Islami dhe Perëndimi në frymën e bashkekzistencës

Ligjërata e Princit Charls – Princi i Uellsit e mbajtur në Oksford më 27 tetor 1993

Ekstremizmi nuk është vulë dhe thelb i myslimanit

Ne nuk duhet të ngutemi të besojmë se ekstremizmi në ndonjë mënyrë është vulë dhe thelb i myslimanit. Ekstremizmi nuk është hiç më tepër monopol i Islamit se ç’është monopol i religjioneve të tjera, duke përfshirë edhe Krishterimin. Shumica dërrmuese e myslimanëve, edhe pse personalisht të devotshëm, janë të përmbajtur në sjelljet e tyre. Feja e tyre është rruga e mesme. Vetë Profeti gjithmonë e ka urryer dhe i është frikësuar ekstremizmit. Mbase frika nga ringjallja islame, e cilat ngjyrosi vitet 80-të, tani po fillon t’i hapë rrugën në Perëndim një të kuptuari të forcave të vërteta shpirtërore prapa kësaj. Mirëpo, po qe se dëshirojmë ta kuptojmë këtë lëvizje të rëndësishme, atëherë duhet të bëjmë dallimin e qartë mes asaj që besojnë shumica dërrmuese e myslimanëve dhe dhunës të një pakice në mesin e tyre, gjë që çdo popull i civilizuar gjithkund duhet ta dënojë.

Nëse në Perëndim ekziston mosmarrëveshje rreth natyrës së Islamit, ekziston edhe injorancë e madhe rreth borxhit, të cilin kultura dhe civilizimi ynë ia kanë botës islame. Ky është një dështim për të cilin mendoj se rrjedh nga historia e trashëguar. Bota mesjetare islame, që nga Azia Qendrore e deri te brigjet e Atlantikut, ishte një botë ku lulëzonin dijetarë dhe mendimtarë. Mirëpo, meqë kemi tentuar që Islamin ta shohim si armik të Perëndimit, si një kulturë, shoqëri dhe sistem besimi të huaj, ne jemi përpjekur që ta injorojmë, apo edhe ta fshijmë revelancën e madhe të tij për historinë tonë. Për shembull, ne e kemi nënçmuar rëndësinë e tetëqind viteve të shoqërisë islame në Spanjë ndërmjet shekullit të tetë dhe atij të pesëmbëdhjetë. Kontributi i Spanjës myslimane për ruajtjen e mësimeve klasike gjatë Mesjetës dhe për lulëzimet e para të Renesancës, është njohur për një kohë të gjatë. Mirëpo, Spanja islame ishte shumë më tepër se një depo e thjeshtë ku njohuria helene ruhet për konsumim të mëvonshëm nga bota moderne perëndimore që po paraqitej. Spanja myslimane jo vetëm që mblodhi dhe ruajti përmbajtjen intelektuale të civilizimit të lashtë grek dhe romak, por ajo njëkohësisht bëri interpretimin dhe zgjerimin e atij civilizimi dhe dha një kontribut të gjatë të vetin në aq shumë fusha të ndërmarrjes njerëzore në shkencë, astronomi, matematikë, algjebër (që vetë është fjalë arabe), ligj, histori, mjekësi, farmakologji, optikë, bujqësi, arkitekturë, teologji, muzikë. Averroesi (Ibn Rushd) dhe Avenzuri, si dhe Avicena (Ibn Sina) dhe Razesi në Lindje kontribuuan për studimin dhe zbatimin e mjekësisë në mënyra nga të cilat Evropa përfitoi me shekuj më pas.

Islami është pjesë e së kaluarës dhe e së tashmes sonë

Islami ushqeu dhe ruajti kërkimin për mësim. Sipas fjalëve të një tradite profetike “ngjyra e penës së dijetarit është e shenjtë si gjaku i martirit”. Kordova në shekullin e 10-të ishte qyteti më i zhvilluar në Evropë. Ne dimë për librezat e huazimit (nëpër biblioteka) në Spanjë në kohën kur mbreti Alfred bënte gabime trashanike me artet e kuzhinës në këtë shtet. Thuhet se 400,000 vëllimet nën bibliotekën e sunduesit të saj u shtuan në më shumë libra se në të gjitha bibliotekat e tjera të Evropës të mbledhura në një vend. Kjo u bë e mundur për shkak se bota myslimane përfitoi nga Kina shkathtësinë e bërjes së letrës më shumë se katërqind vjet para pjesës tjetër jo myslimane të Evropës. Shumë nga tiparet me të cilat Evropa moderne mburret, i erdhën nga Spanja myslimane. Diplomacia, tregtia e lirë, kufijtë e hapur, teknikat e kërkimit akademik, antropologjisë, etikës, modës, llojet e ndryshme të mjekësisë, spitalet, të gjitha këto erdhën nga ky qytet i madh i qyteteve. Islami mesjetar ishte një religjion i tolerancës së jashtëzakonshme për kohën e vet, që u lejonte hebrenjve dhe të krishterëve t’i praktikonin besimet e tyre të trashëguara, duke dhënë kështu një shembull, i cili fatkeqësisht, për shumë shekuj me radhë nuk u kopjua në Perëndim. Çudi është shtrirja në të cilën Islami ka qenë pjesë e Evropës për aq kohë të gjatë, së pari në Spanjë e pastaj në Ballkan dhe shtrirja deri në të cilën ai ka kontribuar aq shumë për civilizimin, për të cilin ne, gabimisht, aq shpesh mendojmë se është tërësisht perëndimor. Islami është pjesë e së kaluarës dhe e së tashmes sonë në të gjitha fushat e përpjekjes njerëzore. Ai ka ndihmuar në krijimin e Evropës moderne. Ai është pjesë e trashëgimisë sonë e jo një gjë e ndarë.

Më tepër se kaq, Islami sot mund të na mësojë mënyrën e të kuptuarit dhe të jetuarit në botën për humbjen e së cilës vetë krishterimi është më i varfër. Në zemrën e Islamit gjendet mbrojtja e tij e një pikëpamjeje integrale për universin. Islami refuzon ta ndajë njeriun dhe materien, religjionin dhe shkencën, mendjen dhe materien dhe ka ruajtur një pikëpamje metafizike dhe unike për vetveten tonë dhe për botën rreth nesh. Në thelb të Krishterimit akoma shtrihet një pikëpamje integrale për shenjtërinë e botës dhe një ndjenjë e qartë e tutorisë dhe përgjegjësisë që na është dhënë për mjedisin tonë natyror. Me fjalët e atij poeti të mrekullueshëm të shekullit të 17-të, George Herbert: “Një njeri që sheh në qelq, / Mbi të mund t’i mbetet syri, / E, nëse dëshiron nëpër të ai kalon, / Dhe pastaj qiellin e zbulon.

Mirëpo, Perëndimi gradualisht e humbi këtë vizion të integruar të botës me Kopernikun dhe Dekartin dhe me ardhjen e revolucionit shkencor. Një filozofi e gjithanshme për natyrën nuk është më pjesë e besimeve tona të përditshme. Nuk mund të mos ndjej se, sikur tani të mund ta rizbuloj atë qasjen e mëparshme, gjithëpërfshirëse ndaj botës rreth nesh, ta shohim dhe ta kuptojmë kuptimin e tij më të thellë, atëherë do të mund të iknim nga tendenca e shtuar në Perëndim për të jetuar në sipërfaqen e ambientit tonë, ku botën tonë e studiojmë me qëllim që ta manipulojmë dhe të mbisundojmë me të, duke e kthyer kështu harmoninë dhe bukurinë në çekuilibër dhe kaos. Është fakt dëshpërues, besoj, se në aq shumë drejtime bota e jashtme, të cilën e kemi krijuar gjatë 100 viteve të fundit, është duke pasqyruar gjendjen tonë të brendshme dhe konfuze. Civilizimi perëndimor është bërë tejet përvetësues dhe eksploatues në mospërfilljen e përgjegjësive tona ndaj mjedisit. Kjo ndjenjë qenësore e njëjësisë dhe toturisë së karakterit të gjallë sakramental dhe shpirtëror të botës, për ne sigurisht është diçka e rëndësishme që mund ta mësojmë nga Islami. Jam tejet i sigurt se disa aty për aty do të më akuzojnë, siç e bëjnë këtë zakonisht, se jetoj në të kaluarën, se refuzoj të jem në vijë me realitetin dhe jetën moderne. Përkundrazi, ajo për çka apeloj është një e kuptuar më e gjerë, më e thellë dhe më e kujdesshme për botën tonë, për një dimension metafizik si dhe material të jetëve tona, me qëllim që ta mëkëmbim drejtpeshimin, të cilin e kemi braktisur dhe mungesa e të cilit, besoj, do të dëshmohet si shkatërrimtare për një periudhë afatgjatë. Nëse mënyrat e pendimit në Islam dhe në religjionet e tjera mund të na ndihmojnë në atë kërkim, atëherë ekzistojnë gjëra për ne për t’i mësuar nga ky sistem besimi, të cilin sugjeroj se jemi duke e injoruar në dëmin tonë.

Duhet të shfaqim tolerancë dhe besim të ndërsjellë

Ne sot jetojmë në një botë të farkëtuar nga komunikimet e menjëhershme nga televizioni, nga këmbimi i informatave në një shkallë që as kanë munduar ta ëndërrojnë gjyshërit tanë. Ekonomia botërore funksionon si një entitet i ndërvarur. Problemet e shoqërisë, cilësia e jetës dhe e mjedisit janë globale në shkaqet dhe efektet e tyre, e askush nga ne nuk mund t’i lejojë më vetes atë luks që të jetë në gjendje vetë t’i zgjidhë ato. Bota islame dhe perëndimore përjetojnë probleme të përbashkëta për të gjithë ne: si t’i adaptohemi ndryshimit në shoqëritë tona, si t’u ndihmojmë të rinjve, të cilët ndjehen të tjetërsuar nga prindërit e tyre ose nga vlerat e shoqërisë së tyre, si të merremi me AID-sin, me narkomaninë dhe me shpërbërjen e familjes. Natyrisht, këto probleme ndryshojnë për nga natyra dhe intensiteti nga shoqëria në shoqëri. Problemet e qyteteve tona nuk janë të njëjta me ato të Kajros apo të Damaskut. Mirëpo, ngjashmëritë në përvojën njerëzore janë të konsiderueshme. Një shembull për këtë është kontrabanda ndërkombëtare me drogë, dëm të cilin ia shkaktojmë ambientit tonë paraqet një problem tjetër. Ne duhet t’i eliminojmë këto rreziqe për komunitetet dhe jetët tona. Vetëm të njohurit e thjeshtë me njëri-tjetrin mund të rezultojë mrekulli. Për shembull, më kujtohet shumë mirë kur para disa vitesh mora një grup myslimanësh dhe jomyslimanësh për ta parë punën e Qendrës Mjekësore “Marylebone” në Londër, pronar i së cilës jam unë. Entuziazmi dhe përcaktimi i përbashkët, të cilin e ngjalli ajo përvojë ishte jashtëzakonisht zemërngrohtë. Disi duhet të mësojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin dhe t’i edukojmë fëmijët tanë – gjeneratën e re, sjelljet dhe pikëpamjet kulturore të të cilëve mund të jenë të ndryshme nga tonat – në mënyrë që edhe ata të kuptojnë. Ne duhet të shfaqim besim, respekt të ndërsjellë dhe tolerancë, nëse dëshirojmë të gjejmë mirëkuptim të përbashkët ndërmjet nesh dhe të punojmë së bashku në gjetjen e zgjidhjeve. Qasja e përpjekjes bashkiake e Trustit tim dhe Skema Vullnetare, shumë e suksesshme, të cilën ai e ka zbatuar për disa vite me radhë, tregojnë se sa shumë mund të arrihet nga përpjekja e përbashkët që i bashkon klasat, kulturat dhe religjionet.

Bota islame dhe ajo perëndimore kanë shumë për të mësuar nga njëra-tjetra

Bota islame dhe ajo perëndimore nuk mund t’i lejojnë vetes që të qëndrojnë të ndara nga përpjekja e përbashkët për zgjidhjen e problemeve të tyre të përbashkëta. Një shembull i mrekullueshëm për veprimin së bashku të dy kulturave tona për një qëllim të përbashkët, është mënyra me të cilin Mbretëria e Arabisë Saudite bashkëpunon me Universitetin e Oksfordit, për të themeluar një qendër kërkimore rreth skizofrenisë për një organizatë të quajtur SANE, posedues i së cilës jam unë. As që mund të lejojmë që të ringjallen konfrontimet territoriale dhe politike të së kaluarës. Ne duhet të shkëmbejmë përvojat, t’ia shpjegojmë vetveten njëri-tjetrit, të kuptojmë dhe të tolerojmë, ndërsa unë e di se sa të vështira janë të gjitha këto, dhe të ndërtojmë mbi parimet pozitive, të cilat janë të përbashkëta për të dy kulturat tona. Kjo tregti duhet të jetë dykahëshe. Secili prej nesh duhet ta kuptojë rëndësinë e pajtimit, të pasqyrimit, besoj se fjala është tedeb’bur, t’i hapim mendjet tona dhe t’i shkyçim zemrat tona ndaj njëri-tjetrit. Kryekëput jam i bindur se bota islame dhe ajo perëndimore kanë çka të mësojnë nga njëra-tjetra. Njësoj sikur inxhinieri i naftës në Gjirin Persik mund të jetë evropian, ashtu edhe kirurgu për transplantimin e zemrës në Britani mund të jetë egjiptian.

Nëse nevoja për tolerancë dhe këmbim është e vërtetë në suaza ndërkombëtare, atëherë ajo me forcë të veçantë zbatohet brenda vetë Britanisë. Britania është një shoqëri multikulturore e multiracore. Unë tashmë përmenda madhësinë e komuniteteve tona myslimane që jetojnë në të gjitha anët e Britanisë, qoftë nëpër qytetet e mëdha si Bradfordi, qoftë në komunitete të vogla në vende të largëta si Stornaway në Skocinë Perëndimore. Këta njerëz janë pasuri për Britaninë. Ata kontribuojnë në të gjitha pjesët e ekonomisë sonë: në industri, shërbimet publike, profesionet e ndryshme dhe në sektorin privat. Ata i gjejmë si mësues, si mjekë, si inxhinierë dhe si shkencëtarë. Ata kontribuojnë për mirëqenien ekonomike të vendit tonë dhe shtojnë pasurinë kulturore të kombit tonë. Natyrisht, toleranca dhe mirëkuptimi duhet të jenë dykahësh. Për ata nga ne, të cilët nuk janë myslimanë, kjo do të thoshte respekt për zbatimin ditor të fesë islame dhe një kujdes i hijshëm për t’iu shmangur veprimeve, të cilat mund të shkaktojnë ofendim të thellë. Për myslimanët në shoqërinë tonë është e nevojshme ta respektojnë historinë, kulturën dhe mënyrën e jetesës së vendit tonë, si dhe baraspeshimin e lirisë së tyre jetësore për të qenë të vetët me një çmuarje të rëndësisë së integrimit në shoqërinë tonë. Aty ku ka dëmtime në të kuptuarit dhe mostolerancë, ne kemi nevojë, para dyerve tona, për një pajtim më të madh mes qytetarëve tanë. Shpresoj se të gjithë do të mësojmë të demonstrojmë këtë me rritjen e mirëkuptimit mes këtyre komuniteteve. Unë vetëm mund t’i admiroj dhe t’u duartrokas atyre burrave dhe grave të aq shumë grupeve të ndryshme, të cilët në mënyrë të palodhur punojnë në Londër, në Uellsin Jugor, në pjesën qendrore të vendit dhe diku tjetër, për përkrahjen e marrëdhënieve të mira bashkiake. Qendra për Studimin e Islamit dhe të Marrëdhënieve Krishtere-Myslimane në Birmingam paraqet vetëm një shembull të dukshëm dhe të suksesshëm. Besoj se duhet të jeni falënderues për përkushtimin dhe shembullin e të gjithë atyre, të cilët veten ia kanë përkushtuar çështjes së përkrahjes së mirëkuptimit.

Zonja e zotërinj, nëse gjatë gjysmë orës së kaluar, sytë tuaj kanë bredhur lart, deri tek alegoria e mrekullueshme e së Vërtetës që zbret mbi artet dhe shkencat në tavanin e Sër Robert Streeter-it mbi ju, jam i sigurt se do të keni vërejtur se si injoranca me dhunë është zhdukur nga arena, pikërisht përballë mbulesës së organos. Unë ndiej njëfarë keqardhjeje për injorancën dhe shpresoj se do të më lejohet ta braktis këtë teatër në një gjendje më të mirë. Para se të shkoj, nuk mund t’ua bëj me dije as duhet rëndësinë e çështjeve, të cilat kam dëshiruar t’i prek në mënyrë aq të përsosur këtë mëngjes. Këto dy botë, islamja dhe perëndimorja, janë disi në udhëkryq në marrëdhëniet e tyre. Ne nuk duhet t’i lëmë të mbeten të ndara. Unë e pranoj fjalën se ato shkojnë drejt ndeshjes në epokën e antagonizmit. Jam thellë i bindur se dy botët tona kanë për t’i ofruar shumë njëra-tjetrës. Ne kemi shumë gjëra për të bërë së bashku. Jam tejet i kënaqur që dialogu ka filluar, si në Britani ashtu dhe gjetiu. Mirëpo, do të duhet të punojmë më me zell për ta kuptuar njëri-tjetrin, të nxjerrim çfarëdo helmi mes nesh dhe ta largojmë hijen e dyshimit dhe të frikës. Sa më larg të arrijmë në këtë udhë, aq botë më të mirë do të krijojmë për fëmijët tanë dhe për gjeneratat e ardhshme.

/Revista ‘Drita Islame’ – Mars 2017/

You must be logged in to post a comment Login