Jemi ne Beni, mushkëritë e tua

lungsPikë së pari, ulu dhe na lejo të zgjerohemi që të mbushemi më shumë me ajër. Sa më shumë ajër të ketë brenda nesh, aq më mirë do të punojë truri yt dhe do të kuptosh më qartë se çfarë do të të themi. Thua të jetë e pavend kjo? Aspak Beni! Çdo organ i trupit tënd ka lidhje me gjithçka, me të gjithë universin. Truri yt ka nevojë për sheqer që të punojë dhe ky sheqer ka nevojë për oksigjen që të digjet dhe të prodhojë energji për neuronet e tua. Meqë ne jemi organi përgjegjës që merr oksigjenin nga ajri dhe e shpërndan në organizëm me anë të gjakut, po të tregojmë rreth vetes sonë. Për hir të së vërtetës, të tregosh shumë për veten është shenjë mendjemadhësie dhe egoizmi, por rasti ynë është ndryshe sepse ne dëshirojmë që ti të meditosh rreth asaj se sa bukur jemi krijuar.

Ne jemi vendosur në brendësi të kafazit të kraharorit si dy sfungjerë me ajër të rrethuar nga muskuj. Ne morëm frymë për herë të parë sapo ti linde dhe akoma vazhdojmë të punojmë pa ndalim çdo ditë. Madje, edhe kur ti je në gjumë ne bëjmë detyrën tonë të komanduar nga qendra e frymëmarrjes në pjesën e pasme të trurit. Mikesha jonë e ngushtë, zemra, kishte filluar të punonte shumë kohë përpara nesh kur ti ishe akoma në barkun e nënës. Në atë kohë ne nuk punonim, në fakt, nuk ishim formuar plotësisht. Pasi të gjitha nevojat e tua për ushqim dhe oksigjen plotësoheshin nga nëna jote, të cilës ti ia kthen fjalën ndonjëherë, ne nuk mund të mbusheshim me ajër. Edhe po të përpiqeshim, nuk do t’ia arrinim dot sepse ti ishe i zhytur në lëngun amniotik dhe çdo përpjekje për të marrë frymë do të rezultonte në mbytje.

Frymëmarrja jonë e parë pas lindjes është e vështirë dhe shumë delikate sepse rrugët e ajrit janë akoma shumë më të ngushta se normalisht. Por nga ana tjetër, numri i alveolave ku oksigjeni takohet me gjakun e kapilarit është shumë i madh në krahasim me përmasat e trupit, kështu që gjendja ekuilibrohet menjëherë. Kur ne bëjmë lëvizjen tonë të parë duke u mbushur me ajër, ushtrojmë presion mbi arteriet dhe venat. Më pas ena e gjakut që lidh aortën me arteriet tona pëson një ngushtim, valvula mbyllet dhe dy qarkullimet e gjakut ndahen. Nëse kjo enë nuk mbyllet plotësisht, atëherë gjaku i pasur me oksigjen përzihet me gjakun me dyoksid karboni duke i dhënë bebit ngjyrë mavi ose cianozë. Kur këto dy gjaqe përzihen, indet e organizmit nuk furnizohen mirë me oksigjen dhe pjesët e trupit që duhet të jenë të kuqe duken mavi.

Ky kthim në mavi i lëkurës dhe mukozave mund të ndodhë edhe te duhanpirësit. Cigaret, një nga armiqtë tanë më të ashpër, përmbajnë mijëra substanca toksike si monoksidi i karbonit, të cilat lidhen me hemoglobinën e gjakut duke penguar oksigjenin të lidhet në vendin e tij. Prandaj te duhanpirësit buzët marrin lehtësisht ngjyrë mavi. Beni, ti duhet të jesh shumë i kujdesshëm me ajrin që thith. Tubat që sjellin ajrin deri te ne janë të veshur me epitel të pajisur me qime shumë të holla të cilat kapin grimcat e pluhurit dhe i nxjerrin jashtë. Ndërsa ti je në gjumë, këto qime fshirëse punojnë gjatë gjithë kohës deri në mëngjes duke nxjerrë jashtë çdo papastërti që ti ke thithur gjatë ditës dhe ti ke kollë çdo mëngjes. Megjithëse, çdo thithje e cigares te një duhanpirës vret rreth 800-1000 qeliza të epitelit me qime. Pas disa kohësh, këto qeliza nuk janë më të afta të pastrojnë pluhurat dhe toksinat e ajrit. Tani nuk mund të durojmë dot më! Rritja e ndotjes së ajrit po na mundon shumë dhe pirja e duhanit është paksa e tepërt! Është thjesht një ftesë e hapur për kancer! Na fal, Beni, por nuk deshëm të të mërzisim. Ne e vlerësojmë shumë që ti nuk pi duhan, por duam të të kujtojmë se çfarë mekanizmi të bukur shkatërron duhanpirësi.
Tani na lejo të të tregojmë përsosmërinë tonë si një vepër arti. Ashtu siç mund ta dish, arti merr më shumë kuptim kur ka një funksion të dobishëm. Ne jemi krijuar si një organ më vete në trupin tënd për të përmbushur një detyrë shumë të rëndësishme. Me fjalë të tjera, projektimi ynë nuk mund të jetë kurrë një rastësi dhe mbledhje kaotike qelizash së bashku, madje as edhe një molekulë e vetme nuk hyn në strukturën tonë nga shkaqe rastësore.
Në çdo frymëmarrje që ti bën, ajri futet në bronket, bronkiolat dhe më pas në alveolat tona me presion gjithnjë e më të madh duke kaluar lehtë nëpër kapilarët e gjakut ku më pas kombinohet me hemoglobinën. Në të njëjtën kohë, dyoksidi i karbonit kalon nga gjaku nëpër alveolat tona dhe ne e nxjerrim më pas jashtë. Të gjitha këto janë të lehta për t’u thënë por shumë komplekse në të bërë! Ti çdo minutë bën rreth 13-14 frymëmarrje dhe i gjithë procesi përsëritet pa më të voglin ndryshim. Ne na duhet të jemi shumë elastike që të zgjerohemi dhe ngushtohemi çdo minutë. Së bashku me elasticitetin, veçoria jonë më e rëndësishme është se kemi sipërfaqen më të madhe të mundshme të alveolave për vëllimin më të vogël. Kjo sipërfaqe, afërsisht 100m2 (sa një fushë tenisi) është krijuar për të qëndruar brenda kraharorit tënd në formën e membranave shumë të holla që lejojnë shkëmbimin e gazeve. Këto membrana duhet të qëndrojnë të lagura dhe kjo realizohet nga një lëng viskoz i veçantë që sekretohet nga qeliza të specializuara. Në mungesë të këtij lëngu membranat tona nuk do të hapeshin, por do të qëndronin të ngjitura në pamundësi për të kryer frymëshkëmbimin.

Beni, ti mund ta krahasosh rrugën që bën ajri brenda nesh si atë të një makine që kalon nga autostrada e madhe nëpër rrugë gjithnjë e më të vogla, deri sa arrin në një rrugë qorre që te ne përkon me qeskat e vogla që quhen alveola. Ajri i futur si nga hunda dhe nga goja bashkohet në një pikë të përbashkët që quhet trakea, një tub i gjatë 15 cm dhe me diametër 2–3 cm. Meqë ra fjala, kemi nja dy këshilla për të të dhënë rreth mënyrës së frymëmarrjes. Në të vërtetë, marrja e frymës është detyrë e hundës. Jemi të sigurta se edhe ajo ka shumë gjëra për të thënë, por sot do të themi një fakt të thjeshtë rreth saj. Nëse merr frymë me hundë ajri ngrohet, lagështohet dhe pastrohet nga pluhurat. Kjo mënyrë frymëmarrjeje është më e përshtatshme për ne dhe ul rrezikun për të marrë një infeksion viral ose pneumoni. Nga ana tjetër, frymëmarrja nga goja bën që pluhurat dhe mikrobet të futen deri te ne dhe ti mund të sëmuresh nga bronkiti ose pneumonia. Tani e kupton besoj pse fëmijët që kanë adenoide (mish të huaj) në hundë për shkak se marrin frymë vetëm me gojë sëmuren më shpesh se të tjerët.

Rruga nëpër të cilën kalonte ajri, Trakea, është si një tub cilindrik i përbërë nga 16-20 unaza kërcore. Meqë është e ngjitur me ezofagun nga prapa, kjo pjesë ka kërc shumë të butë në mënyrë që të mos pengohet kalimi i ushqimit. Indi muskular që rrethon këto unaza i ndihmon ato të zgjerohen dhe ngushtohen gjatë frymëmarrjes ose kollitjes. Nëpërmjet kollës ne të japim ndonjëherë një paralajmërim. Kjo ndoshta mund të të bezdisë, por nëse ne nuk e shtyjmë ajrin jashtë me forcë sekrecionet dhe pluhurat do të na shkaktonin shumë probleme duke i bllokuar rrugët tona. Prandaj, ky shpërthim i ajrit që e quajmë kollë, është një mirësi e madhe për ty.

Një tjetër mrekulli është edhe organi i prodhimit të zërit në hyrje të trakesë që quhet laring. Ajri i përdorur nxirret jashtë dhe duke kaluar nëpër kordat zanore i bën ato të dridhen dhe të prodhojnë tinguj dhe ti të formosh fjalë dhe fjali. Ajri që futet ndahet në të dyja mushkëritë. Ne të dyja nuk jemi identike, e djathta është e ndarë në tre lobe ndërsa e majta në dy lobe. Mendojmë se kjo ndarje është bërë për t’i lënë vend fqinjit tonë më të afërt, zemrës. Për më tepër, nëse njëra nga lobet tona sëmuret, ajo mund të hiqet me anë të një operacioni pa e dëmtuar funksionin tonë.

Allahu i Gjithëdijshëm e ka projektuar në këtë mënyrë organizmin tënd. Më pas çdo bronk ndahet në 8-10 degë më të holla që ngjajnë si rrugë që ndahen gjithnjë e më shumë. Ky degëzim ngjan si një pemë e kthyer me kokë poshtë. Në majë të këtyre degëzimeve të holla gjenden bronkiolet që ngjajnë si vilet e rrushit. Sferat e vogla të cilat përbëjnë këtë vile rrushi janë pjesa më jetike e jona. Këto sfera të quajtura alveola ndërtohen nga një membranë shumë e hollë e rrethuar nga një rrjet kapilarësh gjaku. Këto janë njësitë më të vogla funksionale ku realizohet shkëmbimi i gazeve.

Ne qëndrojmë të varura brenda kafazit të kraharorit së bashku me arteriet dhe venat përreth. Gjenden dy membrana mbrojtëse që na mbështjellin ne. Njëra është e ngjitur me sipërfaqen tonë të jashtme ndërsa tjetra e ngjitur me kafazin e kraharorit. Midis këtyre të dyjave gjendet një lëng i rrëshqitshëm i cili zvogëlon fërkimin sa herë ne fryhemi dhe shfryhemi. Nëse nuk do të ishte ky lëng ne do të çaheshim shumë lehtë. Ndërsa zgjerohemi gjatë frymëmarrjes edhe kafazi zgjerohet njëkohësisht për të na bërë vend neve. Nëse nuk do kishim këtë përbërje elastike që na lejon të zgjerohemi ti nuk do të merrje dot frymë dhe jeta do të ishte e pamundur. Për fat të mirë, kafazi mbrojtës prej brinjësh dhe muskujsh i lidhur me vertebrat e shtyllës kurrizore është mjaftueshëm i lëvizshëm për të na lejuar të bëjmë punën tonë. Nga ana tjetër muskuli i diafragmës në formë kupole që gjendet poshtë nesh dhe ndan kraharorin nga barku, tkurret dhe i shtyn poshtë organet e barkut. Falë punës së koordinuar të muskujve ndërbrinjorë dhe diaphragmës mundësohet procesi i frymëmarrjes.

Meqenëse jemi në kontakt të vazhdueshëm me ambientin e jashtëm, jemi lehtësisht të prekshme nga sëmundje të ndryshme. Një nga shenjat më të hershme që ne japim në rast sëmundje është kolla dhe në raste më të rënda ne prodhojmë edhe sekrecione me mukus dhe gjak. Gjithashtu kur jemi në vështirësi për frymëmarrje ne të paralajmërojmë ty me dhimbje gjoksi. Beni, ti duhet të jesh shumë i vëmendshëm ndaj këtyre sinjaleve. Nëse bakteret dhe viruset na infektojnë, ata mund të riprodhohen brenda alveolave tona dhe të shkaktojnë qelbëzim dhe kalcifikim.

Ne po ashtu jemi shumë të prekshme nga alergjitë. Kur një substancë e huaj bie në kontakt me muskujt dhe mukozën e mureve të bronkeve p.sh. polenin e luleve, çlirohet histamina e cila i bën ato të tkurren. Si rezultat i kësaj tkurrjeje të muskujve bronkiale dhe vështirësisë së nxjerrjes së mukusit të prodhuar për mbrojtje ne kemi vështirësi të frymëmarrjes të quajtur astma.

Sëmundje të tjera që mund të përmendim janë: emfizema, brokiti akut dhe kronik. Edhe sjellja jote ndikon te ne Beni. Kur ti ke sjellje jo të hijshme frymëmarrja bëhet më e vështirë, apo jo?

Më fal Beni, por tani na duhet ta ndalojmë këtë bisedë të këndshme me ty. E dimë se në këto pak rreshta nuk mund themi gjithçka, por vetëm mbaj mend të mos pish kurrë duhan dhe të qëndrosh larg ambienteve të ndotura. Ne kemi nevojë gjithmonë për ajër të pastër. Mos e harro se jemi një dhuratë e vlefshme që Allahu e ka vendosur në shërbimin tënd.

Nga Irfam Yilmaz

Përktheu: Erjon Sukaj

/Revista Drita Islame, Dhjetor 2013/

You must be logged in to post a comment Login