Komunikimi përmes objekteve të kultit islam

 

Objektet e kultit islam, kanë një rëndësi të madhe në jetën e një individi apo shoqërie, pasi religjioni/feja shihet e lidhur mjaft ngushtë me njeriun, me botën e tij  të brendshme/shpirtërore. Njeriu besimtar, në sjellje, në marrëdhëniet e tij në shoqëri, në jetën e përditshme, reflekton rregullat dhe përcaktimet kanonike të fesë përkatëse.

Rëndësia e objekteve të kultit islam shtohet edhe për faktin se ata ndihmojnë në forcimin e besimit fetar te njerëzit; konsolidimin e lidhjes së besimtarëve me objektin dhe krijuesin.

Në skenën historike bashkë me njeriun ka lindur edhe feja me rregullat dhe normat e saj. Ballafaqimi i njeriut me të shenjtën, prej fillimit të ekzistencës së tij e deri më sot ka qenë i vazhdueshëm e i përhershëm në çdo epokë. “Megjithëse vlerat fetare mund të kenë qenë të venitura gjatë dy shekujve të fundit anembanë botës, njerëzimi sot është përsëri në kërkim të fesë dhe është edhe njëherë i predispozuar për të.”  Ata që menduan se flakën tutje religjionin dhe shprehën ngritjen e shkencës  duke e cilësuar religjionin si primitiv dhe shkencat si moderne, duket se kanë gabuar rëndë. Religjioni dhe përkatësisht Islami vazhdon të mbetet një nga fetë më me ndikim në botë, në shoqëri dhe në familje.

Që nga qytetërimet e lashta e deri në ditët tona, objektet e kultit kanë pasur ndikim të ndjeshëm në komunikimin mes njerëzve. Feja ndikon në forcimin e unitetit të anëtareve të shoqërisë nëpërmjet predikimit dhe kontrollit të zbatimit të vlerave dhe normave të njëjta.

 

You must be logged in to post a comment Login