Haxhinjtë nga Shqipëria, miq në Shtëpinë e Zotit

308 haxhinj shqiptarë ndodhen prej katër ditësh në qytetin e shenjtë të Mekës, në shoqërinë e miliona besimtarëve myslimanë nga mbarë bota për të kryer ritualin vjetor të Haxhit.

 Haxhinjtë shqiptarë janë akomoduar në hotelin “Menazil Al Ain” ne lagjen Azizije të Mekës. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë. Në çdo moment ata kanë pranë kujdesin e dy mjekëve specialistë dhe të stafit të shërbimit. Të bën përshtypje se edhe pse kanë një kohë fare të shkurtër haxhinjtë shqiptarë janë familjarizuar me Mekën e Bekuar. Haxhinjtë kryejnë vizitat në Qabe, sipas një programi rigoroz, të shoqëruar me teologë udhërrëfyes. Ata po përjetojnë ndjesi dhe emocione të jashtëzakonshme, në namazet e falura në Qabe.

 Nga teologët e pranishëm çdo ditë janë mbajtur biseda të frytshme për haxhinjtë. Në to është folur për rëndësinë, vlerat dhe dobitë e shumta të Haxhit, adhurim gjatë kohës së të cilit bashkohen thuajse të gjitha shtyllat e Islamit.

 Ndërkaq, nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu është kontaktuar nga ambasadori i Shqipërisë në Riad, z. Admirim Banaj, i cili përmes tij ka uruar dhe përshëndetur haxhinjtë e ardhur nga Shqipëria, si dhe ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e tij në ndihmë të tyre gjatë kohës së qëndrimit në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

 Bashkë me haxhinjtë nga Shqipëria këtë vit në Arabinë Saudite kanë ardhur për të kryer detyrën e Haxhit edhe 859 besimtarë nga Kosova. Ata shoqërohen nga Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava. /Mekë-nga Haxhi Lika/

You must be logged in to post a comment Login