Ibrahim Hysen Balla (1930-2015)

Ibrahim Balla (2)Lindi në fshatin Farkë të Tiranës më 10.09.1930 nga një familje arsimdashëse fetare. Pasi kryen arsimin fillor pesëvjeçar nga viti 1937-1942, qëndron pranë familjes për shkak të luftës që bëhej për çlirimin e vendit. Në vitin 1945 prindërit e dërgojnë për të kryer studimet e arsimit 7 vjeçar e të mesëm në Medresenë e Tiranës me konvikt. Dallohet që në fillim për përkushtim ndaj mësimit e kulturës fetare dhe radhitet ndër nxënësit elitarë të shkollës.

I kudondodhur në aktivitetet që mbante shkolla e veçanërisht në ato fetare, ai fitoi dashurinë dhe respektin e shokëve e pedagogëve. Mori shumë certifikata si nxënës i sjellshëm dhe i shkëlqyer në mësime. Në vitin 1951 përfundon studimet e diplomohet me maturën e Medresesë me rezultate të shkëlqyera. Drejtoria e shkollës i propozon Komunitetit Mysliman që të emërohet mësues i lëndëve fetare në Medrese. Aprovohet e menjëherë fillon punën e mësuesit aty.

Gjatë kësaj kohe regjistrohet si kandidat i jashtëm në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori”, për t’u kualifikuar si mësues dhe e përfundon atë në vitin 1954. Në këtë kohë ndërhyrja e pushtetit komunist në programet e shkollës, Medresesë, bëri që të reduktohen orët dhe del jashtë kuadrit mësimor. Menjëherë shteti e emëron mësues në fshatin Priskë të Tiranës në vitin 1955-1959. Gjatë kësaj kohe përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi.

Por Komuniteti Mysliman, duke parë aftësitë e Ibrahimit dhe sjelljen shembullore të tij, si dhe punën e mirë si mësues në Medresenë e Tiranës, kërkoi shkëputjen e tij nga arsimi për t’u bërë pjesë e administratës së institucionit. E pret me kënaqësi dhe emërohet drejtor i administratës financiare. Dallohet për zbatimin me drejtësi të të gjitha ligjeve që përmbante financa e më vonë i ofrojnë detyrën e Zv. Kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe sekretarit të përgjithshëm, detyrë të cilën e kryen me shumë përkushtim.

Ndërhyrja e shtetit komunist ndaj institucioneve fetare sa vinte e shtohej. Në vitin 1964 mbyllet shkolla e Medresesë, ndërsa në vitin 1967 mbyllen përfundimisht të gjitha institucionet fetare dhe ushtrimi i fesë u ndalua me ligj. Ibrahimi u bë shembull persekutimi, pasi ishte kuadri më i ri dhe i arsimuar në Universitetin e Tiranës. Përjetoi diskriminimet me fletë-rrufe në mesin e Tiranës, ku rinia nxitesh për ta poshtëruar atë.

Pas një viti, kur çdo gjë kishte marrë fund në fushën e fesë dhe ishin shkatërruar të gjitha institucionet fetare, Ibrahimin e thirrën për ta emëruar mësues në fshatin më të thellë të Tiranës, Zall-Bastar. Iu përgjigj kësaj thirrjeje për të mos vuajtur të tjera persekutime. Punon në arsim edhe në fshatra të tjera si Surrel, Priskë, Farkë e Shkozë derisa del në pension në vitin 1985.

Dallohet si mësues i përgatitur nga ana shkencore e pedagogjike, duke zhvilluar mësim në nivel të lartë. Fiton dashurinë e respektin e nxënësve në sajë të një komunikimi shumë të ëmbël e plot dashuri. Përgatitja e lartë profesionale bëri që ai të jetë në komisionet e lëndëve shoqërore dhe përgjegjës i shkollës së mesme bujqësore me shkëputje nga puna. Del në pension duke lënë një emër të mirë në punën e mësuesit  dhe edukatorit të brezit të ri.

Përmbysja e pushtetit komunist dhe vendosja e demokracisë solli ditë të bukura e të reja për Ibrahimin. Do të ishte përsëri Ibrahimi iniciatori i marrjes së çelësit, hapjes e inaugurimit të parë të fesë në Tiranë në Xhaminë e Sahatit. Përsëri mbeturinat e së kaluarës në policinë e Tiranës e thirrën e i bënë presion përse u bë shkak i këtij manifestimi. Kjo do të kalonte pasi vala e revolucionit demokratik tashmë nuk mund të ndalej.

Ibrahimi bëhet pjesë e themelimit të Komunitetit Mysliman dhe emërohet drejtor i Medresesë së Tiranës e sapo hapur. Përballon vështirësitë e fillimit me kolektivin e tij pedagogjik dhe angazhohet me detyra fetare, shërbesa e rituale islame jashtë procesit mësimor. Shumë të etur për Fenë Islame, besimtarët e ftojnë Ibrahimin në çdo ceremoni gëzimi e hidhërimi.

Sjellja e tij shembullore me nxënësit e kolegët e bëri Ibrahimin figurë popullore. Mosha bën të vetën dhe shkëputet në vitin 1998 nga Medreseja për t’iu përkushtuar detyrave fetare. I palodhur, i kudondodhur Ibrahimi vazhdoi punën në shërbim të Fesë Islame deri në frymën e fundit, duke fituar respektin dhe dashurinë e besimtarëve.

 

You must be logged in to post a comment Login