Gjykoni se ka një predisponim antifetar në përgjithësi dhe antimysliman në veçanti në vend? Që do të thotë, pavarësisht se politika vendimmarrëse zgjedh gjithmonë fjalë të mira përballë jush, gurët në trastë nuk ju kanë munguar kurrë.

Bazuar në formimin dhe edukimin fetar që ne marrim, nuk na takon që të jemi paragjykues. Së pari, nuk mendoj se ka një predisponim të përgjithshëm antifetar apo antimysliman. Së dyti, edhe kur ka qëndrime negative ndaj besimit, faktorët janë të ndryshëm. Diku mungesa e njohurive, diku paragjykimet dhe diku indiferentizmi kthehen në faktorë sulmi me ose padijeni ndaj besimeve fetare. Nuk mund të them që nuk ekzistojmë rastet e individëve, që kanë fobi ndaj fesë dhe besimit në përgjithësi dhe Islamit në veçanti. Këta të fundit janë të predispozuar të ekzagjerojnë dhe sulmojnë fenë edhe për sjelljet e papërgjegjshme, të individëve të ndryshëm që pretendojnë t’i kryejnë kinse “në emër të fesë”. Nuk mund të them që ka ekzistuar një vullnet i hekurt politik për të zgjidhur çështjen e pronave të KMSH-së, në të njëjtën kohë më shumë se dy dekada mosndërtimi i xhamisë së Namazgjasë, gurthemeli i së cilës u hodh zyrtarisht më 1993 dhe së fundmi, pezullimi i aktivitetit të Universitetit Bedër, një institucion i hapur me shumë mund dhe sakrifica, si një nevojë e domosdoshme për vendin tonë. Të gjithë këto raste, lënë tëkuptohet nga shumëkush se gurët në trastë, edhe mund të ekzistojnë.

6- Mendoni se do të jetë e shpejtë dita për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë? Keni ndonjë ide për ndryshimin e projektit që është konsideruar si jo i përshtatshëm për kohën nga specialistë të ndryshëm?

Çështja e xhamisë së Tiranës daton si problematikë që në vitin 1938, botuar si artikull në revistën “Zani i Naltë” të asaj kohe, si një nevojë e madhe për kryeqytetin, ndërkohë që Tirana atëherë ishte shumë herë më e vogël se sot, por kishte 40 xhami. Sot, kur Tirana po arrin 1 milion banorë, ka vetëm disa xhami të vogla të pamjaftueshme, gjë që shihet çdo të premte, kur besimtarët falen dhe jashtë, për të mos folur për bajrame që mbushet i gjithë bulevardi.

Projekti i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, që në fillimin e vet ka qenë i mirëmenduar për të përmbushur jo vetëm nevojat e besimtarëve, por edhe të funksionojë si një qendër multifunksionale, si një kompleks, që do t’u vijë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Në këtë projekt është ruajtur tradita e ndërtimit të xhamive në Shqipëri prej shekujsh e ndërthurur në brendësi të saj me elementë modernë, që e bën atë jo vetëm tërheqëse, por edhe të veçantë për të gjithë rajonin tonë. Jam i mendimit se afati i ndërtimit të saj i ka kaluar të gjitha pritshmëritë e mundshme.

7- Ka një luftë të tmerrshme që po vazhdon të zhvillohet në Lindjen e Mesme. ISIS është bërë një rrezik dhe kërcënim global. Si e gjykoni idenë e një shteti islamik që ata po kërkojnë të ngrenë?

Ajo çfarë po ndodh atje është një çmenduri e vërtetë dhe injorancë e thellë. Vetëm se me fenë Islame s’kanë asnjë lidhje. Ideja e një shteti islam, është jashtë çdo realiteti. Në Kur’an myslimanëve nuk u thuhet gjëkundi, që të formojnë një shtet të tillë, as në porositë profetike nuk gjen as më të voglën gjë që ka lidhje me aktet e dhunës dhe terrorit që po ndodh atje. Ndërkohë ka qindra urdhëresa dhe këshilla për drejtësinë, respektin, dashurinë, mirëkuptimin, faljen dhe paqen me të gjitha kuptimet e saj. Çështja në fjalë, e pretendimeve të ISIS është totalisht absurde. Në fenë Islame dhunimi i të drejtës së një njeriu të vetëm është e pa lejuar edhe, për çfarëdo qëllimi. Ndërkohë ky grup terrori, ose ka qëllim specifik të njollosë emrin e fesë Islame në arenën ndërkombëtare, ose është një grup monstrash injorantësh dhe kriminelësh lufte, që nuk e kanë as idenë më të vogël për Islamin. Kur’ani thotë, “…kush vret ndokënd që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e gjithë njerëzimit.”

8-  Besimtarë myslimanë shqiptarë dhe nga Kosova janë bërë pjesë e ISIS. BIK ngjan se i është bashkuar një inisiative të Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë që shpall haram pjesëmarrjen e besimtarëve në ISIS, do ta bëjë një gjë të tillë dhe komuniteti ynë mysliman?

Komuniteti Mysliman, në mos i pari, ka qenë ndër bashkësitë e para islame në botë që ka shprehur publikisht dhe qartazi qëndrimin se konflikti i Sirisë në tërësi nuk është një konflikt fetar dhe se pjesëmarrja, jo vetëm me ISIS, por me këdo grup në atë luftë  është e dëmshme, e rrezikshme dhe nuk përputhet aspak me fenë. Ne u patëm bërë thirrje besimtarëve, që të rrinë larg provokimeve të tilla. Kjo është shprehur edhe nëpërmjet qarkoreve zyrtare dërguar nga ana jonë të gjitha myftinive të vendit, të cilat janë lexuar disa javë me radhë në xhamitë tona në të gjithë Shqipërinë. Ne operojmë me fjalën, me këshillën dhe në këtë drejtim vazhdojmë të bëjmë maksimumin.

9- A besoni ju te toleranca mes besimeve fetare në Shqipëri dhe çfarë mendoni se mund ta kërcënonte këtë trashëgimi të vyer?

Zoti na ka krijuar të ndryshëm, dhe siç thuhet në Kur’an na krijuar në kombe dhe fise, që të njihemi njëri me tjetrin. Pra ky është një përcaktim hyjnor, të cilit ne si myslimanë i besojmë fort.

Unë mendoj se toleranca është shkalla e parë e pranimit të “tjetrit”, duke mos i keqkuptuar sjelljet dhe veprimet që bën “tjetri”, me dashje ose pa dashje, pra është i lirë të jetojë botëkuptimin e tij me ty ose pranë teje. Këtë ne si popull e kemi tejkaluar me kohë. Ajo çfarë ne përjetojmë, është bashkëjetesë midis të ndryshmëve në besim, harmoni mes tingujve të ndryshëm shpirtërorë dhe mirëkuptim ndërfetar. Ne besojmë se kjo harmoni e besimeve fetare në Shqipëri është trashëgimia më e madhe dhe e vyer, që të parët tanë të urtë, sidomos njerëzit e besimit dhe prijësit dhe dijetarët tanë shpirtërorë na lanë amanet, e cila rrezaton kaq bukur në mes një gadishulli konfliktesh etnike dhe fetare deri pak vite më parë.

Por, kuptohet ky mozaik, duhet ruajtur me shumë kujdes, që të mos pësojë dëmtime dhe provokime, të mos ketë pabarazi trajtimi ndaj pjesëve përbërëse të tij. Dhe kjo detyrë krahas komuniteteve fetare dhe besimtarëve përkatës, i takon edhe shtetit, që ta ketë nën kujdes me shembuj konkret, krahas atyre teorikë dhe akademikë.

Nuk është rastësi që pikërisht ky shembull i pakgjetur sot nëpër botë, i ka rënë në sy herë pas here edhe studiuesve dhe hulumtuesve të huaj dhe së fundmi, është një nga shkaqet kryesore që Papa Françesku ka zgjedhur vendin tonë për ta vizituar, një vend dhe popull i vogël me një vlerë kaq të madhe, e cila mund të eksportohet në Evropë dhe kudo në botë, si një shembull i mirëzbatueshëm.

(Revista JAVA)

 

You must be logged in to post a comment Login