KMSH sjell Sami Yusuf në Tiranë


Programi kushtuar Profetit Muhamed a.s. plot risi dhe surpriza

Komuniteti Mysliman sjell për herë të parë dhe ekskluzivisht në Shqipëri këngëtarin me famë botërore Sami Yusuf. Ai ka pranuar me kënaqësi ftesën e institucionit për t’u bërë pjesë e programit festiv kushtuar Profetit Muhamed a.s., i cili organizohet më 7 prill 2012, për të shtatin vit radhazi në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Fondacioni Arsimor dhe Kulturor SEMA .

 “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit” këtë herë vjen ndryshe. Regjisori i programit, Agron Hoxha, rrëfen të rejat që do të sjellë programi i këtij viti. “Programi artistiko-fetar kushtuar Profetit Muhamed a.s. vazhdon rrugëtimin e vet. Këtë herë kemi menduar një strukturim dhe konceptim ndryshe, në mënyrë që ai t’i drejtohet jo vetëm besimtarit mysliman, por çdokujt që dëshiron të njohë mesazhin që Profeti Muhamed a.s., i dërguar si shpëtim dhe mëshirë, përcolli për mbarë njerëzimin”.

Regjisori Hoxha theksoi më tej se “synimi ynë nëpërmjet këtij formati nuk është thjesht që të kënaqim pritshmëritë e spektatorit, por të sjellim vazhdimisht elemente të rinj të cilët, padyshim, e bëjnë më të veçantë simbolikën e kësaj dite dhe ia shtojnë larminë kësaj tradite të bukur të nisur nga KMSH”.

Sami Yusuf, risia e këtij viti

Një nga risitë e këtij eventi sipas regjisorit Hoxha, është pjesëmarrja e këngëtarit të suksesshëm mysliman, Sami Yusuf, i cili do të sjellë për publikun shqiptar ilahi të reja por dhe ato që e bënë të famshëm në botën e artit. Në program do të ketë gjithashtu këndim Kurani, pjesë të zgjedhura poetike nga autorë të huaj dhe vendës si dhe shumë surpriza të tjera që do të vijnë për pjesëmarrësit nga emra të njohur të skenës dhe ekranit.

Veprimtaria do të ketë të ftuar krerët e lartë të shtetit, përfaqësues të komuniteteve fetare, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, miq dhe intelektualë të shquar nga vendi, trevat shqiptare dhe rajoni.

Pak fjalë për Sami Yusuf

Sami Yusuf është një kompozitor dhe këngëtar i njohur dhe mjaft i dashur për myslimanët. Ai lindi në vitin 1980 në Londër në një familje me origjinë nga Azerbajxhani. Që në fëmijëri ai u lidh ngushtë me muzikën, i nxitur edhe nga i ati që ishte muzikant. Falë talentit dhe aftësive të tij për të interpretuar në disa vegla muzikore Yusuf siguroi një bursë që i mundësoi studimet pranë Akademinë Mbretërore të Muzikës në Londër.

Sami Yusuf u bë i famshëm me albumin “Mualim” të publikuar në vitin 2003, me 5 milion kopje të shitura. Ai ka zhvilluar koncerte në SHBA, Evropë, Egjipt, Arabi Saudite, Turqi, etj. Koncertet e tij ndiqen nga një publik i gjerë, sidomos të rinjtë, të cilët gjejnë veten në tingujt e tij të mrekullueshëm. Një ndër koncertet e tij madhështore ishte ai i zhvilluar në stadiumin “Wembley” në Angli, por koncerti i zhvilluar para pak kohësh në Stamboll tejkaloi çdo parashikim, ku morën pjesë mbi 250 mijë persona. Në vitin 2006 Time Magazine do ta cilësonte Sami Yusufin: “Ylli më i madh i muzikës islame”.

/Drita Islame/

3 Responses to KMSH sjell Sami Yusuf në Tiranë

  1. kejla 08/03/2012 at 15:17

    nuk do ju dal pallati i kongreseve per te permbajtur publikun, sepse ky ka fansa ne Alb edhe tek jomuslimanët, do t’ju bllokoi sallën publiku. Per ardhjen e samiut ju duhet te merrni stadiumin. Suksese

  2. mallzo 10/03/2012 at 09:24

    Selam alejkum. Te nderuar, shume urime per kete veper madhore. Allahu ju shperblefte me te mirate Tija te pakufishme. Si jane mundesite per te prezantuar edhe ne si mysafir nga Gostivari? Mendoj se do te jemi diku afer 20 persona. Shuem selam dhe pres pergjigje private.

  3. Suzana 11/03/2012 at 16:08

    Selam alejkum!

    Ky fakt më gëzon tej mase, por a keni edhe mundësi të na tregoni më gjerë dhe gjatë për këtë lajm. Si mundemi të jemi pjesëmarrës, sa kushton hyrja dhe ku saktë është e gjith kjo e organizuar.

    Ju falëmnderoj paraprakisht për përgjigjen e duhur dhe për informacionet shtesë dhe Allahu ju shpërbleftë për mundin. Por do të ishte një urë e bukur e bashkimit mes nesh po të kishim këtë mundësi të pjesëmarrjes.Mbeteni të përshëndetur me përshëndetjen e banorëve të xhenetit ….Selamun alejkum…….

    Ju lutemi për informacione më të hollësishme.

You must be logged in to post a comment Login