Ismail Muçej, simbol i vullnetit islam

Veprat që shkroi janë shembulli më i qartë se deri ku arrin vullneti dhe këmbëngulja e njeriut, këto vepra as një institut i organizuar nuk do të mund t’i realizonte, e pra i vetëm pa ndihmën e askujt ai i hartoi dhe më në fund i bëri gati për botim.

Ismail Muçej ka qenë dhe mbetet për të gjithë shembull korrektësie, devotshmërie, përkushtimi, zelli dhe qëndrueshmërie. Me veprën e tij, me punën e tij gjigande, ai ngre fort lart zërin në shumë fusha të dijes, në shumë fusha të shkencës, si: në leksikologji, në gramatologji dhe linguistikë, në histori të mendimit islam, në trashëgiminë tonë kulturore islame, por kryesisht në studimet e tij plot përkushtim, për teorinë dhe praktikat e besimit tonë dhe të fesë sonë islame. Ai është mësuesi i pasionuar, studiuesi i përkushtuar, gazetari impulsiv, përkthyesi skrupuloz. Janë dhjetëra vepra të mirëfillta shkencore që flasin për këtë, janë me mijëra studime e artikuj të botuar që në rininë e hershme, kur ishte nxënës në medrese dhe deri sot në pleqëri.

Punoi edhe në gazetën “Drita Islame” dhe “Drita e dijes”, punoi edhe si mësues sapo u hap Medreseja jonë, punon edhe sot, ndonëse vitet bëjnë të veten duke e rënduar, por pa e përkulur aspak. Ai gjithnjë punon me kokën lart dhe me buzën në gaz. Ndoshta janë këto dy cilësitë që më kanë bërë më shumë përshtypje te miku ynë. Kokën sikurse e keni venë re, ai e ka mbajtur gjithnjë lart, sepse me punën e tij, me dinjitetin e tij eci në rrugën e drejtë të përcaktuar nga Allahu i Lartësuar. E për këtë them me bindje se është shembulli i një burri që nuk u përul kurrë. Ai gjithnjë buzëqesh, sepse në këtë botë sheh gjithnjë të mirën, priret ndaj së drejtës, ndaj së vërtetës, prandaj edhe në ditët e vështira nuk iu hoq kurrë buzëqeshja nga buza. I lumi ai për këtë!

Lindi më 14.12.1924 në Shkodër. Jeta e këtij burri është plot kthesa dhe të papritura të mundimshme. Bie e ngrihet, e ka të vështirë, por nuk dorëzohet, nuk thyhet, vazhdon e ecën gjithnjë përpara. Ndoqi studimet në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës ku u shqua si nxënës i shkëlqyeshëm. Që në bankat e shkollës përvetësoi mjaft mirë arabishten, anglishten, frëngjishten dhe italishten. Falë kësaj përgatitjeje iu sigurua bursa për në Institutin Oriental të Napolit. Por kjo nuk u arrit. Shkaqet nuk po i përmendim. Janë politike.

Si medresist mori pjesë në shumë veprimtari atdhetare kundër pushtuesit, më vonë u aktivizua në organizatën e Ballit Kombëtar, madje kontribuoi në themelimin e çetave në Pukë e në Kukës dhe kreu detyrën e përkthyesit pranë misionit anglez në veri të Shqipërisë. U lidh dhe bashkëpunoi me nxënës të shumë shkollave të vendeve të huaja, si: Belgjikë, Itali, Turqi, Indi etj., me të cilët shkëmbente literaturë historike, letrare, fetare e shkencore. Iu përkushtua publicistikës duke qenë bashkëpunëtor i rregullt i revistës “Zani i Naltë” “Kultura Islame” dhe “Njeriu”. Që krejt i ri, pa i mbushur të njëzetat replikoi plot kompetencë me njërën nga gazetat e njohura shtetërore të asaj kohe (1944) “Bashkimi i Kombit”.

Në këtë moshë kaq të re, të riut medresist i ishin hapur të gjitha shtigjet, por ndryshimet në regjimin politik në Shqipëri me rrokullimën e përgjithshme, shembën edhe ëndrrat e këtij djaloshi, por nuk ia mposhtën vullnetin dhe krenarinë.

Ushtroi detyrën e mësuesit në Medresenë e Shkodrës, e pastaj në fshatrat e Kukësit dhe si inspektor arsimi në Pukë.

Më 6.11.1952 arrestohet, ku në fillim dënohet me vdekje që iu kthye në burgim me 20 vjet. Akuzat nuk po i përmendim, ato janë falsifikime të qëllimta të një prokurorie ogurzezë. Këto akuza u përsëritën me qindra herë ndaj burrave të nderuar të kombit tonë, ndaj ajkës së inteligjencës së vendit tonë, ndaj të moshuarve dhe të rinjve. Sundonte injoranca, egërsia, që aq mirë e kemi njohur, sundonte lufta e klasave. Pas viteve sfilitëse në punët e rënda të kampeve famëkeqe, tani ndryhet në burgun famëkeq të Burrelit. Këtu zotëri Ismaili kaloi ditët e gjata të pjesës më të bukur të rinisë së tij. Burgu qe një shkollë e vërtetë, një vatër me shumë vlera edukimi, burrërie.

Në ato vrima të zeza të birucave të burgut ku diktatura i kishte ndryrë bijtë më të mirë të popullit për t’i thyer, aty u rritën dhe u edukuan heronj të vërtetë. Sikurse kujton vetë zotëri Ismaili: “… ishte ai mjedis, ajo frymë kulture e pjekurie që t’i largonte vuajtjet fizike e brengat shpirtërore dhe e mbante njeriun me shpresa se nuk ka mbaruar gjithçka… Aty gjeta mësuesin e fundit të jetës sime, edukatorin e shquar në të gjitha fushat e kulturës që mbeti për mua si edukator dhe dekan i universitetit të jetës. Ky ishte eruditi Et’hem Haxhiademi, nga Elbasani…”

E kujt do t’ia kishte marrë mendja se Ismail Muçej, plot energji e vullnet për jetën, do të kishte mundur të durojë hallet e burgut?! E kujt do t’ia kishte marrë mendja se djaloshi i sapofejuar me atë bijë të denjë të njërës nga familjet më të nderuara të Shkodrës, do të kishte rezistuar pas dënimit ogurzi me vdekje?! Ja një realitet i hidhur i mishërimit të fjalës së urtë “Njeriu asht ma i fortë se guri”. Një burrë brenda hekurave të burgut, një vajzë që pret fatin e vet për 12 vjet. As në baladat tona të dhimbshme nuk mund të besohet një risk i tillë! Por ja ku e keni para sysh. Në vitin 1964, pas 12 vitesh lirohet nga burgu dhe është i detyruar të punojë si punëtor krahu në malin e Taraboshit për 20 vjet rresht deri sa doli në pension. Ku e gjeti forcën ky burrë? E pra, e kam dëgjuar shpesh kur më thoshte se ai çdo ditë kishte dalë nga shtëpia në mëngjes herët dhe në orën gjashtë kishte qenë në punë. Kjo nuk është vetëm sakrificë, është stërmundim i qëllimshëm i një diktature të pashembullt, të pamoraltë, cinike dhe të paskrupullt. E pra, ky zotëri nuk u përkul, por punoi me nder, mbajti gjallë frymën e familjes dhe të dy fëmijët i rriti me nder. Unë ju them me gojën plot si Gilmanit ashtu edhe vajzës, nipave dhe mbesave: “Ta kini për nder që jeni bijtë e këtij burri, që mundi të rezistonte dhe të vinte deri në këto ditë tashmë vërtetë të bardha! Mos harroni se zemra e tij e di, trupi i tij e di se çfarë ka hequr, sa ka vuajtur, sa është lodhur. Por ai është i fortë, jeton dhe punon”.

Tani më thoni se cili prej nesh mund ta kishte bërë këtë? Ky është vullneti i të Plotfuqishmit, Mëshirëmadhit, Mëshirëplotit.

Me fillimin e proceseve demokratike iu përkushtua ringjalljes së fesë islame në Shqipëri. Është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përhershëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe anëtar i Kryesisë, i ngarkuar me detyrën e drejtorit për çështjet e kulturës.

Një meritë të veçantë ka në themelimin dhe drejtimin e gazetës “Drita Islame”, organ i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Gazeta gjithnjë ka pasur kryeartikuj, studime, kujtime, ligjërata, reportazhe, replika e përkthime që mbanin firmën e Kryeredaktorit Ismail Muçej. Një punë e madhe, voluminoze dhe me përgjegjësi, një barrë e rëndë që zotëri Ismaili e mbajti me shumë sukses.

Në vitin 1991 kreu detyrën e Haxhit. Një ëndërr e vjetër që vlonte në shpirtin e tij, u realizua. Një punë të madhe bëri edhe si mësues i gjuhëve të huaja i mijëra nxënësve. Ai u jepte atyre shtysat e para në arabisht, turqisht, anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Puna e këtij poligloti të shquar është madhështore dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Veprat që shkroi janë shembulli më i qartë se deri ku arrin vullneti dhe këmbëngulja e njeriut, këto vepra as një institut i organizuar nuk do të mund t’i realizonte, e pra i vetëm pa ndihmën e askujt ai i hartoi dhe më në fund i bëri gati për botim. Por, e them me dhimbje, ato janë ende në dorëshkrim. Ja të japim një panoramë të shpejtë të tyre:

Fjalori Arabisht-Shqip me 45.000 fjalë dhe 20.000 shprehje prej 2.000 faqesh.

Fjalori Shqip-Arabisht me 25.000 fjalë dhe 30.000 shprehje prej 1300 faqesh.

Metodë e mësimit të gjuhës arabe, e përkthyer nga Gaspary Otto Sauer, orientalist i shquar gjerman.

Feja dhe misioni i saj, me 350 faqe.

Pse përqafova Islamin, 120 faqe.

Pohime të një spiuni anglez, 70 faqe.

Rendi i ri botëror, 100 faqe.

Si arriti Kur’ani deri në ditët tona, 70 faqe.

Ka redaktuar një numër të madh librash fetarë, ka botuar me qindra artikuj në organe të ndryshme shtypi brenda e jashtë vendit, ka mbajtur ligjërata në simpoziume e veprimtari të tjera shkencore brenda e jashtë vendit, si në Vjenë, Marok, Libi, Londër, Arabi Saudite etj.

Unë me të drejtë pyes: Si arriti të kryente gjithë këtë punë voluminoze, ku e gjeti kohën, ku i gjeti mundësitë dhe mjetet, në një kohë kur i mungonte edhe letra? Është vullneti i tij i hekurt, është devotshmëria e tij drejt së mirës, është përkushtimi i pareshtur ndaj edukimit të breznive të reja me shkencë dhe dituri, është besimi i thellë në Allahun e Lartësuar që i jepte shpresë e guxim për të ecur përpara. Dhe sot e kemi shëndosh e mirë midis nesh për gëzimin e familjes së tij të nderuar, të fëmijëve të tij të dashur, të nxënësve të tij të shumtë dhe të kolegëve të tij, të cilët mburren se kanë punuar dhe kanë mësuar prej tij.

Ai sot, ndonëse në moshë të shtyrë, vazhdon të punojë me shumë seriozitet.

I urojmë shëndet dhe jetë të gjatë.

Islam Dizdari

/Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login