Katër zakonet e suksesit!


suksesIndustria e Suksesit IV

Abdullah Ibn Mes’udi thotë: “Bëjeni zakon mirësinë, pasi që mirësia zakon është. Personaliteti i individit s’është gjë tjetër veçse një grumbull zakonesh”.

Njerëzit e suksesshëm posedojnë një katërshe zakonesh të fituar e të rrënjosur përmes ushtrimit të përditshëm dhe të vazhdueshëm. Është pikërisht kjo katërshe zakonesh ajo çfarë përbën energjinë gjigante brenda njerëzve të suksesshëm dhe është po kjo katërshe ajo që i ka bërë disa individë të shquhen në mesin e familjes njerëzore.

Që prej periudhës së antikitetit zakoni njihet si “natyrshmëria e dytë”, që do të thotë se ai posedon një forcë të ngjashme me atë të instinkteve natyrore të lindura. Ideologët e suksesit në funksion të zakonit japin këtë procedurë kultivimi:

Mbill një ide të korrësh një veprim,

mbill një veprim të korrësh një zakon,

mbill një zakon të korrësh një personalitet,

mbill një personalitet të korrësh një arritje.

Pikërisht me njohjen e zakoneve të poseduara fillon përgatitja për startin drejt Suksesit, kjo pasi zakonet janë një energji reaktive e gjendur brenda unit njerëzor, janë bagazhet e domosdoshme që njeriu duhet t’i disponojë në udhëtimin e tij drejt Suksesit.

Katër zakonet e Suksesit:

Zakoni i Parë: Njohuria

E kemi fjalën për njohjen e vërtetë dhe të drejtë të rrugës tënde, të asaj çfarë synon; për njohjen e aftësive që posedon, për njohjen nga ana jote të realitetit dhe natyrisht edhe për njohuritë e tua në lëmin arsimor dhe shkencor. Kjo e gjitha përbën në vetvete potencialin lëvizës, vizionin e thellë mbi trajektoren e Suksesit; kjo është fuqia e fshehtë që aktivizohet me rendiment atëherë kur sistemohet në trajtën e projekteve të përcaktuara e të orientuara drejt përmbushjes së objektivit të vendosur.

Po po, është njohuria jote,

ajo që dikton vlerën që ti posedon,

e teksa puna përçon vlerat e tua,

me vlerë punën njohuria e pasuron.

 

Edhe hierarkinë e mirësisë qëmoti,

vetëm tek njohuritë njeriu e bazon,

dituria ishte dhe mbetet gjithmonë,

stolia që punën e zbukuron.

Vlera që ti posedon është ajo çfarë ti di dhe njeh… puna bëhet dhe etiketohet si e mirë apo e bukur vetëm falë njohurisë… pikërisht në këto dy konstatime fton qartë Parimi Hyjnor: “Më të mirët prej jush para se të ishin në Islam, janë më të mirët prej jush në Islam, nëse posedojnë njohuri të lartë”. (Hadith, publikuar nga Buhariu dhe Muslimi)

 

Zakoni i Dytë: Aftësia

Nuk mjafton të posedosh njohuri mbi diçka dhe kaq, porse në rrugën drejt Suksesit duhet në fakt edhe bagazhi i kompletuar i aftësisë që ka të bëjë me treshen e kompetencave të teknikave të të mësuarit:

Së pari: Teknika e të menduarit të shëndoshë:

Mendimi apo intelekti i shëndoshë, thënë ndryshe i drejtë dhe i saktë, është edhe startuesja prej sjelljeve të njerëzve të suksesshëm, ashtu siç shprehet lidhur me këtë fakt Markus Aurelius, i cili thotë: “Në fakt jeta që bëjmë është produkt i mendimeve tona”.

Të menduarit në jetë përmes një perspektive të ndriçuar dhe mbi principin e teknikës të të menduarit pozitiv, ndihmon të realizohen synimet në një kohë rekord. Të menduarit pozitiv ka rolin e tij të patjetërsueshëm, pasiqë gjurmët e tij skalisin pozitivitetin në sjelljet praktike të individit të ndërgjegjshëm, i cili e di mirë moton “Si të mendosh, ashtu do jesh”.

Zanafilla e teknikës së të menduarit të shëndoshë mund të jetë një mendim apo ide që fillimisht e regjistrojmë në ditarin personal dhe më pas duhet të vijojmë ta kultivojmë përmes leximit të vazhdueshëm dhe grumbullimit të informacionit lidhur me të, apo edhe duke e bërë këtë ide objekt të bisedave dhe debateve tona me shokët dhe miqtë tanë.

Së Dyti: Teknika e të dëgjuarit të zërit të arsyes:

Brenda nesh gjenden zëra të thellë, të ndërfutur sa prej dhimbjeve e sa prej shpresave. Dhimbjet kanë skalitur brenda nesh klithmat e tyre si rezultat i rëndesës, lodhjes dhe vështirësisë, si rezultat i zhurmës së jetës; teksa shpresat kanë gjeneruar brenda nesh jehonat e tyre si rezultat i vizioneve ndriçuese, ambicieve dhe fantazisë pozitive; zëra këto që brenda njeriut tek i cili jetojnë bëjnë një luftë, kushtrimi i së cilës është kumbimi i ndërgjegjes së personit, që filtrohet dhe kullohet sa më shumë që individi relaksohet dhe mediton.

Kumbimi i qartë i zërit të ndërgjegjes të tregon se tanimë je kompletuar në një person të sjellshëm dhe të ndërgjegjshëm, gjë e cila të mbron nga rënia në vetëmashtrim, që konsiderohet edhe mashtrimi më i madh në të cilin mund të bjerë individi.

Slogani i ndërgjegjësimit vjen përmes rekomandimit profetik: “Merri mendim zemrës (ndërgjegjes) tënde!” [Hadith, publikuar nga Ahmedi]; pra dëgjoje zërin e arsyes tënde, zë të cilin nuk mund ta manipulosh. Vetëm nëse njeriu e dëgjon këtë zë do ecë përpara drejt progresit dhe novacionit.

Këtij fakti i mëshon A. C. Levis në citatin e tij të famshëm ku shprehet: “Nuk duhet të jemi si ata që injoruan t’ia vinin veshin brendive të tyre ndaj dhe e humbën rrugën dhe ndërgjegjet e tyre u verbuan”.

Së Treti: Teknika e të fantazuarit novator

Në vend që të jetosh përmes kujtimeve, jeto tanimë përmes fantazisë pozitive. Ky lloj pozitiv i fantazisë është një teknikë që presupozon parashikushmërinë e të ardhmes dhe aftësinë për të zgjidhur problemet përmes përqendrimit, unifikimit dhe efektshmërisë; ky soj pozitiv i fantazisë ka të bëjë me atë që me të drejtë quhet dhuntia e vetëperceptimit, që nga ana tjetër dhuron edhe dhuntinë e perceptimit të tjetrit me një sy ndryshe dhe me një panoramë më të mirë nga ajo momentale. Sa në fjalë të mundëson të shkruash mesazhin apo misionin tënd në jetë dhe ta kryesh atë me eficensë, duke e parë veten nën konturin e ndriçuar “ti mundesh”.

I dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s.) shpeshherë ua panoramonte të tjerëve të ardhmen e tyre të ndritur. Në një rast të tillë ai i thotë Suraka ibn Malikut: “Si do jetë me ty (o Suraka) kur të veshësh stolitë e Kisras (monarkut persian)?!”; dhe erdhi dita në të cilën stolitë e monarkut të Persisë ia dha Surakës kalifi Omer ibn Hattabi që udhëhiqte asokohe myslimanët.

Ky është momenti i lëshimit të frerit të fantazisë duke fantazuar të ardhmen tënde të ndritur, dhe do shohësh që shpresa do vezullojë dhe do karikohesh me energji të reja ditore.

Që të planifikosh të ardhmen:

  • lëshoja frerin fantazisë!
  • vetmohu larg zhurmave!
  • lidhi fishat e së ardhmes me realitetin!
  • bëjë këtë që tani!

 

Zakoni i tretë: Dëshira

Tregohet për Edisonin, shpikësin e famshëm të llambës elektrike, se kish dështuar qindra herë para se të arrinte te kjo shpikje, saqë edhe gazetat asokohe e patën deklaruar për njeri të marrë. E njëjta gjë në fakt ndodhi edhe me Henry Fordin, që patë falimentuar plot pesë herë në rrugën e tij të suksesit për projektimin e makinës. E të njëjtës natyrë është edhe ajo çfarë i ka ndodhur kolonel Sandros, që ishte përzënë nga më se njëmijë restorante para se të lulëzonte restoranti i tij me menynë e tij të famshme “Kentaki”…

Ajo çfarë i bashkon personazhet e lartëpërmendur, si dhe shumë e shumë personazhe të tjerë të kalibrit të tyre, është forca e padukshme e “dëshirës” për të përparuar drejt SUKSESIT.

Zelli i vepërmirëve të plogështit i gjallon,

Zelli i vepërmirëve kombet i frymëzon.

Për të poseduar dëshirën e fuqishme për SUKSES nevojiten dy dhunti:

Dhuntia e parë: Vullneti Sovran

Vullneti sovran posedon brenda tij dhuntinë e transformimit të fantazisë në realitet të prekshëm. Poseduesit e tij e urrejnë plogështinë, paaftësinë dhe qëndrimin në vend numëro; ata e sundojnë vetveten, janë të zellshëm dhe produktivë, pasi posedojnë një vullnet që buron nga brendia e tyre.

Kjo dhunti nuk arrihet vetëm se përmes një vullneti të çeliktë, që angazhon zotimin për të përparuar drejt SUKSESIT dhe mbajtjen e këtij zotimi, pasi një gjë e tillë i kthen njeriut vetëbesimin dhe i shton kapitalin e krenarisë; gjë që pastaj mundëson të shemben nga themelet zakonet e këqija dhe të transformohen në zakone të mira.

Zotohu solemnisht se do i realizosh objektivat që e flakërojnë dhe nxisin maksimalisht vullnetin tënd, si dhe përgatit një plan të mirëpërpiluar që lidh midis teje dhe arenës së aplikueshmërisë.

Dhuntia e dytë: Vetëkoshienca

Maturia apo vetëkoshienca e pajis individin me “lenten” që i mundëson atij të shikojë realitetin e vetvetes dhe të bindet mbi mangësitë që kanë kapluar personin e tij; gjë që për pasojë e bën individin ta ndiejë maksimalisht realitetin që e rrethon dhe i produkton atij zellin drejt përsosjes dhe zhvillimit të aftësive e dhuntive vetjake, drejt evitimit të llumërave të mbetura brenda tij.

Posedimi i vullnetit të fuqishëm të ndryshimit ka shanse të realizohet vetëm përmes shqyrtimit të drejtë të realitetit të vetveteve tona të konkluduar nga reflektimi, dëshira dhe pohimi jo i shtirur i principit “Sa e sa gjëra unë nuk i di”.

Zakoni i katërt: Bindja dhe intelekti

Vlerat dhe principet e njeriut si dhe vizioni i tij mbi jetën formohen nga nisma e tij serioze e modulimit, modifikimit dhe rregullimit real të personalitetit të tij.

Nëse bindja e njeriut ndryshon, nëse përshtypjet e tij ndryshojnë, atëherë edhe zakonet e tij do ndryshojnë. Tek ndryshimi i bindjeve dhe përshypjeve qëndron edhe forca reale që bën ndryshimin e çdo sjellje të gabuar të ngulitur nga vegjëlia në personalitetin e njeriut dhe transformimin e saj në sjellje të drejtë pozitive.

Sjelljet tona bazohen mbi ndjenjat tona,

ndjenjat tona bazohen mbi mendimet tona,

mendimet tona bazohen mbi vlerat, principet dhe bindjet tona.

Rrjedhojës së mësipërme i përgjigjet fajkti se si kur bindja zë rrënjë dhe formon mendimin solid, atëherë njeriu di se ku dhe se si ecën.

Nëse shikojmë në programin e ndryshimit të profetit Muhamed (a.s.] gjejmë se ai nuk punoi drejtëpërsëdrejti për ndryshimin dhe modifikimin e sjelljeve, si dhe nuk i vendosi në fazën fillestare të ndryshimit dispozitat dhe ligjet, por fillimisht ai mbolli tek njerëzit vlerat, principet, moralet dhe bindjet, ashtu që kur në periudhën e mëvonë zbritën dispozitat dhe ligjet, njerëzit përmes sjelljeve të tyre iu përgjigjën pozitivisht këtyre ligjeve, pasiqë tanimë në funksion të ndryshimit të vlerave, principeve, moraleve dhe bindjeve të tyre edhe sjelljet tek ata njerëz kishin ndryshuar dhe ishin modifikuar.

Ky është edhe revolucioni i madh gjithpërfshirës që kreu Islami në zemrat e njerëzve, përmes modifikimit të kësaj pjese jetike aktive, ndërgjegjes së njeriut, pa të cilën të folurit dhe të shprehurit e njeriut përfundojnë në skelete fjalësh të zbrazura nga fryma dhe shpirti.

nga Altin TORBA  

(Revista Drita Islame, Prill 2013)

 

 

You must be logged in to post a comment Login