Hixhreti, data e ngadhënjimit të Islamit

hixhretinga Vexhi I. Buharaja

Hixhret…! Me të përmendur këtë fjalë, përnjëherë na kujtohet revolucioni i çuditshëm shoqëror që plasi këtu e katërmbëdhjetë shekuj më parë m’u në zemrën e shkretëtirës arabe, revolucion ky që duke dalë çuditërisht nga thellësia e rërës së Hixhazit, në formë të një flake, shpërndau shkëndijat e tij në të katër anët e dheut. Një botë e gjithë ndoqi me habi këtë fenomen të mbinatyrshëm dhe nuk vonoi të hynte në vallen e këtij revolucioni aq të rreptë sa edhe përkëdhelës…Një botë e tërë priti e qetë përfundimin e pikëpamjeve të shumëllojshme që frymëzonin këtë ngjarje të paprovuar ndonjëherë në evolucionin e ideve dhe të sistemeve shoqërore. Dhe ja ku u hodh pa dashur në prehërin e tij… u gjend përgjithmonë në krahët e tij ledhatarë.

Ajo që duhet të theksojmë është se ky revolucion i pazbërthyer për shumë mendje, nuk kufizohet vetëm në një pikëpamje të jetës, përkundrazi hyn në labirinthin e problemeve fetare, shoqërore, politike dhe kulturore. Ai që i dha shpirt këtij revolucioni ishte Muhamedi a.s.

Profeti e zbuloi të vërtetën në një natë të ëmbël, në mes të ajrit të lehtë të Hirasë dhe në mes të rrezeve të Hënës që varen si shtizë për të thurur kurorën e lavdisë së tij… Profeti dëgjoi zërin e së vërtetës, atë zë që pat dëgjuar dikur, edhe Ibrahimi, Musai dhe Isai (paqja e Zotit qoftë mbi ta!), dhe këtë deshi t’ia përçojë botës mbarë. Por fjala e tij gjeti pak veshë në fillim, u kufizua, pasi një botë e tërë pa tek ai një njeri të rrezikshëm që kërkonte të luftonte traditat dhe zakonet që, sipas mendjes së tyre, ishin të paluajtshme si ligjet e natyrës.

Jemi në ditët e para të Islamit, në periudhën mekase, periudhë plot vuajtje, sakrifica, mundime dhe mjerime. Zemra e Profetit fryhet përditë për të shpërthyer më vonë si vullkan. Të paktë janë shokët e tij… sa mund të numërohen me gishtërinjtë e dorës, por të gjithë rrojnë me shpirtin e fjalës së Allahut dhe të profetit të Tij. Të gjithë i kanë hedhur sytë te buzët e Muhamedit duke e ditur se ajo buzë nuk gënjen… pasi është ajo vetë që pak më parë përshpëriti këtë verset: ‘’Profeti nuk flet nga dëshira e tij. Ajo që ai flet është vahj (revelatë) që i shpallet atij’’.

Dhe ja me të vërtetë një ditë të dy buzët e Profetit luajtën… Shpirti i tij lëshoi në qiellin e Mekës një rreze: Hixhret… emigrim… shpërngulje. Kjo qe fjala e tij dhe besnikët e dëgjuan. Do ta linin medoemos vendlindjen e tyre aq të dashur. Fjala e profetit nuk është një fantazi e tepruar… Muhamedi thotë atë që e dëgjon nga thellësia e shpirtit të tij.

Prandaj filluan një nga një të linin Mekën për të hyrë në Medine, duke lënë pas në Mekë vetëm Profetin dhe dy shokët e tij: Ebu Bekrin dhe Aliun, luanin e Allahut. Po edhe këta do të niseshin.

Kështu në një mëngjes të bukur, ashtu siç janë mëngjeset e shkretëtirës, profeti i Zotit bashkë me shokun e tij të sinqertë, Ebu Bekrin i la për një kohë lamtumirën Mekës. Dy pika lot derdh profeti i Islamit: loti i parë është lot gëzimi që shënon triumfin e Fjalës së Vërtetë… Këtë e ndjen qysh tani… Loti i dytë është ai që rrjedh nga syri i çdo krijese që hyn në përkufizimin e logjikës, dua të them është loti që duhet të derdhë ai që është bir njeriu. Është loti që shfaq një shpirt i stërmunduar që po ndahet nga vendi i lindjes së tij. Është loti që vadit kujtimet djaloshare të ditëve të një të riu që sakrifikoi zemrën e Hatixhes. Muhamedi a.s. derdh dy pika lot dhe vë këmbën e bekuar në rërën e dezertit…

I duhet të udhëtojnë me ditë nën diellin e nxehtë që të rrjep zhapën e kokës. Kur largohen nga Meka e ndjejnë veten se janë të lodhur… Prandaj hyjnë në shpellën e Theurit… Dy shpella qëndrojnë në frontin e Historisë së Islamit: Shpella e Hirasë dhe ajo e Theurit. Në heshtjen e Hirasë u dëgjua fjala e Allahut… Në Theur u bënë planet për triumfin e kësaj fjale…Në Hira rrahu zemra… Në Theur vetëtiti mendja… Në të parën punoi shpirti i gjerë i Profetit dhe në dytën punoi mendja, gjykimi…

Që të dy rrinë për tri ditë në Theur… heshtje dhe asgjë tjetër… Profeti rrallë… por një fjalë e tij del nga shpirti dhe përhapet rrathë-rrathë në kozmosin e pafund… Dy vija lotësh që bien në fytyrën e Ebu Bekrit tregojnë se diçka nga jashtë kërkon të hyjë në shpellën e misterit… Dëgjohen patkonj kuajsh që shkelin shkëmbinj… Rrënqethje shpirti i shtohen Sidikut, se jeta e Resulit të Zotit është në rrezik… Do ngushëlluar tashti Sidiku… (La tahzen inall-llahe meana – Mos u mërzit se Allahu është me ne) qe ngushëllimi që i bëri Profeti shokut të tij.

Në një pasdreke të nxehtë, profeti i Zotit bashkë me besnikun e tij, hyjnë në Medine, e cila këtej e tutje do të quhet Medinetun-Nebi (Qyteti i Profetit).

Hixhreti ishte mbaruar…

Me hixhretin fillon data e ngadhënjimit të Islamit. Me hixhretin merr fund një histori e vjetër, mbushur me konceptet metafizike që prodhoi filozofia e një Platoni. Filozofi e shkruar nën hijen e Shpellës së Jetës; merr fund kjo histori për t’i lëshuar vendin një Historie të re me një Filozofi të shkruar nën rrezet e së Vërtetës. Mbaron një epokë dhe nis një tjetër. Në të parën sundon zoti i mpirë e i pavullnetshëm i Aristotelit që është ndarë fare nga punët e njerëzve, kurse në të dytën sundon Allahu, që është më afër njeriut se damari i qafës… sundon “Inteligjenca Supreme”, një shkëndijë e së cilës është edhe mendja jonë. Filozofia që do të ndjekë hixhretin do të hyjë thellë në detajet e përditshme të jetës së muslimanit, sepse Filozofia e një jete të lumtur… është filozofia që del nga zemra. Ky sistem filozofik do të përqafohet nga bota pasi vetëm me anë të saj njeriu mundi të kuptojë se ç’është kjo pafundësi; kështu ajo përmban në gji të saj ligje dhe sisteme të shumëllojshëm dhe se çfarë qëndrimi duhet të marrë njeriu përpara një Fuqie që ka shtrirë Mbretërinë e saj jashtë rrethit të kohës e të vendit (espace-mekan) që qarkon filozofinë e Bacon-it. Edhe filozofët që do të udhëtojnë në këtë epokë të re do të jenë më modestë se të parët… këta do të ngulmojnë se me një vështrim të vetëm që i drejtohet Gjithësisë nuk mund të zbulohet misteri… mund të vërehen disa shfaqje të tij, por kurrë misteri në vetvete…

Revolucioni i pashembullt, që nisi me hixhretin, mbajti në dorë dy ura: atë të shpirtit dhe atë të mendjes. Dhe trokiti në çdo derë. Ky revolucion tronditi nga themelet, monumentin e shoqërisë që ishte ngritur me sistemet brutale të asaj kohe dhe nxori nga gjiri i tij një rend shoqëror të ri: sistemin shoqëror islam sipas të cilit do të veprojnë besnikët. Bota e pranoi këtë institucion të ri fetaro-shoqëror, pasi vetëm me anë të tij njeriu kuptoi ç’ishte ai si individ, ç’ishte shoqëria dhe ç’ishin marrëdhëniet e individit me shoqërinë. Një kritik i paanshëm që do të ndiqte hovin e paprerë të “Fjalës së Allahut”, nëpër të gjitha fazat e shkëlqimit islam, do të gjendej përpara një çudie kur do të zbulonte se parimet e shkencës shoqërore janë vënë 13 shekuj përpara Auguste Comte-it e janë zbatuar në jetën e përditshme të muslimanëve.

Me hixhretin zë fill një botëkuptim i ri, një jetë e kulluar apo një histori e re e zhvillimit politik në të cilën do të sundojë skllavi, një histori tërësisht njerëzore, nëpër shfaqjet e së cilës do të rrahin me fuqi ndjenjat e vëllazërimit, të barazisë e të lirisë.

“Kultura Islame”, Mars 1941

 

You must be logged in to post a comment Login