KMSH dhe Universiteti Bedër, bashkëpunim në Prishtinë dhe Shkup

DSC03545

Në kuadër të bashkëpunimit midis bashkësive Islame të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, një delegacion i përbashkët nga Komuniteti Mysliman dhe Universiteti Bedër, zhvilluan një vizitë në Prishtinë dhe Shkup.

Gjatë vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës, delegacioni shqiptar u prit nga kreu i kësaj bashkësie Myftiu H. Naim ef. Tërnava dhe stafi i tij. Në këtë takim u diskutua për nevojën dhe rritjen e bashkëpunimit midis tre komuniteteve fetare.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë delegacioni zhvilloi një vizitë edhe në Fakultetin e Shkencave Islame, ku u prit nga Dekani Prof. Dr. Qazim Qazimi dhe stafi i universitetit. Të dyja palët ranë dakord për një bashkëpunim akademik me aktivitete të përbashkëta në të tre qendrat, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Në fund të takimit dekani i Prishtinës i dorëzoi një çertifikatë mirënjohje zv/rektorit të Universitetit Bedër Prof. Dr. Ajhan Tekinesh për bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm.

Pas vizitës në Prishtinë, delegacioni nga Shqipëria vijoi vizitën në Shkup, në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë, ku u pritën nga kreu i kësaj bashkësie H. Sulejman ef. Rexhepi dhe sekretari i përgjithshëm z. Afrim Tahiri. Z. Rexhepi shprehu  kënaqësinë për këtë vizitë dhe theksoi se dyert e bashkëpunimit në Shkup do të jenë gjithmonë të hapura dhe do të kenë përkrahjen më të lartë institucionale.

Më pas, delegacioni vizitoi Fakultetin e Shkencave Islame të Shkupit, ku u prit nga dekani Prof. Dr. Fahredin Edipi, si dhe stafi akademik. Z. Edipi ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e tij për një bashkëpunim të ngushtë në fushën akademike midis fakultetit dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Universitetit Bedër.

Delegacioni shqiptar  përbëhej nga nënkryetari i KMSH-së z. Skender Bruçaj, zv/rektori dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti Kruja, si dhe shefi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër z. Adil Kutllu.

/Drita Islame/

dekanbdr1  IMG_0465[1] IMG_0470[1]

You must be logged in to post a comment Login