KMSH dhuron çanta dhe mjete shkollore për fëmijët e “Zyber Hallullit”

Drejtoria e Çështjeve Sociale në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2014 -2015, zhvilloi sot paradite një aktivitet social ku dhuroi çanta dhe mjete shkollore për fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” në kryeqytet, si dhe mjete didaktike për stafin mësimor dhe edukativ.

Aktivitetin e përshëndeti nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu. Në fjalën e tij z. Spahiu uroi fëmijët për një vit të mbarë shkollor dhe suksese të mëtejshme në rrugëtimin e bukur drejt dijes.

“Jam shumë i lumtur që marr pjesë në këtë aktivitet dhe që më jepet mundësia të dorëzoj këto dhurata të bukura. Çantat që do të merrni sot kanë brenda të gjitha mjetet për një vit shkollor. Nga ju kërkohet që të arrini rezultate të larta në mësime dhe të jeni të sigurt se ndihma dhe mbështetja jonë nuk do t’ju mungojë.”

Z. Spahiu bëri një falënderim të veçantë në adresë të stafit të kësaj qendre, të cilët përveç përkujdesjes prindërore, kanë një meritë të çmuar në drejtim të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve, që kanë dalë e do të vazhdojnë t’i bashkohen kësaj familjeje të madhe. Komuniteti Mysliman ka menduar edhe për stafin e kësaj qendre, duke i siguruar mjetet e duhura, që do t’ua bëjnë më të lehtë shpjegimin e njohurive që nxënësit marrin në shkollë.

Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës, znj. Zhaneta Beqiri, vlerësoi lart solidaritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Komuniteti Mysliman tregon për fëmijët e këtij institucioni.

“Nuk është hera e parë që KMSH ndihmon këta fëmijë dhe këtë gjë e ka bërë me shumë kënaqësi, me qëllim për të kontribuar në miredukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë. Dhuratat e sotme janë një element i shtuar që konsistojnë në çantë shkolle dhe mjete didaktike, që edhe edukatoret ta kenë punën më të lehtë në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve”, u shpreh znj. Beqiri.

Të pranishmit në aktivitet u shpërblyen me një program artistik me këngë e vjersha, të përgatitur me shumë dashuri nga fëmijët e qendrës, ndërsa më pas nënkryetari Bujar Spahiu, drejtori i Çështjeve Sociale, Edvin Kuçi dhe përfaqësuese të Zyrës së Gruas në KMSH, kanë shpërndarë për ta çantën me emrin e gjithsecilit.

Gjithçka është përmbyllur me një koktej dhe me një foto të përbashkët për këtë ditë të gëzueshme.

Shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” strehon dhjetëra fëmijë jetimë a të braktisur. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka organizuar aktivitete të ndryshme artistike dhe sociale për fëmijët e kësaj qendre.

5 shtator 2014

zyber hallulli (5) zyber hallulli (4) zyber hallulli (3) zyber hallulli (1)

 

You must be logged in to post a comment Login