Jetën ndërtojmë me dije dhe dashuri për ty atdhe

Jetën ndërtojmë me dije dhe dashuri për ty atdhe

m-korces2Ishte kjo motoja  që shoqëroi veprimtaritë festive kushtuar  101- vjetorit të Pavarësisë në Medresenë e Korçës.

E kështu, në këtë përvjetor të 101-të të Shqipërisë nxënës, mësues dhe të ftuar nëpërmjet një programi festiv kujtuan me respekt të shkuarën, rrënjët e tyre, lirinë e tyre të cilat erdhën si rezultat i ndërgjegjes kombëtare dhe të bijve më të mirë që lindi dhe rriti toka arbërore. Dhe asnjëherë nuk është e mjaftueshme dashuria për atdhe, kultivimi i saj është një zinxhir i pandërprerë  ndër  breza. Prandaj dhe iu këndua  madhështisë së tij duke lartësuar dhe vlerësuar figurën e atyre që bënë të mundur krijimin e një shteti të lirë dhe të pavarur. U interpretuan vargje nga N. Frashri, Gj. Fishta, L. Poradeci, etj.

I kushtoheshin këto vargje të  drejtës së pamohueshme historike të kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë dhe i pavarur në trojet e veta  krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik,e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet.

Dhe kështu në një harmoni drite u përcoll mendimi i parë për flamurin në çdo agim dite, në çdo këngë bilbili, në çdo fushë të blertë, në çdo shkëlqim dielli, në çdo lule pranvere. Mori udhë “Legjenda e nje fisi” i cili zgjodhi rrugën drejt jetës,sepse e dinte, se për atë që shkon drejt jetës errësira, shpejt a vonë,  kthehet në dritë. U interpretuan vargje, për rrënjët e këtij fisi, të cilat janë të thella në palcën e tokës amtare që e ka ushqyer, për malet e patundshme që stolisin si kurora  të pavdekshme Atdheun. Iu këndua udhëve të Shqipërisë që gjithmonë të çojnë drejt shtëpisë  së “nëntorit të zjarrtë”, drejt pragut ku dhe bilbili këndon shqip.

Ashtu e mençur  dhe dëlirë do t’i bashkohej kënaqësisë së nxënësve dhe pjesëmarrësve dhe përshëndetja e mbështetësit kryesor të këtij aktiviteti mbresëlënës ,e drejtorit të shkollës  z.Sami Ikiz. Urimi i tij përcolli mesazhe urtësie, mesazhe virtyti për një të ardhme që di të gjenerojë kontribute me vlerë në një shoqëri,për të rinj që dinë të ndërtojnë të ardhmen me dashurinë për atdheun  dhe besimin në Zot.

Historiku kushtuar Ditës së Pavarësisë, i përgatitur nga mësuesi i historisë, z.Gëzim Spaho, plotësoi strukturën e aktivitetit ndërsa vallja e mysafirëve të vegjël ishte një prej dritave të shndritshme të këtij spektri ngjyrash vezulluese që dinë të përcjellin nxënësit dhe stafi mësimor-edukativ i Medresesë së Korçës.

Dije dhe edukim, gurë të një diamanti. Mendjendrituri kërkon gjithmonë brenda vetes dhe shqisat kthehen drejt margaritarit dije, mençurisë dinjitet,shijes disiplinë,njerëzores shërbim. Një eksperiencë të pandërprerë në mençuri dhe virtyte njerëzore,ja kjo e bën të veçantë dinjitetin e kësaj shkolle. Dhe është ky dinjitet që lartëson qenien e mësuesve dhe nxënësve , si simbol i përcjelljes së idealeve më të larta me të cilat njeriu formëson dhe qenien e tij.

Një ditë e madhe si kjo evokon vlera. Ajo është vulosja e të arriturave si komb, është krenari kombëtare. Me në mendje dhe në shpirt këtë vlerë, me betimin për t’u sjellë si krijesa të Zotit dhe së bashku të punojnë për ta përparuar, zhvilluar dhe qytetëruar siç i ka hije atdheun e lirë nxënësit e mrekullueshëm të kësaj shkolle ditën të përcjellin madhështinë e pazëvendësueshme të të qenit krenarë për tokën e të parëve, për Shqipërinë e pavarur.

-Gëzuar 101 Vjetorin e Pavarësisë Shqipëria ime!

Medreseja e Korces

Mësuesja e Letërsisë: Rriollza Agolli  

 

 

You must be logged in to post a comment Login