Koha, kolona zanore e jetës

Minutat e të përditshmes janë shoqëria më e zakonshme, që, pavarësisht nga situata, ajo na gjendet përherë pranë. Duam apo s’duam, këshillat e saj mbeten më të përkryerat e momentit. Janë gjithmonë tik-take që, edhe pse të brishta në dukje, mbeten tinguj që flasin dhe mbartin një mesazh universal: “Kujto se një tjetër mundësi të iku!” Besojmë se çdokush e ka kuptuar se e kemi fjalën për kohën, kolonën zanore të jetës. Çdo moment që kalon shkurton këtë periudhë dhe e sjell njeriun më pranë vdekjes. Çdo gjë që ka fillim natyrisht duhet të ketë edhe mbarim. Është fund i sigurt, i pashmangshëm. S’ka kthim. As për një sekondë. S’ka shpëtim (nga vdekja). As që mendohet. Allahu i Madhëruar urdhëron e thotë në Kur’an: “E kush shpreson takimin e Allahut, s’ka dyshim se afati i Allahut (vdekja) patjetër do të vijë…” (Kur’an, 29: 5)

Në një ajet tjetër i Madhëruari Allah thotë: “Sigurisht, janë të humbur ata që mohojnë takimin me Allahun. Kur Ora (e Kiametit) t’u vijë papritur, ata do të thërrasin: ‘Të mjerët ne, sa të shkujdesur që kemi qenë (në jetën tokësore)!’ Dhe do të mbartin gjynahet mbi shpinat e tyre. Eh, sa e shëmtuar është ajo barrë.” (Kur’an, 6: 31)

Një ditë do të përgjigjemi për kohën tonë. A e shfrytëzuam për të realizuar qëllimin kryesor të jetës, apo e humbëm kot, pa ndonjë përfitim? A ishim adhurues të Allahut apo adhurues të epsheve dhe indiferentizmit ndaj shpalljes? A mendojmë për vdekjen që na pret të gjithëve, pa përjashtim, apo jemi në një gjumë të thellë dhe nuk duam të përmendemi? Gjithnjë problemi qëndron tek të rinjtë, në duart e të cilëve është e ardhmja. Përse shumica e tyre i bien me shkelm periudhës më të bukur të jetës, kohës në të cilën më shumë se kurrë mund të mbledhin nektarin për të gatuar ushqimin e jetës? Përse e kanë të vështirë të kuptojnë se shfrytëzimi i kohës është investimi më i mirë për një të ardhme të ndritur, me fryte dhe suksese afatgjata?! Kaq e vështirë qenka të heqësh dorë nga orët e mallkimit nën miqësinë e alkoolit, tingujve shurdhues apo të lojërave të fatit?! Kësaj i thonë të jesh i verbër me sy në ballë, të jesh psik… me mendje plot, të jesh pa ndjenja me zemër në gjoks…

Shfrytëzimi i kohës është një art më vete, që dinë ta përdorin vetëm ata që e duan realisht Krijuesin dhe veten, pasi të duash kohën tënde, është njësoj si të duash vetë jetën.

Është pothuajse e pashmangshme pendesa pas humbjes së kohës, por përse mund të na shërbejë, vallë? A mos do të mund ta tërheqim akrepin e orës prapa? Natyrisht që jo, do këputej.

Allahu Fuqiplotë urdhëron e thotë: “Çdo shpirt (krijesë) do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’ju plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri e hyn në xhenet, ai ka arritur sukses (shpëtim), ndërsa jeta e kësaj bote nuk është tjetër veçse një përjetim mashtrues.” (Kur’an, 3: 185)

Meqenëse fundi është i pashmangshëm, atëherë nuk është shumë e rëndësishme se sa kohë jetojmë. Disa do e arrijnë këtë fund më herët, të tjerë më vonë, por të gjithë do të ulemi në “bankën e të akuzuarit” për shpërdorim detyre. Cilës detyrë? Atë të shfrytëzimit të pasurisë më të vyer që mund të posedojë njeriu – kohës. Dhe shpëtimi do të mund të garantohej vetëm me një avokat mbrojtës – veprën e mirë, pasi vetëm ajo i bën ballë çdo akuze; është alibia e përkryer që të siguron pafajësinë dhe dëshmon besnikërinë tënde ndaj kohës. E atëherë, ti mund të dalësh krenar nga “salla e gjyqit”, duke vërtetuar se drejtësia hyjnore ekziston dhe se ligji është i barabartë për të gjithë. Kështu, ti pa u trembur, mund të përballosh sfidën e madhe – vdekjen; do e dorëzosh shpirtin i qetë kurdo qoftë ai moment.

Allahu xh.sh. na urdhëron që të fitojmë, jo para, por vepra të mira, jo famë, por besim, jo kënaqësi nga e ndaluara, por dituri, pasi vetëm të dytat do të bartin me vete suksesin e së përtejmes. Atë ditë kur çdo gjë e kësaj bote është e pavlerë, përveç besimit të sinqertë dhe veprave të mira; atë ditë kur s’ka ndihmues a ndërmjetës përveç Allahut. Është ajo ditë kur krijesat mblidhen për llogari në prani të Krijuesit, kur çdonjëri do të korrë atë çfarë ka mbjellë dhe, përfundimisht, të vendoset në vendbanimin e përjetshëm për të mos vdekur më.

Allahu betohet në kohën për të na bërë të qartë rëndësinë e saj: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (Kur’an, 103: 1-3)

Është shumë e njohur një nga thëniet e të Dërguarit të Allahut a.s., ku thotë: “Shfrytëzoni pesë gjëra para pesë të tjerave: “Rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para zënies (me punë) dhe jetën para vdekjes.”

Gjërat e përmendura në hadith janë me rëndësi jetike. Vlerën e tyre të vërtetë vetëm ai që i ka humbur e di.

/Revista ‘Drita Islame’ – korrik 2017/

You must be logged in to post a comment Login