Historiku i Kudsit (Jerusalemit)

Sipas të dhënave të sakta historike, Jerusalemi është formuar rreth vitit 1800 para erës së re nga ana e Jebusitëve që përfaqësonin nëngrupin e Kananitëve. I pari që e ka ndërtuar qytetin ka qenë sundimtari i fuqishëm kananit që quhej Melchizedek (‘mbret i drejtë’). Ai e quajti vendin Jerusalim. Ky vend më herët quhej ‘Salem’, që do të thotë “i plotë” apo “pa defekt”. Kështu Jerusalem do të thotë “qytet i përsosur” apo “qyteti i atij që është i përsosur, qyteti i paqes”, arabisht El Kuds.

Qyteti, përveç periudhës prej shekullit të 15-të deri në shekullin e 13-të para epokës sonë kur ka qenë i okupuar prej faraonëve egjiptianë, ka mbetur nën sundimin e Kanaanitëve deri në vitin 1000 para erës së re, kur u pushtua nga mbreti i çifutëve Davidi (Davudi a.s.). Davidi e shpalli Jerusalemin qytetin kryesor të mbretërisë së Judës, kurse i biri i tij Solomoni (Sulejmani a.s.) ndërtoi aty tempullin e njohur të Solomonit. Pas vdekjes së Solomonit Judeja u bë shtet vasal, kurse në vitin 587 para erës së re u zhduk plotësisht nga babilonasit. Që nga viti 587 para erës së re pushteti hebraik u ndërpre. Në vitin 70 të erës sonë, perandori romak Titus e shkatërroi qytetin e Jerusalemit dhe e dogji Tempullin. Të dy kryengritjet e hebrenjve kundër okupatorit romak, njëra në vitin 70 e tjetra në vitin 135 të erës së re, u shuan. Pas shuarjes së kryengritjes së dytë, të cilën e udhëhoqi Bar Kobhi, Orjanosi i zhduki tërësisht të gjitha shenjat e qytetit, i vrau hebrenjtë dhe në Palestinë u ndërpre ekzistenca e bashkësisë hebraike.

Palestinezët kanë vazhduar të jenë në mënyrë të pandërprerë në Jerusalem, madje edhe në kohën e sundimit të mbretërve çifut mbi ta. Popullata palestineze nuk u dëbua nga qyteti nga babilonasit dhe romakët. Më vonë, ata pranuan krishterimin, kurse me ardhjen e Islamit pjesa dërmuese e tyre pranuan Islamin. Pra, Jerusalemi ka ekzistuar si qytet arab disa shekuj para ardhjes së hebrenjve në Palestinë, dhe ka vazhduar si i tillë edhe pas rënies së mbretërisë së Judesë, për më shumë se 19 shekuj.

Në vitin 638 të epokës së re, Jerusalemi është marrë nga kalifi i dytë, Omeri (r.a.). Jerusalemi ka qenë pjesë e shtetit islamik, me përjashtim të 88 vjetëve kur u pushtua nga kryqtarët (1099-1187), deri në 9 dhjetor të vitit 1917 kur u pushtua nga forcat britanike. Gjatë luftës së parë arabo-izraelite (1948), Izraeli pushtoi pjesën e re të Jerusalemit, kurse Jordania pjesën e vjetër të tij. Kështu Jerusalemi vazhdoi të jetë i ndarë deri në vitin 1967, kur forcat izraelite e pushtuan gjithë qytetin.

Mirëpo, për shkak të migrimit të çifutëve përbërja e tij etnike filloi të ndryshojë. Jerusalemi me kalimin e kohës filloi të zgjerohet edhe jashtë mureve të tij. U ndërtuan lagje të reja nga ana e arabëve dhe e hebrenjve. Si rezultat i kësaj u formuan dy emra për qytetin, qyteti i vjetër: pjesa e rrethuar e Jerusalemit dhe qyteti i ri: lagjet arabe dhe hebraike të ndërtuara jashtë mureve të tij, që u pushtuan nga Izraeli më 1948.

Rreth tre të katërtat e tokës dhe të ndërtesave të Jerusalemit Perëndimor kanë qenë pronë e arabëve palestinezë, të cilët kanë përfaqësuar pjesën më të madhe të banorëve të tij deri në vitin 1948, kur u detyruan ta braktisnin qytetin në mënyrë masive.

Prandaj sipas arabëve dhe shumë studiuesve, agresioni izraelit ndaj Jerusalemit, si ndaj pjesës së re ashtu edhe ndaj pjesës së vjetër, paraqet uzurpim të territorit të tij, gjë që është e kundërligjshme dhe nuk paraqet kurrfarë baze për fitimin e sovranitetit hebraik mbi qytetin. Kjo ngase sipas të Drejtës Ndërkombëtare pushtimi i një territori ushtarakisht nuk paraqet bazë për përvetësimin e tij. Prandaj në disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara, që kanë trajtuar çështjen e konfliktit arabo-izraelit dhe të agresionit izraelit mbi Jerusalemin është proklamuar “mospranimi i fitimit të territoreve përmes luftës ose pushtimeve me luftë”.

Izraeli u formua sipas një vendimi të OKB-së që caktoi kufijtë e tij, të drejtat dhe obligimet e tij ndërkombëtare. Me rastin e paraqitjes së kërkesës për pranim në Kombet e Bashkuara, Izraeli mori përsipër se do t’i respektonte rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Sigurimit të OKB, veçanërisht rezolutën 181 të vitit 1947, rezolutën 194 të vitit 1948, me të cilat u vërtetua parimi i statusit internacional të Jerusalemit.

Edhe Rezoluta 303 që është aprovuar pas pranimit të Izraelit në OKB vërteton statusin internacional të Jerusalemit.

SHBA nuk janë shprehur për ndonjë qëndrim të caktuar rreth Jerusalemit dhe janë angazhuar që statusi përfundimtar i Jerusalemit duhet të përcaktohet përmes bisedimeve. Ato nuk e kanë njohur bashkëngjitjen e Jerusalemit (Kudsit) Lindor Izraelit. Sipas SHBA-së duhet që palestinezëve të Jerusalemit Lindor t’u mundësohet të marrin pjesë në bisedimet rreth statusit përfundimtar. SHBA ka mbështetur të drejtën e palestinezëve për parashtrimin e çdo çështjeje, duke përfshirë këtu edhe çështjen e Jerusalemit Lindor në tryezën e veçantë të bisedimeve.

Qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe qeveria britanike, e cila pas aneksimit të Jerusalemit nga ana e Izraelit më 27 nëntor 1967 ka deklaruar se “përderisa në vitin 1949 kishte pranuar de facto pushtetin e Izraelit dhe të Jordanisë në pjesën e vjetër dhe të re të Jerusalemit, de jure nuk e kishte pranuar sovranitetin e tyre ndaj cilësdo pjesë të qytetit, që sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nr. 303 (IV) të 9 dhjetorit 1949, kishte fituar statusin internacional.” Kur më 30 korrik të vitit 1980, Kneseti Izraelit e shpalli zyrtarisht qytetin e bashkuar si Kryeqytet të përjetshëm të shtetit të Izraelit, bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu një gjë të tillë. Mu për këtë, Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar ta vendosin ambasadën e tyre në Jerusalem duke theksuar se kjo do të ishte “në kundërshtim me natyrën internacionale të Jerusalemit”.

Pas pushtimit të Jerusalemit, sionistët shkatërruan qendrën El Magaribah, përballë murit perëndimor të xhamisë “El Burak”. Ky mur, që përbëhet nga 135 vendbanime dhe 2 xhami, njihet nga çifutët si muri i vajtimit. Ata e shndërruan atë në një territor të hapur për praktikimin e ritualeve të tyre çifute. Në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të gjetur mbetjet arkeologjike të tempullit, që ata pretendojnë të jetë “tempulli i Solomonit”, çifutët kanë ndërmarrë gërmime intensive në pjesën jugore dhe perëndimore të Jerusalemit. Ata kanë ndërmarrë gërmime të shumta dhe kanë ndërtuar tunele poshtë xhamisë El Aksa, ku kanë përdorur substanca kimike për të shkatërruar shkëmbinjtë poshtë saj.

Kërkimet, nga ana e çifutëve, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Kjo e ka alarmuar popullatën palestineze dhe besimtarët myslimanë në shumë pjesë të botës. Këto veprime e kanë rrezikuar xhaminë e shenjtë me shembje, prandaj qeveria turke ka dërguar vëzhguesit e saj për të përcjellë gërmimet poshtë xhamisë El Aksa.

 Rëndësia e Jerusalemit për myslimanët, çifutët dhe të krishterët

Jerusalemi është me rëndësi për çifutët për shkak të murit të vajtimit dhe Tempullit të Solomonit, sikurse besojnë ata, si dhe për të krishterët sepse në të gjendet “varri” i Jezusit sipas bindjes së tyre. Jerusalemi është vendi i tretë për nga shenjtëria në botën islame. Ai është kibla e parë e myslimanëve dhe në të ndodhet Xhamia El Aksa. Ajo është xhamia e dytë që Ibrahimi a.s. e ndërtoi 40 vjet pas xhamisë së Qabesë.

Që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi edhe Jerusalemin Lindor, KB dhe Këshilli i Sigurimit miratuan një sërë rezolutash që nuk pranonin aneksimin izraelit të Jerusalemit Lindor dhe shfuqizuan çdo masë të ndërmarrë fizike apo administrative për të ndryshuar statusin e qytetit. Mirëpo, Izraeli, sikurse shprehet Naom Chomsky, është shteti që i ka refuzuar më së shumti rezolutat e KB. Izraeli përdor vazhdimisht një retorikë të shenjtë gjatë diskutimit për pandashmërinë e Jerusalemit. Izraeli e konsideron Jerusalemin si selinë e vet unike dhe të përhershme nën sovranitetin izraelit. Prandaj tenton me këmbëngulësi që ta largojë çështjen e Jerusalemit nga bisedimet në lidhje me zgjidhjen e problemit palestinez dhe refuzon pjesëmarrjen e banorëve të Jerusalemit në çfarëdo funksioni të administratës autonome palestineze. Ndërkaq, sipas qëndrimit palestinez, Jerusalemi është pjesë e Bregut Perëndimor, prandaj për Jerusalemin vlejnë të gjitha ato ligje që vlejnë për çdo pjesë të territoreve të pushtuara.

Vendet katolike e bindën OKB që Jerusalemi, për shkak të rëndësisë së tij fetare, të bëhet qytet ndërkombëtar, prandaj në përputhje me këtë, UNSCOP-i e ka hedhur poshtë kërkesën e sionistëve që qyteti i shenjtë të bëhet pjesë e shtetit të ardhshëm hebraik.

Shmangie nga qëndrimi zyrtar amerikan përbën deklarimi i presidentit të SHBA-së Barak Obama, i cili disa orë pas prezantimit të vetes së tij si kandidat i demokratëve për president i SHBA, gjatë bisedës së tij për politikën e jashtme amerikane, kishte thënë se e përkrahte mendimin që Jerusalemi të ishte kryeqytet i pandarë i Izraelit. Këtë qëndrim e ka kundërshtuar presidenti palestinez, Mahmud Abas i cili ka deklaruar se nuk ka shtet palestinez pa Jerusalemin. Ai ka mbrojtur të drejtën e palestinezëve që Jerusalemi Lindor, i pushtuar në vitin 1967, të jetë kryeqytet i shtetit të Palestinës.

Një Jerusalem, me histori arabe dhe me tolerancë, ku Hebraizmi, Krishterimi dhe Islami mund të jetojnë në harmoni dhe liri të plotë, do të ishte një zgjidhje ideale për këtë qytet. Në Jerusalem, që është qytet i paqes dhe që gëzon respekt nga të tria fetë, ka mbizotëruar paqja që nga çlirimi i Jerusalemit nga myslimanët. Mirëpo, Izraeli nuk dëshiron t’i pranojë faktet historike dhe pohon se ka të “drejtë të shenjtë” mbi qytetin dhe se popullsia e tanishme e tij ka prejardhje prej hebrenjve biblikë. Izraelitët, vazhdimisht, janë munduar ta mohojnë karakterin historik të Jerusalemit si qendër e tre feve botërore.

Okupimi i Jerusalemit paraqet shkelje të vendimeve të OKB-së dhe cenim të deklaratës së Balfourit, ku është thënë se: “nuk do të bëhet asgjë që mund të cenojë të drejtat civile dhe fetare të komuniteteve ekzistuese joçifute në Palestinë”. Izraeli, nëpërmjet mjeteve ushtarako-politike, e ka ndryshuar strukturën demografike të qytetit në dëm të popullatës arabe. Duke theksuar se e drejta e çifutëve për Jerusalemin është më e fuqishme sesa e myslimanëve dhe e krishterëve, lëvizja sioniste ka deklaruar se pa Jerusalemin, si qendër e hebraizmit, nuk mund të ekzistojë as Izraeli si shtet. Ish kryeministri izraelit, Ben Gurion, është shprehur: “Izraeli nuk ka kuptim pa Jerusalemin dhe vetë Jerusalemi nuk ka kuptim pa tempullin (e Solomonit)”.

  nga Ajni Sinani /Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login