Inaugurohet xhamia e fshatit Ballaban, Përmet

Fshati Ballaban i Përmetit është zbukuruar me një xhami të re. Në inaugurimin e saj morën pjesë drejtori i Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, z. Dorian Demetja, myftiu i Përmetit, z. Jemin Muça, nënkryetari i Bashkisë së Këlcyrës, myftiu i Lushnjës, z. Gramoz Blliku, si dhe besimtarë të shumtë të zonës.

Drejtori i Kulturës, z. Demetja, theksoi se xhamia është burim dashurie dhe respekti. “Është një kënaqësi e veçantë të marrësh pjesë në inaugurimin e kësaj xhamie. Më lejoni të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për donatorët dhe shoqatën që bëri të mundur ndërtimin e kësaj vepre të bukur kulti. Në këtë xhami do të mësoni vlerat më të larta njerëzore: dashurinë, respektin, harmoninë dhe afrimin me Allahun”, tha z. Demetja.

Myftiu i Përmetit, z. Jemin Muça, nënvizoi se banorët e kësaj zone e meritonin një xhami të tillë prej kohësh. “Dëshira e madhe e banorëve të kësaj zone u shpërblye me ndërtimin e kësaj xhamie të bukur, një ndërtesë, e cila do të shërbejë si vatër e përçimit të mesazheve dhe vlerave islame”, tha ndër të tjera myftiu .

Nënkryetari i Bashkisë së Këlcyrës falënderoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Myftininë e Përmetit dhe donatorët për ndërtimin e këtij objekti për të cilin kjo zonë kishte shumë nevojë. Ai theksoi rëndësinë që ka besimi në orientimin e të rinjve dhe për ndërtimin e një shoqërie me parime të larta njerëzore.

Xhamia u ndërtua me kontributin financiar të shoqatës “Shtëpia e Bamirësisë” nga Kuvajti.

26 maj 2017

You must be logged in to post a comment Login