Koncepti i paqes në Marrëveshjen e Medinës

madina

Richard Kelleher

Në fshatin e sotëm global, është shumë më e thjeshtë të krijosh kontakte me njerëz të kulturave dhe besimeve krejtësisht të ndryshme se sa ka qenë në të kaluarën. Fatkeqësisht, rritja e kontakteve globale ka zgjeruar gjithashtu edhe qëllimin e konfliktit kudo në botë. Konfliktet moderne gjejnë vend në shoqëritë me kulturë, besim dhe të kaluar filozofike tejet të ndryshme.

Marrëveshja e Medinës ishte një dekret i shkruar nga profeti Muhamed a.s., që në themel përcaktoi qytetin e Medinës si një qytet-shtet të vetëm. Marrëveshja ishte kushtetuta e parë e shkruar në Islam dhe e provuar si kushtetuta e parë në shoqërinë njerëzore. Qëllimi i saj ishte të pengonte një rreth vicioz dhune që kishte zgjatur për një kohë të gjatë.

Ndoshta Marrëveshja e Medinës mund të jetë një burim i përgjigjeve të shumë pyetjeve të sotme, duke na paraqitur mënyra të zgjidhjes dhe shmangies së konflikteve ndërmjet grupeve, bazuar në ndryshueshmëritë në kulturë dhe besim. Ndoshta ne mund të zbulojmë se është e mundur të jetohet në një shoqëri pluraliste në paqe dhe siguri.

Retrospektivë

Përpara ardhjes së profetit Muhamed a.s. nga Meka, qyteti Jethrib (më vonë i quajtur Medine) kishte një popullsi prej 10.000 banorësh, i organizuar në 22 fise. Afërsisht gjysma e popullsisë ishte hebreje dhe gjysma tjetër arabe. Disa nga arabët qenë muslimanë dhe disa qenë paganë. Pavarësisht nga feja e tyre, fiset kërkonin fuqi nëpërmjet dominimit ushtarak mbi fiset e tjera. Shumë aleanca ndërmjet fiseve ndërluftuese qenë harruar dhe kjo e bënte sulmin më të keq.

Luftëra të vazhdueshme merrnin shumë jetë njerëzish. Në kohën e mbërritjes së profetit Muhamed a.s., disa fise kërkonin mbështetje ushtarake jashtë Jethribit, dhe të tjerë po bënin përgatitjet për të vendosur një udhëheqës nga njëri prej fiseve. Por ishte e paqartë nëse çdo fis do të pranonte një udhëheqës të vetëm nga njëri prej fiseve dhe nëse një udhëheqës i tillë do të mund të ndërtonte një organizim politik, të krijonte një sistem ushtarak mbrojtës të qytetit, të zgjidhte armiqësitë ndërmjet fiseve, të përcaktonte të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve, si dhe t’i jepte drejtim çështjes së rritjes së popullsisë emigruese nga Meka.

Pas mbërritjes së tij në Jethrib, profeti Muhamed a.s. pranoi një ofertë nga fiset e Jethribit, që të vepronte si një palë e tretë ndërmjetëse për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre problemeve. Ai kishte reputacion si një ndërmjetës i aftë. Ai kishte ndihmuar gjithashtu në zgjidhjen e konflikteve edhe në Mekë. Ishte një praktikë e zakonshme ndër arabët e asaj kohe, që t’i drejtoheshin një të jashtmi për konfliktin dhe Profetit a.s. i ishte dhënë titulli “I Besueshmi” nga banorët e Mekës. Gjatë përgatitjes së Marrëveshjes, ai u konsultua me liderët e fiseve, duke treguar kështu vullnetin e tij për të dëgjuar nevojat dhe kërkesat e të gjitha fiseve.

Përmbajtja e Marrëveshjes së Medinës

Këto janë disa nga pikat më të rëndësishme të përfshira në Marrëveshje:

  1. Hebrenjtë do të kenë fenë e tyre dhe muslimanët të vetën.
  2. Hebrenjtë duhet të jenë përgjegjës për shpenzimet e tyre dhe muslimanët për të vetat.
  3. Nëse sulmohen nga një palë e tretë, secili duhet të vijë në ndihmë të tjetrit.
  4. Secila palë duhet të ruajë dialogun me tjetrën. Marrëdhëniet dypalëshe duhet të ngrihen mbi drejtësinë; mëkati është i papranueshëm.
  5. Asnjë nuk duhet të kryejë mëkat bazuar në paragjykimet ndaj tjetrit.
  6. Shteti duhet të vijë në ndihmë të palës vuajtëse.
  7. Hebrenjtë duhet të marrin përsipër pjesën e tyre në shpenzimet e luftës për sa kohë që luftojnë përkrah muslimanëve.
  8. Medina duhet të mbesë e shenjtë dhe e paprekshme për të gjithë ata që i bashkohen kësaj marrëveshje. Nëse ka mosmarrëveshje ndërmjet palëve nënshkruese të marrëveshjes, atëherë vetë Muhamedi a.s. duhet të zgjidhë konfliktin.
  9. Palët e kësaj marrëveshje duhet të ndërpresin marrëdhëniet tregtare me fisin e Kurejshëve të Mekës (të cilët ishin armiqtë e tyre në atë kohë). Ata duhet të refuzojnë dhënien e çfarëdo ndihme atyre.
  10. Secili grup duhet të kontribuojë në mbrojtjen e Medinës në rast të një sulmi të jashtëm në çdo pjesë të qytetit.
  11. Kjo marrëveshje do të përkrahë çdo palë që kërkon drejtësi ligjore.

Analizë

Marrëveshja e Medinës e bëri të qartë se qyteti i Medinës nuk i përkiste ndonjë familjeje, as ndonjë klase apo grupi të veçantë njerëzish, por të gjithë komunitetit. Marrëveshja ishte ndërtuar mbi konceptin e një komuniteti të përbërë nga fise të ndryshme që jetonin nën sovranitetin e Një Zoti. Ajo institucionalizoi metoda paqësore të zgjidhjes së konflikteve ndërmjet grupimeve të ndryshëm që jetonin si një popull, por pa i asimiluar ato në një fe, një gjuhë, apo një kulturë.

Ajo nxiti bashkëpunimin dhe solidarizimin mes muslimanëve, të krishterëve, hebrenjve dhe banorëve të tjerë të qytetit. Të gjithë njerëzit e Medinës ishin banorë të barabartë. Marrëveshja përkufizoi të drejtat dhe detyrat e çdo banori, duke siguruar mbrojtje, duke krijuar mbështetje financiare atyre dhe duke garantuar liri besimi si për muslimanët, ashtu edhe për jomuslimanët njëlloj.

Marrëveshja deklaronte se fiset muslimane dhe hebreje ishin një komunitet (umet); hebrenjtë ishin “një komunitet me besimtarët”, por ata “kishin fenë e tyre dhe muslimanët të vetën”. Kështu hebrenjtë u lejuan të praktikonin fenë e tyre lirisht dhe të kishin ligjet e tyre. Shteti i themeluar ishte ligjërisht i paanshëm ndaj të gjitha besimeve tradicionale. Kur hebrenjtë sillnin me dëshirën e tyre çështje të brendshme përpara atij për gjykim, ai i gjykonte sipas ligjit hebre dhe jo sipas ligjit islam.

Marrëveshja themeloi Medinën si një vend të shenjtë, duke larguar kështu dhunën dhe armët. Ajo ndaloi këtë dhunë që vazhdonte me dekada në Jethrib. Ajo përcaktoi sigurinë e gruas, normalizoi marrëdhëniet fisnore në Medine, themeloi sistemin e taksave për mbështetjen e komunitetit në kohë konflikti, themeloi parametrat e aleancave të politikës së jashtme, krijoi një sistem që dhuronte mbrojtje të individit, institucionalizoi një sistem gjyqësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe rregulloi konfliktet ndërmjet familjeve dhe fiseve.

Metodat

Sipas ekspertëve të zgjidhjes së konflikteve, metodat që Profeti a.s. përdori në hartimin e marrëveshjes janë të ngjashme me metodat që aplikohen në fushën e zgjidhjes së konflikteve të kohërave moderne. Këto metoda na dhurojnë një burim të rëndësishëm të të kuptuarit të koncepteve të ndërmjetësimit dhe zgjidhjes së konflikteve në Islam. Këta ekspertë thonë se metodat e Profetit a.s. na ofrojnë gjithashtu mjete të efektshme me anë të të cilave t’i qasemi dialogut ndërmjet shoqërive islame dhe joislame.

Marrëveshja e Medinës dhe citimi i parë i Medinës si qytet-shtet, themeloi rregullat e qeverisjes dhe përcaktoi çështje të veçanta sociale të komunitetit në një përpjekje për t’i dhënë fund kaosit dhe konfliktit që kishte pllakosur rajonin për gjenerata me radhë.

Marrëveshja përcaktonte strukturat e pushtetit që kontribuonin në konflikt në Jethrib. Marrëveshja identifikoi qartë palët e përfshira në konflikt. Gjysma e parë e Marrëveshjes lidhej me emigrantët muslimanë nga Meka dhe muslimanët e Jethribit, ndërsa në gjysmën e dytë të dokumentit i drejtohej komunitetit hebre. Profeti Muhamed a.s. përcaktoi gjithashtu çështjet e menjëhershme fizike të Jethribit. Në fillim të Marrëveshjes, banorët e Jethribit, përkufizohen si një komunitet, në veçanti nga të gjithë njerëzit jashtë saj. Përpara kësaj, kufijtë fizikë të Jethribit ishin të paqartë, secili fis zotëronte territorin e vet dhe të gjitha territoret fisnore nuk konsideroheshin si një i vetëm, pra qytet i bashkuar.

Me themelimin e Jethribit si një bashkësi e integruar, Profeti a.s. u mor me zgjidhjen e çështjeve që kishin të bënin me drejtësinë dhe mbrojtjen e bashkësisë. Karta vendosi rreth zbatimit të ligjit në Jethrib. Përgjegjësia për zbatimin e ligjeve kaloi nga individët tek bashkësia qendrore. Rregullimet e Profetit a.s. për drejtësinë dhe mbrojtjen e bashkësisë inkurajuan përgjegjësinë kolektive. Karta e Medinës përbënte gjithashtu njohjen e parë të ndarjeve fetare brenda sistemit fisnor të Jethribit. Edhe pse bëri pak për të ndryshuar organizimin e fiseve, Profeti a.s. u mbështet në vlerat e ngulitura mirë të Islamit dhe Judaizmit me qëllim forcimin e marrëveshjes. Këto dispozita i mundësuan palëve të marrëveshjes të shikonin përtej aleancave fisnore, duke e bërë kështu besnikërinë ndaj fisit më të dobët se besnikërinë ndaj Zotit dhe qytetit.

Me të njëjtën logjikë, Karta e Medinës u përqendrua më shumë në marrëdhëniet dypalëshe sesa në dinamikat e grupit: Karta eliminoi armiqësitë fisnore nëpërmjet rivendosjes së rezidentëve, duke e ndryshuar fokusin nga rivalët ushtarakë, në pasues të besimit aleat. Në rast të një mosmarrëveshjeje fetare, dokumenti vendosi që palët do të vepronin në vullnet të mirë me njëri-tjetrin. Zhvendosja e aleancave të njerëzve nga baza fisnore te baza fetare, i lejoi ata të braktisin armiqësitë fisnore pa u turpëruar, si dhe i lejoi të mbajnë ndjenjën e tyre të vetë-identifikimit.

Karta veçanërisht bëri thirrje për bashkëpunim dypalësh nëpërmjet deklaratës që muslimanët dhe hebrenjtë “duhet të kërkojnë këshillim dhe konsultim dypalësh, si dhe besnikëria është një mbrojtje ndaj tradhtisë”. Karta i angazhoi palët në marrëveshje të ndihmojnë njëra-tjetrën në rast të ndonjë sulmi në Jethrib. Kështu marrëveshja detyroi edhe mënyrën e sjelljes në një rast të veçantë të bashkëpunimit dypalësh. Nëse hebrenjve “i kërkohet të bëjnë paqe dhe ta mbajnë atë, ata duhet ta bëjnë këtë; dhe nëse hebrenjtë i kërkojnë të njëjtën gjë muslimanëve, përsëri kjo kërkesë duhet të zbatohet”.

Në të njëjtën kohë, në të dy seksionet, i bëhet referim një autoriteti më të lartë. Karta gjithashtu shpreh qartë që mosmarrëveshjet e ardhshme “duhet t’i referoheshin Zotit dhe Profetit Muhamed a.s.”. Pjesëmarrësit kishin të drejtë t’i drejtoheshin një fuqie të jashtme në të cilën ata mund të mbështeteshin në ato raste kur fuqia e tyre dukej e pamjaftueshme. Fuqia e marrëveshjes ishte veçanërisht e balancuar për shkak të referimit që ajo i bënte Zotit. Karta e Medinës i adresonte komplikimet e mundshme të fuqisë, duke i përqendruar palët në ndërvarësinë e tyre. Karta ndalonte veprime të njëanshme nga palët të cilat pretendonin mbrojtjen e Zotit dhe thoshte që, paqja ndërmjet besimtarëve varej nga njëri-tjetri. Ideja e të qenit një bashkësi e vetme theksohej përsëri dhe palët u detyruan ta njihnin fuqinë e tyre si një bashkësi.

Rezultatet

Përqasja pranuese e shfaqur nga profeti Muhamed a.s., pasardhësit dhe pasuesit e tij kundrejt jomuslimanëve që jetonin në mesin e tyre, ishte aq e mrekullueshme, saqë shoqëritë muslimane filluan të konsideroheshin si modele të përsosura të harmonisë dhe mirëkuptimit ndëretnik dhe ndërfetar.

Dekretimi i Kartës krijoi një strukturë të tipit federal me një autoritet të centralizuar për sa i përket çështjeve të sigurisë, ndërkohë që i njihte fiseve një nivel të autonomisë në çështjet sociale dhe fetare. Profeti Muhamed a.s. merrte vendime përfundimtare vetëm në rastet kur fiset nuk mund t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet ndërmjet njëri-tjetrit dhe këto vendime bazoheshin në ligjet e përcaktuara në Kartë. Ligjet gjithashtu miratoheshin për të dënuar kriminelët. Për shembull: Ndalohej dhënia e ndihmës për kriminelët, edhe nëse ai i përkiste të njëjtit fis apo së njëjtës familje. Gjithashtu, siç parashikohej në mësimet e Kuranit, liria e besimit ishte e garantuar për çdo anëtar të bashkësisë.

Përfundimet

Disa ekspertë pohojnë se zgjidhjet e paraqitura në Kartën e Medinës, mund të zbatohen në çështje që kanë të bëjnë me dialogun dhe konfliktet në botën e sotme. Karta u hartua për t’i dhënë zgjidhje problemeve të pranishme në një shoqëri pluraliste, karakteristika e shumë shoqërive në botën e sotme.

Karta fillon me fjalinë “Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Këtu emri i Zotit vjen i pari duke qenë se Zoti përfaqëson të mirën dhe parimin më të lartë për njerëzit fetarë. Në këtë epokë moderne të shkencës dhe teknologjisë, Karta e Medinës mund të shërbejë si një model i mirë dhe një burim përgjigjesh rreth asaj, se si duhet jetuar së bashku dhe se si duhen zgjidhur dhe parandaluar konfliktet, e rrugëve për të mbajtur bashkëpunimin në një shoqëri pluraliste si dhe të rrugëve për të ndërtuar dhe udhëhequr marrëdhënie politike dhe sociale, ndërmjet grupeve që kanë dallime në kulturë dhe besim.

/Drita Islame/

 

You must be logged in to post a comment Login