I Dërguari i Allahut qe i pashkollë, por i shumëditur

Në Kur’an 61:6 thuhet: “Kujto Isanë, birin e Merjemes, që tha: “O bijtë e Izraelit! Unë jam i Dërguari i Allahut te ju … për t’ju dhënë Lajmin e Gëzueshëm për një të Dërguar, që do të vijë pas meje, emri i të cilit do të jetë Ahmed”.

I Dërguari Ahmed është, siç dihet, Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Të gjitha tiparet e tij e vetitë e tij qenë për t’u admiruar. Në tërë jetën e tij. Ai njihej si El-Emijn (Besniku, i besuari). Ai qe kundër idhujve e luftoi kundër idhujve. Ky qe Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) para se të bëhej i Dërguari i Allahut. Por ne duam të përveçojmë diçka tjetër në jetën dhe në veprën e tij.

I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) qe pa shkollë. Kur’ani thotë: “Ata që ndjekin të Dërguarin, Profetin e pashkollë” (7:157). “Prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin e pashkollë, i cili beson në Allahun dhe në Fjalët e Tij. Pasojeni atë që të mund të udhëzoheni!” (7:158).[1] I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nuk kishte bërë shkollë, por kishte dijen më të lartë. Ai nuk kishte bërë shkollë, por njihte shkëlqyeshëm Librat e mëparshëm. Ishin dije dhe njohje, që vinin nga Allahu. E, kjo ishte provë se ishte i Dërguar. E, kjo ishte mrekulli. E, kjo ishte një Shenjë, që çdo njeri me mend mund ta shihte atëherë e mund ta shohë sot. Vetëm një arsyetim: Siç dihet, çdo dije njerëzore priret nga një shkollë e caktuar mendimi. Kurse dija e Allahut nuk ka prirje të tilla.

I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) erdhi edhe nga një mjedis i pashkollë – nga paganët arabë. Por Mesazhi që solli i Dërguari vetë (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), populli i tij ish-pagan e gjuha e tij u bënë drita universale. Edhe kjo ishte provë se ishte i Dërguar. Edhe kjo ishte mrekulli. Edhe kjo ishte Shenjë, që çdo njeri me mend mund ta shihte atëherë e mund ta shohë sot. Çdo njeri me mend mund ta shihte atëherë e mund ta shohë gjithherë Fjalën dhe Dijen e Allahut te fjala e te dija e të Dërguarit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Tek të gjitha thëniet dhe veprimet e tij.[2] E, prandaj ai u mësoi njerëzve dijen më të lartë. E, prandaj zbuti zemrat e gurta e forcoi zemrat e dobëta.

“O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar dhe si prurës të Lajmeve të Gëzueshme dhe si thirrës në Rrugën e Allahut, me lejen e Tij, dhe si pishtar …”, Allahu thotë në Kur’an (33:45, 46). Në këto dy ajete, i Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) vjen me pesë të drejta dhe detyra:

  1. Si dëshmitar për të gjithë njerëzimin për të Vërtetën, që qe errësuar nga padija. Ai nuk vjen për të vendosur fe të re. Ai vjen për t’ia mësuar fenë njerëzimit. Por ai është si dëshmitar tek Allahu edhe për marrjen e Shpalljes (Mesazhit) së Allahut dhe për veprimet e veprat e njerëzve.
  2. Si përcjellës i Lajmeve të Mira, nga Mëshira e Allahut: Edhe ata që kanë gabuar e kanë bërë gjynahe, shpresojnë te Mëshira e Allahut, nëse besojnë, pendohen dhe bëjnë jetë islame.
  3. Si paralajmërues e qortues për ata që janë të pavëmendshëm e të pakujdesshëm.
  4. Ai vjen me të drejtën dhe dëshirën për t’i ftuar të gjithë njerëzit të pendohen, për të kërkuar faljen nga Allahu – në dashtë Allahu. I Dërguari tregon Rrugën. Përgjegjësia e njeriut është individuale.
  5. I Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) vjen si Drita e një Pishtari (Siraxh – Pishtar) për të ndriçuar tërë njerëzimin. Është Pishtari-Diell. Është Fjala e Allahut. Prandaj i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është komentuesi më i parë dhe më i besueshëm i Kur’anit në Tokë. Dhe atë shpjegim e atë komentim mund ta bënte vetëm një i ditur.[3]

Me ato të dhëna që i fali Allahu, i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) zgjidhi konflikte të mëdha të kohës. Ato sillnin vetëm paqe. Ato janë model zgjidhjesh edhe për sot. Kur çliroi Mekën, i fali të gjithë ish-armiqtë e tij e të Islamit. Ai bëri Besëlidhjen te kodra Safá. Ai vëllazëroi ensarët (vendësit e Medines) me muhaxhirët (ardhësit nga Meka). Ai bëri Besëlidhjen e Akabesë. Ai bëri paqe me më të mëdhenjtë e Kurejshëve. Ai bëri marrëveshjen e Hudejbijes. Ai zgjidhi aq paqësisht e aq këndshëm vendosjen e Gurit të Zi. Ai hapi aq urtësisht e aq këndshëm derën e Qabes. Ai fali gjakun e xhaxhait të tij dhe të vëllait të tij të qumështit. Ai fali fajden (kamatën) e xhaxhait të tij. Ai u bëri vetëm mirë të tjerëve. Ai liroi skllevërit dhe dha sadaka të vetmit 700 dinarë që kishte. Ai sillte vetëm paqe midis njerëzve. Hixhreti është një kapitull më vete i inspirimit të tij nga Allahu, i intuitës së tij, i dijes së tij. Hixhreti është një mrekulli më vete. Këta janë vetëm disa shembuj nga historia islame.[4] Ai është më i madhi i të gjithë të mëdhenjve të botës. Me dijen e tij dhe me veprën e tij. Prandaj Maikëll Hart (Michael Hart) e vë në krye të 100 njerëzve më me influencë në gjithë historinë botërore.[5] E, me gjithë mirësitë e tij botërore, porosia e tij para ndarjes nga kjo jetë qe: “Mos e bëni varrin tim idhull (vend adhurimi)!” Ai donte të ishte vetëm Njeri dhe i Dërguar. Është një thënie për një dije shumë të madhe.

Me autoritetin, prestigjin dhe dijen që pati i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), u çoi letra mbretërve dhe princërve të kohës të pranonin Islamin. Pasi bëhej ftesa, “Ejani të bashkoheni me ne në një fjalë mes nesh dhe jush – të mos adhurojmë askënd tjetër e asgjë përveç Allahut e të mos i bëjmë Atij shok …!, u rikujtohej përgjegjësia e madhe e faji i madh: “Nëse ti, – i thuhej mbretit a princit, – nuk do ta pranosh Islamin, do të ngarkohesh me fajin e tërë të krishterëve të popullit tënd (mbretit të Habeshesë) / e të gjithë koptëve (mbretit të Aleksandrisë) / e të gjithë zjarradhuruesve (mbretit të Persisë) / e të gjithë bizantinëve (mbretit të Bizantit) etj.[6]

Të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i erdhi Lajmi i Madh (78:2), Mesazhi i Madh (38:67). Ai ishte Kur’ani. Dhe Allahu thotë në Kur’an: “Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe në Dritën, që Ne kemi zbritur!” (64:8). Dhe qe i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ai që ia la njerëzimit këtë Dritë. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i la njerëzimit edhe Synetin e tij. Kur’ani është Dija e Allahut. Syneti është dija e të Dërguarit. Dhe Kur’ani e Syneti janë vetë Islami.

Me ato të dhëna që ia fali Allahu, i Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) krijoi shoqërinë e parë islame në botë. Vlera e asaj shoqërie është për çdo kohë e për çdo vend. Sepse ajo u krijua mbi parime që vijnë nga Kur’ani e Syneti. Ato sintetizohen në Hytben e Lamtumirës – një Kushtetutë nga njeriu i pashkollë, por i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

Profetët janë vëllezër”,ka thënë i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) (Buhariu dhe Muslimi). Po të komentohet, hadithi do të thotë se profetët janë njëlloj, se nuk ka dallime ndërmjet tyre, se ata kanë në themel të besimit – La ilahe il’Allah (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut). Çdo profet është dërguar te një popull me La ilahe il’Allah. Me ardhjen e të Dërguarit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) u plotësua Rruga e të gjithë profetëve. Allahu thotë: “Sot e kam përsosur fenë tuaj, e kam plotësuar dhënëtinë time për ju dhe kam zgjedhur Islamin si fe për ju”.[7] Dhe këtë fe ua përcolli e ua mësoi njerëzve ai që s’kishte bërë asnjë shkollë, por që pati dijen më të lartë.

Dhe Njeriu i dijes, i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i vlerësonte aq shumë Profetët, dijen dhe dijetarët. “Dijetarët, – ka thënë i Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), – janë trashëgimtarët e profetëve. Dhe profetët nuk kanë lënë trashëgimi, as dinarë dhe as dërhemë, por kanë lënë dijen. Kush e merr atë, ka marrë mirësi të pakrahasueshme.” (Tirmidhiu e të tjerë).

Prof. dr. Hajri Shehu

/Revista ‘Drita islame’, nëntor 2017/

———————————————————————————

[1] Shih edhe te 62:2; 93:7.

[2] Komentuesit e Kur’anit thonë se atë e mësonte Xhibrili. Shih te 53:3-6.

[3] Të Dërguarit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i zbriste Ajeti. Ua përcillte sahabeve. Sahabet e pyesnin për përmbajtjen e ajetit, domethënien e tij e për gjithçka që kishte të bënte me të dhe i Dërguari (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) shpjegonte e komentonte.

[4] Shih te Lulishta e Dritave, Tiranë, 1999.

[5] Shih Michael Hart, 100 Personalitetet më të shquara, Tiranë, 2001, f. 7-18.

[6] Ftesa e sinqertë për të krishterët, jehudinjtë etj. vjen nga Kur’ani: “Thuaj: O njerëzit e Librit! Ejani të biem në një fjalë të përbashkët midis nesh e jush që të mos adhurojmë askënd tjetër e asgjë, përveç Allahut, që të mos i bëjmë shok e ortak Atij!” (3:64).

[7] Kur’an 5:3.

You must be logged in to post a comment Login