Jam krenare për zgjedhjen e fesë Islame

Nga: Emrie Skuka

Historikisht dihet përfshirja e shqiptarëve në fenë Islame. Edhe unë tani kam bindjen se pranimi i fesë Islame nuk është bërë me dhunë. Shqiptarët e pranuan këtë fe të përsosur kur njohën vlerat e saj. Ata e kuptuan, e provuan, e deshën, e pranuan dhe e besuan. Shqiptarët hynë në Islam për vlerat shpirtërore, sociale, shëndetësore dhe të bashkëjetesës, për vlerat madhore mbi të cilat ndërtohet familja dhe shoqëria në përgjithësi. Feja Islame ka pasur interesa jetike për bashkimin e popullit shqiptar, për tërë problemet që sollën lirinë, pavarësinë dhe bashkëjetesën.

Zoti na krijoi në këtë vend të mrekullueshëm, me fusha e dete, me male, bjeshkë e burime me ujë të freskët, me pasuri që nuk kanë të sosur. Këto vlera kanë sjellë edhe probleme të pasosura. Lakmia e shteteve fqinje ka qenë e vazhdueshme. Fqinjët tanë, grekët, serbët e bullgarët, në tërë jetën e tyre i kanë lakmuar këto vise. Lakmia për viset tona edhe tani, në kohët moderne, kur kufijtë midis popujve po shkojnë drejt konsensusit, duke përjashtuar viset e banuara nga shqiptarët, është e gjallë. Në Greqi, Maqedoni dhe Serbi dëgjohen herë pas here thirrje “vdekje shqiptarëve! Vdekje myslimanëve!” Ato kur thonë emrin “shqiptar” nënkuptojnë emrin myslimanë shqiptarë e kur thonë myslimanë kanë në mendje shqiptarët dhe Shqipërinë. Në fakt ata thonë të vërtetën, sepse 80 % e popullsisë shqiptare është myslimane dhe barrën më të rëndë për fitimin e lirisë, të pavarësisë dhe mbrojtjen e këtyre trojeve e ka shumica absolute, e cila është e besimit islam. Pra Shqipëria jeton e do të jetojë, sepse është e tillë në këtë përqindje. Këto rreziqe që e kanë kanosur vazhdimisht popullin e vendin tonë kanë qenë ndër nxitësit e vrapimit në masë drejt fesë Islame, e cila thërret drejt bashkëjetesës, drejt lirisë, drejt pavarësisë.

E drejta për të jetuar i lirë e i pavarur, me drejtësi e barazi, është domosdoshmëri e fesë Islame. Këto janë vetëm një pjesë e vlerave islame. Kur njoha në hollësi fenë Islame mbeta shumë e impresionuar për vlerësimin e gruas dhe përgjegjësinë e saj në organizimin e familjes e të shoqërisë. U mahnita kur lexova thënien  e Profetit (a.s.): “Xheneti  është nën këmbët e nënave”, vlerësim më shumë se gjithçka i nënave, e nënat janë gra. Sot, ndër gratë që drejtojnë popuj, që janë shumë pak, dhjetë prej  tyre janë myslimane. Feja Islame e detyron gruan të mësojë e të punojë, të jetë mësuese, mjeke, shkencëtare, por edhe të ruajë dinjitetin e saj si pjesëtare e barabartë e shoqërisë. Thënia e mësipërme e Profetit për nënën, gruan, detyron mbretër e perandorë, gjeneralë e qeveritarë, të përulen para nënave e të respektojnë gruan.

Feja Islame për delikatesën e gruas dhe rolin vendimtar për edukimin e brezave të pambarim, e detyron burrin të tregojë kujdes të veçantë për nënën, për gruan dhe për vajzën. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush rrit dhe edukon dy vajza e ka vendin me mua në Xhenet”. Gruaja në fenë Islame nderohet dhe respektohet edhe në fëmijëri, edhe në punë, edhe në fatkeqësi, edhe kur është e fesë tjetër, edhe kur vdes. Ajo vlerësohet e barabartë me të drejtat e burrave.

Në përvojën dhe punën time 30 vjeçare në arsim si mësuese, si nënë, si bashkëshorte, si motër dhe qytetare e këtij komuniteti (Dibër), kam patur gjykimin tim për rregullat e ligjet e shkruara e të pashkruara, që shoqëria ka vendosur. Brezi i moshës time ishte mbartës i mirë i vlerave të përzgjedhura, të trashëguara. Edhe gjatë diktaturës u ruajtën tek ne vlerat për gruan, siç u ruajtën drita e Islamit, besimi, e vërteta dhe shpresa. Të jetosh fenë Islame do të thotë të mos i mbyllësh sytë e shpresës, të jetosh në dritën e së vërtetës, e njerëzores.

Fëmijët janë vlera më e madhe për çdo njeri. Asgjë nuk e stolis jetën më bukur se qenia dhe zëri i fëmijëve në jetë. Jemi ne dhe fëmijët tanë për të gëzuar këtë jetë. Por ja që përballë e në mes nesh janë futur droga, duhani, po përdoren keq, shumë keq televizioni e interneti, të cilët po e degradojnë njeriun. Ato po e shpërdorojnë mundin e shpikësve e të prodhuesve të tyre. Ato vërtetë janë gjuha e shekullit, por sikur të mos mjaftonin pijet alkoolike, duhani, droga e homoseksualiteti, pornografia e imoraliteti shfaqen në këto ekrane si përbindësh që godasin, trondisin e gllabërojnë moshën më të bukur të jetës – rininë.

Vërtetë këto, së bashku, po e fusin  njerëzimin në një krizë që shpërbën njeriun. Këto veprime as tek kafshët nuk janë jetike. Më e keqja është se veprimtaria e tyre mbulohet me “kartën e të drejtave të njeriut”! Po të drejtat për të qenë njeri, qenia më e përsosur ku mbeten?! Kush i mbron?! Përballë këtyre pisllëqeve degraduese për njerëzimin, nuk ka vlerë më të madhe se feja Islame, e cila e çon çdo ditë e më tej njerëzimin drejt përsosjes njerëzore.

Hapja drejt shteteve të zhvilluara ekonomikisht na ka ballafaquar me shumë përparime, por edhe me lëngime. Kam udhëtuar disa herë në Austri, Zvicër, Itali etj. Si të gjithë edhe unë jam mrekulluar me punën e madhe që kanë bërë ata njerëz për vendet e tyre. Po ashtu jam indinjuar dhe trishtuar, së bashku me udhëtarët e këtyre pamjeve madhështore, se ishin plagët e thella e të hapura që bënin të vuanin mijëra të rinj e të reja. Ato ishin plagë që shkatërronin shëndetin dhe shpirtin e njerëzve. E habitur dhe e tronditur para atyre njerëzve të shtrirë anës rrugëve, në lulishte, nën ura apo anës pallateve, pranë vdekjes, kur kam parë të rinj me shiringa në duar duke marrë drogë. E habitur mbeteshe kur shihje vajza duke puthur në buzë qentë, apo duke ngrënë plot dashuri me një enë me to e, askush nuk thoshte qoftë një fjalë. Tronditja të rrëqeth shpirtin kur sheh vajza të reja, të njoma e të bukura, duke u sjellë rrugëve të Evropës pa shpresë e në këmbim të një vakti japin edhe gjënë më të shtrenjtë.

Akoma më shumë kanë rënduar mbi shpirtin tim, mbi ndërgjegjen time, takimi i shqiptarëve në pozicione të tilla, pa përjashtuar edhe ndonjë nxënësen time. Me një peshë shumë të rëndë në ndërgjegjen time prej shqiptari, kam shpejtuar të largohem sikur edhe unë kisha faj. Në këto momente kaq tronditëse, dobësia e shpirtit tim arrinte kulmin gati për ta mohuar këtë jetë. Këtu dhe vetëm këtu ngrihen lartë, aty edhe ku janë, vlerat dhe madhështia e fesë Islame. Përballë kësaj tronditjeje, besomëni, shpirti im, aq shumë i trazuar, e gjen shpresën dhe shpëtimin tek mësimet e fesë Islame. A nuk do të ishte arritja më e madhe për njerëzimin, sikur të ndërlidheshin këto arritje të ndërtimit me normat e edukimit islam e të formonin atë shoqëri të përsosur njerëzore! Njerëzimi do të ishte i shpëtuar. Kudo që shkova, takova edhe gra të veshura me shije, mbi kokë mbanin një shami që ua shtonte bukurinë, pashë në krahë të burrave të tyre me ose pa fëmijë për dore dhe i thosha vetes: “Këta njerëz i ka bekuar Allahu!” Ngado që udhëtova, më dilnin përpara syve dy pamje: gra lakuriqe, vajza të reja pranë semaforëve, burra e djem të droguar e të hasdisur dhe fëmijë të lënë rrugëve; pamja tjetër ishte me gra e vajza të mbuluara, me qëndrim dinjitoz e që shihnin punën e tyre, të rinj të edukuar. Të dytët e sfidonin atë anën e zymtë e të pa perspektivë të të zhveshurve, të droguarve e të dehurve. Ky ballafaqim në shoqërinë njerëzore më shtoi më tej bindjen dhe kënaqësinë e të qenurit myslimane, këtë mrekulli që na e ka dhuruar Allahu.

Kam shumë për të thënë, sidomos për brezin e ri. Nëse dikush do të më pyeste mua, mësuesen, se ç’duhet bërë me fëmijët, do t’i këshilloja: “Sot për sot për ta mbajtur fëmijën larg alkoolit, drogës, duhanit, larg sjelljeve perverse, nëse do që ai  të mësojë pa kufi, nëse do që fëmija të marrë vlerat më të mira të sjelljes njerëzore, në familje e shoqëri, dërgojini në institucionet arsimore islame. Aktualisht nga rrethi ynë familjar studiojnë në këto shkolla, shtatë fëmijë, djem e vajza. Ata dallojnë nga të tjerët në të mësuar dhe sjellje në familje, rrugë e shoqëri. Tani jam shumë e bindur dhe e kënaqur për zgjedhjen e besimit që kanë bërë të parët e mi. Gjithashtu jam e palëkundur edhe në zgjedhjen time.

(Revista Drita Islame, Korrik 2012)

 

You must be logged in to post a comment Login