Iftari, mesazh paqeje

Agjërimi i Ramazanit ka vlera të shumta si në pikëpamje shpirtërore, ashtu edhe morale, shëndetësore, shoqërore, etj. Një ndër karakteristikat e agjërimit është se ai i jep njeriut mundësinë që të ketë e të ruajë frymën e vërtetë të unitetit, vëllazërisë e të barazisë para Allahut xh.sh. Kështu, kur njeriu agjëron, e ndjen se është i lidhur me të gjithë myslimanët e botës, duke i kryer të gjitha detyrat.
Një veprim i tillë është edhe ngrënia e iftarit. Profeti Muhamed a.s. në një hadith thotë: “Ai që agjëron ka dy gëzime: njërin kur bën iftar dhe gëzimin tjetër kur të takojë Zotin e tij”. Me të vërtetë, gëzimi i besimtarëve myslimanë në iftar është i madh.
Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Zoti i madhëruar i jep atij që shtron iftar shpërblimin e atij që agjëron.”
Shtrimi i iftareve në mbështetje të fisnikërisë së sofrës bujare të besimtarëve shqiptarë ka qenë një traditë e hershme, por ajo u ndërpre për shumë vite dhe tani u ripërtëri.
Shumë familje e besimtarë shtrojnë iftare për të afërmit, miqtë e dashamirët e tyre. Shtrimi i iftareve këto vitet e fundit ka marrë një dimension më të gjerë, pasi ato i bashkojnë njerëzit në një tryezë me të vetmin qëllim, dashurinë ndaj të madhit Zot, ndaj njëri-tjetrit, ndaj bashkëqytetarëve e më gjerë. Njëkohësisht shtrimi i iftareve shërben për të përcjellë mesazhin e dashurisë, pajtimit e paqes.

You must be logged in to post a comment Login