Johan V. Gëte dhe komunikimi me kulturat orientale

Edvin Cami, studiues dhe përkthyes

Cila është përmasa orientale e Gëtes?

Përmasa orientale e Gëtes është e ndarë në dyshë. Oriental, si kulturë, Gëtja nuk është, po ka një afinitet të veçantë ndaj aspekteve të ndryshme të kulturës orientale dhe të asaj çka vjen nga Orienti, në veçanti në aspektin shpirtëror, filozofik dhe fetar. Në rast se Orientit Gëte i qaset, nëse u referohemi modeleve simbolike, më tepër mbi bazat e një filie, Islami është ai të cilit ai i qaset më tepër nëpërmjet modelit të ansamblit. Gati-gati duke u bërë pjesë e tij, duke e përvetësuar filozofikisht dhe duke e bërë pjesë të universit të vet.

A është Gëte përfaqësues i njohjes së Orientit në Perëndim (në këtë kohë) apo ka edhe një sërë autorësh të tjerë?

Në kohën e Gëtes, po edhe më parë, ka pas ur një numër orientalistësh, nga vendet gjermanishtfolëse, që kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me Orientin; kanë përkthyer vepra orientale (perse, arabe, osmane) në gjermanisht. Pra, mes një elite njerëzish, Orienti njihej. Gëtja ka një të veçantë që, përtej një lidhjeje thjeshtë fizike, apo të drejtpërdrejtë me Orientin, ka arritur të kapë thelbin e Orientit (në kuadrin e mistikës orientale, islamin, sufizmin), sidomos në veprën e tij “Divani Lindor – Perëndimor”, dhe është munduar që ta rindërtojë atë brenda veprës së vet. Domethënë Orienti njihej, po Gëtja ka kapur një aspekt të veçantë të tij. Në rast se deri në atë kohë ajo që joshte te Orienti ishin përrallat arabe, Gëtja, këtë lloj trigaliteti e kapërcente, futej në thellësi dhe shihte diçka që të tjerët rreth tij nuk mund ta shihnin.

A mund të krahasohet Gëte me Bajronin, meqenëse të dy kanë pasur kontakt me Orientin?

Jo identikisht, për arsye se Bajroni u gjend fizikisht, ndërsa Gëtja jo. Nisur edhe nga aspekti që Bajroni u gjend në atë hapësirë që në atë kohë njihej si Orient, në këtë kuadër u konceptua që Bajroni shkoi në Orient. Gëtja këtë pjesë të veprimtarisë së Bajronit e njeh dhe e vlerëson shumë, por kontakti i Gëtes me Orientin ishte i çuditshëm. Ai nuk u gjend ndonjëherë në Orient, por ai u mundua të bënte gjithçka për të pasur një lloj pjese fizike të marrëdhënies së tij me Orientin, duke udhëtuar nga Vajmari drejt Frankfurtit dhe duke e perceptuar këtë udhëtim si udhëtim në Orient. Këtu fillon dhe shkruan Divanin e tij me poezinë e parë të titulluar “Hixhret (Udhëtim) drejt Orientit”, dhe përshkruan se çfarë dëshiron të gjejë atje, pra të çlirohet nga kaosi i kohës të shkaktuar nga Revolucioni Francez, përplasjet e brendshme filozofike, ushtarake dhe shoqërore të kohës.

Këtu mundohet që t’i krijojë vetes rrethanat e të gjendurit në Orient, strehohet në familjen e kontit Vileme dhe me njërën nga zonjat e familjes, Marjana fon Vileme, vendos një marrëdhënie letrare dhe e quan Zylejha në veprën e vet, kurse veten e quan Hatem (emra orientalë), duke e shndërruar këtë vizitë të tij në Frankfurt si të ishte në Orient.

Ç’është koncepti i Gëtes për “letërsinë botërore” (Weltliteratur)?

Weltliteratur është koncepti i Gëtes mbi letërsinë botërore, apo letërsi e përbotshme. Nuk është thjeshtë një amalgamim i të gjitha letërsive ekzistuese kombëtare për të krijuar një të madhe, por më tepër është synimi për të konceptuar disa vlera të përbashkëta të padiskutueshme të një letërsie të mirë, vlera të cilat prodhohen kudo, pavarësisht vendit. Pra, një letërsi që nuk njeh kufij.

Në përfytyrimin e Gëtes kultura e lashtë greko-romake është shumë e rëndësishme dhe boshti mbi të cilin ai bën vlerësimin për një letërsi të mirë ngelet lashtësia greke. Parë në këtë kuadër, kudo që ai shikon që vlera të ngjashme, përqasje të ngjashme, lindin në mënyrë strukturaliste, përtej kufijve të vendit të tij, ai nuk e ka problem që t’i pranojë njëlloj. Pra, nuk shikon një kufi kombëtar te letërsia, por shikon një hapje, një zgjerim në bazë të vlerave. Natyrisht që këtë koncept e lidh jo vetëm me letërsinë, por edhe me çdo zhvillim tjetër. Pra, një letërsi që ndikohet edhe nga zhvillimet teknologjike, ekonomike edhe, po themi, nga rënia e doganave, hapja e tregjeve dhe ndikimi që ushtrojnë të gjitha këto dukuri në mënyrën se si njerëzit prodhojnë diskursin e vet filozofik, shoqëror, letrar etj., etj.. Të gjitha këto janë pjesë e konceptit Weltliteratur të Gëtes.

Ç’do të thotë shkëlqim dhe rënie e evrocentrizmit parë në këndvështrimin e kulturës?

Vështrimi i botës me syzet e një qytetërimi të caktuar ka qenë pjesë e mendësisë së shoqërisë perëndimore në kohën e Gëtes. Sidomos qysh me Rilindjen evropiane kemi përpjekjen për t’u shkëputur nga ajo që u konceptua si Mesjetë, sepse, në fakt, vetë Mesjeta nuk e shihte veten si të tillë. Domethënë gjatë Mesjetës nuk kishte një koncept të Mesjetës dhe me Rilindjen kemi një përpjekje për t’u kthyer te vlerat parakristiane greko-romake të qytetërimit perëndimor, dhe dalëngadalë u kthjellua një ide që çdo qytetërim, në rast se synon që të arrijë një pikë të caktuar zhvillimi, duhet që të mbështetet te këto vlera. Dhe Evropa konceptohej tashmë kështu. Kjo erdhi e u thellua sidomos me Iluminizmin, dhe në kohën e Gëtes kjo ishte shumë qendrore. Por hapja drejt Orientit, me rastin e Gëtes, e vuri në diskutim këtë ide.

Nëse i referohemi shoqërisë së sotme, pavarësisht se në njëfarë mënyre ka mbetur një atavizëm, në forma të caktuara, sërish ideja e qytetërimit evropian mbi baza greko-romake, mbetet. Nëse më parë Evropa kërkonte që për të qenë (shpirtërisht) të zhvilluar të gjithë qytetarët e botës duhet të bëhen të krishterë, sot Evropa kërkon që të gjithë qytetarët e botës të përvetësojnë vlerat shekullare, që po Perëndimi i ka prodhuar. Në njëfarë mënyre, edhe kjo lloj filozofie flet për njëfarë evrocentrizmi, mirëpo kjo tashmë nuk gjen pranim kudo. Pavarësisht se ka një respekt të caktuar për vlerat e një qytetërimi si ai perëndimor, mbështetur në konceptet greko-romake, pra në traditën e vetë si të tillë, kemi njëkohësisht edhe një barazvlerësim të shoqërive të tjera dhe përpjekjen e shumëkujt për të pohuar që “unë nuk e kam të nevojshme që të marr diçka tjetër për t’u bërë më i mirë se ç’jam; mund të mbështeten edhe unë tek ajo ç’kam trashëguar vetë”. Pra, prirja për rrëzimin e evrocentrizmit kalon nëpërmjet kësaj.

Si e koncepton, si e percepton dhe sa i interesuar është Gëtja për Orientin?

Në kohën e Gëtes Orienti fizik, Orienti si gjeografi dhe Orienti si frymë shpirtërore konceptoheshin gati të njësuar. Që do të thotë se, në rast se i referohemi të paktën Lindjes së Afërme dhe të Mesme, Islami dhe Orienti ishin e njëjta gjë. Madje, më herët, kur flitej për turq, kjo barazohej me konceptin e myslimanit dhe në një pjesë të literaturës Mesjetare e mbrapa vërejmë që Kur’anit i referohen si Bibla Turka dhe profetin Muhamed e quajnë Profeti turk. Në këtë kuadër, ajo çka bëhet e vështirë është të kuptojmë se çfarë synonte Gëtja kur fliste për turqit, për Orientin, për arabët dhe çfarë synonte kur fliste për Islamin. Është e qartë që Gëtja ka një fili deri në ansambël për Islamin (gati e bën të vetën atë filozofi të menduari, veçanërisht në pjesën e fatalizmit të mbështetjes te Zoti dhe të shmangies së çfarëdolloj vështirësie të jetës së përditshme me idenë që gjithçka është e shkruar). Gëtja këtë e konceptonte si nënshtrim ndaj Zotit dhe e përkthente në arabisht si Islam për shkak të etimologjisë së vetë fjalës.

Nga ana tjetër ai flet edhe për një gjeografi konkrete të Orientit ku jetonin myslimanë me shumicë dhe këtu është i dyzuar: arabët i vlerëson në pjesën e tyre beduine, shkretinore (përmendur në poezinë “Katër mirësitë”, për ato çka Zoti i ka dhuruar arabit si të mira, çallmën, këngën, mundësinë për të shkuar kudo dhe për të jetuar kudo me çadrën e vet etj., etj.). Po ashtu ka vlerësim të veçantë për Persinë, për poetët persë, për mistikën perse si paraislame ashtu edhe islame. Nuk ka vlerësim të mirë për ata çka ai u thotë turq dhe që mesa duket janë osmanët, jo në aspektin etnik apo racor, por mesa duket në aspektin e një islami politik. Ai e koncepton Perandorinë Osmane si një projekt politik, dhe për këtë shprehet negativisht. Nga ana tjetër pret në gjimnazin protestant në Vajmar një numër ushtarësh që luftonin në krah të ushtrisë së Carit, që etnikisht ishin turq. Vlerëson praninë e tyre, merr pjesë në faljen e të premtes me ta në gjimnazin e Vajmarit dhe kujtimet që ata i lënë i përshkruan si shumë të vyera dhe shumë të vlefshme. Pra, nëse ka shprehur rezerva për ata çka i quan turq, pakënaqësia e tij ka qenë me Perandorinë Osmane si realitet politik. Në krahasim me orientalistët e tjerë që kishin mendim të mirë për këtë perandori, Gëtja tregohej përzgjedhës në këtë pjesë.

Si paraqitet takimi me tjetrin në veprën e Gëtes dhe kush janë autorët apo tekstet nga të cilat ai është ndikuar më tepër (sa orient ka në veprën e tij)?

Përgjithësisht ekziston një prirje për ta parë Orientin te Gëtja vetën në “Divani Lindor – Perëndimor”. Në fakt “Divani Lindor – Perëndimor”, vepër me dy tituj tërësisht oriental, një titull në gjermanisht “Divani Lindor – Perëndimor” dhe në arabisht “Divani Lindor i poetit Perëndimor”, është një vepër tërësisht orientale, orientaliteti i së cilës nuk mund t’i shpëtojë askujt. Por shmanget orientaliteti në veprën e Gëtes në tërësi, mundohet që të shpërfillet.

Gëtja është marrë qysh në rini me Orientin; ka treguar që në fillimet e veta interes për Islamin. Përmendim këtu poezi nga më të hershmet të rinisë së tij si “Kënga e Muhamedit”, që bashkë me “Ganimedi” dhe “Prometeu” përbëjnë një trilogji të jashtëzakonshme të periudhës “Stuhi dhe Vrull”. Natyrisht, orienti i Gëtes në kohën e “Stuhi dhe Vrull” me orientin e Gëtes në kohën e Divanit ndryshon, pra ka një pjekje. Kështu, edhe qasja ndaj tjetrit ndryshon. Muhamedi te “Kënga e Muhamedit” është grek (më tepër se profet që merr një zbulesë hyjnore dhe ua përçon njerëzve, është një gjeni; gjeniu në konceptin e “Stuhi dhe Vrull” ka qenë autori që arrin të prodhojë nga asgjëja, pra që shpërfillte poetikën e rregullave), ndërkohë që në “Divani Lindor – Perëndimor” shikojmë tërësisht mistikën islame të Hafizit, të Saadiut, ndoshta edhe të Omar Khajamit (mistika perse).

Autorët që kanë ndikuar më shumë kur flasim për qasjen e Gëtes ndaj Orientit janë klasikët persë, dhe në veçanti Hafizi (Muhamed Shemsudin Hafizi). Leximi i Divanit të Hafizit e bëri Gëten që të vinte në diskutim subjektivitetin e vet si poet. Gëtja përvetëson frymën e përçuar nga Hafizi në Divanin e vet, dhe e shtrin këtë në një koncept perëndimor në veprën e tij “Divani Lindor – Perëndimor”.

Si shfaqet qenia hyjnore në krijimtarinë e këtij shkrimtari dhe si e emërton ai?

Qenia hyjnore te Gëtja është pjesë e frymës së Iluminizmit të kohës (ndryshoi qëndrimi ndaj besimit fetar në përgjithësi; Zoti u bë më tokësor). Nga ana tjetër u arrit që, ajo që ishte parë si hyjnore te një njeri tokësor si Krishti t’i nënshtrohej një gjykimi racional dhe të mos shihej më si hyjnore. Nga një anë zhduket një ndarje mes Krijuesit dhe krijesës, shkohet deri në panteizëm, dhe nga ana tjetër, një njeri si Krishti, i konceptuar njëkohësisht si hyjnor, fillon dhe bëhet më njerëzor. Gëtja është i ndikuar nga të gjitha këto dhe e tregon këtë ndikim të tij që nga fillimet e veta deri në fund duke e zhvilluar në mënyrën e vet. Pra, pëson një evoluim të vazhdueshëm në këtë koncept. Kryesorja është që sipas frymës së Iluminizmit ai synon që të ketë një gjykim racional për Hyjninë. Dhe për këtë arsye e refuzon hyjninë e Krishtit, nuk beson që Krishti është Zot; nuk beson që ato çfarë i njihen si mrekulli Krishtit, siç është ringjallja, të kenë ndodhur. Ringjalljen pas vdekjes e shikon si mundësi, sepse koncepton që Zoti zbulohet në natyrë përmes ligjeve natyrore (Gëtja është edhe shkencëtar), dhe sipas konceptit të Gëtes dhe të iluministëve, Zoti nuk i shkel ligjet që ka vendosur vetë duke ndërhyrë me mrekulli, por në fakt jemi ne njerëzit që mrekullitë i konceptojmë si të tilla kur nuk jemi në gjendje t’i shpjegojmë ligjet hyjnore.

Në këtë kuadër ai e konceptonte si përdhosje të konceptit për Hyjninë njohjen e Krishtit si Zot apo ringjalljen e tij pas vdekjes. Thoshte: “Krishti ka qenë vërtet një njeri hyjnor në kuptimin jo të të qenit Zot, por të të qenit përfaqësim në mënyrën më të mirë, zbulesë e veprës së Zotit, ashtu sikurse shohim natyrën përreth”, dhe për këtë ai kishte zhvilluar edhe një besim të vetin. Pra, një teologji të natyrës. Krishti (prania e tij) përbën një mrekulli hyjnore, por vetë Krishti nuk është Hyjni.

Në të njëjtën kohë, kur përballet me mistikën orientale (fajësuar si panteiste) dhe shikon një përkim shumë të madh mes koncepteve të sufizmit dhe atyre të Spinozës dhe të filozofëve të tjerë perëndimorë, ai e pëlqen shumë këtë pjesë dhe e shpreh në mënyrën e vet. Pra, koncepti i tij (në moshë të pjekur tashmë) për Hyjnin ishte i tillë që është e vështirë të dallohet nga koncepti që ka për Hyjninë Hafizi. Ashtu sikurse Hafizi në Orient është fajësuar në njëfarë mënyre për panteizëm, për njësim të Krijuesit me krijesën (mënyrë të shprehuri për të treguar vetasgjësimin e egos, të krijesës përballë madhështisë së Krijuesit), e njëjta gjë vlen edhe për Gëten. Ai shprehet në një mënyrë të tillë që, ashtu sikurse lë vend për interpretime panteiste, lë vend edhe për interpretime pastërtisht monoteiste, sidomos kur vijmë në poezi të caktuara te Divani në të cilat ai vihet drejtpërdrejt në rolin e një poeti mysliman, sikurse edhe e thotë vetë në përshkrimet që bën për Divanin: “Poeti i Divanit (ai vetë) nuk e refuzon dyshimin se ai është një mysliman”.

A mund të cilësohen profetët dhe poetët orientalë si udhëheqës shpirtëror në krijimin e veprës së Gëtes?

Në njëfarë mënyre po. Gëtja shihte një lloj ngjashmërie mes frymëzimit hyjnor që merr një profet dhe frymëzimit që merr një poet për të shkruar. Dhe mund të themi që frymëzimin e poetëve të caktuar si Hafizi, apo si Saadi Shirazi, e merrte paralelisht me frymëzimin e profetëve si Muhamedi për të ndërtuar një koncept të vetin, të cilin e shpreh në mënyrë shumë të zgjeruar, shumë të hollësishme dhe shumë ambivalente, madje polivalente do të thosha, në veprën e vet. Të gjitha këto janë pjesë e atij universi që e bëjnë veprën e Gëtes ashtu siç e përshkruan ai vetë: “ajo është produkt i një qenieje kolektive, produkt i shumë mendimeve, i shumë qëndrimeve, i shumë njerëzve me mend e pa mend të cilët të gjithë bashkë kanë pasur ndikim tek unë dhe produkti i veprimit dhe i mendimit të të gjithë atyre është kjo qenie kolektive, apo kjo vepër së cilës unë thjesht i hedh emrin poshtë apo firmën dhe e quaj Gëte.”

Cili është qëndrimi që mban Gëte për profetin Muhamed?

Siç e shpjegova edhe në fillim, dashuria e Gëtes për Muhamedin është e habitshme. Që në rininë e vet ai synon që të shkruajë një dramë për Muhamedin. Paraprakisht ka rënë në kontakt me një tragjedi të shkruar nga Volteri lidhur me Muhamedin në të cilën Muhamedi shihet me negativitet. Ndahet në dyshë mes Muhamedit të Mekës që ishte i mirë, sipas Volterit, dhe Muhamedit të Medinës që ishte shtetformues dhe për pasojë i dhunshëm dhe i lig. Gëte, kur bie në kontakt me këtë vepër, i duhet edhe të vuajë, sepse i kërkohet që ta përkthejë. Duka i Vajmarit i kërkon dhe i urdhëron që ta përkthejë dhe ta vendosë në skenë këtë vepër. Dhe Gëtja ndihet keq, sepse, siç u shkruan miqve të vet (Herderit e të tjerëve), Muhamedi në këtë vepër trajtohet si mashtrues. Natyrisht, Gëtja në atë moshë nuk është poeti apo filozofi që e pranon Muhamedin në tërësinë e vet ashtu siç është, madje akoma as nuk i ka të gjitha informacionet mbi atë se çfarë është, se çfarë mund të jetë Muhamedi. Por gjithsesi, konceptin e Muhamedit mashtrues ai e refuzon dhe e përkthen veprën në një mënyrë të tillë që, kur bëjmë krahasimin sot mes origjinalit në frëngjisht të Volterit dhe përkthimit të Gëtes në gjermanisht, ka ndryshuar shumë.

Gëtja, pasi e vuri në skenë këtë vepër, prapë nuk ndihej mirë dhe dëshironte që të shkruante vetë një vepër për Muhamedin, “Drama e Muhamedit”; ndërton edhe një skicë pak a shumë se si duhet të ishte, por më vonë heq dorë nga kjo (mesa duket me marrjen e njohurive të reja, me përjetimet e veta personale, sidomos gjatë kohës që ka ushtruar një veprimtari politike si ministër në Vajmar, pa atë çfarë e kishte parë me negativitet te Muhamedi dhe filloi ta kuptonte).

Prirja e Perëndimit, sidomos në atë kohë, ka qenë, ashtu sikurse në rastin e Volterit, për të parë një Muhamed politikisht të keq. Sepse politikisht i bie që është sjellë ashpër me kundërshtarët; ndërkohë që kur Gëtja u bë vetë ministër dhe u përball me një realitet politik që ndoshta nuk e kishte pritur, kjo duket se e bëri që t’i shikonte shumë gjëra ndryshe. Por gjithsesi, ajo çfarë mbeti nga ajo kohë është “Kënga e Muhamedit” që, siç e thamë, e përshkruan Muhamedin si gjeniun e fesë, si njeriun që arrin te Zoti, jo thjesht përmes një shpalljeje hyjnore, po përmes një aftësie personale, domethënë për të lindur si një burim i vogël, si një gurrë e vogël dhe për t’u shndërruar pastaj në një lumë të rrëmbyeshëm. Derisa vijmë te Divani pastaj, që i përket afër fundit të veprimtarisë letrare të Gëtes, në të cilin Muhamedi vendoset paralelisht me profetët e tjerë, me Jezusin, me Moisiun, me Davidin, si një figurë e barasvlershme me ta. Pak a shumë ashtu siç përmendet në vargje të ndryshme në Kur’an, dhe madje edhe si një arritje kulmore e zinxhirit profetik që ka si thelb të vetin, në konceptin e Gëtes, monoteizmin.

Cili është raporti i Gëtes me shkrimet e shenjta?

Kemi një pluralizëm kerigmatik të mendimit teologjik të Gëtes. Qasja e tij ndaj shkrimeve të shenjta të krishtera dhe myslimane është pak a shumë e njësuar. Është e ndikuar qartësisht nga Iluminizmi, pra ka një përpjekje për t’i interpretuar ato në mënyrë racionale dhe për të mos veçuar mes tyre, për të thënë që njëra është vepër hyjnore, tjetra njerëzore etj., etj.. Për të janë hyjnore që të dyja. Flet për Kur’anin si një libër të shenjtë dhe për Biblën si një libër të shenjtë, por për Biblën po ashtu njeh edhe, po themi, mangësitë njerëzore. Ai bën dallimin mes frymëzimit verbal, siç është rasti i Kur’anit, dhe konceptit të frymëzimit që ekziston edhe sot në botën e krishtere për Biblën. Pra, nuk është thelbësore ajo çfarë përmban germa, le të themi, e shkrimit, por fryma. Dhe në këtë kuadër mesazhi është qendror, në rastin e Biblës, ndërkohë që teksti në tërësi mund të jetë edhe mitologjik sepse është shkruar nga njerëz, mund të përmbajë edhe pasaktësi që janë njerëzore. Ajo çka është qendrore në Bibël apo ajo çka synon që të përçojë te njeriu dhe ta bëjë atë që të besojë (besimi te një Zot i vetëm), është mesazhi hyjnor.

Në tërësi Gëtja i pranon të gjitha këto shkrime, qoftë Kur’anin, qoftë Biblën. Ka një interpretim racionalist ndaj tyre dhe synon gjithashtu që të krijojë një formë inkluziviste ose pluraliste të të gjitha mesazheve të përçuara në tekstet e shenjta për të ndërtuar një teologji të vetën të mbështetur pikërisht në pluralizëm dhe në inkluzivizëm.

Sa dhe si ka ndikuar misticizmi oriental në veprën dhe personin e tij?

Në fakt, Gëtja, misticizmin oriental e ka si një kulm të një lloj misticizmi që e kishte pasur brenda vetes qysh më herët. Është e lidhur kjo përpara se të njihej me veprën e Hafizit, apo të poetëve persë orientalë, është e lidhur me Platonin (fliste për idetë apo format; Bota e Ideve që është trancedente dhe njeriun që i kapur nga materialja mbetet tokësor dhe për të shpëtuar nga vargonjtë e materies duhet të synojë që të vetasgjësohet për të shkuar drejtë kësaj bote të ideve). Platoni, Plotini dhe neoplatonizmi ishin të njohur për Gëten dhe ky e kishte përvetësuar këtë mënyrë të besuari. Sikurse edhe në literaturën alkimiste (filozofike, jo fizike) që Gëte mbante në bibliotekën e vet, shprehet e njëjta prirje për kërkimin e Zotit dhe jo të arit. Alkimia e këtij lloji po ashtu ka pasur një frymë të ngjashme me këtë lloj neoplatonizmi, dhe kur u njoh me veprën e Hafizit dhe me mistikën tipike islame dhe orientale, Gëtja vetëm sa e plotësoi, e përsosi, mistikën e vet me një dimension më tepër. Pra, mistikja te Gëtja paraprakisht ishte, dhe mistika orientale është ajo çfarë i vë kapakun (përmbush të qenit e tij mistik).

Intervistoi: Emirjan Çekrezi

*Intervista është dhënë në Radio Spektrum në emisionin “Libri dhe Kultura”

You must be logged in to post a comment Login