Kambana e Ramazanit!

nga Rabeea Al-NASSER*

Alrafid

 Kjo është një histori e cila ka ndodhur më shumë se 80 vjet më parë, ku banorët e fshatit mendonin dhe jetonin më thjesht se tani. Shumë prej fshatrave në Jordani kanë dy komunitete fetare, të krishterë dhe myslimanë, të cilët ndajnë të njëjtën tokë, qiell dhe ujë. Shumë prej tyre i festojnë ditët dhe netët e shenjta të njëri-tjetrit.

Njëri prej këtyre fshatrave quhet Alrafid, në jug të Jordanisë. Si të gjithë fshatarët, njerëzit atje punojnë në tokë, dhe ditët më të mira për ta janë ditët kur bie shi. Ramazani, muaji i agjërimit, atë vit ra në dimër. Ditët e festave dhe Ramazani nuk vijnë në të njëjtën kohë çdo vit për myslimanët. Sipas kulturës islame, myslimanët përdorin vitin Hixhri (viti islam), i cili i takon ciklit hënor.

kambana e ramazanit

Është dimër dhe Ramazan, dhe njerëzit po agjëronin, nga agimi deri në muzg.

Imami i xhamisë i lajmëronte ata me ezan për të nisur agjërimin në agim dhe në muzg për të ndaluar agjërimin, dhe për të ngrënë ushqimin e tyre.

Fshatarët, pasi hanin ushqimin e tyre (iftarin), mblidheshin të gjithë së bashku në shtëpinë e njërit prej tyre për të ngrënë ëmbëlsira dhe konsumuar pije të ngrohta si dhe për të folur rreth shiut dhe bujqësisë së tyre.

Në një natë prej netëve të Ramazanit, imami i xhamisë ishte i sëmurë, dhe ai qëndroi për disa ditë në shtëpi, dhe kështu nuk mund të thirrte ezanin për t’i lajmëruar njerëzit në agim ose në muzg.

Atë natë, edhe prifti i fshatit ishte aty kur ata folën për sëmundjen e imamit dhe për vuajtjet e tyre gjatë agjërimit, sepse ata nuk mund të hanin deri sa t’u bënte tërësisht natë, në mënyrë që të kuptonin se kur bëhet muzg, siç thotë Kur’ani.

Befas, njërit prej të rinjve të fshatit, i erdhi një ide. Ai iu kthye priftit, i cili po qëndronte bashkë me fshatarët e tij, dhe e pyeti: “Prifti ynë, përse nuk i bie kambanës së kishës për të ndaluar agjërimin tonë kur të bëhet muzg, meqenëse imami ynë është i sëmurë?”

Të gjithë e përkrahën këtë ide, kështu që prifti tha: “Unë do të kaloj njëherë nga imami e t’i tregoj, nëse pajtohet dhe ai me këtë.”

Ditën tjetër prifti shkoi të vizitonte imamin për t’u siguruar për shëndetin e tij dhe për t’i treguar për propozimin.

Imami e pranoi idenë dhe e falënderoi priftin nëse ai do t’i binte kambanës për fshatarët, meqenëse bënte shumë ftohtë dhe ai ishte ende sëmurë edhe për disa ditë, derisa të rifitonte shëndetin.

Kështu, banorët e fshatit Alrafid e ndalonin agjërimin e tyre në kohën që ata dëgjonin kumbimin e kambanës së kishës.

Kjo kambanë bie ende mbi kishë, jo në Alrafid, por këtu në Amman, duke i sjellë ndërmend myslimanëve dhe të krishterëve historinë e tij me banorët e atij fshati të largët.

 

Përktheu nga gjuha angleze:

Ermal BEGA



*Autorja është nga Jordania.

 

(Revista Drita Islame, Korrik 2013)

You must be logged in to post a comment Login