KMSH – DIYANET, 22 vjet bashkëpunim i suksesshëm

Shaban Ishlek (2)

Shaban Ishlek ka lindur më 1956 në Tokat të Turqisë. Edhe pse gjyshërit e tij kanë emigruar një shekull më parë nga Prishtina për në Turqi, ai ka ditur ta ruajë lidhjen me vendin e origjinës. Ka mbaruar studimet për teologji dhe ka një karrierë shumë të pasur me shërbime të ndryshme në fushën e fesë në zona dhe qytete të njohura të Turqisë. Prej dy vitesh ai jeton në Shqipëri dhe përfaqëson Presidencën për Çështjet Fetare të Turqisë (DIYANET) në postin e këshilltarit për çështjet fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë.

Në këtë intervistë për revistën tonë z. Ishlek flet për njohjen e tij me Shqipërinë dhe shqiptarët, misionin e tij në vendin tonë, miqësinë shekullore mes dy popujve si dhe përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë. Edhe pse ka pak vite në Shqipëri, ai nuk është kursyer të japë kontributin e tij të vyer në interes të Komunitetit Mysliman dhe myslimanëve shqiptarë, duke merituar respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen e tyre të thellë.

Zoti Ishlek, ju lutem, një prezantim të shkurtër të jetës suaj.

Kam lindur më 1 janar 1956 në Tokat të Turqisë. Shkollën fillore dhe të mesme e kam kryer në vendlindje, ndërsa arsimin e lartë në Samsun në vitin 1980 në Fakultetin e Teologjisë. Më vonë kam kryer një kurs pasuniversitar në disiplinat fetare në lëndët: arabisht, hadith, tefsir etj. Që nga viti 1974 jam punonjës i Dijanetit të Turqisë dhe kam shërbyer si myezin, imam, vaiz, inspektor në zona dhe qytete të ndryshme të Turqisë. Para se të vija në Shqipëri kam qenë i ngarkuar me detyrën e myftiut të qytetit Kajseri. Jam i martuar dhe baba i katër vajzave dhe dy djemve. Zotëroj mirë gjuhën arabe dhe kam njohuri të mjaftueshme të anglishtes dhe të shqipes.

Kur dhe si jeni njohur me Shqipërinë për herë të parë?

Për herë të parë në Shqipëri kam ardhur në vitin 2009 me ftesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për pjesëmarrje në konferencën e organizuar me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed në të cilën isha ftuar të mbaja një kumtesë. Me këtë rast m’u dha mundësia për të vizituar Tiranën dhe qytete të tjera si dhe të njihem më afër me njerëzit. Një shekull më parë, gjyshërit e mi u larguan nga Prishtina dhe u vendosën në Turqi, prandaj Shqipëria për mua nuk është e huaj. Dijaneti i Turqisë më ka caktuar në postin e këshilltarit për çështjet fetare për Shqipërinë. Zyra jonë funksionon në varësi të Ambasadës së Republikës së Turqisë, por në të njëjtën kohë kemi edhe një zyrë në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Meqë më jepet rasti, dua të falënderoj ambasadorin turk në Tiranë Hasan S. Ashan dhe kryetarin e Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, për mundësitë dhe lehtësirat që na kanë krijuar për realizimin me sukses të punës sonë.

Si e pritët emërimin në vendin tonë?

E prita me gëzim. Që në momentin që m’u komunikua detyra i vura vetes si objektiv që ta përfaqësoj si duhet Dijanetin e Turqisë (shtetin turk) dhe të jem në lartësinë e duhur në detyrën që më ishte ngarkuar prej institucionit.

Gjatë kësaj kohe të qëndrimit tuaj në Shqipëri, çfarë do të veçonit nga Shqipëria dhe nga shqiptarët?

Kam vënë re ngjashmëri të mëdha në zakonet dhe traditat e dy popujve. Duke qenë se i përkas fushës së fesë, do e vija theksin te jeta fetare, iftaret e përbashkëta në Ramazan, teravitë, kurbanet, etj. Shumë nga këto tradita kam bindjen se përputhen plotësisht.

Prej shumë vitesh Shqipëria ka përfituar shumë jo vetëm nga shteti por edhe nga Dijaneti i Turqisë. Sipas jush, cili ka qenë ndikimi i kësaj ndihmenë Shqipëri dhe cilat kanë qenë fushat ku është fokusuar ajo?

Shteti turk ka një ndjesi të veçantë për vendet e Ballkanit, sidomos për Shqipërinë. Bashkëpunimi i tij me këto vende ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë. Veçanërisht pas viteve ‘90 marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë njohur një zgjerim të dukshëm duke përfshirë një gamë të gjerë sferash bashkëpunimi. Në veçanti Dijaneti i Turqisë përkrahjen dhe ndihmat e dërguara i ka parë si shenjë kujdesi e vlerësimi ndaj nevojave të një populli mik. Duke parë vështirësitë e shumta të KMSH-së, kjo ndihmë ka konsistuar në ndërtimin e xhamive, institucioneve fetare e arsimore si dhe në shërbime të tjera. Dijaneti i Turqisë ka treguar kujdes që kjo ndihmë të përfshijë jo vetëm KMSH-në, por edhe vëllezërit bektashianë.

Nga dita që keni ardhur në Shqipëri ne kemi vërejtur vullnetin dhe gatishmërinë tuaj për të kontribuuar në ndihmë të Komunitetit Mysliman. A keni projekte konkrete në këtë drejtim?

Duke qenë se jam në detyrën e këshilltarit për çështje fetare zhvilloj takime të shpeshta me përfaqësues të KMSH-së në mënyrë që të përcaktoj nevojat dhe të kontribuoj për rritjen e bashkëpunimit mes dy intitucioneve tona. Për nevojat e Komunitetit Mysliman kemi sjellë nga Turqia një numër të konsiderueshëm teologësh, të cilët i kemi angazhuar kryesisht gjatë Ramazanit në qytete të ndryshme në përputhje me nevojat dhe kërkesat e tyre. Po ashtu gjatë Ramazanit janë organizuar iftare dhe janë shpërndarë ndihma ushqimore për besimtarët dhe shtresat sociale në nevojë në të gjithë Shqipërinë. Numri i kurbaneve ka ardhur në rritje nga vit në vit. Kështu, këtë vit janë planifikuar 1000 kokë bagëti, të cilat do të shpërndahen me rastin e festës së Kurban Bajramit. Gjatë kësaj kohe kemi mundësuar dërgimin e studentëve shqiptarë në Turqi, për studime në Fakultetin Teologjik dhe kualifikimin e tyre në shkencat fetare. Kemi realizuar binjakëzimin e disa myftinive, duke pasur si qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojës dhe eksperiencës në fusha me interes të përgjithshëm. Si shembull mund të përmend bashkëpunimin e frytshëm të myftinive Durrës-Ushak. Falë këtij bashkëpunimi u finalizua restaurimi i xhamisë historike Fatih. Për nevojat e KMSH-së në bashkëpunim edhe me shoqatën qeveritare TIKA kemi në projekt restaurimin e xhamive monumentale të Shqipërisë. Po ashtu ekzistojnë projekte për përgatitjen e një ilmihali islam dhe botime të tjera me interes. Të gjitha sa u përmendën bëjnë pjesë në projektet që ne kemi për Shqipërinë.

Kur kanë kaluar 22 vite të rikthimit të besimit në jetën e shqiptarëve, si e vlerësoni rrugëtimin e Islamit në Shqipëri?

Ajo që të bën përshtypje është se që në ditët e para të rikthimit të besimit pati një angazhim të gjerë popullor. Shumë shpejt u rithemelua Komuniteti Mysliman, u hapën medresetë, u ndërtuan xhami të reja dhe u restaturuan ato ekzistuese. Në këtë kohë në Shqipëri u ofruan shumë shoqata apo njerëz dashamirë që dhanë një kontribut të madh për rimëkëmbjen e institucionit dhe gjallërimin e jetës fetare. Dijaneti i Turqisë ka ndihmuar dhe padyshim ka kontributin e vet në këtë drejtim. Por duke nisur nga 2004 ai ka filluar shërbimet e tij në Shqipëri në rolin e koordinatorit, ndërsa që nga tetori 2010 ka hapur Zyrën e Këshilltarit për Çështjet Fetare për të dhënë një ndihmesë akoma më të madhe në dobi të çështjes islame në Shqipëri. Vitet e fundit Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka pasur një aktivitet të pasur dhe të larmishëm si për shembull: trajtimin e temave fetare e sociale në televizion dhe radio, botimet e veçanta për Ramazan, pasurimin e literaturës fetare në shqip, rritjen e nivelit arsimor dhe hapjen e medreseve (për vajza), ndërsa ngjarja më e rëndësishme qe hapja e Universitetit Hëna e Plotë – Bedër në vitin 2011.

Shqipëria vlerësohet si model i bashkëjetesës harmonike mes besimeve fetare. Çfarë mund të thoni për këtë?

Veçori esenciale e Islamit është se e dënon imponimin. Feja jonë garanton lirinë e besimit si dhe respektimin ndaj tjetrit ndryshe. Shqipëria në këtë drejtim është për t’u vlerësuar pasi ka një bashkëjetesë harmonike fetare të prekshme, e cila meriton fjalët më të mira.

Meqë jemi para periudhës së Haxhit. Dihet se me mijëra shtetas turq udhëtojnë çdo vit për në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në këtë takim të përbotshëm. Si përjetohet kjo ngjarje e madhe dhe cilat janë përgatitjet e KMT-së për këtë udhëtim shpirtëror?

Haxhi është një detyrat e mëdha islame. Dëshira më e madhe për çdo mysliman është që të shkojë qoftë edhe një herë të vetme në Mekë dhe të vizitojë Qaben – Shtëpinë e Allahut. Profeti ynë a.s. në një hadith thotë: “Kush shkon në haxh për hir të Allahut dhe gjatë kryerjes së tij nuk lëndon askënd dhe nuk flet keq, kthehet i pastër nga gjynahet si ditën që ka lindur nga nëna”. Haxhi është një detyrë e vështirë, që kërkon durim dhe sakrificë. Edhe pse ka një masë të madhe njerëzish Turqia dërgon një kontigjent prej 150 mijë besimtarësh. Në këtë kuadër institucioni ynë bën të gjitha përpjekjet që vizitorëve t’u krijohen kushtet e nevojshme duke angazhuar persona të kualifikuar dhe kompetentë që janë gjatë gjithë kohës në shërbim të haxhinjve dhe që i ndihmojnë ata për kryerjen e praktikave adhurimore me përpikëri dhe në kushte sa më normale.

Haxhi 2011 ishte i pari i organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Cili është vlerësimi juaj për këtë nismë të re të institucionit tonë?

Është për t’u vlerësuar fakti që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka marrë përsipër organizimin e këtij institucioni të rëndësishëm. Dijaneti i Turqisë nga ana e tij është treguar i gatshëm për të ofruar ndihmesën e tij edhe në këtë drejtim.

Z. Ishlek ju falënderojmë për kohën që ndatë për ne.

Edhe unë ju falënderoj dhe ju jam mirënjohës për mundësinë që më dhatë për të folur për punën time dhe për të ndarë këtë informacion me lexuesit tuaj.

Intervistoi: Haxhi Lika 

/Revista Drita Islame, Tetor 2012/

 

You must be logged in to post a comment Login