Ju pyesni, teologu përgjigjet (2)


nga Gazmend Aga

 

Besim H. 28 vjeç, Tiranë

Punët nuk më ecin mirë, më duket sikur ka ndonjë tersllëk. A ka ndonjë lutje që mund të më ndihmojë?

Jam 28 vjeç. Megjithëse nuk falem aq shumë sa më parë, i lutem shumë Allahut dhe bëj gjithmonë dua. Por e kam vënë re, megjithëse lutem, punët nuk më ecin mirë. Si të kem ndonjë mallkim. A mos ndoshta nuk lutem me sinqeritet dhe Zoti më sprovon, nuk e di, por kjo gjendje më mërzit shumë. Tani dua të martohem. Personi me të cilin jam lidhur më duket njeri i mirë, por për arsye familjare dhe martesa nuk po realizohet. Ka dhe shumë gjëra të tjera të cilat më bëjnë të mendoj se diçka nuk po ecën si duhet në jetën time. Çfarë duhet të bëj, a ka ndonjë lutje që mund të më ndihmojë? Ju faleminderit, Allahu jua shpërbleftë për çdo gjë.

I dashur, e para dhe më e rëndësishmja është se çdo gjë në jetë është sprovë dhe kjo nuk duhet harruar. Moskryerja e rregullt e adhurimeve është një nga arsyet kryesore që besimtarin ta kaplojë brenga dhe mërzitja. Të kesh regata të rregullta me Krijuesin e Gjithësisë është ura më e fortë drejt lumturisë e prehjes shpirtërore. Durimi në kryerjen e adhurimeve është prej durimeve kryesore në jetën e njeriut. Një prej sprovave që ka besimtari është sprova që ka gjatë kryerjes së adhurimeve. Vëlla i nderuar, mundohu t`i kryesh rregullisht adhurimet.

E dyta, mundohu të ndryshosh këndvështrimin ndaj ngjarjeve dhe “problemeve” në jetë. Mundohu ta shikosh çdo gjë të bukur, pozitive. Ky është ilaçi më i mirë ndaj çdo sprove nëjetë. Nëse veproni kështu, jeta juaj do marrë një dimension tjetër.

E treta, mundohu të lexosh çdo ditë suren Fet`h, suren Inshirah. Lexo dhe duanë e këshilluar prej Profetit tonë të nderuar (a.s.) për mbrojtje prej mërzisë, varfërisë, dembelizmit. Mundohu t`i bësh këto lutje pas namazeve të sabahut dhe akshamit. Njëherë kur profeti Muhamed (a.s.) hyri në xhami, pa se një person nga Ensarët, Ebu Umame, ishte ulur dhe qëndronte i menduar dhe i mërzitur. Profeti ishte shumë i lidhur me shokët e tij. E si mund të qëndronte indiferent kur shikonte ndonjë shok apo mik të mërzitur e të pikëlluar. Aq i ndjeshëm ishte ai, saqë problemin e kujtdo e quante problemin e tij, e ndante mërzitjen me të, ulej me ta dhe e ndihmonte me ç`të kishte mundësi. Kur e pa Ebu Umamen të mërzitur e pyeti: “Nuk është kohë namazi, përse je këtu në këtë orë?” “O i Dërguari i Allahut, kam një brengë përbrenda dhe i kam borxh dikujt”, iu përgjigj Ebu Umame. “A të të mësoj një dua që të heq brengën e mërzitjen, të të ndihmojë të paguash borxhin?”, e pyeti Krenaria e Njerëzimit (a.s.). Dhe e këshilloi të lutej në sabah e aksham me këtë dua:

All-llahumme inni eudhu bike minel-hemmi vel-huzni ve eudhu bike minel-axhzi vel-keseli ve eudhu bike minel-xhubni vel-buhli ve eudhu bike min galebeti-dejn ve kahrir-rixhal.

Kuptimi i së cilës është: “O Zot, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brenga dhe pikëllimi! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dobësia dhe përtacia. Prej Teje kërkoj mbrojtje nga frika dhe koprracia. Prej Teje kërkoj mbrojtje që të mos më mbulojë borxhi dhe që t`më mos më mposhtin njerëzit”. (EbuDavud, İstiadhe)

E katërta: mos kini dyshim nga të mirat. E mira është e mirë dhe ajo regjistrohet diku. Në dashtë Zoti, çdo e mirë, çdo brengë e cila pritet me durim e shpresë ndaj Allahut, do të regjistrohet në librin e punëve të njeriut.

E pesta: mos u shkëpusni nga tubimet ku ka njerëz të mirë. Ato tubime, ato ligjërata e fjalë të mira do ju rehatojnë dhe do sjellin lumturi në shpirtin tuaj.

 

Fatma, 34, Tiranë

Duke iu lutur Allahut (xh.sh.) që t’ju japë sukses në këtë punë fisnike që keni nisur doja t`ju bëja një pyetje: Jam nënë e dy fëmijëve. Ata janë jeta jonë dhe çdo sakrificë, çdo përpjekje e bëjmë për ta. Im shoq punon shumë dhe i ka lënë pak pas dore fëmijët. Ka raste që kalon shumë pak kohë me ne, ka raste që sapo kthehet nga puna “noton” në TV e internet. Çfarë na këshilloni në lidhje me këtë?

Motër Fatma, jetojmë në një kohë kur njerëzit po kalojnë shumë pak kohë me njëri-tjetrin. Orë të tëra të kaluara në të njëjtin ambient, por me mendje në vende të ndryshme. Nuk je e vetmja që ke një “problem” të tillë. Një bashkëshorte e sinqertë, besimtare e shpirtdëlirë me ndihmën e Allahut mund të shërojë shumë plagë të familjes.

Mundohu të ulesh dhe të bisedosh me bashkëshortin tënd. Çdo tiktak i zemrës është një hap drejt mbarimit të kohës në këtë botë. Koha që kalohet me familjen ka një vlerë të madhe. Ajo që duhet mësuar dhe praktikuar është se nuk ka aq rëndësi se sa orë qëndrojmë me familjen, por si e kalojmë kohën me të. Të qëndrosh 4 orë përpara TV duke parë një telenovelë, megjithëse mund të jemi së bashku me familjen, në fakt jemi shumë larg saj. Detyra e prindërve në këtë aspekt është e qartë. Prindërit e kanë për detyrë të merren me edukimin e fëmijëve. Trashëgimia më e mirë që një prind mund t`i lërë fëmijës është morali i bukur. Këtë moral duhet të fillojë ta japë që në hapat e parë të fëmijës. Ashtu si puna e tepërt, preokupimet e shumta nuk mund të tregohen si arsye për të neglizhuar prindërit, nuk mund të jenë arsye dhe për të neglizhuar fëmijët. Në këtë aspekt duhet bërë një planifikim i mirë i kohës. Të dy, nëna dhe babai, duhet të luajnë rolin e tyre në edukimin e fëmijës duke e ngopur atë shpirtërisht.

Po, duhet kaluar kohë me fëmijët, duhet planifikuar mirë koha që kalojmë me ta. Kjo nuk do të thotë ta kalojmë ditën në lojë e argëtim. Mund të argëtohesh me fëmijën, por jo duke lënë pas dore edukimin fetar të tij. Mësimi i Kuranit, leximi i përbashkët i librave, bashkëbisedime me ta, buzëqeshje të sinqerta që të japin besim në vetvete, riparimi i ndonjë gjëje në shtëpi, bërja e pazarit së bashku me ta, lutje e përbashkët; janë vetëm disa nga “koha me cilësi” që mund të kalohet me fëmijët.

E nderuar Fatma, Allahu ju ndihmoftë ju dhe të gjitha familjeve që e ndjejnë nevojën për një edukim më të mirë të fëmijëve të tyre. Bashkohuni me bashkëshortin tuaj, nxirrni disa “do bëjmë” e “s`do bëjmë” për hir të Allahut (xh.sh.). Flisni për hir të Tij, qeshni për hir të Tij, duajeni njëri-tjetrin për hir të Tij, kaloni kohë duke menduar Atë dhe fëmija juaj do rritet me ngrohtësinë e lumturisë së parajsës, i mbrojtur nga sfidat e kohës, me personalitetin e tij, me besimin në vetvete dhe me mbështetjen tek Zoti i Gjithësisë.

/Revista Drita Islame/

  Dërgoni pyetjet tuaja në emailin: gazmendaga@kmsh.al

 

 

You must be logged in to post a comment Login