Koha e humbur

koha e humburPejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ai, dy ditët e të cilit janë të njëjta, është në humbje të sigurt.” Kjo thënie ka të bëjë me kohën. Sa kohë i humbim ne vetes gjatë ditës? Cila quhet kohë e humbur? Si duhet ta shfrytëzojmë kohën? Pyetje të tilla ka shumë e njeriu duhet ta pyesë shpesh veten se si e ka shfrytëzuar kohën gjatë ditës që shkoi. Askush nuk ka menduar të llogarisë orët ditore të humbura kot. Kësisoj, njerëz të tillë ecin në jetë kuturu. Ata janë pa ideale e qëllime. E një jetë pa qëllim është si të mos ekzistojë fare. Harri Boxc, sociolog amerikan, në studimet e tij shënon: “Kush argëtohet me jetën nuk arrin kurrë sukses”. Në një farë mënyre koha e humbur është rendja pas qejfeve e dëfrimeve pa fund. Koha e humbur është rendja pas lojërave të kota e pa vlera morale, mendore, fizike etj. As që mendojmë këtu për lojërat humbëse të fatit, as për qejfet shfrenuese të imoralitetit. Me dy konceptet e lartpërmendura e kemi fjalën për vrarjen e kohës para ekranit të televizorit duke ndjekur filma e telenovela me orë të tëra sa në fund nuk mban mend asgjë nga ato që ke parë. E kemi fjalën, gjithashtu, për qëndrimet në kafene e pube, mes zhurmës e zallamahisë pa mbarim duke shqyer sytë sa te njëri te tjetri pa as më të voglin qëllim në jetë. Së fundi nuk kemi përmbledhur këtu të ashtuquajturën ‘jetë nate’, e cila sot në mjaft të rinj është kthyer në modë. Kjo e fundit i merr të tëra energjitë e të rinjve në atë masë, sa të nesërmen nuk janë të aftë as fizikisht e as mendërisht për të përballuar kërkesat e punës që kryejnë, qoftë ajo punë intelektuale apo fizike. Kur përmendëm lojërat, i përjashtuam kategorikisht lojërat e zeza të fatit, pasi ata që ndjekin ato ia kanë shitur shpirtin djallit. Ne po flasim për lojërat e dominove që janë kthyer në ‘profesion’ për moshat e treta. Ashtu si janë kthyer në profesion lojërat elektronike të fëmijëve, adoleshentëve e të rinjve tanë. Prindërit sakrifikojnë duke i plotësuar të tëra kërkesat fëmijëve. Madje ka prindër të papunë që zvarriten me një tavolinë të vogël pranë derës së shtëpisë apo në rrugë për të shitur diçka që të sigurojnë jetesën e familjes, përsëri i blejnë fëmijëve kompjuterin, u paguajnë edhe internetin dhe kënaqen kur shohin se fëmijët e tyre mbyllen me orë të tëra në dhomë e nuk dalin më si më parë në rrugë. Ata gabojnë. Me vetë sakrificën e madhe që bënë, nuk e mendojnë se fëmijët e tyre vrasin kohën e nuk e shfrytëzojnë kompjuterin e internetin në dobi të zhvillimit, për marrjen e dijeve e informacioneve të ndryshme shkencore e teknike. Me zhvillimin e vrullshëm të Tik-ut, fëmijët, adoleshentët e rinia gjithnjë e më shumë po i largohen lojërave fizike aq të domosdoshme për zhvillimin fizik të tyre. Në pamje të parë çështja që po trajtojmë të duket disi teori apo moralizim. Nuk është kështu. Po të llogarisim sa kohë i humbim vetes, do të bindemi plotësisht e do të pendohemi. Sikur një orë në ditë të humbim kot, për 12 muaj i takon 360 orë. Nëse këto orë i konvertojmë me normën vjetore të një mësuesi, do të ishte e barabartë me normën vjetore të dy mësuesve në vit. Një orë në ditë humbje do të ishte firo minimale apo e zakonshme e kohës për çdo njeri. Po ata që në të vërtetë i vrasin ditës dy-tri a më shumë orë?! Përgjigja merret me mend. Koha që ikën nuk kthehet më. Edhe sikur të pendohemi një ditë, do të ishte vonë e s’do të ndreqnim asgjë…Ç’duhet të bëjmë me kohën? Njeriu i rregullt e shfrytëzon në maksimum kohën duke lexuar e studiuar vijimësisht Kur’anin, duke lexuar literaturë teknike, shkencore, kulturore e artistike. Punon me kompjuterin edhe për të fituar shprehi e shkathtësi kompjuterike krahas vlerave madhore që ai servir. Bën punë fizike të dobishme kur ka mundësi, merret me sport, mëson gjuhë të huaj, merret me punë krijuese, ndjek një shkollë etj. Koha për njeriun është e pamjaftueshme për të arritur qëllimet e veta, e jo më ta firojë atë pa llogari. Njeriu bashkëkohor e planizon kohën, punët ditore që do të kryejë i shënon në një bllok të vogël apo në kalendarin ditor. Sapo e kryen një punë e sposton atë dhe ndjek tjetrën, me qëllim që të mos jetë konfuz e ta humbë toruan mes punëve të ndryshme që i duhet të realizojë gjatë asaj dite. Duke planizuar punët tuaja, kurrë mos saboto punët e të tjerëve. Kur kemi planifikuar të vizitojmë dikë, asnjëherë të mos shkojmë në takim pa e njoftuar më parë për orën e takimit dhe kohën që do t’i marrim. Kohët e pushimit duhen planizuar të përputhura me kohët e namazeve ditore. Kur nisemi për udhëtim duhet të planizojmë kohën me tolerancë për shkaqe të ndonjë avarie, apo ndonjë të papriture të cilat nuk janë në dorën tonë. Që koha juaj të jetë efiçente, largojuni njerëzve të pavëmendshëm dhe atyre egoistë, pasi me siguri që keni humbur kohë të vlefshme duke ndenjur me ta. Ata ju vjedhin kohë, qofshin edhe familjarë tuaj. Nëse një punë mund të kryhet me letër, telefon apo e-mail, shfrytëzoni ato dhe mos merrni rrugën të shkoni në takime. Që të mos ketë keqkuptime e interpretime të gabuara duam të theksojmë që në materialin tonë bëhet fjalë për kursimin e kohës. Kjo kurrsesi nuk presupozon mënjanimin e pushimeve apo të argëtimeve që janë domosdoshmëri për jetën. Njeriu patjetër që ka nevojë për pushime për rikuperimin, rifreskimin e gjallërimin fizik e mendor për të përballuar punët që e presin.

/Refat Xhina – Drita Islame/                                     

 

You must be logged in to post a comment Login