Klasa-Doxho (Class-Dojo), një sistem modern mësimdhënieje

Klasa-Doxho (dojo – nga japonishtja, mënyrë jetese) është një model mësimdhënieje që përdoret sot në më shumë se 160 vende të botës nga mbi gjysmë milion mësues. Në SHBA mbi 50% e mësuesve në shkolla përdorin Klasë-Doxhon për të përmirësuar punën e tyre dhe inkurajuar nxënësit të përparojnë në mësimnxënie. Ky sistem i ndërtuar nga një ekip mentorësh-specialistë të arsimit me qendër në San Francisko, po përhapet me shpejtësi si një kërkesë e kohës në epokën dixhitale dhe përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie si domosdoshmëri e parevokueshme.

Gjatë përdorimit të sistemit Klas-Doxho mësuesit bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë përvojat personale në shërbim të komunitetit për të promovuar sjelljet pozitive dhe shkathtësitë e fituara nga nxënësit.

Prindërit gjithashtu lajmërohen në kohë reale për përparimin e fëmijës së tyre në formimin shkencor dhe edukues të tij duke u vlerësuar me pikë, apo duke i humbur ato në bazë të disa standardeve si: aftësia për të punuar në grup, ndihma ndaj të tjerëve, pjesëmarrja aktive në mësim, puna sistematike, këmbëngulja për të përparuar, mosrespekti, detyrat e pabëra, papërgjegjshmëria, të folurit pa leje etj..

Si aplikohet Klasa-Doxho? Sigurisht që nevojitet një mjet interaktiv komunikimi (PC, I-Phone, Android, por edhe një celular i thjeshtë), një E-mail nga trinomi mësues-fëmijë-prind, regjistrimi onlajn(online) dhe puna ecën vetë.

Tregu i ideve

1-Përdoreni Klasë-Doxhon çdo ditë. Mbani shënim pjesëmarrjen, jepni detyra, vendosni pikë për sjelljen ditore, për paraqitjen në kohë në orë të mësimit etj., por mësues kujdes: ”Nëse duam nxënës pa të meta ,duhet të jemi ne mësues pa të meta”.

2-Fokusohuni te shembulli pozitiv. Bëjeni të qartë faktin që pikësimi i përdorur në Klasën-Doxho bëhet për të përmirësuar marrëdhëniet në grup. Sjelljet negative etiketojini si përkujtues të dobishëm, kurrë si dënime, por sanksionime. Për shembull: Miri duhet të përmirësojë të folurën. Pasi të flasë me mirësjellje do të lejohet të dalë në pushim të gjatë, në të kundërt do të qëndrojë në bangë.

3-Ftojini prindërit të komunikojnë me ju. Jepuni atyre informacionin ditor dhe raportin javor nëpërmjet mesazheve për veprimtarinë e fëmijës së tyre. Kjo metodë do të shmangë konfliktin e përjetshëm prindër-mësues.

4-Shfaqeni entuziazmin tuaj. Tregojini nxënësve përse ju e aplikoni këtë sistem dhe pse duhet ta pëlqejnë të gjithë. Ata do ta ndjejnë energjinë tuaj, sepse energjia pozitive është një ”sëmundje ngjitëse”. Për shembull: Në ditën e parë të aplikimit të kësaj metode ju mund të shpreheni: “Ju e dini se sa bukur është të kalojmë një vit shkollor të suksesshëm dhe zbavitës. Jam shumë i/e emocionuar, pasi do të ndajmë së bashku diçka vërtet të veçantë. Që sot dhe në vazhdim ne do të bëjmë çdo ditë një lojë, e cila do të na ndihmojë të arrijmë rezultatet më të larta duke u bërë klasa më e suksesshme e shkollës.” 5-Vërini nxënësit të japin idetë e tyre se për se bëhet fjalë duke i motivuar të japin sa më shumë alternativa. Atyre do të fillojë t’iu pëlqejë kontrolli i Klasë-Doxhos.

6-Për të vlerësuar nxënësin le të jetë faktor ndikues gjithë performanca e tij, përgatitje shkencore + sjellje. Mësuesi nuk përçon thjesht dituri, ai ndërton ndërgjegje të shëndosha.

Klasë-Doxho do të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe punës edukative njëkohësisht.

Jetmira Sejko (Teli)

Mësuese e gjuhë shqipe-letërsi

You must be logged in to post a comment Login