Hoxhallarët që u vranë pse thanë të vërtetën

Roald A. Hysa

Një pjesë e madhe e historisë sonë u fsheh nga historiografia komuniste dhe persekutimi e vrasjet e hoxhallarëve të mirënjohur është pikërisht një pjesë e rëndësishme për të cilën nuk flitet apo flitet shumë pak edhe sot. Me gjithë bujën me të cilën u festua 100 vjetori i Pavarësisë, asnjë nga figurat e Komunitetit Mysliman nuk u dekorua apo të përkujtohej. Regjimi komunist nuk i toleronte fetë, për shkak se i konsideronte si ideologji alternative e konkurruese për politikat dhe ideologjinë marksiste leniniste. Ai i luftoi me të gjitha mënyrat e mundshme dy fetë kryesore në Shqipëri, Krishterimin dhe Islamin. Të gjithë fetarët i konsideroi si armiq potencialë dhe për këtë i përndoqi vazhdimisht. Fillimisht fetarët u sulmuan dhe u luftuan në fillim të marrjes së pushtetit nga ana e Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste si bashkëpunëtorë të okupatorit nazi-fashist apo edhe të regjimit zogollian. Kjo u bë për të minimizuar fillimisht rezistencën anti-komuniste e më pas për të shkuar drejt zhdukjes së saj. Pa dyshim që nga këto lloj politikash, e sidomos prej urrejtjes klasore, kanë vuajtur qysh në momentet e para edhe shumë hoxhallarë, figura të mirënjohura lokale apo edhe në rang kombëtar. Madje, para se të merrnin në dorë pushtetin, komunistët i luftuan dhe i vranë pa mëshirë, thjesht pse ata ishin kundërshtarë dhe flisnin e bënin propagandë kundër komunistëve dhe lidhjeve të tyre shpirtërore me marksist-leninistët serbo-sllavë e sovjetikë. Për ta ilustruar më qartë këtu po japim dy raste, të hoxhë Selim Brahjes, i njohur në popull si Hoxha i Saukut, dhe të imamit nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, Seit Idriz Shehu. Të dy këta janë vrarë përpara se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore dhe pushtetin ta merrnin komunistët. Hoxhë Selimi u vra në gusht të vitit 1943 mu në hyrje të xhamisë së Saukut, ku ai shërbente në ditët e para të muajit të Ramazanit. Shkaku për vrasjen e tij ishte pse nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët dhe të shërbente politikisht për ta, kur anëtarë të njësitit të Pezës i kishin kërkuar që ai të kalonte me ta. Ndërsa hoxhë Seiti iu thoshte fshatarëve nëpër biseda të lira, se komunistët do t’ua marrin tokën e do t’ua marrin të gjitha pronat, ashtu si kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik, dhe do të vuanin për bukën e gojës më pas. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “agjitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar nga një gjykatë partizane e Brigadës V me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist fillon zyrtarisht përndjekja edhe e hoxhallarëve kundërshtarë, ku arrestohen e burgosen të gjithë ata që kishin shërbyer në rangjet e larta të Komunitetit Mysliman, si hafiz Sherif Langu, kryetar i KMSH-së, hafiz Ismet Dibra, drejtor i Medresesë së Tiranës, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, si dhe shumë hoxhallarë të tjerë. Po ashtu arrestohen shumë myftinj si hafiz Mustafa Varoshi, i cili vdes në burg nga torturat e rënda që i bënin oficerët e Sigurimit, hafiz Xhemal Naipi, ish-kryetar i parlamentit shqiptar, i cili do të vdiste në qelitë e burgjeve komuniste dhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku e ka varrin. Në vijim do të gjeni një listë me hoxhallarët e vrarë apo të pushkatuar nga regjimi komunist dhe që vdiqën burgjeve nga torturat e ndryshme. Kjo listë për momentin është e përkohshme, sepse mendojmë se ende nuk kanë dalë nga arkivat shumë fakte që u mbajtën të fshehta nga regjimi komunist për arsye të ndryshme.

Listë me hoxhallarë të vrarë nga komunistët

  1. Hoxhë Selim Brahja – i njohur si Hoxha i Saukut, vrarë në gusht 1943 nga njësiti i Çetës së Pezës.
  2. Imam Seit Idriz Shehu nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, mbaron studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “agjitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar nga një gjykatë partizane e Brigadës V me komandant Shefqet Peçin më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.
  3. Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit, i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore më 1948.
  4. Imam Liman Shabani – vdekur në burg më 1945.
  5. Imam Met Troci – dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi me 30 vjet burgim. Vdiq në burg më 20 maj 1947 në rrethana të panjohura.
  6. Imam Ahmet Hysejni – dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg më 1945 në rrethana të panjohura.
  7. Hafiz Xhemal Naipi – i burgosur më 1947. Vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur dijeni familjarët as për varrin e tij.
  8. Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 persona të tjerë më 3 shkurt 1953 dhe vdiq në hetuesi po atë vit nga torturat çnjerëzore në burgun e madh të Shkodrës.
  9. Shyqyri Hoxha (Myftiu)- ish-myfti i Peqinit, pushkatuar më 1946 me akuzën si “armik i popullit”.
  10. Salih Vuçiterna– ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit në tetor të vitit 1949.
  11. Qazim Rroji (1915-1946) myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq më 10 shtator 1946. Ende sot nuk i dihet varri.
  12. Imam Halil Hoxha (1881-1946) me origjinë nga Bytyçi i Tropojës, dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve, së bashku me të dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha me 5 vite burgim dhe dy bashkëfshatarë të tij Demush e Shaban Qerimi me vdekje, për shkak se e strehuan atë. Vendimi për pushkatim i të treve ka marrë edhe miratimin e Enver Hoxhës.

/Revista “Drita Islame” – Shkurt 2017/

You must be logged in to post a comment Login