Islami është paqe, jo kërcënim!

islam

nga Skender Bruçaj

Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë 

Besimi Islam në përgjithësi është unik, si në rrafshin historik, ashtu edhe në atë global. Islami i jep shumë rëndësi drejtësisë (humanizmit), mbrojtjes së të drejtave të njeriut, moralit të mirë dhe urdhëron njerëzit që në çdo punë të sillen ndershmërisht e të respektojnë të drejtat e të tjerëve, kërkon që njerëzit të jenë të moralshëm e të pastër. Të besosh Zotin Një, të jetosh me vetëdijen se vëzhgohesh prej Tij në çdo hap dhe se një ditë do të japësh llogari përballë Tij në botën tjetër, janë ndër pikat e rëndësishme të Islamit. Kur’ani dhe Tradita Profetike flasin shumë qartë për parimet e besimit Islam, të cilat janë të padiskutueshme për të gjithë myslimanët. Pikërisht këto parime i bëjnë një, të bashkuar, myslimanët e mbarë botës.

Praktika fetare tradicionale e Islamit në Shqipëri, e cila vazhdon të ruhet e  tillë edhe sot, është mënyra e perceptimit real, që ne trashëguam nga paraardhësit tanë, është mënyra më gjithëpërfshirëse, larg instrumentalizimit, larg politizimit, ndjekëse korrekte e parimeve burimore, e cila injekton dëshirën për të dialoguar me gjithkënd, duke respektuar gjithsecilin në pozicionin e vet. Shpeshherë autorë të ndryshëm këtë, edhe pse me dashamirësi, gabimisht e quajnë “Islami shqiptar”, por kjo mënyrë e të jetuarit të Islamit, është vetë Islami burimor.

Ngjarjet e fundit, trazirat dhe konfliktet në Lindje të Mesme, të cilat kryhen nën “ombrellën” e Islamit, janë jashtë çdo logjike humane dhe islame. Ato nuk kanë asnjë lidhje me vlerat që Islami ka dhe përçon. Parimet mbi të cilat ndërtohet feja Islame janë aq të qarta sa nuk lënë asnjë hije dyshimi mbi realitetin hyjnor, i cili haptazi delegon mëshirën dhe paqen nëpërmjet saj. Ndërkohë ka qindra urdhëresa dhe këshilla për drejtësinë, respektin, dashurinë, mirëkuptimin, faljen dhe paqen me të gjitha kuptimet e saj.

Në fenë Islame dhunimi i të drejtës, qoftë edhe të një njeriu të vetëm, është i ndaluar rreptësisht, për çfarëdolloj qëllimi qoftë ai. Në Kur’an thuhet: “…kush vret ndokënd që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e gjithë njerëzimit.” (Maide 5:32)

Zoti na ka krijuar të ndryshëm, dhe siç thuhet në Kur’an, na ka krijuar në kombe dhe fise, që të njihemi njëri me tjetrin. Pra ky është një përcaktim hyjnor, të cilit ne si myslimanë i besojmë fort.

Në këndvështrimin tonë, toleranca është shkalla e parë e pranimit të “tjetrit”, duke mos i keqkuptuar sjelljet dhe veprimet që bën “tjetri”, me dashje ose pa dashje, pra është i lirë të jetojë botëkuptimin e tij me ty ose pranë teje. Këtë ne si komb e kemi tejkaluar me kohë. Ajo çfarë ne përjetojmë, është bashkëjetesë midis të ndryshmëve në besim, harmoni mes tingujve të ndryshëm shpirtërorë dhe mirëkuptim ndërfetar.

Ne besojmë se kjo harmoni e besimeve fetare në Shqipëri është trashëgimia më e madhe dhe më e vyer, që të parët tanë të urtë, sidomos njerëzit e besimit, prijësit dhe dijetarët tanë shpirtërorë, na lanë amanet. Kjo pasuri rrezaton kaq bukur në mesin e një gadishulli që ka njohur konflikte etnike dhe fetare ndër shekuj.

Por, kuptohet që ky mozaik, duhet ruajtur me shumë kujdes, që të mos pësojë dëmtime e gjymtime. Natyrisht kjo detyrë, krahas komuniteteve fetare dhe besimtarëve përkatës, i takon edhe shtetit, që ta ketë nën kujdes me shembuj konkretë, krahas atyre teorikë.

Nuk është rastësi që pikërisht ky model i pakgjetur sot nëpër botë, i ka rënë në sy herë pas here edhe studiuesve të huaj. Kështu vendi ynë po i serviret si shembull mbarë botës. Një vend dhe popull i vogël me një vlerë kaq të madhe, e cila mund të tejkalojë kufijtë e realitetit shqiptar, në Evropë dhe kudo në botë, si një shembull i mirëzbatueshëm.

(Revista Drita Islame – Tetor 2014)

You must be logged in to post a comment Login