Këshilla për një përkthyes të ri

Teksti (që do të përkthehet) është një mesazh i aksh autori. Ky mesazh duhet dekoduar nga aksh përkthyes. Për një përkthyes me përvojë e sidomos, midis gjuhësh që janë në marrëdhënie të shpeshta përkthimi (si në përkthimet fetare islame arabisht-shqip), kjo punë do të ishte si një hapje e lehtë nga njëri kod (arabishtja) te kodi tjetër (shqipja). Por ky dekodim nuk është thjesht zëvendësim i fjalëve të një gjuhe me fjalë të një gjuhe tjetër. Po të ishte vetëm kështu, puna më e zakonshme do të ishte të këshilloheshim me fjalorin dygjuhësh, tek i cili kemi gjuhën nga përkthejmë. Ky do të ishte mendim naiv edhe për fjalorët dygjuhësh, sepse i konsideron ata, thjesht si një listë fjalësh, edhe për vetë gjuhën, sepse e konsideron atë, gjithashtu si një listë fjalësh, ku secila fjalë emërton një send a dukuri nga bota e jashtme.

Përkthimi nuk mund të jetë, thjesht zëvendësim i fjalëpërfjalshëm.[1] Fjalët janë mjet i kumtimit të diçkaje, por ato nuk janë mjet, në kuptimin e zakonshëm. Ato nuk janë krejt së krejti në dorë të njeriut. Njeriu nuk mund t’i formësojë ato krejt sipas dëshirës së vet. Ato funksionojnë sipas disa kufizimeve të rrepta, madje, edhe me njëfarë rezistence ndaj përdorimit individual. Me këtë mënyrë të themi kemi parasysh disa parime që përcaktojnë përdorimin e tyre si njësi të fjalorit (leksikut) tonë. Njohja e tyre është e domosdoshme për ta transferuar përmbajtjen e aksh mesazhi nga një gjuhë e huaj në gjuhën shqipe.

Atëherë, çfarë duhet të kërkojmë më së pari te fjala e huaj, kur përkthejmë? Kuptimin. Dhe atëherë, përkthimi ynë është transferim kuptimesh. Atëherë, përkthimi ynë nuk duhet të jetë fjalë për fjalë, por kuptim për kuptim. Por kuptimi i aksh fjale shfaqet kur ajo bashkëlidhet me fjalë të tjera të gjuhës. Atëherë, përkthimi ynë nuk është punë fjalësh, por punë bashkëlidhjesh. Dhe bashkëlidhja e fjalëve përcaktohet nga lidhjet sendore-logjike që ekzistojnë në veprimtarinë reale ndërmjet sendeve dhe dukurive që shënohen nga ato. Nuk mund të ketë, b.f., bashkëlidhje kalë + i blertë (i gjelbër / jeshil / i preshtë), sepse s’ka në këtë botë të tillë. (Në parantezë, prandaj populli ka fjalën e urtë: Kalë të preshtë nuk ka). Ky është aspekti më i përgjithshëm i bashkëlidhjeve të fjalëve. E shpjeguar gjuhësisht, puna është kështu: Jashtë përkatësisë sendore-logjike fjala ka vetëm kuptim potencial (sidomos kur ajo ka disa a shumë kuptime). Ajo e merr plotësisht kuptimin e saj real[2] kur bashkëlidhet me fjalë të tjera. Madje, është rregullsi logjike që aksh fjalë të përndryshohet (modifikohet) nga mjedisi rrethues. E thënë në gjuhën e popullit, kjo do të ishte: Më thuaj me kë (në rastin tonë, me çfarë) rri, të të them se kush (këtu, çfarë) je! Atëherë, e thënë në formë aksiome: Është e kotë të kërkojmë në tekstin e huaj kuptim fjale të izoluar. Fatkeqësisht, pikërisht këtu gabohet në përkthimet tona fetare. Një shembull për një fjalë shumë të njohur: tavolinë. Vetëm në bashkëlidhjen me shtroj (shtroj tavolinën) marrim vesh se kemi thënë – vë mbulesën, pjatat, lugët etj. për të ngrënë.

Fatkeqësisht, në përkthimet tona gabohet jo rrallë në punë të bashkëlidhjeve të fjalëve e rrjedhimisht, të gjetjes së barasvlerësit të saktë kuptimor në gjuhën shqipe, për të mos thënë që herë-herë, ato tingëllojnë edhe si absurditete (shih, p.sh., ndërtoi komplote / komploti, siç dihet, nuk ndërtohet, por thuret, kurdiset etj.; lehtësia e papërballueshme … / besojmë që vështirësia mund të jetë e papërballueshme ngaqë kërkon shumë punë e shumë mund, por jo lehtësia; plagën edhe kur e përkëdhel, e lëndon / pse a përkëdhelet plaga?; foleja e divit / divi s’mund të rronte në fole; zogu, po). Kur fjalët bashkëlidhen me njëra-tjetrën (flasim përsëri gjuhësisht), ndryshojnë trajtat gramatikore etj. sipas rregullave të gjuhës së dhënë për të përftuar aksh kuptim a përdorim. Shih, p.sh., saktësinë gramatikore te ky përkthim: Disa vaksina shkaktojnë shterpësi / përkthyer nga D. Skëndaj, Islami, vaksinat dhe shëndeti, në “Zani i Naltë”, 2015, f. 53. Shih edhe pasaktësinë gramatikore te numri shumës robër, kur duhet rob(të). Te gramatika, fatmirësisht, kemi vënë re më pak gabime. Atëherë, sipas gjykimit për bashkëlidhjen e fjalëve dhe përkthimin kuptim për kuptim, a jemi në rregull me thëniet salla e lutjeve (në xhami); gëzonin lirinë e të folurit / në parantezë: të folurit është aftësia e njeriut për të folur dhe këtë aftësi na e ka dhënë Allahu, pra, njeriu e ka lirinë për të folur; dehja është zbatimi nga njeriu në mënyrë të pakontrolluar i kërkesave … / besojmë se dehja është veprimi dhe gjendja kur dikush pi verë etj. dhe i turbullohet mendja e humbet kontrollin e vetvetes etj.; duke shpërndarë ide që binin në kundërshtim me … / idetë përhapen; diçka tjetër mund të shpërndahet)? A jemi të saktë me përkthimin “Fute dorën nën sqetull dhe ajo do të dalë e bardhë?”.[3] Sure 27:12. Ta do mendja që nga sqetulla dora s’mund të dalë e bardhë. Bashkëlidhja e fjalës dorë duhej të ishte me kraharor, gjoks, gji, sepse figurativisht këto fjalë lidhen me zemër, që është simboli i ndjenjave dhe është ajo pjesë e trupit të njeriut, të cilën drita e Allahut e transformon.[4]

Çfarë duhet të dimë tjetër për fjalën? Duhet të dimë që ka fjalë me një kuptim; ka fjalë me disa kuptime; ka fjalë me shumë kuptime.[5] Fjalët e shumëkuptimshme kanë një kuptim themelor, qendror dhe disa a shumë kuptime të tjera që lidhen me të parin. Përkthyesi e ka për detyrë të gjejë nga shumësia e kuptimeve të fjalës atë që i shkon kontekstit a tekstit të tij në shqip. Dhe në këtë përpjekje nuk duhet të harrojë që kuptimet e prejardhura (të dyta, të treta etj.) në gjuhën e huaj mund të mos përputhen me ato të gjuhës përkthimore, edhe pse përputhen kuptimet qendrore. Atëherë, në një situatë të caktuar ligjërimore dhe në një kontekst të caktuar (me fjalë të tjera) veçohet njëri nga kuptimet.[6] A arrijmë ta bëjmë këtë gjithnjë? Nga dy, disa a shumë kuptime që ka fjala e huaj, a arrijmë të përveçojmë atë që zë vend në kontekstin shqip, siç ka pasë zënë vend në kontekstin e huaj? Mendojmë, jo gjithmonë. Do të japim vetëm një shembull. Tek ajeti 24:55 thuhet: “(Allahu) do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur. (H. Nahi, Kurani i Madhërishëm, Tiranë, 2008). // … dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta (Sh. Ahmeti, Kur’ani / Përkthim me komentim në gjuhën shqipe). Thjesht, nga konteksti në gjuhën shqipe, mendojmë se përkthyesit nuk e kanë gjetur barasvlerësin e saktë, domethënë, nuk kanë arritur të përveçojnë nga fjala arabe kuptimin e duhur.[7] Kuptimi i duhur duhej të ishte fjala zgjedh.[8] Krahaso kuptimet te pëlqej dhe te zgjedh: pëlqej = më duket e mirë diçka; më tërheq diçka; më jep kënaqësi diçka; e miratoj diçka; zgjedh = marr atë që është më e mirë; etj. (Nënvizimi ynë – H.Sh.).

Çfarë tjetër mund të shohim te fjalët kur përkthejmë? Konceptet.[9] Me koncepte operohet në shkencë (matematikë, kimi etj.). Por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë njerëzore. Edhe Islami ka konceptet e veta. Njohja e koncepteve dhe dija për konceptet është shumë e rëndësishme. Që të njihen konceptet, duhet njohur tema. Kështu, p.sh., nuk mund të përkthesh Kur’an pa njohur konceptet dhe kuptimet themelore të ajeteve të Kur’anit dhe të Islamit e të historisë islame. Konceptet i bartin fjalët. Konceptet nuk përcillen pa gjuhë, pa fjalë. Gjuha është kanali ku rrjedhin konceptet. Në këtë rast, fjalët ose edhe togfjalëshat janë terma.[10] Atëherë, çfarë do të kërkonim në përkthimet fetare islame? Njohjen e gjuhëve, plus njohjen e temës dhe të koncepteve të saj. Kështu mund të kishim një përkthim të kënaqshëm.

Në hierarkinë e barasvlerësisë (ekuivalencës) përkthimore, koncepti është në krye, i ndjekur nga barasvlerësi leksikor (= fjala a një kuptim i fjalës) e sintaksor në nivel fjalie. Atëherë, përsëri në formë aksiome, na duhet të themi: Transferimi i koncepteve është e tëra e një përkthimi. Dhe si veprohet? Përcaktohet saktë barasvlerësi (ekuivalenti) konceptor dhe pastaj kërkohet barasvlerësi përkthimor (fjala). Pra, do të përkthejmë koncept për koncept. Atëherë, cili do të ishte përkthimi koncept për koncept në shqip i Rrahman dhe Rrahim? Në një tekst Kur’ani janë përkthyer Mëshirues dhe Mëshirëbërës. Mendojmë se nuk është përçuar konceptualizmi kur’anor, islam. Allahu nuk është vetëm Mëshirues e Mëshirëbërës;[11] është edhe i Gjithëmëshirshmëm e Mëshirëplotë. 99 Emrat e Allahut janë 99 koncepte për Atributet e Allahut. A i kemi përçuar siç duhet në gjuhën tonë? A jemi në rregull me fjalën varg për ajet? Mendojmë se nuk jemi në rregull, pavarësisht dëshirës për të pasur një fjalë shqipe. Përse? Sepse koncepti ajet është shumë më i gjerë se koncepti varg. Ajeti mund të ketë edhe disa a shumë vargje. Ajeti është edhe Shenjë (a Argument) që njeriu sheh te Krijimi. As krye a kapitull nuk e plotëson konceptin Sure. Surja është shkallë në një gradacion (përshkallëzim). As pelegrinazhi nuk është baras Haxh. Në anglisht, fjala arabe Resul është përkthyer me Messenger. Messenger është lajmëtar. Në shqip (edhe në Kur’an, edhe në letërsinë fetare islame) është përkthyer më mirë: i Dërguar. Po. Sepse i Dërguari është ai Profet, të cilit i është zbritur Libër nga Allahu. Atëherë, çdo i Dërguar është edhe Profet, por jo çdo profet është i dërguar. Kemi vënë re që në disa përkthime islame, Dita e Kiametit na del për shumë Ditë të tjera. Edhe këtu kemi të bëjmë me gabime konceptore. Kemi Ditën e Kiametit (shih në Kur’an 99:1-3; 81:1-6; 18:47; 14:48; 84:1-4; 21:104; 82:1-4; etj.). Por kemi dhe Ditën e Ringjalljes (16:38, 39; 17:49-52; 19:66-72; 22:5; 46:33, 34; 50:3, 20-29, 41-44; etj.), Ditën e Tubimit (64:9; etj.), Ditën e Gjykimit (21:103; 37:21; 22:1; etj.), Ditën e Vendimit (77:38; 78:17 etj.) etj. Janë Ditë të ndryshme, me përmbajtje dhe veprime të ndryshme. Siç shihet, në këto emërtime ka edhe një koncept kohësor (kronologjik). Dhe përkthyesi nuk mund t’i rrumbullakosë fjalët e Allahut. Duam të japim edhe një shembull, të cilin e kemi përmendur edhe në një shkrim tjetër. Është fjala për mbiemrin hyjnor. Kuptimi i fjalës hyjnor është që ka të bëjë me hyjin a me hyjninë, i hyjit a i hyjnisë. Por hyj, hyjni (= perëndi) ka shumë, sipas politeizmit. Allah ka vetëm Një, sipas monoteizmit islam. Duke përdorur fjalën hyjnor, kemi keqkonceptuar Allahun, kemi bërë shirk pa dashje me gojë. Çfarë të përdorim ne? Gjinoren e emrit Allah: i / e / të Allahut. Është tjetër gjë përdorimi i fjalës hyjnor në Ungjill, në letërsinë e krishtere ose në letërsinë laike a artistike.

Vijmë te përkthimi i fjalive. Fjalia është njësia më e madhe përkthimore. Ajo mund të ketë disa togfjalësha, sigurisht, edhe disa a shumë fjalë. Fjalia shpreh një mendim dhe si e tillë, duhet të jetë njësia themelore përkthimore e duhet të përkthehet si një e tërë. Nëse përkthejmë fjalë e jo fjalinë, e kemi copëzuar mendimin. Sa më e madhe të jetë njësia përkthimore (në rastin tonë, fjalia), aq më i saktë është barasvlerësi përkthimor (kuptimi, koncepti etj). Është si puna e murit me tulla. Kur tullat janë të lidhura me llaç njëra me tjetrën, muri është i palëvizshëm. Edhe tullat janë të palëvizshme. Llaçi është gramatika. Gramatika e fjalëve të fjalisë. Ky gabim – copëzimi i mendimit – është mjaft i shpeshtë në përkthime, aq sa redaktorit a lexuesit i duhet t’i rikthehet disa herë fjalisë, që të rrokë mendimin e saj.

Te fjalitë ka më shumë gramatikë. Që të përkthesh drejt në shqip, p.sh., nga arabishtja, duhet të njohësh mirë kohët e foljes, të dish që ka numër shumës, por edhe numër dysh etj. Kjo dije i jep mundësi përkthyesit të bëjë transformimet e kërkuara në tekstin shqip. Në punë të gramatikës së fjalisë ka shumë për të thënë. Ne do të marrim vetëm një shembull: rendi i fjalëve në fjali. Çdo gjuhë ka rregullat e saj gramatikore. Për shembull, në anglisht e në rusisht, mbiemri vihet para emrit; në shqip, zakonisht pas emrit. Gjuha angleze ka rregull që kryefjala t’i paraprijë kallëzuesit. Po të ndodhë e kundërta, ngatërrohet kumtimi. Shqipja e ka të çlirët rendin e fjalëve në fjali sepse ka mjete të tjera gramatikore (morfologjike) për t’u kumtuar drejt mendimi. Por edhe në shqip, në përkthimet fetare, sidomos të ajeteve të Kur’anit duhet të ruhet renditja subjekt-predikat, pra Allahu thotë e jo thotë Allahu, siç e kemi hasur kaq herë. Edhe për arsye jashtëgjuhësore: Renditja e parë përveçon Allahun, sepse Ai është Subjekti më i Madh.

Në gjuhën shqipe ka disa përkthime të Kur’anit. Ka jo pak revista islame e letërsi islame. Çfarë do të donim tjetër? Do të donim një përkthim (me komentim) të mirëqenë, të pranuar të Kur’anit, le ta quajmë, zyrtar. Kjo punë mund të bëhej me grup të zgjedhur përkthyesish dhe grup të zgjedhur redaktorësh, nën drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës e të Bashkësisë Islame të Maqedonisë.

Për arabishten e shqipen, që kanë qenë e janë në kontakt përkthimi të vijueshëm, ka fjalë, shprehje e koncepte që tashmë janë përkthyer aq shumë, sa janë bërë të pranuara; pra, kemi klishe përkthimore (tipi Bismilahirr Rrahmanirr Rrahim. (= Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit). Ato duhen ruajtur. Sepse kështu mund të njësojmë (unifikojmë) gjuhën e hytbeve e të vazeve tona, të revistave tona etj., sepse kështu mund të kemi atë Kur’anin zyrtar etj., dhe në fund të fundit, bëjmë që kumtimi ynë fetar islam të jetë më i lehtë, më përçues dhe më mbushamendës. Do të donim të kishim edhe një fjalor (shpjegues dhe dygjuhësh a disagjuhësh) të Kur’anit dhe të Islamit. Sigurisht, këto janë ndërmarrje e punë të vështira, por mund të bëhen.

Fjalori i një njeriu (tërësia e fjalëve që di njeriu) nuk është i njëjtë me fjalorin libër. Përkthyesi nuk mund të përkthejë pa fjalorë, madje jo pa një, por pa disa fjalorë. Sepse njeriu mund të dijë një numër të caktuar fjalësh që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, profesionin, punën etj. Fjalorët e gjuhës e plotësojnë shumë këtë numër. Fjalorët janë ndihmëtarët tanë. Sepse çfarë është në fjalor, është e mirëqenë. Sepse fjalori ka edhe gramatikën e tij. Sepse fjalori na tregon si shkruhet fjala. Fjalori na tregon edhe cilën ndër dy fjalë sinonime (me kuptim të afërt) të zgjedhim. Kemi vërejtur që te zgjedhja e përzgjedhja e fjalës ka jo pak gabime në përkthimet tona islame. Shih, p.sh., edhe një herë përdorimin e gabuar robërve (të Zotit) a përkujto (o Muhamed kur …). Po të hapet fjalori i gjuhës shqipe, do të shihet se shumësi robër është për skllevër a bujkrobër ose për ata që zihen në luftë; robtë është për njerëz. Përkujtoj do të thotë “zhvilloj një veprimtari për të nderuar kujtimin e dikujt”. Atëherë, jo përkujto, por kujto (o Muhamed) …

Fjalori (njëgjuhësh ose dygjuhësh) na jep informacion për fjalë që kanë më shumë se një kuptim (shih në shqip, p.sh., krye). Ai na tregon se cilin nga kuptimet e saj të zgjedhim në tekstin tonë (të përkthimit). Ikra në arabisht ka edhe kuptimin këndoj = lexoj, edhe kuptimin shpall, them me zë të lartë. Ta do mendja dhe situata ligjërimore që te Hira të jetë shpall e jo lexo, apo jo? Atëherë, këshillohemi me fjalorin.

Në ligjërim, rrallë ndodh, siç u tha që fjalët të jenë të veçuara, të izoluara. Ato bashkëlidhen me njëra-tjetrën. Këtej është edhe udha e gjetjes së kuptimit të duhur, kur përkthejmë. Fjalorët janë ndihmëtarët tanë të parë në këtë udhë, sepse çdo fjalë a kuptim i saj ka thënie, ose siç i quajtëm më sipër, bashkëlidhje. “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) shquhet për këtë.

Fjalorët janë librat tanë të parë kur përkthejmë edhe për një arsye tjetër. Leksiku (tërësia e fjalëve) i një gjuhe ndryshon më shpejt se gramatika, sepse ai ndjek hap pas hapi zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor etj. të një populli. Ky leksik shpalohet në fjalor. Me teknikat e teknologjitë që kanë, fjalorët na shpalojnë edhe ato njësi të leksikut që janë bisedore (tipi bela, telash, zullum, zullumqar), të cilat nuk mund të zënë vend në një gjuhë poetike, të stilit të lartë, si ajo e Kur’anit. Më shumë se bisedore, të tilla fjalë janë të vjetruara, ose po vjetrohen (bela, telash). Fatkeqësisht, ato i kemi në disa Kur’anë në shqip. Me të njëjtat teknika e teknologji, fjalorët na tregojnë fjalët krahinore, ato me konotacion negativ, fjalët e vjetruara etj., të cilat një përkthyes duhet t’i marrë në konsideratë.

Fjalorët janë, vërtet ndihmëtarët tanë, por na duket se pak i përdorim.

Prof. dr. Hajri Shehu

/Revista ‘Drita Islame’ – qershor 2016/

———————————————————————————————————————–

[1]. Zëvendësimi i fjalëpërfjalshëm në përkthim është metodë e gabuar. Fatkeqësisht, këtu është një ndër të metat e disa përkthimeve tona fetare islame.

[2]. Edhe kuptimet e figurshme janë po aq reale gjuhësisht sa ato të pafigurshme, sepse në themel të tyre është krahasimi.

[3]. Sh. Ahmeti ka fjalën xhep, kurse H. Nahi, gji.

[4] Përkthimi i kuptimeve të ajetit mund të ishte ky: Çoje dorën mu afër brijës! E, profeti Musa (paqja qoftë mbi të!) kishte petk të lirshëm. Po ta çonte dorën (është fjala për dorën e djathtë) nën palët e petkut, do të shkonte majtas gjoksit, d.m.th., te zemra.

[5]. Mrekullia e gjuhëve është shumëkuptimësia, domethënë, aftësia e fjalës për të shërbyer për disa a për shumë nocione. Sikur të gjitha nocionet e përpunuara nga një popull të kishin nga një fjalë, leksiku (fjalori) i gjuhës do të ishte aq i madh, sa njohja e tij do të ishte e pamundur nga bashkësia gjuhësore, për të mos thënë që komunikimi mund të bëhej i vështirë. Shumëkuptimësia është edhe një nga tiparet që tregon se gjuha rritet e zhvillohet. Këtë mrekulli e ka, sigurisht edhe shqipja.

   Përse shumëkuptimësia nuk shkakton errësi a ngatërresë? Sepse, fjala vjen e përgatitur nga ajo që i ka paraprirë asaj, ose siç u tha, nga ajo që e rrethon atë, nga ajo që është vënë në kontekst në kohë e në hapësirë dhe është përcaktuar nga “aktorët në skenë”. Aktorët janë folësit; në rastin tonë, përkthyesit. Dhe kështu, për dëgjuesin a lexuesin, fjala ka vetëm një kuptim.

[6]. Nuk duhet harruar që ka edhe kuptime të specializuara fjalësh (tipi kllapë në gjuhën shqipe).

[7]. Shembujt janë dhënë, thjesht për ilustrim e pa asnjë konotacion negativ.

[8]. Shih në Kur’an: Dhe kam zgjedhur për ju Islamin si fe (5:3); Islami i ka anuluar fetë e tjera (3:19, 85, 102; 6:125; 61:7; Mos kërkoni fe tjetër përveç Islamit (3:85); Islami – fe universale (2:128, 135, 136). Islami – natyrshmëria e krijuar nga Allahu (30:30, 31).

[9]. Koncepti është formë themelore e mendimit për një klasë sendesh, dukurish etj. Për shembull, koncepti kohë është për krijesat e jo për Krijuesin.

[10]. Termi është emërtimi i një koncepti në një fushë të shkencës etj. me një fjalë a me një togfjalësh.

[11]. Për nga fjalëformimi, tek dy fjalët kemi edhe përsëritje koncepti, por me elemente të ndryshme fjalëformuese: prapashtesa –ues (te fjala e parë) dhe gjymtyra –bërës te fjala (e dytë) e përbërë dalin kuptimisht njëlloj. Dallimi është se e dyta është më e motivuar për lexuesin a dëgjuesin. Krahaso edhe këpucar e këpucëbërës, gjellëtor e gjellëbërës, bletar e bletërritës etj. Por vërejtja jonë më e parë është se fjala e përbërë Mëshirëbërës është e pamotivuar për nga bashkëlidhja e gjymtyrëve përbërëse, sepse nuk ka në gjuhën shqipe togfjalësh bën mëshirë / bërës i mëshirës, nga i cili do të vinte ajo. Mëshira nuk bëhet. Bashkëlidhjet togfjalëshore reale, nga të cilat mund të vinte fjala e përbërë me gjymtyrë të parë Mëshirë mund të ishin: që tregon Mëshirë, që shpreh Mëshirë, që ka Mëshirë, që ndien Mëshirë. Me këto gjuha nuk e ka krijuar ende fjalën e përbërë. Prandaj Fjalori i gjuhës shqipe nuk e ka fjalën Mëshirëbërës. Dhe ka i Mëshirshëm dhe Mëshirues.

You must be logged in to post a comment Login