Hoxhë Nastradini, dijetari fetar që i bënte njerëzit për vete

Nasradin Hoxha

Të vraposh pas arsyes, mistereve dhe filozofisë nuk është aspak një punë e thjeshtë. Jo çdokush mund ta bëjë një gjë të tillë. Është një udhëtim i vështirë dhe i lodhshëm, gjatë të cilit duhen kapërcyer pengesa të panumërta. Shumë pak burra të mençur, të fuqishëm dhe të devotshëm arrijnë t’i kapërcejnë këto pengesa të mundimshme dhe t’i vihen rrugës për t’u bërë njerëz të përkryer.

Historia është e mbushur plot me tregime të këtyre njerëzve, që janë për t’u marrë shembull. Që ne t’i lexojmë dhe të nxjerrim mësime për veten tonë.

Situata nuk ishte ndryshe as në Anadollin e shekullit të 13-të. Trazirat dhe dëmet e mëdha, që kishin sjellë me vete luftërat në atë periudhë të errët të historisë, i kishin shndërruar në rrënoja të gjitha qytetet e gadishullit. Por udhëtarët e arsyes, mistereve dhe filozofisë, që përparonin në rrugën për t’u bërë njerëz të përkryer, ecnin tutje-tëhu duke matur me hap udhët e Anadollit pa u thyer përballë këtyre zhvillimeve negative. Nga njëra anë ata vazhdonin të zgjeronin diapazonin e tyre si dijetarë dhe filozofë, kurse nga ana tjetër përpiqeshin t’i dhuronin hare, shpresë dhe forcë popullit në gjendje të mjeruar materiale dhe shpirtërore.

Këta udhëtarë të së vërtetës ishin të mësuar me vështirësi dhe pengesa. Ata dinin si t’i vilnin frytet e diturisë madje edhe në kushtet më të vështira. Por ata ishin të vetëdijshëm se kjo është një punë, që nuk mund të pritet ta bënte populli i thjeshtë. Prandaj esencën e diturisë ata ia përcollën popullit dalëngadalë, pika-pika, secili prej tyre me një metodë dhe stil të veçantë.

Në anën tjetër kemi të bëjmë me një burrë të mençur, që ndiqte rrugën më të veçantë të mundshme. Emri i tij ishte Hoxhë Nastradini dhe megjithëse ishte një dijetar fetar, ai i bëri njerëzit për vete me lojëra fjalësh dhe ndjenjën e tij unike të humorit. Nastradini qëllonte gjithnjë në shënjestër me anekdota. Ky stil i tij shkaktoi një efekt aq të madh, sa që atë nuk mbeti pa e njohur asnjë vend nga Azia Qendrore deri në Ballkan.

Ja pra, sot do t’ju prezantojmë këtë dijetar fytyrëqeshur. Do të flasim për mjeshtrin më të madh të humorit turk, dijetarin fetar dhe misticistin Hoxhë Nastradin.

Shumë njerëz e njohin atë si një tip absurd, që i hipën gomarit së prapthi apo që përpiqet të zërë kos liqenin. Shumë të tjerë e shikojnë Hoxhë Nastradinin si një personazh të thjeshtë historik, që imitohet për të zbavitur fëmijët.

Por në fakt Nastradini ishte një dijetar fetar i mençur i Anadollit të shekullit të 13-të. Edhe pse është emëruar hoxhë (mësues) në moshë fare të re, ai në vend të ofiqeve dhe karrierës ka preferuar të udhëtojë për të perfeksionuar diturinë.

Lidhur me jetën e Hoxhë Nastradinit nuk ka të dhëna të mjaftueshme dhe të sakta. Sipas burimeve ai ka lindur në krahinën Hortu, e varur nga nënprefektura Sivrihisar e Eskishehirit. Duke qenë se i ati ishte imami i fshatit, ai kishte mësuar prej tij arabisht dhe kishte marrë mësimet e para fetare. Për një farë kohe ai e kishte zëvendësuar të atin si imam i fshatit. Hoxhë Nastradini kishte mësuar nëpër medresetë e Sivrihisarit dhe të Konjës. Pasi lidhet me Sejid Mahmud Hajranin, ai vendoset së bashku me këtë të fundit në Akşehir, ku jeton deri sa vdes.

Sipas një gojëdhëne, Hoxhë Nastradini kishte dhënë mësim edhe në medrese dhe kishte ushtruar profesionin e kadiut. Thuhet se për arsye të kësaj detyre Nastradini ka marrë edhe titullin Hoxhë. Për sa u përket të dhënave mbi jetën e Nastradinit, si rrjedhojë e dashurisë së madhe që populli ushqente për të, në to janë përzier gojëdhëna, dhe herë-herë këto gojëdhëna kanë fituar cilësi të jashtëzakonshme. Midis këtyre gojëdhënave janë edhe ato që bëjnë fjalë për njohjen e tij me sulltanët selxhukas dhe që ka qenë mik i ngushtë me Mevlana Xhelaledin Rumiun, apo që ka folur me Timurlengun, i cili pati jetuar të paktën 70 vjet pas tij, ose është parë njëkohësisht në disa vende etj.

Në fakt vlera e Hoxhë Nastradinit nuk matet me ngjarjet që ka jetuar ai vetë, por me elementët e hollë të kuptimit, satirës dhe përqeshjes, që rrëfehen ose nga vetë ai ose nga goja e popullit. Nga studimi i anekdotave, që pretendohet se janë të tijat dhe nga sqarimi i fjalëve të përdorura, del se ai nuk ka trajtuar vetëm një periudhë, por ka shprehur mënyrën e jetesës së popullit të Anadollit, ka nxjerrë në pah elementin humoristik, llojin shpotitës dhe argëtues, aftësinë e popullit për të lavdëruar dhe satirizuar.

Tek i thotë mendimet e tij, ai fshihet pas një identiteti me cilësi kontradiktore të larmishme si dijetar, injorant, ambicioz, i butë, i sjellshëm, i turpshëm, i shkathët, i hutuar, dinak, frikacak etj. Elementi mbizotërues në anekdotat e tij është të ndodhurit e tij në një situatë të kundërt me personazhin që ka përballë. Këta elementë përbëjnë produktet e reflektimit të qëndrimit të njeriut të Anadollit ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve të ndryshme.

Hoxhë Nastradini shfaqet si një figurë qendrore, që reflekton ndjenjat e popullit, si qendër humori. Ai që kërkon të shprehë diçka, të japë një mesazh, përdor gojën e atij që flet, në këtë mënyrë populli zërin e tij e përhap përmes gjuhës së Nastradinit. Në të gjitha anekdotat e tij, Hoxhë Nastradini shfaqet jo si një qenie abstrakte, por me një formë që ka lidhje me një ngjarje të jetuar, me një faktor. Reagimin ose miratimin, që ndjen ndaj një ngjarjeje, ai e shpreh me njërën nga llojet e humorit që përdor. Ngjarjet ku ai është dëshmitar në përgjithësi janë ngjarje që kanë ndodhur në popull. Nastradini nëpër pallate mbretërore apo saraje ose futet rrallë, ose nuk hyn fare. Për shembull nuk ekzistojnë anekdota në lidhje me sulltanët selxhukas, me të cilët thuhet se është takuar. Kurse ato me Timurin, i cili ka jetuar pas tij, duhet të jenë sajuar më vonë. Një tjetër veçori që zë vend në anekdotat e Hoxhë Nastradini, që reflekton ndjenjat e popullit në karakterin e tij, është edhe vendi që zë gomari. Nastradini nuk mund të mendohet pa gomarin. Gomari, që është transportuesi i tij, në të vërtetë është elementi i satirës dhe ironisë. Ndërsa kali tek populli i Anadollit nuk është përdorur pothuajse fare si element humori. Gomari është simboli më i përhapur i qenies që duron dhimbjen, vështirësitë, dajakun, urinë. Ndërkohë që kali zë një vend të gjerë nëpër anekdotat e sajuara nëpër saraje, gomari nuk përmendet. Ndikimi i Nastradinit ka qenë i përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ai është bërë burim frymëzimi për daljen në skenë e mjeshtërve të humorit si “Inxhili Çavuş”, “Mustafa Pijaneci” apo “Bektashiu”.

Nastradini ka jetuar në kohën e selxhukëve të Anadollit. Kjo është një nga periudhat më të trazuara të Anadollit, kur populli është varfëruar më shumë për shkak të dyndjeve mongole, dobësisë së shtetit dhe grindjeve për të marrë fronin. Hoxhë Nastradini ka qenë një simbol i fuqisë krijuese dhe konceptit për humor të popullit, që ndodhej brenda një situate të vështirë si në këtë periudhë, ashtu edhe në shekujt e mëvonshëm të mbushur me kriza. Numri i anekdotave të Nastradinit, që kanë mbërritur deri në ditët tona, është mjaft i madh, por në të vërtetë ato duhen pranuar si një produkt anonim i popullit. Nga këto anekdota kuptohet që karakteri i Hoxhë Nastradinit është trajtuar vazhdimisht dhe është bashkuar madje edhe me personazhe që kanë jetuar pas vdekjes së tij.

Shembulli më i bukur i kësaj janë anekdotat, që flasin për Hoxhë Nastradinin dhe Timurin, i cili e ka pushtuar Anadollin në fillim të shekullit të 15-të. Vetëm se po të krahasojmë shkrimet e vjetra ku janë përmbledhur anekdotat e Nastradinit me librat e anekdotave të tij, që janë botuar në ditët e sotme, vihet re se shumë anekdota janë krijuar me kalimin e kohës.

Vepra më e vjetër, që flet për karakterin e pasur me humor të Hoxhë Nastradinit, është libri me titull “Saltukname” i Ebul-Hajr Rumiut. Dhe nga kjo vepër kuptojmë që karakteri me humor i Nastradinit është shfaqur qartë në shekullin e 15-të. Anekdotat e Hoxhë Nastradinit janë mbledhur në gazetat “Letaif”, që në atë kohë janë botuar me shkrim dore. Më e vjetra prej tyre është “Haza Hikayet-i Kitab-ı Nasreddin”, që është shkruar në vitin 1571. Kurse libri më i vjetër i botuar me anekdotat e Nastradinit është “Letaif”, i shtypur në vitin 1837. Punimi më i gjerë dhe më i vjetër, që është bërë mbi karakterin dhe anekdotat e Hoxhë Nastradinit, është një libër me dy vëllime i Alber Veselskit me titull “Der Hodscha Nastreddin”, i botuar në vitin 1911. Më vonë për Nastradinin kanë botuar libra shumë studiues dhe autorë turq e të huaj.

Ai është një simbol i diturisë, që kapërcen kufijtë dhe vendet.

(trt)

 

You must be logged in to post a comment Login