Jeta – dhurata e Zotit që s’duhet nënçmuar

Kur lind dikush, apo kur ka ndonjë rast gëzimi, i dëshirojmë dhe i urojmë jetë të gjatë, pasi jeta është një nga dhuratat më të çmuara të Zotit për njeriun. Ne jemi shfrytëzues të kësaj begatie, por jo edhe pronarë të saj, pasi është tjetërkush që na e jep dhe që na e merr në një kohë të caktuar. Kohët e fundit, janë shtuar rastet kur njerëzit e nënçmojnë këtë mirësi kaq të madhe dhe e flakin tutje, duke i dhënë fund jetës së tyre. Një njeri që tenton vetëvrasjen, patjetër që ka një problem dhe e ndien veten të vetmuar dhe të pamundur para tij dhe nuk gjen alternativë zgjidhjeje për të, përveçse duke këputur shiritin e jetës. A mund të ketë arsye logjike, që mund ta çojë dikë deri në vetëvrasje?! Sigurisht që jeta nuk është vetëm “fushë me lule” dhe nuk shkon gjithmonë “vaj”, ç’ka do të thotë se njeriu do të përballet edhe me sprova, sfida, telashe e vështirësi nga më të ndryshmet e të lloj-llojshmet. Sado e madhe të jetë sprova dhe sado që të mos shihet dritë në fund të tunelit, njeriu duhet ta dijë se është një Zot – Dhurues i begative, i Cili pas errësirës sjell dritën dhe është i Vetmi që ka mundësi për ta ndryshuar situatën.

Pavarësisht problemeve dhe rrethanave, ne nuk kemi të drejtë t’i japim fund jetës. Ai që vetëvritet, i ngjan një punëtori, të cilit i jepet një objekt për të realizuar një qëllim dhe në momentin që nuk e realizon dot atë, shkatërron objektin. Ashtu edhe njeriu, nëse nuk përmbush qëllimet që i ka vënë vetes, apo nëse “zhgënjehet” nga jeta, e braktis atë njëherë e përgjithmonë. Humbja e orientimit në jetë është prej shkaqeve që çon në aktin e vetëvrasjes, pasi shumë njerëz fokusohen te sprova që u bie dhe harrojnë begatitë e shumta me të cilat rrethohen, si p.sh.: dikush që vuan nga një sëmundje e rëndë, e mban mendjen vetëm te sëmundja dhe jo te fëmijët, të cilët mund ta gëzojnë dhe lumturojnë pa masë, etj. Duhet ditur se sprova nuk ndikon te njeriu në bazë të madhësisë së saj, por në bazë të qasjes që ai ka ndaj sprovës. Ka njerëz që vuajnë nga kanceri, por janë të lumtur, ashtu siç ka të tjerë, që janë shëndoshë e mirë, por nuk janë të qetë, përkundrazi, shfaqen shumë të stresuar. Sprovat dhe problemet janë si viruset; nëse ato godasin zemrën e njeriut, godasin edhe psikikën e tij, e nëse ai nuk krijon imunitet ndaj këtyre viruseve, do të arrijë deri aty sa t’i japë fund jetës. Rinia e sotme, por jo vetëm ajo, ka nevojë për imunitet për t’i tejkaluar sfidat me të cilat përballet. Shumë prej të rinjve të sotëm vetëvriten për shkak të një dashurie të pakonkretizuar, shumë prej të martuarve vetëvriten për shkak të një tradhtie bashkëshortore. Nuk ia vlen që të paguash ti faturën e atij që keqpërdori dashurinë tënde dhe shfryu epshet e veta. Lidhja bashkëshortore është një përpjekje për të jetuar me dikë, por jo në të gjitha rastet përfundon me sukses, e në rast dështimi, nuk është fundi i botës, që mund të të çojë në vetëvrasje.

Vetëvrasja, nga këndvështrimi islam, konsiderohet si një ndër mëkatet më të mëdha dhe që merr dënimin më të ashpër e më të dhimbshëm në botën tjetër, pasi jeta dhe gjaku i njeriut është i shenjtë, dhe shenjtëritë feja islame i mbron dhe i çmon shumë. Si vrasja, ashtu edhe vetëvrasja janë të njëjta, pasi në të dyja rastet merret jeta, e cila s’është pronë e njeriut, por vetëvrasja, ndryshe nga vrasja, është krim edhe më i rëndë, pasi vrasja e dikujt tjetër mund të kushtëzohet nga rrethana specifike si p.sh.: për vetëmbrojtje, por të vrasësh veten nuk ka asnjë justifikim dhe as arsyetim logjik që mund të pranohet nga një mendje e shëndoshë.

As varfëria ekstreme apo mospërmbushja e nevojave familjare, nuk duhet ta çojë dikë drejt këtij akti ekstrem e të pafalshëm, pasi ne e dimë fare mirë, se prindërit dhe gjyshërit tanë, në kohën e sistemit monist, kanë jetuar në kushte ekonomike shumë më të vështira sesa tonat dhe asnjëri prej tyre nuk e mori atë vendim fatal për veten. Shumëkush nga ata që i kanë prerë shpresat nga jeta e kësaj bote, mendon se vetëvrasja është zgjidhje, por jo, ajo mbetet një zgjedhje, madje një zgjedhje shumë e gabuar, që hap probleme shumë herë më të mëdha, si për vetë personin, por edhe për njerëzit që ai lë pas. Sa prej fëmijëve mbetën jetimë, për shkak se prindërit e tyre u vetëvranë? Kush do të kujdeset për ta? Sa prej prindërve qajnë e vajtojnë, për shkak se djali apo vajza e tyre u nxitua shumë dhe iku nga kjo botë pa menduar gjatë? A do të donin ata që t’i lumturonin prindërit e tyre, apo t’i shihnin me lotët çurg që u rrjedhin faqeve pa mbarim? A menduan ata se do të gjejnë paqe e shpëtim me largimin e tyre nga kjo botë? Sigurisht që jo. Dënimi i tyre do të jetë edhe më i madh në botën tjetër, për shkak se tejkaluan kompetencat e tyre dhe i hynë në hak Zotit. Jeta është dhuratë prej Allahut, madje edhe trupi i njeriut është pronë e Tij dhe askush s’ka të drejtë të ndërhyjë pa qenë nevoja në asnjë pjesë të tij.

Kush është ai që nuk i do dhuratat?! As mbreti nuk i refuzon. Jeta është një dhuratë e madhe, një thesar i çmuar, që na vjen nga i Madhi Zot, nga Allahu i Lartësuar, kështu që duhet ta pranojmë dhe ta ruajmë e të mos e keqpërdorim. Jeta është e bukur, ashtu e mbushur me copëza dhe grimca lumturie e mërzie, suksesi e dështimi… Dyert e lumturisë janë të shumta, por për t’i hapur këto dyer duhen çelësa. Drejtimet dhe rrugët e jetës janë të ndryshme, por për të zgjedhur rrugën e duhur, duhet një busull. Ata që janë të mbushur me pesimizëm, patjetër që nuk kanë gjetur dot çelësat e duhur për të hapur dyert e lumturisë së tyre, ose ndoshta provojnë dyer që nuk ofrojnë lumturi. Të pashpresët ndihen të tillë, për shkak se nuk kanë ecur në drejtimin e duhur, nuk kanë pasur një busull orientimi.

Islami ofron dhe garanton paqe e siguri, qetësi dhe rehati shpirtërore, komponentë që mungojnë te një person i pakënaqur nga jeta. Bota e Kur’anit është ilaç për shpirtin dhe ushqim për të. Jeta është një mundësi unike që duhet shfrytëzuar deri në minutën e fundit të saj, pasi nuk rikthehet për së dyti. Sa prej atyre që janë tashmë nën dhe, do të donin qoftë edhe për disa minuta për të ndryshuar diçka në veten e tyre, apo për të çuar në vend diçka që u ka ngelur peng? Por jo, kapitulli i tyre është mbyllur dhe koha e tyre ka skaduar.

Jeta është e shtrenjtë, kështu që trajtojeni si të tillë. Paçi një jetë sa më të begatë dhe të lumtur.

Qani Sulku

/Revista “Drita Islame” – Gusht 2017/

You must be logged in to post a comment Login