Hixhreti Profetik, ngadhënjimi i dritës mbi errësirën

hixhreti profetik

Në fillim të çdo hëne të re të muajit Muharrem, jetojmë me përkujtimin e Hixhretit Profetik. Në brendësinë e qenies sonë ngjallet ndjenja e sakrificës dhe idealeve më të larta, shfaqet besimi i pastër, shkreptijnë rrezet e përpjekjeve dhe kumbon fuqishëm zëri i arsyes dhe i së vërtetës.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Në mos e ndihmofshit atë (Profetin), atë e ka ndihmuar Allahu; kur ata që nuk besuan e nxorën atë vetë të dytin…” (Teube, 40)

Nga mundimet dhe persekutimet e mëdha që përjetonin myslimanët prej idhujtarëve, u detyruan që fshehtas grupe-grupe ta linin Mekën dhe t’i drejtoheshin Medinës, për të gjetur shpëtim, prehje dhe qetësi, ku do të mundnin lirisht t’i shprehnin ndjenjat e tyre fetare. Mirëpo jobesimtarët i shqetësonte përhapja e dritës. Mundoheshin me çdo mjet e metodë ta shuanin atë. Planet dhe orvajtjet e tyre Profetit ia zbuloi Krijuesi i Gjithësisë, i Cili në Kur’an thotë: “Përkujto (o Muhamed) kur ata që nuk besuan thurnin (komplote) kundër teje, të të ngujojnë, të të mbysin ose të dëbojnë, ata bënin plane, e Allahu i asgjësonte (ato plane e kurthe), se Allahu është asgjësuesi më i mirë (i dredhive-intrigave).” (Enfal, 30)

Kështu, Profeti së bashku me shokun e tij Ebu Bekrin largohen nga Meka. I frikësuar për jetën e Profetit a.s., Ebu Bekri do t’i thoshte: “O i Dërguar, nëse të ndodh gjë ty, Islami do të fshihet nga faqja e dheut”. Mirëpo si çdo herë, fjalët e Profetit do të ishin si balsam dhe do ta qetësonin Ebu Bekrin: “O Ebu Bekër, çfarë mendon për dy vetë, i treti i të cilëve është Allahu?! Prandaj mos u dëshpëro dhe mos u frikëso, se Allahu është me ne, Ai na mbron dhe përkujdeset për ne”.

Në të vërtetë ndihma dhe përkrahja e Krijuesit të Gjithësisë, e cila asnjëherë nuk u ka munguar robërve të Tij të devotshëm, nuk mungoi edhe kësaj radhe. Në Kur’an lexojmë: “…e kur ata të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të tij: mos u pikëllo (dëshpëro), Allahu është me ne! E Allahu zbriti qetësi (prehje) në shpirtin e atij, e furnizoi me një ushtri që ju nuk e patë….” (Teube, 40)

E më në fund, do të shndrisë dielli i Tij shkëlqyes e plot dritë me tërë atë bukuri magjepsëse.

Në Kur’an thuhet: “E fjalën e atyre që nuk besuan, (Allahu) e bëri më të ulëtën, kurse fjala e Allahut është më e larta, sepse vetëm Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”(Teube, 40)

Fjalët e Allahut janë më të lartat, sepse janë të shenjta; janë burim i pashtershëm i së vërtetës, i dritës dhe i udhëzimit; janë baza e moralit të përkryer, ashtu siç janë ideal i përhershëm i rrugës së shpëtimit dhe i fatbardhësisë njerëzore deri në amshim. Kurse fjalët e jobesimtarëve janë të ulëta, të pavërteta, të errëta dhe pa vlerë. Ato çojnë në humbje e shkatërrim, në zhdukje e degradim. Fjala dhe Drita e Allahut do të plotësohen dhe përhapen pa marrë parasysh mërinë dhe urrejtjen e idhujtarisë.

Hixhret do të thotë: largim, shpërngulje, kalim, braktisje dhe ndarje nga diçka. Shpërngulja e bekuar e Muhamedit a.s. nga Meka për në Medine, me urdhër të Allahut të Madhëruar, ishte shpërngulje me qëllim kthimi, sepse i dërguari i Zotit, duke dalë nga Meka, me lot në sy do të thoshte: “Mekë, o vendlindja ime e shtrenjtë, kurrë nuk do të kisha lënë po të mos më detyronin për diçka të tillë”. Ai kurrë nuk do ta harronte Mekën, derisa e çliroi njëherë e përgjithmonë nga prangat e idhujtarisë, tetë vite pas hixhretit.

Kjo u bë e mundur, sepse hixhreti i Muhamedit a.s. dhe i myslimanëve të tjerë, nuk ishte shpërngulje e “bijve dhe e shpirtrave të trazuar” nga frika për jetën e tyre, siç mund të përpiqet ta përshkruajë dikush. Hixhreti nuk ishte as ikje e as humbje e së vërtetës para urrejtjes hakmarrëse të jobesimtarëve, por ishte vendosmëri e paluhatshme dhe fillim i një rreshtimi të ri për thyerjen përfundimtare dhe ngushtimin e veprimit të jobesimtarëve; ishte rrugë e përhapjes dhe shtrirjes së dritës së besimit, dritë të cilën e kishin penguar idhujtarët plot trembëdhjetë vite, me qëllim që ta zhduknin nga faqja e dheut.

Po qe se hixhreti do të ishte ikje nga frika, besimtarëve nuk do t’u arrinte ndihma dhe përkrahja e Allahut Fuqiplotë, sepse Ai nuk i ndihmon e as nuk i lartëson frikacakët dhe të pavendosurit. Allahu dëshiron që besimtarët të jenë të fortë e të vendosur në besimin dhe durimin e tyre.

Hixhreti ishte një planifikim i urtë dhe largpamës, ishte fillimi i një beteje ndërmjet dritës dhe errësirës, ishte shpërngulje e njerëzve drejt lirisë, fisnikërisë dhe dinjitetit, ngritje në çiltërsinë dhe dëlirësinë shpirtërore dhe shpëtim i ndërgjegjeve të pastra.

Hixhreti, në shikim të parë, ishte kalim nga një vend në një vend tjetër, kurse në esencë shpërngulje nga dobësia në fuqi dhe nga pesimizmi në shpresë, për një të ardhme më të paqtë e më të shndritshme të Islamit.

Për këtë arsye Allahu i Madhëruar ia lejoi hixhretin të dërguarit të Tij. Rezultati nuk vonoi. Puna e parë e Muhamedit a.s. pas arritjes në Medine, ishte vëllazërimi i myslimanëve – ensarëve (banorëve) të Medines dhe muhaxhirëve (të shpërngulurve) të Mekës, që u pasua nga ndërtimi i xhamisë, e cila do të ishte fanar ndriçues nga ku do të shërthenin rrezet e dritës së udhëzimit të vërtetë. Në Kur’an thuhet: “Vërtet, Allahu do t’i ndihmojë atij që ndihmon (në) rrugën e Tij, se Allahu është Fuqiplotë dhe i Plotfuqishëm”. (Haxh, 40)

Përkujtimi i hixhretit në fillim të çdo viti, na bën më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e përpjekjes në rrugën e Allahut, në rrugën e thirrjes në Islam, në rrugën e paqes dhe tolerancës, dashurisë dhe respektit të thellë ndaj çdo njeriu; na përkujton gjithmonë fitoren e lavdishme të Dritës ndaj errësirës, triumfin e besimit ndaj të kotës dhe të keqes. Për këtë Allahu i Plotfuqishëm thotë në Kur’anin Fisnik: “Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të qartë e fe të vërtetë, për të mbizotëruar mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë”. (Saf, 9)

Besimtarët e sinqertë duhet ta jetojnë hixhretin, duke ruajtur me kujdesin më të madh mesazhin e tij, duke bërë hixhret të vazhdueshëm (largim-shpërngulje) nga e keqja në të mirë, nga e pavërteta në të vërtetë, nga veprat e shëmtuara në ato të lavdëruara, nga koprracia në bujari, nga ngushtësia në zemërgjerësi, nga tradhtia në besnikëri, nga dyfytyrësia në sinqeritet dhe çiltërsi shpirtërore dhe nga robëria e mohimit në lirinë e besimit.

/Drita Islame – Tetor 2015/

You must be logged in to post a comment Login