Këshilli i Sigurimit, burim pasigurie

nga Sali SHASIVARI

Pamjet trishtuese të llojit krim dhe gjenocid kundër njerëzimit, të cilat po i shohim çdo ditë e më tepër nëpër ekranet televizive si dhe nëpër mediat tjera, duket se po shndërrohen në “shfaqje” të zakonshme para syve të botës. Kjo, ngase, nuk është hera e parë që po shfaqen pamje të tilla, dhe, sipas gjitha gjasave, nuk do të jetë hera e fundit.

Një realitet i këtillë bëhet edhe më i hidhur kur kemi parasysh faktin se, “shembja” e jetës njerëzore si dhe gjakderdhja është shndërruar në “konsum” pa të cilin vështirë se mund të paramendohet përmbyllja e ngjarjeve të një dite të “zakonshme”.

Kështu, gjaku është shndërruar në “lëndë të parë” nga e cila varen shumë industri, duke filluar nga ajo e armatimit, nga e cila “gjallërojnë” shumë shoqëri dhe shtete, e deri tek “industria” e politikbërjes si dhe ajo mediatike, të cilat nuk arrijnë ta shuajnë dot “etjen” e tyre, përpos me gjak!

Në anën tjetër, neglizhenca dhe indiferentizmi ndaj skenave të tmerrshme, për të cilat jemi dëshmitarë në vazhdimësi, vjen si pasojë e venitjes apo vdekjes së ndërgjegjes kolektive, si dhe si rezultat i egoizmit dhe hipokrizisë së skajshme e cila ka kapluar globin.

Në botën e sotme të kontradiktave mjafton një “votë kundër”, e që fati i një popullate të lihet në mëshirën e kohës, pavarësisht shkallës së sakrificës së asaj popullate si dhe numrit të viktimave. Ajo që është e rëndësishme është të mos rrezikohen interesat ekonomike dhe gjeostrategjike të ndonjërës prej fuqive të mëdha!

I këtillë është rasti me Këshillin e Sigurimit pranë Kombeve të Bashkuara, këtij institucioni më të lartë dhe më të fuqishëm të botës së sotme e cila hiqet si demokratike, ndërsa, mënyra se si merren vendimet në këtë organ ndërkombëtar është një nga metodat më jodemokratike që mund të parafytyrohen. Kështu, ç’ka do që të jenë shkeljet e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe pavarësisht gjendjes humanitare, krimeve apo gjenocidit që ushtrohet në një shtet, mjafton një votë kundër e ndonjërit prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, e ashtuquajtur “e drejta e Vetos”, që ta bllokojë çfarëdo iniciative për t’i dalë në ndihmë viktimës.

Madje, pavarësisht faktit se, pas çdo gjenocidi dhe masakre të ndodhur në çfarëdo vendi të botës, të gjitha shtetet njëzëri dakordoheshin se “nuk do të lejojmë që një gjë e këtillë të përsëritet”, praktika po dëshmon se ngjarja e radhës është më e dhimbshme se ajo paraprake, mirëpo, pa ndonjë efekt konkret në ndërgjegjen kolektive të njerëzimit.

Një nga viktimat aktuale të këtij mjerimi të shekullit XXI është populli i pafajshëm sirian, i cili po vritet, persekutohet dhe keqtrajtohet nën kthetrat e një regjimi të çmendur totalitar, i cili, për dekada të tëra ushtron gjenocid sistematik mbi popullin e vet.

Rasti i regjimit kriminel sirian është identik me regjimet tjera simotra (disa nga të cilat filluan të bien njëra pas tjetrës si rezultat i Pranverës Arabe), të cilat, jo vetëm që u ndërtuan mbi kufomat e popujve të tyre, por për dekada të tëra u përkrahën nga “tregtarët” e fateve të njerëzimit, gjegjësisht nga fuqitë e mëdha, të cilat nuk nguruan që, për hir të interesave të tyre egoiste, ekonomike dhe gjeostrategjike të heshtin ndaj gjitha krimeve dhe padrejtësive që u ushtruan ndaj popujve të këtyre vendeve, duke i shndërruar këta popuj në “minj laboratorik”, ndërsa vendet e tyre në burgje masive si dhe në fushëbeteja ku do të zhvillohej “lufta e ftohtë” dhe ndeshja e interesave të “të fortëve”; e gjithë kjo, në emër të “humanizmit” dhe “demokracisë”.

Së këndejmi, sirtarët e Kombeve të Bashkuara janë të mbushura plotë e përplot me rezoluta boshe, ndërsa vitrinat e Këshillit të Sigurimit “pikojnë gjak” nga “e drejta e vetos”, “e drejtë” kjo e cila ka shkaktuar padrejtësitë më të mëdha që i njeh historia, dhe e cila përdoret sa herë që i teket njërit prej “policëve” të botës ta sfidojë “policin” tjetër, por kuptohet, gjithmonë në kurriz të një pale të tretë më të dobët.

Emri “Kombet e Bashkuara” jo-rrallëherë është shfrytëzuar si paravan për të legjitimuar shkatërrimin e popujve të tërë! Ngjashëm me të është edhe “Këshilli i Sigurimit”, i cili, në vend që të reflektojë siguri dhe shpresa, ai është shndërruar në burim pasigurie dhe në ankth të vërtetë për shumë vende dhe popuj, fati i të cilëve shpeshherë varet nga planet dhe vendimet të cilat gatuhen në sallonet e këtyre organizatave ndërkombëtare.

Një ankth të këtillë për momentin është duke e jetuar populli liridashës sirian, i cili, si rezultat i hipokrizisë së fuqive të mëdha nga njëra anë, si dhe rrethanave komplekse rajonale në anën tjetër, ai vazhdon të përballet me makinerinë zhdukëse të një sistemi më fashizoid dhe më brutal që ka njohur historia, sistem ky i cili është i zhveshur nga çdo tipar njerëzor, dhe i cili krimin dhe torturën e konsideron “art”, ndërsa vrasjen dhe masakrimin e fëmijëve, grave dhe pleqve si metodë të vetme për të shuar apetitet e tij sadiste.

Në këto rrethana kaq alarmante nëpër të cilat po kalon populli sirian; nën hijen e masakrave të cilat janë shndërruar në përditshmëri; përreth dhjetëra mijëra viktimave dhe të persekutuarve; si dhe pas më shumë se 15 muajve që nga fillimi i kësaj golgote, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të qëndrojë duarkryq para kësaj tragjedie njerëzore, duke mjaftuar me bllokimin e disa llogarive rrjedhëse të disa funksionarëve sirian si dhe duke ua ndaluar atyre të drejtën e vizës për të kaluar pushimet në ndonjë nga vendet perëndimore!

Ajo që është më paradoksale në gjithë këtë situatë është se, i gjithë ky indiferentizëm dhe abstenim nga ana e organizmave ndërkombëtare si dhe fuqive të mëdha në ndërmarrjen e hapave të duhur për ndalimin e kësaj katastrofe njerëzore, po arsyetohet përmes qëndrimeve krejtësisht paradoksale dhe banale, duke fshehur shkaqet reale për një neglizhencë të këtillë, si dhe duke lënë fatin e viktimave në duar të xhelatëve të pamëshirshëm, xhelatë këta të cilët në të shumtën e rasteve janë dorë e zgjatur dhe instrument i palëve të cilat sillen sikur të jenë “bossa” të fatit të gjithë njerëzimit.

Mirëpo, çfarëdo që të jenë emërtimet e lojërave të këtilla të ndyta të cilat po i “lozin” këto qarqe në llogari të fatit të shumë vendeve dhe popujve, dhe sadoqë të mundohen të bëjnë zbukurimin dhe maskimin e qëllimeve të tyre djallëzore, këto maska dhe këto “gjethe të fikut” dita ditës po bien, duke zbuluar kështu pjesët e tyre shëmtuara.

Madje, sa herë që bie një diktator, bashkë me të bien edhe shumë maska si dhe dalin në shesh shumë të vërteta të hidhura, duke demaskuar njëherit edhe shumë “personalitete” të politikës botërore, të cilat, deri para do kohësh konsideroheshin pionierë të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, mirëpo, me të rënë maskat, doli në shesh ana e vërtetë e tyre e të qenurit “tregtar” fatesh dhe jeta njerëzish!

Së këndejmi, jam i sigurt se edhe rënia e diktaturës siriane do të nxjerr në pah shumë realitete!

Dashtë Zoti që një ditë e tillë të vijë sa më shpejt.

 

You must be logged in to post a comment Login