Kërpudha, një bekim për shëndetin tonë

Deri kohët e fundit kërpudhat janë konsideruar të jenë në mbretërinë e bimëve. Sot, në sajë të veçorive të tyre karakteristike, kërpudhat janë kategorizuar si një mbretëri më vete përkrah bimëve dhe kafshëve. Midis llojeve të shumta të kërpudhave vërejmë disa forma mikroskopike të cilat shkaktojnë sëmundje dhe të tjera që përdoren si medikamente kuruese. Disa lloje të tjera më të mëdha në përmasa mund të konsumohen si ushqim, por duhet pasur shumë kujdes në përzgjedhjen e formave të ngrënshme dhe atyre helmuese. 

Stili i vështirë i jetës që bëjnë shumica e njerëzve ditët e sotme shkakton stres i cili ka rezultuar në shfaqjen e shumë sëmundjeve dhe çrregullimeve si të sistemit kardiovaskular dhe të atij nervor. Kultura e të ngrënit në fast food është bërë dashje pa dashje pjesë e dietës së përditshme me gjithë efektet e saj të dëmshme në marrjen e tepërt të yndyrave dhe proteinave. Shumë orë të kaluara ulur në karrige, pa patur asnjë aktivitet fizik përfundojnë në energji të pashpenzuara dhe të depozituara në formë dhjami. Prandaj sëmundjet kardiovaskulare janë kthyer në një nga rreziqet më të mëdha për jetën e njeriut në vendet e zhvilluara. Në 5 dekadat e fundit shumica e kërkimeve janë përqendruar në shënjestrimin dhe parandalimin e faktorëve të rrezikut që çojnë në sëmundjet e arterieve koronare.

Kërpudha është një ushqim i pasur në vlera ushqimore. Disa lloje janë të njohura për veçoritë e tyre rregullatore të sistemit imunitar, parandalimin e rritjes tumorale dhe të uljes së presionit arterial pa pasur efekte anësore të padëshirueshme. 88-91% e përbërjeve lëndore të kërpudhave është vetëm ujë, por ato janë të pasura edhe në proteina kështuqë kur konsumohen të freskëta janë shumë herë më të tretshme për stomakun se shumë perime të tjera. Përveç proteinave që janë esenciale për jetën ato përmbajnë edhe vitaminat B-kompleks dhe kripëra minerale. 

Kërpudhat që kanë veti kuruese ndaj sëmundjeve janë një tjetër mirësi. Disa lloje si Pleurotus spp. Ganodermalucidum (Reishi), Grifolafrondosa (Maitake), Lentinulaedodes (Shiitake) të cilat përmbajnë komplekse protein-polisaharidesh, është zbuluar se mund të frenojnë përhapjen e qelizave tumorale, kanë efekte antivirale, antibakteriale dhe fungicide. Kështuqë ato mund të përdoren në trajtimin e shumë sëmundjeve si gripi, dhimbjet e kokës apo të stomakut, hepatitin B madje dhe në SIDA. Kërpudhat gjithashtu mund të reduktojnë lodhjen, pagjumësinë dhe nivelin e kolesterolit duke qenë shumë të efektshme në parandalimin e aterosklerozës, pamjaftueshmërisë së veshkave, forcimin e sistemit imunitar dhe në vonimin e procesit të plakjes.

Kërkimet e vonshme kanë parë se kërpudhat me anë të vitaminave B kompleks, kanë efekte pozitive mbi sistemin nervor. Po ashtu ato kanë dhënë rezultate të mira në trajtimin e anemive nga mungesa e acidit folik dhe gjithashtu rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak. Kërpudhat rekomandohen shpesh edhe për pacientët me sëmundje të mëlçisë dhe veshkave, duke qenë një burim i rëndësishëm proteinash për pacientët me podagër sepse nga metabolizmi i tyre prodhohet shumë pak acid urik. Më poshtë do të japim disa të dhëna më specifike mbi lloje të veçanta kërpudhash.

Shiitake (lentinulaedodes)

Kjo lloj kërpudhe kultivohet dhe shitet në Kinë dhe Japoni, ku njihet edhe si “eliksiri i jetës” ose “sekreti i jetëgjatësisë”. Ajo përdoret gjerësisht si ushqim tradicional dasmash. Dobitë e saj përfshijnë parandalimin e apopleksisë, arterosklerozës dhe rritjes tumorale. Përbërësi i saj, një polisakarid i quajtur lentine, mund të frenojë rritjen tumorale të sarkomave të cilët janë tumore malinj shumë agresive. Pacientët me këtë sëmundje këshillohen që përgjatë kimioterapisë të konsumojnë edhe këtë lloj kërpudhe.

Në Japoni, është arritur të nxirren rreth 50 lloje të ndryshme enzimash nga kërpudha shiitake. Në këto përfshihen pepsina dhe tripsina, të cilat përdoren në trajtimin e disa sëmundjeve të stomakut dhe asparaginaza, e cila është pjesë e trajtimit të leucemisë te fëmijët. Konsumimi i 100 gram i kësaj kërpudhe të freskët prodhon vetëm 28 kalori, duke e bërë atë një alternativë të mirë ushqimore me kalori të pakta. Kërpudhat kanë sasi të vogla të vitaminave A dhe E, por sasi të mëdha ergosteroli (provitamina D2), e cila shndërrohet në vitaminën D2 nën veprimin e rrezeve të diellit.Vitamina D2 ndihmon rregullimin e ekuilibrit të kaliumit dhe fosforit, duke kontribuar në zhvillimin e muskujve dhe kockave dhe duke parandaluar sëmundjen e rakitit. Së fundmi është gjetur se përbërësi eritradenine i këtyre kërpudhave ul nivelin e kolesterolit me 25-45%.

Pleurotus spp.

Kjo lloj kërpudhe është e pasur në proteina dhe mund të krahasohet edhe me legumet. Gjithashtu ajo përmban kripëra minerale si kalçium, fosfor dhe hekur në sasi dyfish më të madhe se në mishin e viçit apo të pulës. Midis llojeve të kërpudhave pleurotus ka sasi në më të madhe të vitaminës B1 (tiamina) dhe vitaminës B2 (riboflavina).

Hemaglutinina, një substancë që shkakton mpiksjen e rruazave të kuqe të gjakut, gjendet si te pleurotusostreatus edhe te pleurotusspodoleucus. 8 nga 18 aminoacidet e gjetur te pleurotusostreatus janë jetike për jetën e njeriut. Ekstrakte të fituar nga sporet e pleurotus stimulojnë formimin e interferonit, i cili është mekanizmi i parë mbrojtës ndaj infeksioneve virale. Këto spore mund të parandalojnë përhapjen e gripit sipas analizave laboratorike në kafshë.

Disa lloje kërpudhash kanë treguar se mund të jenë të efektshme në forcimin e sistemit imunitar. Aplikimi i kimioterapisë i përdorur në shumicën e sëmundjeve kanceroze, dihet tashmë se ka shumë efekte anësore të dëmshme, madje mund të nxisë lindjen e sëmundjeve të tjera. Ndër të tjera mund të përmendim dëmtimin e madh që i shkaktohet mëlçisë dhe veshkave. Allahu i Madhëruar, Shëruesi, na ka dhënë një mirësi të tillë si kërpudha të cilën mund ta përdorim për shërim dhe kjo patjetër kërkon të zbulohet nga ne.

Përbërësit kryesorë ushqimorë të Agaricusbisporus në %

Yndyrë 0.35
Proteina 3.43
Karbohidrate 3.78
Karbon 0.71
Ujë 91.73
Minerale (ppm)
Zink 5.46
Bakër 1.59
Kalium 2445.50
Hekur 8.73
Kalçium 39.60
Krom
Fosfor 882.30

Vitamina të tretura në ujë (mg/100g)
B1 (Tiamin) 0.094
B2 (Riboflavin) 0.396
Acid folik 0.078
C (Acid askorbik) 2.29
Niacin 5.35.

Ebu Bekir Pasazade

/Drita islame

You must be logged in to post a comment Login