Komentimi i ajeteve të agjërimit

O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë detyrë për ju, sikurse ka qenë edhe për ta që ishin para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm.

Kuran

Kurani është Libri që Allahu ia zbriti profetit Muhamedit nëpërmjet engjëllit Xhibril për një periudhë 23 vjeçare. Në fakt, ajetet e Kur’anit ndahen në dy kategori: Një pjesë e tyre kanë zbritur në Mekë, ndërsa pjesa tjetër ka zbritur në Medine. Secila prej këtyre kategorive ka specifikat dhe të veçantat e veta.

Për shembull në ajetet që kanë zbritur në Mekë, Allahu thotë: “O njerëz”  Me këtë lloj thirrje apo shprehje, Allahu i Lartësuar i drejtohet të gjithë njerëzve, pa asnjë lloj dallimi, qofshin besimtarë apo jobesimtarë. Nuk ka rëndësi se çfarë feje i përket, je mysliman, i krishterë, hebre, budist, idhujtar, ateist apo çdo gjë tjetër.

Ndërsa në ajetet që kanë zbritur në Medine, kjo thirrje vjen në një formë tjetër, ku Allahu i Lartësuar do t’i drejtohet vetëm një grupi të veçantë, si: “O ju që keni besuar! E ky grup i caktuar do të jenë besimtarët. Dijetarët thonë se kur Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! të gjithë besimtarët duhet të përqendrohen tek kjo shprehje, sepse menjëherë pas saj Allahu do të zbresë një urdhër ose ndalesë të cilën besimtari duhet ta dëgjojë me vëmendje, t’i kushtojë rëndësi. Nëse është urdhër, ai duhet t’i bindet dhe ta zbatojë atë, e nëse është  ndalesë duhet që të largohet e mos i afrohet asaj gjëje për të cilën është ndaluar. Pra edhe në rastin konkret, pas thirrjes: “O ju që keni besuar! ne presim një urdhër. Cili është ky urdhër:

“Agjërimi është bërë detyrë për ju”

Në gjuhën e sheriatit fjala “agjërim”, do të thotë ndërprerja nga të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet intime nga agimi deri në perëndim të diellit, me qëllim vetëm për hir të Allahut. Duke u nisur nga ky përkufizim, vërejmë se agjërimi duhet të plotësojë dy elementë thelbësorë, që janë: 1 – Nijeti. Agjërimi duhet të jetë vetëm për hir të Allahut dhe për askënd tjetër. Këtu merr jetë fjala e Allahut në një hadith kudsij: “Agjërimi është për Mua dhe vetëm unë e jap shpërblimin për Të.” Në fakt, jo vetëm agjërimi, por çdo adhurim tjetër duhet të shoqërohet me nijet të pastër, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ata ishin të urdhëruar që ta adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë.” Ndërsa profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Me të vërtetë veprat varen sipas qëllimit.” Duke qenë se nijeti është kusht i domosdoshëm për agjërimin, atëherë personi i cili dëshiron të agjërojë Ramazanin, duhet që ta bëjë nijetin për çdo natë përpara namazit të sabahut.  Lejohet që të bëhet edhe në një pjesë të natës. Këtu vlen të theksohet se nijeti duhet të bëhet për çdo natë dhe jo që në fillim të muajit për gjithë muajin. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Nëse njeriu e bën nijetin për gjithë muajin, ai nuk e di se çfarë do t’i ndodhë gjatë muajit, për arsye të justifikueshme nga Sheriati ai mund ta ndërpresë agjërimin. Ndërsa duke e bërë për çdo natë, ai e përcakton më saktë se çfarë do të bëjë gjatë ditës. Kur vjen puna tek nijeti, ngadonjëherë, besimtari për të qenë në rregull me Allahun dhe adhurimin, ia vështirëson vetes çështjen e nijetit. Çështja e nijetit është shumë e thjeshtë dhe e lehtë; nuk është nevoja që të bëhet me gojë, në momentin që besimtari çohet në mëngjes për të ngrënë syfyr, ngrënia e syfyrit nënkupton që ai po ha syfyr që të agjërojë. Ose kur ai gjatë darkës thotë me vete, apo vendos që të agjërojë, atëherë ai e ka bërë nijetin.

Ky ishte kushti i parë i agjërimit, ndërsa kushti i dytë: privimi nga ushqimi, të pirët dhe marrëdhëniet intime nga koha e imsakut deri në kohën e akshamit.

“Është bërë detyrë për ju”

Agjërimi është dy llojesh: i detyrueshëm dhe vullnetar. Agjërim i detyrueshëm është agjërimi i Ramazanit, agjërimi për shlyerjen e shkeljeve të normave fetare (kefaret) apo agjërimi për ndonjë betim të bërë. Ndërsa agjërimet në ditën e hënë e të enjte janë agjërime vullnetare. Në këtë kontekst flitet për agjërimin e detyrueshëm të muajit të Ramazanit, sepse ajeti i mëposhtëm e shpjegon më mirë këtë gjë.

Agjërimi i muajit të Ramazanit është detyrim fetar sipas Kur’anit, Traditës Profetike dhe konsensusit të dijetarëve. Argument për obligueshmërinë e agjërimit të muajit të Ramazanit janë ajetet të cilat po i komentojmë. Ndërsa profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit një herë në jetë, nëse ke mundësi.”

Agjërimi i Ramazanit është bërë obligim në vitin e dytë të hixhretit, ditën e hënë kur kishin ngelur edhe dy ditë për të përfunduar muaji Shaban. Të gjithë myslimanët bien dakord se agjërimi i muajit të Ramazanit është i detyrueshëm dhe është një prej pesë shtyllave. Kjo do të thotë se ai e cili e kundërshton këtë gjë, ai nuk mund të quhet mysliman.

“Sikurse ka qenë edhe për ta që ishin para jush”

Në fakt agjërimi ka qenë detyrë edhe tek popujt që kanë qenë përpara nesh. Fakti se agjërimi ka qenë obligim edhe tek popujt e tjerë përpara nesh dëshmon qartë për rëndësinë e madhe që ky ritual ka. A ka qenë obligim agjërimi një muaj, më pak apo më shumë kjo nuk dihet me saktësi, por ajo që është e rëndësihme të theksohet është se agjërimi është një adhurim nëpërmjet të cilit njeriu afrohet me Allahun e Lartësuar.

Pa dashur të hyjmë në detaje për të cilat nuk kemi shumë informacione, mjafton të përmendim ngjarjen e Musait (a.s.) i cili shkoi të takohej me Allahun, ku agjëroi 30-të ditë dhe më pas agjëroi edhe 10 të tjera, nga dëshira që kishte që të rrinte sa më gjatë në takimin me Allahun e Lartësuar.

Përse jo, ky ajet mund të shërbejë si nxitje për ymetin mysliman që të garojë me popujt e mëparshëm në kryerjen e veprave të mira që i kushtohen Allahut.

“Me qëllim që të bëheni të devotshëm”

Kjo është qershia mbi tortë. Agjërimi është një nga mënyrat efikase për t’u pajisur me devotshmëri. Agjërim do të thotë të zbatosh ligjin e Allahut dhe të largohesh nga gjërat e ndaluara, njëlloj si devotshmëria, që është ruajtja nga ndëshkimi dhe zemërimi i Allahut duke kryer urdhrat dhe duke u larguar nga gjërat e ndaluara. Është e vërtetë që agjëruesi privohet nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime, por kështu ai triumfon ndaj nefsit që kërkon të hajë e të pijë. Siç shihet ky adhurim ka lidhje të drejtpërdrejtë me devotshmërinë.

Nëpërmjet agjërimit, besimtari ushtrohet që të ndiejë mbikëqyrjen e Allahut ndaj tij. Edhe sikur t’i ketë të gjitha mundësitë për të shijuar të gjitha kënaqësitë e nefsit të tij, ai u largohet atyre, sepse nuk dëshiron që të shkelë ligjet dhe rregullat e Allahut të Lartësuar. Përgjatë kohës që agjëron, ai e ndjen se Allahu po e vështron.

Një ngjashmëri tjetër ndërmjet agjërimit dhe devotshmërisë është edhe fakti se, agjërimi ia ngushton shejtanit rrugët e tij në trupin e njeriut. Dihet se shejtani lëviz nëpër trupin e njeriut sikurse qarkullon gjaku në trupin e tij, por gjatë agjërimit damarët ngushtohen, e rrjedhimisht, ngushtohen edhe rrugët e shejtanit për të mashtruar dhe nxitur njeriun që të kryejë mëkate. Prandaj në kohën kur njeriu agjëron gjynahet dhe mëkatet janë më të pakta.

Agjërimi të çon drejt devotshmërisë, sepse në të shumtën e rasteve, njeriu që agjëron i shton veprat e mira duke iu bindur Allahut dhe nuk ka dyshim se veprat e mira e afrojnë akoma më tepër me Allahun dhe agjëruesi bëhet më i devotshëm.

Komenti i ajetit:

“Ai është disa ditë me numër. Të sëmurët prej jush ose udhëtarët, le të agjërojnë më vonë po aq ditë (sa kanë lënë pa agjëruar). Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi (ditor) i një të varfri. Nëse dikush jep vullnetarisht më tepër, do të jetë më mirë për të. Megjithatë të agjëroni është më mirë për ju në qoftë se e dini.”

“Ai është disa ditë me numër.”

Obligimi i agjërimit të Ramazanit është brenda kufijve të kapaciteve njerëzore, sepse Allahu nuk e obligon një njeri përtej mundësive të tij. Ditët e agjërimit është shumë e lehtë që t’i numërosh. Ne sot themi psh: është dita e pestë, nesër dita e njëzetë dhe pasnesër themi sot është dita e fundit. Kaq pak ditë nuk e dëmtojnë dhe as nuk e stërmundojnë njeriun. Përkundrazi, kjo detyrë është e lehtë për t’u përmbushur por shpërblimin e ka të madh. Mjafton të themi se nëse pas Ramazanit, besimtari agjëron edhe gjashtë ditë të tjera vullnetarisht, konsiderohet sikur ka agjëruar të gjithë vitin. Le të imagjinojmë (brenda kufijve të imagjinatës) sikur agjërimi të ishtë bërë obligim përgjatë gjithë vitit. Realisht kjo do të ishte e vështirë dhe e pabërballueshme. Por Allahu dëshiron që obligimet fetare të jenë të lehta dhe të përballueshme. Madje fraza kuranore: “Ai është disa ditë me numër” në vetvete i jep shumë shpresë agjëruesit. Është ndryshe kur thuhet “një muaj” dhe ndryshe kur thuhet “disa ditë me numër.” Pra edhe në aspektin emocional këto fjalë janë më të goditura.

Lehtësimi i Allahut nuk përfundon këtu, por vazhdon më poshtë:

“Të sëmurët prej jush ose udhëtarët, le të agjërojnë më vonë po aq ditë (sa kanë lënë pa agjëruar).”

Konteksti kuranor është më se i qartë, pasi nuk përcaktohet lloji i sëmundjes as i udhëtimit. Por flitet në mënyrë të përgjithshme. Ky ajet kuranor vetëm kështu kuptohet dhe nënkupton një nocion të rëndësishëm të fesë islame: “Largimin e vështirësisë dhe ndalimin e dëmit”.

I sëmuri mund ta ndërpresë agjërimin, nëse ai ndikon në përkeqësimin e sëmundjes ose vonon në shërimin e sëmundjes. Disa dijetarë kanë thënë: Çdo lloj sëmundje e bën të lejuar për personin ndërprerjen e agjërimit, madje edhe një plagosje në gisht apo dhe një dimbje dhëmbi, sepse siç e cekëm edhe më sipër ajeti flet në mënyrë të përgjithshme dhe i referohet të gjitha llojeve të sëmundjeve. Jo vetëm kaq, por nëse njeriu ka frikë se mos sëmuret nga agjërimi, mund ta ndërpresë atë.

Nëse një person agjëron, megjithëse është i sëmurë, agjërimi i tij është i papëlqyeshëm, pasi ai nuk praktikon lehtësimin e dhënë nga Allahu dhe jo vetëm kaq por ia vështirëson edhe vetes.

Lloji i udhëtimit kur lejohet ndërprerja e agjërimit është i njëjtë me atë të shkurtimit të namazit. Dikush me të drejtë mund të pyesë se sa është distanca që duhet të përshkruajë udhëtari që t’i lejohet që ta ndërpresë agjërimin dhe ta shkurtojë namazin. Dijetarët kanë dhënë mendime nga më të ndryshmet, por duke u nisur nga parimi i lehtësimit duke u bazuar edhe tek ajeti kuranor themi se çdo udhëtim i gjatë apo i shkurtër që përkon me përkufizimin gjuhësor të fjalës “udhëtim”, do të mjaftonte për t’i shkurtuar namazet dhe për të mos agjëruar. Këtu vlen të theksojmë se nuk ka dallim nëse udhëtimi bëhet në këmbë, me ndonjë kafshë, makinë, apo aeroplan.

Megjithatë nëse dikush që nuk ka agjëruar për shkak se ka qenë i sëmurë apo në udhëtim, atëherë ai duhet që aq ditë sa nuk ka agjëruar, pas Ramazanit duhet t’i plotësojë. Nuk ka rëndësi se kur, edhe në qoftë se këto ditë mund të jenë më të shkurtra se ditët e Ramazanit. Si p.sh.: Tani në korrik, ditët e agjërimit janë shumë të gjata, ai cili nuk agjëron për shkak të sëmundjes apo udhëtimit, mund t’i plotësojë ato ditë që ka lënë mangut gjatë dimrit ku dita është më e shkurtër dhe nuk është vapë. S’ka dyshim se ky është një lehtësim tjetër nga Allahu i Lartësuar.

“Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi (ditor) i një të varfëri.”

Edhe njëherë shfaqet mëshira dhe bujaria e Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij, duke ua lehtësuar obligimet fetare. Në fillim të obligimit të agjërimit, ai që kishte mundësi të agjëronte, por nuk agjëronte, ishte i detyruar ta kompensonte duke ushqyer një të varfër. Mirëpo më vonë, ky ajet u shfuqizua me ajetin kuranor: “Kushdo nga ju që e përjeton këtë muaj, le të agjërojë”. Ky ajet është shfuqizuar për njeriun e shëndoshë e rezident, por jo për të gjithë, sepse ai ngelet në fuqi për disa kategori njerëzish që janë: të moshuarve u lejohet ta ndërpresin agjërimin, ashtu siç u lejohet të sëmurëve kronikë dhe atyre që bëjnë punë shumë të rënda në rrethana tepër të vështira që nuk kanë mënyrë tjetër për t’u ushqyer. Këtyre kategorive u lejohet që të mos agjërojnë por janë të detyruar që të ushqejnë një të varfër.

“Nëse dikush jep vullnetarisht më tepër, do të jetë më mirë për të.”

Feja islame është një fe madhështore, pasi kërkon prej të gjithë besimtarëve që në lidhje me adhurimet të gjithë të jenë në një gradë. Kjo arrihet nëpërmjet obligimeve fetare. Për atë person i cili dëshiron të jetë në një gradë më të lartë, ai mund ta arrijë këtë nëpërmjet veprave vullnetare. Dihet që nëse njeriu i fal pesë kohët e namazit ka për të qenë prej të shpëtuarve, por nëse ai fal namaze vullnetare, ai rritet më tepër në gradë. Po kështu nëse agjëron Ramazanin dhe agjërime vullnetare. Po kështu nëse jep zekatin e përcaktuar nga ana e Sheriatit, nëse jep më tepër se aq shpërblimin e ka më të madh. Edhe në rastin konkret, ai që ushqen vetëm një të varfër e ka shlyer detyrimin e tij përpara Allahut, por nëse ushqen më tepër se një të varfër, apo e ushqen më tepër se ditët që ka lënë mangut, s’ka dyshim se ka shpërblim më të madh tek Allahu i Lartësuar.

“Megjithatë të agjëroni është më mirë për ju në qoftë se e dini.”

Megjithatë në të gjitha rastet, pavarësisht lehtësimit, agjërimi është më i mirë sepse në vetvete ai mbart shumë dobi. Dobi në aspektin  fizik, shpirtëror, shëndetit, shpërblimit etj. Ky ajet i drejtohet atyre personave që janë të sëmurë dhe kanë mundësi që të agjërojnë, atëherë është më mirë për ta që të agjërojnë. Ose për ata udhëtarë të cilët udhëtimin nuk i lodh apo nuk ndikon në agjërimin e tyre, atëherë më mirë për ta është që të adhurojnë.

Komenti i ajetit:

“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues. Kushdo nga ju që e jeton këtë muaj, le të agjërojë! Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) më vonë. Allahu dëshiron për ju lehtësimin. Ai nuk dëshiron vështirësinë për ju. Plotësojeni numrin e ditëve dhe madhërojeni Allahun për udhëzimin, që të bëheni mirënjohës.”

“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues.”

Në një ajet më lart Allahu i Lartësuar thotë se agjërimi i obligueshëm është vetëm disa ditë që numërohen, ndërsa në këtë ajet na tregon se ky agjërim është në Ramazan.

Pothuajse të gjithë muajt sipas kalendarit hënor kanë një vlerë të caktuar, ndërsa Ramazani që është muaji i nëntë i kalendarit hënor, mbart shumë më tepër vlera se muajt e tjerë, çka e bën atë që të jetë më i dallueshëm se muajt e tjerë. Ramazani është muaji në të cilin Allahu ka bërë obligim për robërit e tij agjërimin, një prej pesë shtyllave të fesë Islame. Një veçori dalluese që e bën Ramazanin që të dallohet nga muajt e tjerë është se në këtë muaj, pikërisht në natën e Kadrit, Allahu e ka zbritur Kuranin e plotë nga Leuhi Mahfudh në qiellin e dynjasë, dhe më pas nga qielli i dynjasë ia ka zbritur profetit Muhamed (a.s.) për 23 vjet.

Duke medituar me kujdes tek ky ajet, vërejmë qartë se në Ramazan janë bashkuar dy të mira: agjërimi dhe Libri i Allahut. Prandaj edhe profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: Filan njeri ka braktisur të ngrënët dhe të pirët, vetëm për hirin Tënd, prandaj më bëj mua ndërmjetës për të. Ndërsa Kur’ani do t’i lutet Allahut: O Zot! Filan njeri ka lexuar Kur’an ditën dhe natën, prandaj më bëj mua ndërmjetës për të.” Që të dy këta; agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. E ku ka më mirë për njeriun që në ditën e vështirë të ketë jo një ndërmjetës por dy, dhe jo ndërmjetës të rëndomtë, por ndërmjetës me peshë shumë të madhe.

Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar përmend tre cilësi të Kur’anit:

1 – Udhërrëfyes për njerëzit, për t’u treguar atyre të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër;

2 – Sqarues i rrugës së drejtë; për ta bërë më të thjeshtë dhe më të kuptueshme;

3 – Dallues, sepse ai të mundëson të shohësh dhe të dallosh rrugën e drejtë nga rruga e gabuar. ai bën dallimin mes të lumturve, që do të jenë përherë në kënaqësinë e Allahut, dhe të dëshpëruarve, që do të vuajnë përjetësisht ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut.

“Kushdo nga ju që e përjeton këtë muaj, le të agjërojë!”

Ky ajet kuranor shfuqizon ajetin e mësipërm të kompensimit, që do të thotë se, çdo person i shëndetshëm e ka për detyrë të agjërojë muajin e Ramazanit.

Me të drejtë këtu mund të lindë një pyetje: Kush e ka detyrë agjërimin?

Të gjithë dijetarët bien dakord se agjërimi është i detyrueshëm për çdo mysliman në moshë madhore që është i shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht, që nuk është udhëtar. Kjo do të thotë se një jobesimtar nuk e ka për obligim të agjërojë. Po ashtu personi i cili nuk e ka mbushur moshën e pjekurisë që varion nga mosha 12-15 vjeç, nuk e ka për detyrë që të agjërojë. Ai që është i sëmurë, apo ai që është me të meta mendore nuk e ka për detyrë agjërimin e Ramazanit. Për sa i përket grave edhe ato e kanë për detyrë që të agjërojnë, me përjashtim të rasteve kur janë me mestruacione apo lehona.

Lidhur me këtë kontekst, mund të bëjmë një ndërhyrje, përsa i përket agjërimit të fëmijëve që nuk e kanë mbushur moshën e pjekurisë. Është e vërtetë që ata nuk e kanë obligim që të agjërojnë, prindërit e kanë për detyrë që t’i nxisin fëmijët e tyre që të agjërojnë në mënyrë që të ushtrohen me këtë adhurim madhështor. Një veprim i tillë transmetohet nga shokët e Profetit (a.s.) të cilët i nxisnin fëmijët e tyre që të agjëronin.

“Ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) më vonë.”

Në pamje të parë të duket sikur ky ajet përsëritet ngase në një ajet më lart Allahu i Lartësuar thotë: “Të sëmurët prej jush ose udhëtarët, le të agjërojnë më vonë po aq ditë (sa kanë lënë pa agjëruar).” Por duke qenë se ndokush mund të mendojë se meqë ajeti: “Kushdo nga ju që e jeton këtë muaj, le të agjërojë!” shfuqizon kompensimin për ata që agjërojnë, shfuqizon edhe lehtësimin për të sëmurët dhe udhëtarët. Pikërisht për këtë arsye, e përmend sërish lehtësimin për të sëmurët dhe udhëtarët, që ky keqkuptim të largohet.

“Allahu dëshiron për ju lehtësimin. Ai nuk dëshiron vështirësinë për ju.”

Ky kontekst kuranor është thelbi, esenca dhe principi i bazë i çdo adhurimi.

Le të drejtojmë një pyetje: A është agjërimi një obligim i papërballueshëm?

Si fillim, përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetje, le t’i përgjigjemi një pyetje tjetër: Braktisja e ushqimit dhe epshit në mesin e ditës për një muaj të tërë, a është e papërballueshme? Shumica prej nesh që punojnë gjatë ditës, në shumicën e rasteve nuk hanë drekë, ose rrinë gjatë pa ngrënë. Ka raste kur dalim nga shtëpia vetëm me ushqimin e mëngjesit dhe vetëm kur kthehemi në darkë në shtëpi hamë. Jo rrallë herë na ka ndodhur një gjë e tillë. Kjo për ne është krejt normale, por problemi qëndron se kur kjo bëhet obligim, na duket vetja sikur jemi futur në qelinë e burgut dhe mjaft e vështirë?!

Ndërsa për sa i përket pijeve të ndryshme si uji, pijet me gaz, kafeja e të ngjashme me to, privimi nga këto gjëra nuk e dëmtojnë shëndetin dhe gjendjen emocionale të njeriut. Është e vërtetë që njeriu mund të ndjejë lodhje dhe këputje, por ajo është mëse e përballueshme.

Problemi qëndron tek nefsi i njeriut që i bën pritë këtij adhurimi duke e konsideruar atë mjaft të vështirë. Kur ishim të vegjël kishim qejf që të ecnim mbi trotuar, dhe kemi ecur pa problem. Nëse të njëjtin trotuar me të njëjtën gjerësi, madje edhe dyfish më të gjerë do të ishte në një lartësi 200 metra, a do të kalonim mbi të. Vështirë se do ta bënim. Problemi nuk qëndron tek trotuari, por tek frika që ushqehet përbrenda nesh.

Duke kundruar me vëmendje rregullat dhe dispozitat e agjërimit, vërejmë se ato janë jashtëzakonisht të lehta. Nëse njeriu është i sëmurë, nuk e ka për detyrë të agjërojë. Nëse është në udhëtim, nuk e ka për detyrë të agjërojë. Agjëruesi është i urdhëruar që ta çelë sa më shpejt iftarin dhe ta vonojë sa më shumë syfyrin deri në kufirin e lejuar. Nëse vapa e stërmundon, mund që edhe të lahet që të freskojë trupin. Të gjitha këto veprime dëshmojnë vetëm për një gjë: Allahu dëshiron për ne lehtësimin dhe jo vështirësinë.

“Plotësojeni numrin e ditëve dhe madhërojeni Allahun për udhëzimin, që të bëheni mirënjohës.”

Plotësojeni numrin e ditëve do të thotë se agjëruesi duhet ta plotësojë agjërimin e Ramazanit deri në fund. Nëse për arsye të justifikueshme nga ana e Sheriatit, ka lënë ditë pa agjëruar, atëherë ai duhet t’i plotësojë po aq ditë sa ka lënë pa agjëruar.

Përfundimi i agjërimit të Ramazanit duhet të shoqërohet me madhërimin e Allahut, me tekbire duke filluar qysh me shikimin e hënës së re të muajit Sheual që vjen pas Ramazanit deri në namazin e Fitër Bajramit. Madhërimi i Allahut (tekbiret) është një ibadet tjetër, nëpërmjet të cilit besimtari afrohet më pranë tek Allahu i Lartësuar. Kjo do të thotë se besimtari është në adhurim të vazhdueshëm. Jo vetëm agjërimi, në përfundim të tij shoqërohet me adhurimin e dhikrit, por edhe ibadetet e tjera, si p.sh.: pas namazeve farz, ne bëjmë tesbihet. Në përfundim të ritualit të Haxhit, e madhërojmë Allahun, kur therrim kurban përsëri e madhërojmë Allahun e Lartësuar. Dhikri ka një ndikim jashtëzakonisht të madh tek adhuruesi, sepse nëpërmjet tij njeriu i forcon akoma më tepër lidhjet me Allahun e Lartësuar.

Agjërimi, namazi, dhikri, leximi i Kur’anit janë shprehjet më të larta të falënderimit tonë ndaj Allahut. Njerëzit thonë se ne e falënderojmë Allahun me zemër dhe me gojë. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe shumë pozitive. Por falënderimi me zemër dhe gojë është shkalla më e ulët e mirënjohjes tonë ndaj Allahut, ndërsa grada më e lartë e falënderimit është falënderimi i gjymtyrëve.

Komenti i ajetit:

“Kur adhuruesit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, Unë i përgjigjem lutjes, kur lutësi më lutet. Le të më përgjigjen Mua dhe të më besojnë vetëm Mua, që të jenë të udhëzuar drejt.”

“Kur adhuruesit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër”

Duke qenë se agjëruesi e shijon ëmbëlsinë e mirënjohjes ndaj Allahut, Allahu i Lartësuar  e qetëson duke i kujtuar se ai i përgjigjet lutjes së tij. Profeti (a.s.) thotë: “Tre personave, lutja nuk u kthehet mbrapsht; agjëruesit derisa të çelë iftarin, prijësit të drejtë, personit që i është bërë padrejtësi. Lutjen e tij Allahu e ngre mbi re, e dyert e qiellit hapen. Zoti thotë: Betohem në madhështinë Time që kam për të ndihmuar qoftë edhe pas njëfarë kohe.” Shkak i zbritjes së këtij ajeti është pyetja e një sahabi i cili e pyeti profetin (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! A është afër Zoti ynë, që t’i flasim me zë të ulët, apo është larg, që ta ngremë zërin kur flasim?”

Menjëherë do të zbresë ky ajet kuranor, si përgjigje e kësaj pyetje. Allahu është afër. Ai është Mbikqyrës i veprave të atyre që e adhurojnë Atë.

Le të meditojmë pak në mënyrën se si është renditur ky ajet kuranor:

– Në Kur’an ka katërmbëdhjetë raste (ajete) ku Allahu thotë: Të pyesin ty (o Muhamed). Në trembëdhjetë raste, përgjigja vjen “thuaju”, vetëm në këtë rast nuk thotë “Thuaj” por direkt vjen përgjigja “Unë jam afër.” Kjo tregon për afërsinë e Allahut me lutësin, sepse nuk ka ndërhyrje në mes me fjalën thuaj.

“Unë jam afër” tregon për afërsinë e Allahut me ata që e adhurojnë. Kjo frazë e nxit besimtarin që ta lusë sa më shumë Allahun.

“adhuruesit e Mi” kjo është një nder për ata që e adhurojnë Allahun.

Unë i përgjigjem lutjes, kur lutësi më lutet.”

 Lutja zë një vend të rëndësishëm në Islam. Ajo është një ndër adhurimet të rëndësishme, sepse shfaq nevojën e madhe të njeriut për Allahun. Gjithashtu lutja tregon për lidhjen e njeriut me Allahun

 Allahu i Lartësuar i përgjigjet lutjes së atij që lutet. Ka dy forma të lutjes: lutje adhurimi, lutje kërkesë. Lutje adhurimi janë lutjet e robit që Allahu t’i japë ato që kërkon dhe ta ruajë nga ato që ai druhet, në mënyrë indirekte. Për shembull, besimtari konkretisht e lut Allahun që ta fusë në Xhenet, ose indirekt kërkon prej Allahut që ta fusë në Xhenet për shkak të adhurimeve që ka kryer. Kjo mënyrë e fundit është lutje adhurimi.

Ndërsa lutje kërkese do të thotë që njeriu t’i kërkojë Allahut diçka konkrete, si O zot më jep të mira, ma shto bereqetin, ruaji dhe ndihmoji fëmijët e mi etj.

Ky ajet kuranor dëshmon se Allahu ka premtuar se i përgjigjet lutësit kur ai e lut Atë, por me disa kushte: kur zemra e atij që lut të jetë e përqendruar, jo të lutet me gojë dhe zemra noton në ujra të qeta. Profeti (a.s.) thotë: “Lutjuni Allahut duke qenë të bindur në pranimin e lutjes dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet lutjes që del nga zemra e shkujdesur.” Që Allahu t’i përgjigjet lutjes, në rradhë të parë njeriu duhet të largohet nga ato gjëra që e pengojnë pranimin e lutjes. Profeti (a.s.) tregon për një njeri që kishte ndërmarrë një udhëtim të gjatë, ishte i pakrehur dhe ngriti lart duart në qiell, por si mund t’i përgjigjej Allahu atij kur ushqimi, pija dhe veshmbathja ishte haram?!

“Le të më përgjigjen Mua dhe të më besojnë vetëm Mua, që të bëhen të udhëzuar të drejt.”

Duke besuar tek Allahu dhe duke iu përgjigjur urdhrave të Tij, vetëm atëherë do të jemi të udhëzuar në rrugë të drejtë. Shenjë e udhëzimit në rrugë të drejtë është pranimi i besimit dhe veprave të mira.

Ky ajet është renditur pas ajeteve që flasin për agjërimin, kjo do të thotë se gjatë muajit të Ramazanit besimtari duhet të lutet sa më shumë, sidomos me lutjen që Profeti (a.s.) ia mësoi Aishes: “O Zot, Ti je Falës, e do faljen, prandaj na fal neve.”

/Elton Harxhi-Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login