Këmisha e dashurisë, dhembshurisë, mëshirës

Një baba, prind besimtar, kishte katër fëmijë, të falur dhe bekuar prej Zotit. Po aq vajza, sa edhe djem. Ata rronin e përparonin përditë të gjashtë me punën e tyre të ndershme, në fshatin midis bimëve, kafshëve dhe ujërave, që rrjedhin tatëpjetë dimër-verë.

Njëri pas tjetrit fëmijët u rritën. Fëmijën e rrit dhe e zbukuron fryma e kohës së caktuar dhe sidomos dashuria prindërore. Kështu u rritën edhe fëmijët e atyre prindërve besimtarë; u rritën me besim dhe shpresë.

Kur fëmija vinte në moshën që njeriu arsyeton me mendjen e vet, babai e tërhiqte veçmas, e ledhatonte me përkëdheli dhe i kumtonte me zë të ulët një të fshehtë të madhe: “Ti ke lindur me këmishën magjike, – i thoshte. – Ke lindur me këmishën e shenjtë të dashurisë, dhembshurisë dhe mëshirës së Zotit. Prandaj mbaje me kujdes, ruaje si sytë e ballit dhe respektoje këtë këmishë të bekuar gjatë gjithë jetës sate”. Kaq i thoshte prindi i mençur fëmijës, pastaj ia shpjegonte me urtësi, nëse fëmija e pyeste, se ç’ishte kjo këmishë, me të cilën e paskësh uruar vetë Zoti.

Këmisha e shenjtë

Këmisha magjike për të cilën fliste babai i mençur dhe me të cilën përgëzohet çdo njeri që lind, ka tre mrekulli, sa hyjnore aq edhe tokësore: Dashurinë, Dhembshurinë, Mëshirën.

Dashuria është ndjenjë e fuqishme shpirtërore njerëzore universale; ndjenjë e fortë, e thellë, bazë e harmonisë sociale dhe e ujdisë me vetveten. Dashuria është baza e miqësisë midis njerëzve, e cila e ka burimin në Unitetin e krijimit dhe Njëshmërinë e Krijuesit. Ajo është prirje e brendshme drejt diçkaje që na tërheq; është ndjenjë e zjarrtë dhe e pastër që lind midis dy njerëzve, të cilët bashkojnë jetët e tyre për hir të Krijuesit dhe mesazhit të madh për vazhdimësinë e jetës njerëzore. Dashuria Hyjnore përfaqëson dëshirën dhe përkujdesjen e pakufishme të Krijuesit për krijesat e veta. Shkalla më e lartë, kulmi i dashurisë njerëzore është adhurimi vetëm për Krijuesin e Gjithësisë.

Dhembshuria gjithashtu është një ndjenjë njerëzore, një nga llojet e dashurisë e përtej saj, e cila qëndron midis dashurisë dhe mëshirës. Ajo është ndjenja që ushqen e manifeston dikush për njerëzit që i do a që i dhimbsen, duke ndjerë thellësisht keqardhje dhe shpirbutësi deri në prirjen për t’iu ardhur në ndihmë menjëherë e me gjithçka atyre. Dhembshuria është shpirtbutësi, dashamirësi, shpirtmadhësi e gatishmëri për ndihmë e sakrificë për njeriun në të keq e në nevojë. Njeriu i dhembshur përkëdhel me dhembshuri, flet dhembshurisht, ndihmon e jep, me aq sa mundet, shpirtbardhësisht.

Mëshira është një ndjenjë e thellë dhe e fuqishme dhembshurie, keqardhjeje, përdëllese, ngushëllimi, faljeje e shpëtimi për krijesat dhe njerëzit e mjerë, ndërthurur me dëshirën e madhe për t’i ndihmuar ata, për t’i shpëtuar nga e keqja ku kanë rënë dhe që i ka zënë. Është dëshira e madhe dhe prirja e natyrshme, e cila, bazuar në dashurinë, mirësinë, dhembshurinë, zemërgjerësinë e butësinë shpirtërore, kërkon t’ua falë apo t’ua zbutë fajin e gabimin të tjerëve. E kundërta e mëshirës është rreptësia, ashpërsia, egërsia, keqbërja, keqdashja, mizoria, dënimi, braktisja, shkretimi, gjakataria, ndëshkimi, shkatërrimi.

Mëshirohemi, prandaj mëshirojmë 

Shkalla më e lartë e mëshirës është Mëshira Hyjnore, Mëshira e Zotit. Ajo është mëshira absolute. Mëshira është dritë e Zotit. Është cilësi hyjnore vetëm e Krijuesit, thelbi i Tij. Mëshira e vërtetë buron prej së larti. Mëshira është fryma, rruga, shpirti që bashkon Zotin me njeriun, si krijesë e krijuar posaçërisht për këtë tokë, për këtë dhé, me një qëllim të caktuar. Kjo mëshirë e spastron njeriun. Mëshirë e madhe e bekim i Krijuesit për botën është ardhja e Profetit Muhamed, kumtimi i Kur’anit të Shenjtë.

Dy emrat më të bukur, më madhështorë dhe më të dashur të Krijuesit, të cilat përmenden në krye të këndimit të çdo kapitulli kuranor janë “I Gjithëmëshirshmi”, “Mëshirëploti”. Sa besim, shpresë, gëzim dhe lumturi ngjallin në shpirtin e njeriut këta emra të shenjtë, të pashoq, shumë të dashur e më të bukurit në gjithësi!

Dashuria, Dhembshuria dhe Mëshira, të cilat te njerëzit e kësaj toke janë virtyte, që shfaqen pjesë-pjesë në jetën e tyre të përditshme, te Krijuesi ato janë thelbi, burimi jetëdhënës i përjetësisë hyjnore. Të gjitha virtytet e njeriut vijnë si shëmbëlltyrë e cilësive dritëdhënëse të Zotit. Thesaret e mëshirës së Zotit janë të pashtershëm, siç janë të pashtershëm edhe thesaret e shpërblimit për besimtarët dhe durimtarët. Çdo gjë vjen nga mëshira e Allahut dhe askush nuk mund ta pengojë atë që Krijuesi ua jep njerëzve nga mëshira e Tij. Askush nuk mund ta japë atë që Ai e pengon. Kjo mëshirë jepet, fitohet, meritohet; është bekim dhe shpërblim. Kjo botë është sheshi dhe mejdani i luftës së njeriut për të fituar mëshirën dhe kënaqësinë e Mëshirëmadhit.

Njeriu vjen në këtë botë, jeton, adhuron e përparon sepse mëshirohet, pra është i mëshiruar nga Krijuesi. Prandaj njeriu është i detyruar të jetë i mëshirshëm nga natyra e vet. Ne, njerëzit, mëshirohemi, prandaj mëshirojmë, ndaj duhet ta kemi këtë cilësi thelbësore në vetë natyrën tonë. Vetëm Zoti e njeh, sepse ka mundësi ta njohë plotësisht njeriun, secilin veç e veç.

Është mëshirë e Zotit që një njeri lind. Ai është domosdoshmëria, mundësia janë njerëzit e kësaj bote, konkretisht dy njerëz të dashuruar. Kësisoj, ata janë duke u vënë në provë, vihen në provë me pasardhësit dhe me pasurinë e tyre; si të sillen me to, do të shpërblehen. Çdo njeri është i zgjedhur i Zotit kur Ai e pajis atë me besim dhe me virtyte të mira. Ky është bekimi i Perëndisë, kjo është “Këmisha” për të cilën fliste ai prindi besimtar, këmishë të cilën do të dëshironte çdo prind që ta kishte të veshur fëmija i vet.

Njeriu është mbajtës, posedues i një energjie hyjnore, e cila nëpërmjet besimit dhe veprave të mira që ai bën, shndërrohet në kënaqësi njerëzore falënderuese. Prandaj jeta për njeriun është e shtrenjtë, e dashur dhe e dhembshur. Prandaj njeriu e përjeton besimin dhe shpresën duke e kthyer në dashuri. Besimi vlen vetëm në këtë botë. Të gjithë njerëzit janë krijuar për të ardhur të barabartë; zgjedhja e tyre në jetë bën diferencën, ndryshimin.

Si ta shfrytëzojmë mundësinë që ta meritojmë mëshirën e Krijuesit?

Mundësitë e njeriut për ta merituar mëshirën e Allahut janë të pashtershme. Krijuesi i ka dhënë krijesës së tij të dashur, njeriut, dy fakultete të mëdha e të mrekullueshme, me anë të të cilave çdokush mund të bëhet i devotshëm: Mendjen dhe Zemrën. Me anë të tyre mundësitë bëhen realitet.

Këto mundësi tashmë nuk janë sekret, nuk janë të fshehta. Ato shpalosen në mënyrë të mrekullueshme në Kur’anin Famëlartë, në thëniet, mësimet dhe veprimtarinë e Profetit të fundit, paqja, mirësitë, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin me të! Lexo e mëso në këto burime drite e mirësie, o njeri, dhe do të jesh i mëshiruar, i shpërblyer dhe i shpëtuar !

Disa hallka të zinxhirit nga kërcënimi i mundësisë së zhytjes në mëkat, drejt mëshirës

Frika për të mëkatuar, për të bërë gjynahe është gjithmonë e pranishme te njeriu. Nga kjo frikë njeriu mund të çlirohet vetëm duke besuar fort në mëshirën e Krijuesit. O njerëz! Mos e humbisni shpresën në mëshirën e Allahut! Zoti me siguri i fal të gjitha gjynahet, nëse besoni, paskëtaj pendoheni dhe bëni vepra të mira. Ky është një sihariq i madh; është lajmi më i mirë, më madhështor dhe më i gëzueshëm që Allahu ka kumtuar për njeriun.

Kërcënimi për mëkatim, për mundësinë e zhytjes në gjynahe, është frikë dhe kujtesë. Njeriu i paralajmëruar është gjysmë i shpëtuar. Por njeriu tashmë është i paralajmëruar për pasojat e veprimeve të veta drejt mëkatit. Shpalljet hyjnore dhe porosittë profetike janë në dorë të njerëzve; mjafton t’i lexojnë ato dhe të mësojnë vazhdimisht prej tyre, me këmbëngulje, durim, gëzim e kënaqësi.

Pasi njeriu bie në mëkat, është e rëndësishme që ta kuptojë veprimin ose mosveprimin e tij në dëm të të tjerëve ose të vetvetes. Pas kuptimit të thellë të mëkatit, vjen pendimi i sinqertë.

Ndërkohë që njëkohësisht me pendimin, vihet re ndryshimi dhe qartësimi, dallimi i rrugës së drejtë. Ky është një proces kompleks dhe i ndërlikuar për t’u kuptuar dhe shpjeguar me fjalë. Te mëkatari ka filluar pastrimi dhe qartësimi i rrugës, gjë që kërkon kohë dhe durim. Një gjë e tillë forcon bindjen në pranimin e pendimit dhe forcon besimin në mundësinë e shpëtimit prej gjynaheve.

Në këto kushte, Krijuesi dhe njerëzit e tjerë shfaqin keqardhje dhe dhembshuri për mëkatarin e penduar. Më pas vjen mëshira, e cila buron nga dashuria e Zotit bujar për njeriun mëkatar. Shenjat e faljes së fajit dhe gabimeve të njeriut shpesh herë duken qartë; ato shoqërohen me begati e mirësi të natyrës materiale e shpirtërore, në shenjë shpërblimi për të shpëtuarin.

Këto shenja shkaktojnë një gëzim e ngazëllim të thellë te njeriu i penduar, mirënjohës e falënderues për dashurinë, faljen dhe mëshirën e Zotit. Ky gëzim dhe ngazëllim janë dritë nga drita e Fuqiplotit, ato sjellin adhurimin me përulje, frikërespekt dhe mirënjohje pa kufij.

Pastaj vjen falënderimi për Mëshirëplotin dhe Begatorin e madh, thesaret e të Cilit janë për ne, njerëzit që mëkatojmë, por që edhe dimë të pendohemi, të ndreqemi, të falënderojmë dhe të adhurojmë siç duhet.

Adhurimi vetëm për Krijuesin kryhet me lutje, përulje, falënderime, përgjërime, përdëllime dhe vepra bamirësie; lotët e gëzimit, mallëngjimit dhe të mirënjohjes janë të natyrshme në këtë proces të mrekullueshëm sa hyjnor, aq edhe njerëzor.

Kush e ka Këmishën?

A e kini njohur babanë, atë prindin besimtar, i cili dëshironte që të gjithë fëmijët e tij ta kishin të veshur mbi trupin e tyre Këmishën e dashurisë, dhembshurisë e mëshirës së Zotit?! Unë e kam njohur. Të gjithë fëmijët e tij u bënë të hajrit, njerëz për së mbari; të dobishëm për veten dhe për shoqërinë. Ata jetojnë edhe sot pranë nesh, luftojnë me vështirësitë e jetës, na frymëzojnë e na gëzojnë me jetën e tyre të dëlirë. Na mbushin plot shpresë dhe optimizëm. Ata besojnë e bëjnë vepra të mira, elemente këto për të merituar mëshirën e Krijuesit dhe për të ushqyer shpresën për jetë të mirë në këtë botë dhe për një vend akoma më të mirë në amshim.

Besoj se të gjithë prindërit e botës do të dëshironin për fëmijët e tyre një Këmishë dashurie, dhembshurie e mëshire. Po një këmishë të tillë duhet ta lypin në radhë të parë për vete.

Hysen Kobellari

/Revista Drita Islame – Dhjetor 2016/

You must be logged in to post a comment Login