Kiameti, exheli i universit

Nga: Blerim Lazimi

Pjesa e dytë

Çfarë informacioni na sjell Allahu për Kiametin nëpërmjet Kuranit

I pari mësim që nxjerrim nga Kurani është që Zoti ka krijuar çdo gjë me një afat të caktuar. Edhe universi ka afatin e tij. Ndërsa Kiameti është exheli i universit. “Dhe, a nuk menduan ata me veten e tyre se Allahu nuk krijoi qiejt e tokën dhe çdo gjë që gjendet ndërmjet tyre pa ndonjë qëllim të caktuar dhe për një kohë të kufizuar, por një pjesë e njerëzve janë mohues të takimit me Zotin e tyre.” (Kuran, 30/8) Shumë e vërtetë! Gjithçka në këtë gjithësi, nga më e imëta deri në strukturat madhështore të universit, jeton në kohën e vet të kufizuar. Neutrinot, antineutrinot, pionet, myonet… lindin, jetojnë kohën e tyre dhe vdesin, njëlloj si yjet, që lindin dhe shuhen. Edhe ateistët e pranojnë këtë mësim-ligj të krijimit. Por ata mohojnë që çdo gjë e krijuar është e krijuar me qëllim dhe që dëshmon Krijuesin-Ligjbërës.

Mallit të prodhuar sipas projektit, çdo prodhues i vendos datën e prodhimit dhe datën e skadimit. “Allahu është Ai që ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë … Ai mbizotëroi Arshin dhe nënshtroi diellin dhe hënën, që çdonjëri udhëton deri në një afat të caktuar. Ai rregullon çështjet (e gjithësisë), sqaron argumentet…” (Kuran, 13/2) “Dhe Ai i nënshtroi diellin dhe hënën (të lindin dhe perëndojnë) dhe secili rrjedh (noton) deri në një afat të caktuar…” (Kuran, 31/29) Kështu pra, nuk e dimë se ku e ka “stampuar” Krijuesi datën e krijimit dhe të skadimit të botës tonë, por ajo që dimë me siguri të plotë është se Universi pashmangshmërisht shkon drejt fundit të caktuar: Kiametit e, më pas, të krijojë një produkt të ri. “Ai e filloi krijimin e pastaj e përsërit atë…” (Kuran, 10/4) dhe “Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë e, edhe qiejt (në të tjerë qiej) …” (Kuran, 14/48)

Që kjo botë do të ketë fundin e vet të sigurt, por jo fundin e ekzistencës, mund të flitet më tej për dy çështje, aq sa mund të shihet nga syri ynë nëpër perdet që mbështjellin të fshehtën. Këto çështje janë: 1) Kur do të ndodhë Kiameti? dhe 2) Çfarë do të ndodhë Ditën e Kiametit?

Siç e trajtuam më lart, të depërtosh në fshehtësitë e Kiametit është një preokupim i rëndë për krijesën njeri. Sigurisht që e fshehta është e tillë, sepse nuk mundemi ta njohim, apo të kemi informacion rreth saj. Shkencërisht, për të studiuar të panjohurën e për të njohur të vërtetën, shkencëtarët, fillimisht, hulumtojnë për të marrë informacion sa më të gjerë të mundshëm nga misteriozja si objekt studimi, më pas bëhet sistemimi i informacionit, bëhet analiza dhe nxirren përfundimet përkatëse. Ngjashëm me këtë metodë, le të përpiqemi të perceptojmë ndonjë sinjal që vjen tek ne për Kiametin. Mesa duket, sinjali që arrin të depërtojë nëpër perdet që mbështjellin të fshehtën e Kiametit, për të mbërritur në shqisat tona, është Drita Kuranore. Le ta ndriçojmë mendjen dhe ta qetësojmë shpirtin me këtë Dritë edhe për dilemat e Kiametit.

  1. Kur do të ndodhë Kiameti?

 

“Erdhi (është afruar) caktimi i Allahut (Kiameti)” (Kuran, 16/1)

Ja çfarë na mëson drejtpërdrejt Allahu nëpërmjet shpalljes së Tij, Kuranit: “Njerëzit të pyesin për Kiametin (katastrofën) e ti thuaj: “Për atë di vetëm Allahu! E ku mund ta dish ti, ai ndoshta është afër…” (Kuran, 33/ 63) Para afro 1400 vitesh i transmetohet pejgamberit Muhamed se Kiameti do të ndodhë me siguri. Madje ai ndoshta është afër. Për ta theksuar edhe më shumë këtë dhe për t’u kuptuar me rëndësinë e duhur nga njerëzit, Zoti, në një ajet tjetër, e lidh çështjen e Kiametit me dy vepra hyjnore të domosdoshme për njerëzimin: me Librin e Vërtetë dhe me drejtësinë. “Allahu është Ai që zbriti Librin e Vërtetë dhe drejtësinë. Ti nuk mund ta dish, ndoshta çasti i shkatërrimit është afër…” (Kuran, 42/17) më tej vazhdohet: “E afërta është afruar (Kiameti). Përveç Allahut nuk ka kush që mund ta largojë atë (ta pengojë)! (Kuran, 53/57-58) “Erdhi (është afruar) caktimi i Allahut (Kiameti). Pra mos kërkoni ngutjen e tij (ardhjen para kohës)! (Kuran, 16/1) Sipas BigBang-ut, teorisë më të pranuar deri më sot për lindjen dhe strukturimin e Universit, Gjithësia llogaritet të ketë një moshë rreth 15 miliard vite. Dielli, ylli i sistemit tonë planetar, mendohet të ketë jetuar deri më tani gjysmën e jetës, afro 5 miliard vite. Periudha prej 1400 vjetësh, 2000, apo 5000 vitesh pas shpalljes së Kuranit është thuajse asgjë në moshën 15 miliard vjeçare të Universit, ashtu siç mund të konsiderohet shumë afër çasti prej një sekonde në intervalin kohor të një viti. Por, shikuar në krahasim me moshën mesatare të jetëgjatësisë së njeriut, 1400 vite, 2000, apo 5000 vite janë shumë, janë larg.

Këtë lloj relativiteti të kohës e gjejmë të cekur e të përshkruar mjaft bukur në Kuran: “Atyre u duket ai (Kiameti) larg. Kurse Neve, ai na duket afër.” (Kuran, 70/6-7) Po, Kiameti është afër. Çdonjëri jeton me ankthin dhe frikën se mos Dita e Kiametit do të ndodhë në kohën e tij. Larg shkujdesjes, e cila rëndom shfaqet në natyrën njerëzore. Sahabet i dhanë hove pozitive në jetë të kuptuarit të ajeteve të lartpërmendura. Duke drejt kuptuar urtësinë e fshehjes së kohës së ndodhjes së Kiametit, ata e përdorën atë si shkak për shtimin e veprave të mira në dobi të shoqërisë.

Sot, dobia do të ishte tek të menduarit, të folurit dhe të diskutuarit për këtë të kuptuar Kiametin, për efektet pozitive psiko-sociale që ka tek njerëzit të besuarit e drejtë në Kiametin, sesa të rrekeshim duke humbur kohë në temat shterpë të momentit të ndodhjes së tij. Por, me sa duket, frika, hutimi dhe pakujdesia i bëjnë njerëzit të mos jenë racionalë, ashtu siç tërhiqet vëmendja në Kuran “Njerëzve u është afruar koha e llogaritjes së tyre e ata, të hutuar në pakujdesi, nuk përgatiten fare për të.” (Kuran, 21/1)

Për të na tërhequr më shumë vëmendjen, me qëllim që të bëhemi të kujdesshëm në menaxhimin e ditëve që na ka dhënë Zoti Urtësiplotë, në një ajet kuranor Ai i shton atmosferës polemizuese të pritshmërisë edhe një element tjetër: parashenjat e Kiametit. “Po ata a presin tjetër pos Kiametit, i cili do t’u vijë befas e, parashenjat e tij tashmë kanë ardhur…” (Kuran, 47/18) Në Librin e Vërtetë, Allahu na informon me katër shenja, që i paraprijnë ndodhisë së madhe (Kuran, 54/1; 43/61) Këto parashenja mund të tregojnë “mplakjen” e Universit, njësoj siç shfaqen thinjat dhe rrudhat për njeriun. Por këto parashenja nuk na japin ndonjë informacion të drejtpërdrejtë shkencor astronomik, siç mund të paralajmëronte çarja e mureve dhe e tavaneve shembjen e afërt të ndërtesës. Asnjë nga katër shenjat e përmendura nuk ka të bëjë me fenomene natyrore të strukturave të Gjithësisë (qofshin tokësore, të sistemit tonë diellor, apo më gjerë në Gjithësi), që të mund të paralajmërohemi për kohën e ndodhjes së Kiametit. (Kiameti) do t’u vijë befas.”– na njofton Allahu në Kuran (47/18) Dhe më pas përshkruan befasinë dhe habinë e njeriut dëshmitar të ngjarjes “Njeriu thotë “Ç’ka kjo (që bën këtë dridhje)? (Kuran, 99/3) Që një ngjarje të ndodhë befas, do të thotë që ajo është e papritur, askush nuk e ka menduar, të paktën, kohën e ndodhjes dhe, askush nuk i ka vënë re “parashenjat” e saj. Tamam kështu ka ndodhur herë pas here me popuj të ndryshëm, të zhdukur apo të shkatërruar në vende të ndryshme të Tokës.

“Ç’është Kiameti? Çka të mësoi ty se ç’është Kiameti? Themudi dhe Adi përgënjeshtruan tronditjen (Kiametin).” (Kuran, 69/ 2-4) Me këtë zbritje vertikale nga e gjithësishmja (Kiameti) tek e pjesshmja-tokësore (shkatërrimi i popujve Themud dhe Ad) fillon një prej kapitujve të Kuranit, për ta bërë më të kuptueshëm Kiametin dhe njeriu, duke besuar, të ngjitet tek Mëshirëploti me zemër të pastër e punë të mira.

Të gjithë popujve që e kanë tejkaluar në mosbesimin dhe shthurjen e tyre, u ka ardhur dënimi befas (me stuhi, erë të fortë, tërmete, vullkane, valë goditëse zanore etj.) “… disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plotë rërë, disa i shkatërruam me krismë (nga qielli)…” (Kuran, 29/40) “Sa i përket Themudit, ata u shkatërruan me krismë të tmerrshme. Ndërsa Adi është shkatërruar me një erë të fortë, të pakufishme…” (Kuran, 69/ 5-7) “Atyre, Ne, një ditë fatkeqe të përjetshme, u lëshuam një erë të fortë. I ngrinte njerëzit si të ishin trupa hurmash të shkulura…” (Kuran, 54/19-20) “E ata (popullin e Hixhres), në mëngjes, i goditi gjëmim i tmerrshëm e shkatërrues.” (Kuran, 15/83) “Kështu, kur erdhi urdhri Ynë, Ne, me mëshirën Tonë, e shpëtuam Shuajbin bashkë me besimtarët, ndërsa keqbërësit i kapi britma e fuqishme dhe ata u shndërruan në kufoma të ngrira në shtëpitë e tyre, sikur të mos kishin jetuar kurrë atje…” (Kuran, 11/94) “Kur erdhi urdhri Ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit) dhe derdhëm mbi ta, pa reshtur, gurë prej balte të pjekur.” (Kuran, 11/82) Banorët e qytetit, të përshkruar në sure “Jasin”, u ngurtësuan të gjithë, menjëherë, në një çast të vetëm. “Ajo ishte vetëm një britmë shkatërruese dhe ja, të gjithë ata (u bënë) të heshtur, të ngrirë.” (Kuran, 36/29) Këto ishin disa nga ajetet kuranore që përshkruajnë zhdukjen e papritur të popujve të shthurur moralisht.

Skena të tilla, që përshkruhen në Kuran, ne sot i shohim para ekraneve TV pafund: tërmete, cuname, uragane e tufane, etj. Argumentet mësimdhënëse të Allahut për katastrofa lokale, si dhe eksperiencat e sotme të ngjarjeve të tilla apokaliptike, na sinjalizojnë se Kiameti do të vijë befas, nuk mund të parashikohet, njerëzit do të jenë në gaflet. “Kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell Kiametin pa e hetuar asnjë nga krijesat) në qiej e në tokë. Ai (Kiameti) nuk vjen ndryshe, vetëm befas…” (Kuran, 7/187)

  1.   Ç’do të ndodhë Ditën e Madhe?

Kiameti do të ketë çastin e vet të fillimit, por nuk do të ndodhë në një “çast” si fenomen astronomik universal. Ndërsa për njeriun që do ta përjetojë Kiametin, momenti i fillimit do të jetë vendimtar. Për të gjithçka rrokulliset shumë shpejt. S’ka kohë për asgjë. “Çështja e katastrofës (e Kiametit) është (në shpejtësi) vetëm sa hedh një shikim, ose ajo është edhe më afër. Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo send.” (Kuran, 16/77)

Janë mjaft interesante përshkrimet që jepen në Kuran për gjendjen shpirtërore e psikologjike dhe sjelljet individuale e sociale të njeriut dëshmitar të Kiametit. “Dridhja pranë katastrofës është një llahtari e madhe.” (Kuran, 22/1) “Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka për gjini dhe secila shtatzënë e hedh para kohe barrën e vet. Ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur. Por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Kuran, 22/1-2)

Për ta kuptuar gjendjen që do të përjetojë çdonjëri në Kiamet, le të sjellë secili në kujtesë çfarë ka ndjerë kur është gjendur papritur përballë një fatkeqësie, pas së cilës i kërcënohet apo i humbet gjëja më e dashur e më e shtrenjtë, jeta, fëmija apo prindi, pasuria … Tronditja e huton, nuk di se ç’të bëjë, si të reagojë, veçse pret fundin, i cili për paradoks i duket i largët. Kjo akoma më shumë e streson, e lë të shtangët, e sheh veten të dorëzuar, plotësisht të pashpresë.

Tronditja e Kiametit nuk do të jetë thjesht një përjetim individual. Tmerri i asaj Dite do të jetë kolektiv, masiv, për mbarë njerëzimin. Kudo shikon një kaos shoqëror. Ankthi në pritje të fundit të tmerrit mbizotëron. Çdonjëri lutet për veten, duke braktisur gjërat më të çmuara, për të cilat ka sakrifikuar gjakun dhe jetën. Kjo do të çojë në anarki, çrregullime sociale dhe kaos. Allahu na e sjell në vëmendje këtë situatë përmes krahasimesh, apo ilustrimit artistik (të cilin Sejjid Kutub, në studimin “Ilustrimi artistik në Kuran”, e përcakton si element favorizues në metodikën e Kuranit). “Njerëzit një situatë të tillë e shikojnë, por nuk e shohin, lëvizin por nuk janë të vetëdijshëm për lëvizjet e tyre… Aty i kemi edhe njerëzit e dehur, që në të vërtetë nuk janë të dehur. Dehja është simbolikë e syve të tyre të hutuar dhe e këmbëve të lëshuara. Skenë përplot njerëz si tufa të valëzuara… kjo është një lemeri e gjallë që nuk matet sipas peshës dhe madhësisë, por sipas ndikimit të saj në shpirtrat njerëzorë…”

“Njerëzit bëhen si insekte të shpërndara.” (Kuran, 101/4) “Zemrat e mllefosura arrijnë në fyt.” (Kuran, 40/18) “Njerëzit duken si të dehur.” (Kuran, 22/2) “E nuk do të mund të lënë as porosi, as të kthehen në familjet e tyre.” (Kuran, 36/50) “Sytë e mosbesimtarëve mbeten të shtangët.” (Kuran, 21/97) “Devetë e shtrenjta mbeten pa bari në fushë, egërsirat bashkohen.” (Kuran, 81/4-5) Me fjalorin e nivelit të sotëm të civilizimit do të mund të shpreheshim: “Makinat luksoze do të braktisen nëpër rrugë nga të zotët e tyre, ndërsa bandat kriminale, hajdutët, grabitësit bashkohen e kënaqen sepse mendojnë se është momenti i artë për ta”. Por nuk do të ketë kohë as për ata, sepse “bie i vdekur çka ka në qiej e çka ka në tokë”. (Kuran, 39/68)

Nga këndvështrimi kozmologjik, Kiameti përfshin gjithë Universin, qiejt dhe tokën, nuk është thjesht një ngjarje tokësore apo lokale në tokë.“Çdo send zhduket e Ai jo. Vetëm Atij i takon gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni.” (Kuran 11/88) “Çdo gjë që është në të (tokë) është e zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt, që është i Madhëruar e i Nderuar.” (Kuran, 55/26-27)

Informacioni që mund të marrim nga Kurani na ndihmon të përfytyrojmë sipërfaqshëm (brenda kufijve të intelektit njerëzor) ç’ka do të ndodhë Ditën e Madhe dhe të mund ta ballafaqojmë me arritjet e deritanishme të shkencës.

Kiameti do të fillojë me prishjen e ekuilibrave gravitacionalë të strukturave të Universit. Kjo do të ketë si akt final “bashkimin e qiejve dhe të tokës” (Kuran, 42/29), siç kanë qenë në fillim të krijimit. Këtë fund pohon edhe modeli i Gjithësisë së Mbyllur, që përfundon evolucionin e Universit me BigCrunch (Shqyerja e Madhe), term i njëjtë me termat kuranorë. Meqë Kurani është shpallur për njeriun, për orientimin e tij, edhe shenjat e Kiametit Allahu i shfaq sipas sistemit të referimit të lidhur me njeriun, brenda horizontit të shikimit astronomik të njeriut. Duke u pozicionuar në këtë sistem referimi, skena e Kiametit zbret në qiellin e vrojtueshëm nga njeriu.

Çrregullimi i strukturave të Gjithësisë transmeton efektet gjithkund, prandaj edhe “qielli bën një tronditje të fortë”. (Kuran, 52/9) “Dridhja pranë katastrofës është një llahtari e madhe.” (Kuran, 22/1) Çdo element i qiellit, sistemet planetare, sistemet yjore, galaktikat etj, i nënshtrohen kaosit tronditës. “Pëlcet (çahet) qielli.” (Kuran, 82/1; 84/1; 69/16 etj.) “Shkapërderdhen yjet.” (Kuran, 82/2) “Toka dridhet me dridhje të fuqishme.” (Kuran, 99/1) “Toka dridhet njëpasnjëshëm.” (Kuran, 89/21) “Toka tundet me dridhje të forta, kodrat shkapërderdhen e bëhen copë e thërrmijë, e bëhen pluhur i shpërndarë.” (Kuran, 56/4-6)

Sipas Kuranit, efektet planetare të lëkundjeve të tilla të tokës (si tërmetet e fuqishme, vullkanet dhe rrëshqitjet) do të jenë shkatërrimi i strukturave që sigurojnë qëndrueshmërinë e saj: maleve dhe kodrave. “Toka shtrihet në gjerësinë e saj dhe nxjerr çka ka brenda e çlirohet.” (Kuran, 84/3-4) “Shkulen kodrat dhe toka duket e sheshtë (e zbuluar).” (Kuran, 18/47) “Kodrat copëtohen.” (Kuran, 77/10) “Kodrat shkulen e bëhen pluhur (si valë rrezesh). (Kuran, 78/20; 81/3) “Kodrat bëhen rërë rrëshqitëse.” (Kuran, 73/4) Ndërsa “detet do të përzihen” (Kuran, 82/3) dhe “detet do të vlojnë si zjarr i flakëruar.” (Kuran, 81/6; 52/6) Si është e mundur kjo? Pjesa e sipërme e mbulesës së ngurtë të Tokës përbën koren dhe ka një trashësi (thellësi) deri 50 km. Me rritjen e thellësisë, fillimisht temperatura rritet mesatarisht me 10 në çdo 33 m. Rrezja e Tokës është afro 6400 km dhe temperatura në qendër (bërthamë) shkon deri në 40000C. Shpërbërja dhe shkatërrimi i kores dhe mantosë së Tokës (litosfera) çliron atë çka planeti ynë ka brenda, së bashku me nxehtësinë që bërthama mbart. Kjo nxehtësi bën që hidrosfera t’i nënshtrohet efekteve dhe reaksioneve, duke bërë që ajo të vlojë si “zjarr i flakëruar”. Pra ujërat tokësore e kanë kaldajën (furrën) në zemër të Tokës. Gjeografi Xhorxh Xhamofi thotë: “Aty, në brendinë e tokës është zjarri natyror, i ndezur nën detrat tanë të kaltër, nën qytetet tanë të qytetëruar të mbushur me banorë. Me fjalë të tjera, jemi duke jetuar mbi një dinamit të madh…”

Përshkrimet kuranore na paraqesin tablonë e Kiametit edhe përtej kufijve tokësorë. “Yjet shkapërderdhen e shuhen” dhe “Dielli të jetë mbështjellë (errësohet) (Kuran, 81/1; 82/2; 77/8) “Qielli bëhet kuq si vaji i shkrirë” apo “si kallaji i shkrirë” (Kuran, 55/ 37; 70/8) “Qielli sjell një tym konkret.” (Kuran, 44/10) Kështu pra, sipas Kuranit, temperatura e kozmosit vjen në rritje, ndërsa Dielli do të përjetojë fazën e fundit si yll, do të tkurret në vetvete dhe tërë lënda e tij fundoset në qendër. Lënda mblidhet dhe ngjeshet aq shumë, saqë prej tij nuk del asgjë, as edhe drita nuk mund të shkëputet. Dielli është bërë i padukshëm, është shuar. Të njëjtin kolaps pësojnë edhe yjet. Në Kuran citohet pikërisht kjo fazë përfundimtare e kolapsit gravitacional të Diellit dhe të yjeve.

Trupi qiellor është transformuar në vrimë të zezë, që gllabëron me supergravitetin e saj çdo lëndë përreth. I gjithë materiali lëndor i planetëve dhe satelitëve të tyre gëlltitet nga vrima e zezë, duke u zhdukur e bërë njësh me të. Këtë dinamikë ngjarjesh kozmike na e përshkruan thjeshtë e saktësisht Kurani, këtu e 1400 vite më parë: “Dhe bashkohet Dielli e Hëna.” (Kuran, 75/8) dhe më tej duke kaluar në nivelin kozmik “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyja dhe Ai, me fuqinë e Tij, mund t’i bashkojë kurdo që të dëshirojë.” (Kuran, 42/29) “Çdo gjë që është në të (tokë) është e zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt, që është i Madhëruar e i Nderuar.” (Kuran, 55/26-27)

Ashtu siç e filloi krijimin, Allahu e përsërit atë. Domethënë, pas Kiametit, Allahu do të sjellë një krijim të ri.“Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë e, edhe qiejt (në të tjerë qiej) …” (Kuran, 14/48) E njëjta do të ndodhë me njeriun, me qëllim vendosjen definitive të Drejtësisë Hyjnore… “Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. Ky është obligim Yni dhe e bëjmë këtë.” (Kuran, 21/104) “Ne, vërtetë, jemi që japim jetë e vdekje dhe Ne jemi trashëgues (të qiejve e tokës).” (Kuran, 15/23)

“Pothuaj çdo njeri e di se Kiameti është afër.” Çfarë kemi përgatitur për atë Ditë?…

(Revista Drita Islame, Qershor 2012)

 

 

You must be logged in to post a comment Login