“Karvani i bereqetit” mbërrin sërish në Shkodër

Sikurse është bërë traditë prej shumë vitesh, Bashkia “Bajram Pasha”, në kuadër të bashkëpunimit me Bashkinë Shkodër dhe Myftinë e saj, ka organizuar edhe këtë vit një iftar vëllazëror, me rastin e Muajit të Begatë të Ramazanit.

“Karvani i bereqetit”, siç njihet ndryshe kjo iniciativë besimi dhe vëllazërie, mbërriti në Shkodër, për ta gjallëruar edhe më shumë jetën fetare në këtë muaj, ku spikasin sofrat e iftarit, tubimet vëllazërore, vaset e bashkëbisedimet me tematika të ndryshme fetare, emisionet televizive dhe radiofonike, shpërndarja e ndihmave për nevojtarët, promovimi i librave dhe botimeve të reja etj.

Për shkak të kushteve jooptimale të motit, këtë vit, iftari  madh nuk u shtrua në sheshin e Parrucës, si vitet e tjera, por në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, që ishte mbushur me besimtarë të shumtë, që kishin ardhur me familjet dhe fëmijët e tyre, për t’iu bashkuar gëzimit të kësaj sofre bujare, në këtë muaj organizimi dhe gjallërimi të familjes myslimane.

Në emër të Myftinisë Shkodër, iftari u përshëndet nga teologu Arben Halluni, i cili bëri edhe një lutje, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimet e Myftinisë Shkodër për këtë bashkëpunim të vyer, në rrugën e pasurimit të jetës islame në Ramazan.

Ceremonia u përshëndet edhe nga Kryetari i hkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, që vlerësoi këtë bashkëpunim dhe uroi të pranishmit me rastin e këtij muaj të begatë.

Një fjalë përshëndetëse, ishte edhe ajo e mbajtur nga përfaqësuesi i Bashkisë “Bajram Pasha”, që vlerësoi vëllazërinë e dy popujve tanë, si dhe vullnetin e mirë të vëllezërve nga Turqia, për të ndarë gëzimin e këtij muaj me besimtarët myslimanë në Shkodër, Shqipëri dhe në shumë treva të tjera të Ballkanit.

Për të pranishmit, ishte përgatitur edhe një program artistik me ilahi dhe këndime të ndryshme fetare në gjuhën turke, shoqëruar me dhurata të këndshme për fëmijët dhe të rinjtë e pranishëm.

11 korrrik 2014

IMG_6954 IMG_6984 IMG_6986 IMG_6960 (1) IMG_6939 IMG_6962

You must be logged in to post a comment Login