Ja disa këshilla lidhur me shëndetin gjatë Ramazanit

20120723_sharq_iftar-8Gjërat që kemi për të ngrënë gjatë Ramazanit nuk duhet të jenë shumë të ndryshme nga gjërat që hamë në kohë të tjera dhe, me sa të jetë e mundur, të jenë të thjeshta. Të ngrënat duhet të jenë të tilla që të ndihmojnë për ruajtjen e peshës sonë normale. Krahas kësaj, për një obez, Ramazani është muaji më ideal për të rënë në peshë.

Në kohët kur agjërojmë në ditë të gjata, duhet të marrim jo lëndë ushqimore që treten lehtë, por që treten ngadalë, përfshi këtu, lëndët ushqimore fibroze. Ndërsa lëndët ushqimore që treten ngadalë, treten për rreth 8 orë, lëndët ushqimore që treten shpejt, treten brenda vetëm 3-4 orësh.

Lëndët ushqimore që treten ngadalë janë gruri, elbi, tërshëra, irmiku, mielli, thjerrëzat, bishtajat, fasulja, orizi, etj. Këto quhen karbohidrate komplekse.

Lëndët ushqimore që digjen me shpejtësi në trup janë sheqeri, mielli i bardhë si dhe nënproduktet e tyre. Këto quhen karbohidrate të rafinuara ose të pastruara.

Lëndët ushqimore që përmbajnë fibra dhe krunde janë mielli i grurit, rrënjët dhe tuberet, fasulja e njomë, bizelja, speci, spinaqi, majdanozi, gjethet e panxharit, frutat me lëkurë, kajsia e thatë, fiku, kumbulla e thatë, bajamja, etj.

Shmangni gjërat e skuqura

Duke ngrënë ushqim, duhet bërë kujdes për të ngrënë me masë dhe, me sa të jetë e mundur, në mënyrë të ekuilibruar, në mënyrë që ushqimi të përmbajë nga të gjitha lëndët ushqimore, si fruta, perime, mish, peshk, bukë, qumësht dhe nënprodukte të qumështit. Ushqimet e skuqura janë të pashëndetshme dhe duhen kufizuar. Këto i hapin rrugë mostretjes, thartirës, ndjenjës së djegies në fyt dhe problemeve të shtimit në peshë.

Me sa të keni mundësi, shmanguni nga ushqimet e skuqura dhe me shumë yndyrë. Mos konsumoni ëmbëlsira, veçanërisht ato shumë të ëmbla. Në syfyr mos pini shumë çaj, sepse pirja e tepërt e tij shkakton urinim të tepër, gjë që i hap rrugë daljes nga trupi të kripërave minerale të dobishme për të cilat trupi ka shumë nevojë. Po kështu, në syfyr mos u ngopni me të tepërt.

Ata që pinë duhan, ta fillojnë pakësimin e pirjes dalëngadalë qysh disa javë para Ramazanit. Të gjithë e dimë mirë se duhani është i dëmshëm dhe se duhet lënë plotësisht. Por të mos harrojmë se ka konsumues që e lënë krejt pirjen e tij duke përdorur si pretekst muajin e Ramazanit. Me pak durim dhe zell, është e mundur që njeriu të shpëtojë krejt nga vesi i të pirit të duhanit.

Ç’duhet të parapëlqeni?

Hani në syfyr gjëra të brumta që do t’ju mbanin të ngopur për një kohë të gjatë. Mishi është një burim i mrekullueshëm proteinash. Është një ushqim që tretet ngadalë. Ata që e durojnë me vështirësi urinë, po të hanë mish në syfyr, ditën do ta kenë më të lehtë.

Hurma është një burim i mrekullueshëm sheqeri, fibrash, karbohidrati, potasiumi dhe magneziumi.

Bajamja përmban pak yndyrë, por është e pasur me proteinë dhe fibra. Kurse banania është një burim i mirë potasiumi, magneziumi dhe karbohidrati.

Nga iftari gjer në kohën e gjumit, duhet marrë me shumicë ujë, lëng frutash dhe fruta. Këto vlejnë për ruajtjen e një niveli të caktuar lëngjesh në trup.

Ç’duhet bërë në rastet e shqetësimeve të vogla?

Konstipacioni ose kapsllëku. Kapsllëku, hemorroidet dhe fisurat janë shqetësime të organit dhe zonës së defekimit. Mes shkaqeve të tyre, mund të përmenden ngrënia në sasi të madhe e ushqimeve të rafinuara, marrja e pakët e ujit dhe lëngjeve të tjera, marrja me pakicë e ushqimeve me fibra.

Shpëtimi nga këto shqetësime është me pirjen e shumë uji dhe lëngjesh, lënia me sa të jetë e mundur e lëndëve ushqimore të rafinuara, ngrënia e bukës me krunde dhe parapëlqimi i ushqimeve me fibra.

Mostretja dhe gazrat. Midis shkaqeve, mund të përmenden ngrënia e bollshme e ushqimeve të yndyrshme dhe të skuqura, parapëlqimi i ushqimeve që japin gazra, të tilla si erëzat, vezët, lakra, thjerrëzat dhe lëngjet si koka-kola.

Si këshillë, mund të thuhet ngrënia e pakët, mosngrënia e ushqimeve që japin gazra, mënjanimi i ushqimeve të skuqura, pirja e bollshme e lëngut të frutave ose më e mira, e ujit.

Gjendja e mpirjes (letargjia) dhe tensioni arterial i ulët (hipotensioni). Nga shenjat e këtyre gjendjeve, janë: djersitje e tepërt, dobësi, lodhje, humbje energjie, marrje mendsh, zbehtësi fytyre, mungesë dëshire për punë, tension i ulët që mund të çojë në të fikët. Këto gjendje duken më shumë në agjërim, veçanërisht pas dreke.

Si shkaqe, mund të përmenden marrja e pakët e lëngjeve, pakësimi i kripës në trup. Në gjendje të tillë, personi duhet vënë të pushojë në një vend të freskët, duhet të ketë kujdes që në iftar dhe syfyr të marrë lëngje dhe kripë në mënyrë të bollshme. Për shembull, në iftar mund t’i jepet dhallë me kripë. Kur duken shenjat e rënies së tensionit, niveli i tensionit kuptohet duke e matur me aparatin përkatës. Po qe se tensioni bie shumë dhe në mënyrë të rrezikshme, agjërimi duhet prishur. Ata që kanë tension të lartë, gjatë Ramazanit duhet të këshillohen me mjekun për ta ndryshuar kohën e mjekimit.

Dhimbje koke: Kjo duket shumë në ditët e para të Ramazanit veçanërisht te konsumuesit e kafesë dhe duhanit. Gjithashtu, shoqërohet me humbje të gjumit dhe me ndjenjën e urisë. Ndërkaq, gjatë ditës, këta persona nuk ua vënë veshin këtyre shenjave, kurse afër iftarit u bëhet mjaft e vështirë. Kur dhimbja e kokës ka lidhje me hipotensionin, mund të jetë shumë e fortë dhe para iftarit mund të shkaktojë të përziera.

Këtyre personave u këshillohet që të fillojnë t’i lënë kafenë dhe duhanin dalëngadalë një ose dy javë para Ramazanit. Vendin e kafesë duhet ta zënë pije që s’përmbajnë kafeinë, si bli, çaj mali dhe çaj i zakonshëm. Për të bërë një gjumë të mjaftueshëm, në Ramazan duhet hartuar një program i ri fjetjeje.

Nivel i ulët i sheqerit në gjak (hipoglicemi). Shoqërohet me gjendje të tilla si dobësi, marrje mendsh, lodhje, djersitje e shpejtë, dridhje (tremor), paaftësi për veprimtari fizike, dhimbje koke, rrahje zemre e fortë.

Si shkak është marrja e bollshme e sheqerit veçanërisht në syfyr në formën e karbohidrateve të rafinuara. Si përgjigje, trupi sekreton shumë insulinë, gjë që shkakton rënien e nivelit të sheqerit në gjak.

Këtyre personave u këshillohet që në
syfyr të marrin pak dhe në mënyrë të kufizuar ushqime me sheqer, të pinë lëngje. Për mjekimin e tyre në muajin e Ramazanit, të sëmurët diabetikë duhet të këshillohen me mjekun.

Krampet muskulore: Ndodhin për shkak se nuk merren bashkë me ushqimet, edhe kalcium, magnezium dhe potasium. Këtyre personave u këshillohet që në iftar dhe syfyr të hanë lëndë ushqimore që i përmbajnë në sasi të bollshme këto minerale, si perimet, frutat, qumështi dhe nënproduktet e tij, mishi dhe hurmat.

Ulçera peptike, djegia e stomakut, gastriti dhe hernia hiatus. Shqetësimet e shfaqura në Ramazan disa herë mund të rëndohen. Këto mund të japin një ndjenjë djegieje në zonën e stomakut poshtë brinjëve dhe kjo djegie mund të zgjatet drejt grykës. Gjendjen mund ta keqësojnë edhe më shumë ushqimet me erëza, pijet si kafeja dhe coca-cola. Mjekimi i përshtatshëm mund ta kontrollojë nivelin e acidit të stomakut. Personat me ulçerë peptike dhe hernie hiatus duhet të konsultohen me mjekun për mjekimin e tyre gjatë Ramazanit.

Gurët e veshkave. Gurët e veshkave shfaqen më shpesh te personat që marrin ujë dhe lëngje të tjera me pakicë. Për të penguar formimin e gurëve, personat me organizmin të prirë për të formuar gurë, në iftar dhe syfyr duhet të marrin lëngje me shumicë.

Dhimbjet e artikulacioneve. Gjatë gjithë Ramazanit, çdo natë, bashkë me teravitë, falen gjithsej 33 rekate namaz. Kjo nuk përbën ndonjë çështje për njerëzit normalë e të shëndetshëm, përkundrazi, pas një iftari të rëndë, marrin vlerën edhe të një stërvitjeje fizike të dobishme. Por te të moshuarit dhe veçanërisht te të sëmurët me inflamacion të artikulacioneve, kjo shkakton dhimbje, vështirësi lëvizjeje, ënjtje të gjunjëve dhe shqetësim.

Po qe se këta persona janë me mbipeshë, meqë artikulacionet e gjunjëve nuk lejojnë bartjen e peshave të rënda, duhet të bien nga pesha. Para Ramazanit duhet të bëjnë lëvizje të ekstremiteteve të poshtme, domethënë, të këmbëve, për t’u përgatitur ndaj ngarkesës së muajit të Ramazanit. Duke bërë përgatitje fizike, personat përkatës do të mund t’i falin më lehtë namazet normale dhe të teravive.

Po qe se sëmundja është aq e përparuar sa personi të mos mund t’i thyejë gjunjët, mund t’i falë namazet edhe ndenjur. Pa dyshim, Allahu s’kërkon nga njerëzit gjëra që s’mund t’i bëjnë. “… Allahu dëshiron për ju lehtësi, jo vështirësi…” (Bekare, 185)

You must be logged in to post a comment Login