Haxhi Ymer Prizreni (1826-1887)

ymer-prizreniMyderriz, Myfti, Udhëheqës i qeverisë së Lidhjes së Prizrenit

Ymer Prizreni, i njohur si Ymer Drini ose Haxhi Ymer Efendiu, lindi në vitin 1826 në një fshat të Prizrenit. Ai është një personalitet me njohuri të thella fetare, letrare, pedagogjike, filozofike, politike. Ai ka qenë hoxhë, imam, myderriz, profesor, myfti, etj. Haxhi Ymeri ka qenë gjithashtu përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Kuvendin Osman në Stamboll, udhëheqësi ideor e drejtuesi kryesor i Lidhjes së Prizrenit (1878-1881).

Mësimet fillestare i kreu në Prizren, ku i mbaroi edhe ato të mesme në Medresenë “Mehmed Pasha”. Mësimet e larta i kreu në Stamboll, ku studioi drejtësinë, teologjinë dhe filozofinë. Pas studimeve në Stamboll, Haxhi Ymer Prizreni u kthye në Prizren, ku shërbeu si Myderriz në Medresenë “Mehmed Pasha”, Imam në Xhaminë “Bajrakli” dhe Myfti i Prizrenit. Në vitin 1877 zgjidhet përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Mexhlisin (Kuvendin-Parlamentin) Osman, në Stamboll dhe prej kësaj kohe do të quhej me mbiemrin Prizreni.

Haxhi Ymer Prizreni, pjekurinë, madhështinë e tij e dëshmoi kur përfaqësuesit e popullit arriti t’i bashkojë në Xhaminë ”Bajrakli”, në Prizren. Ai ka qenë udhëheqësi ideor e drejtuesi kryesor i Lidhjes së Prizrenit.

Lidhja e Prizrenit (1878-1881) është një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar. Rëndësia e madhe historike e Lidhjes së Prizrenit shtrihet jo vetëm në të gjitha trojet shqiptare, por edhe në Ballkan, madje edhe në tërë Evropën. Ishte jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ajo e cila e zgjoi, e zhvilloi dhe e përparoi vetëdijen kombëtare shqiptare. Ajo me përpjekje të mëdha e ngriti këtë veprimtari në shkallën më të lartë, ku me në krye Haxhi Ymerin, e çoi, e ngriti për herë të parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Trajtimi i drejtë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i udhëheqësit të saj, Haxhi Ymer Prizreni, që ishte mendja dhe zemra e kësaj Besëlidhje, përmban njohjen e kushteve dhe marrëdhënieve politike, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe në veçanti atë fetare.

Me fillimin e luftës ruso-osmane (1877-1878), Ymer Prizreni u ngrit së bashku me patriotë të tjerë shqiptarë për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe për të kërkuar të drejtat e saj kombëtare. Organizoi komisionin e vetëmbrojtjes për sanxhakun e Prizrenit, i cili, ashtu si dhe komisionet e tjera që u formuan në Kosovë, mori përsipër të kundërshtonte synimet aneksioniste të Serbisë dhe të sistemonte emigrantët e shumtë që u dëbuan nga ushtria serbe.

Më 1877 u zgjodh deputet në parlamentin e dytë osman. Po atë vit hyri dhe në Komitetin Qendror të Stambollit, që u formua nën kryesinë e Abdyl Frashërit, me të cilin u lidh deri në fund. Në pranverë të vitit 1878 kryesoi komisionin që organizoi në Prizren mbledhjen e Kuvendit të Përgjithshëm, i cili themeloi Lidhjen Shqiptare. Kuvendi e zgjodhi Ymer Prizrenin anëtar të Këshillit të Përgjithshëm. Në tetor 1879 u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare, kurse në janar të vitit 1881, kryetar i qeverisë së përkohshme autonome. Si kryetar i saj drejtoi veprimtarinë politike, që çoi në vendosjen e administratës shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe në organizimin e qëndresës në pranverë të vitit 1881. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni u vendos në Ulqin dhe nuk pranoi të kthehej, megjithëse iu premtua falje e ofiqe të larta.

Më pas, Ymer Efendiun e shohim të shpërngulet në qytetin e Prizrenit, në kujdesje të familjes së vet, e cila gëzonte një popullaritet të madh në ato vite. Megjithëse zotëronte katër gjuhë, kulturë të përgjithshme të mjaftueshme, ai nuk mundi të ulej as në ndonjë zyrë të Portës së Lartë në Prizren, se disa herë, haptazi i ishte kundërvënë, vendimeve të ardhura nga Stambolli.

Në pranverën e vitit 1878, menjëherë pas themelimit të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” Ymer Prizreni mori kontakte me udhëheqës të këtij komiteti siç ishin Zija Prishtina dhe Abdyl Frashëri. Idetë dhe vendimet e këtij komiteti, biri i Prizrenit, u përpiq t’i përcillte tashmë në krejt viset e Kosovës, duke parë se ky komitet, i themeluar në Stamboll, menjëherë do të shpërngulej për në Shqipëri. Ymer Prizreni mori takime edhe me kapedanët e shquar të asaj kohe në viset veriore shqiptare siç ishin: Ali Ibra, Sef Kosharja, Ramadan Zaskoci e Sulejman Vokshi.

Në pothuaj të gjitha protestat e popullit të Prizrenit në ato kohë, në krye të emrave gjendet emri i Haxhi Ymer Efendiut. Për më tej, në maj të vitit 1878, në një protestë dërguar Portës së Lartë në emër të qytetit të Prizrenit, pos të tjerave, Haxhi Ymer Efendiu shprehej se “kërkonte respektimin e tërësisë së tokave shqiptare, bashkimin e tyre në një provincë të vetme dhe zbatimin e reformave për përparimin e vendit”.[1]

Në tubimin e 10 qershorit të Lidhjes Shqiptare, Haxhi Ymer Efendiu, mori pjesë me cilësinë e delegatit të Prizrenit. Me shumicë votash, Ymer Prizreni u zgjidh anëtar i këshillit Qendror të Lidhjes Shqiptare. Fjala e matur e tij, mendimi i urtë dhe trimëror, ishin vendimtare në idetë e shprehura, në këtë kuvend madhor të shqiptarëve… Biri i Prizrenit u ndal në fjalën e tij edhe në bashkëjetesën vëllazërore që shqiptarët myslimanë duhet të kenë me ortodoksët dhe katolikët. Religjionet do të ishin ura të shenjta bashkimi dhe jo fole hasmërish.

Organizimi i tij në protestat ndaj padrejtësive që iu bënë Shqipërisë në Kongresin e Berlinit, do të ishte i madh. “Ymer Prizreni ishte i ngarkuar me detyra të rëndësishme në këshillin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit… Kështu, gjatë periudhës kur vazhdonin punimet e kongresit të Berlinit dhe pas tij, Ymer Prizreni mori pjesë në organizimin dhe udhëheqjen e të gjitha aktiviteteve politike dhe aksioneve që u zhvilluan nga masat popullore kundër zbatimit të vendimeve të këtij kongresi.”[2]

Qeveria e Përkohshme shqiptare, e vendosur në dhjetor 1880, nën drejtimin e Ymer Prizrenit, u tregua e denjë në qeverisjen e saj. Një kujdes të veçantë, sidomos në vise të Kosovës, Ymer Prizreni tregoi për marrëdhëniet e ndërsjella të shqiptarëve me pakicat serbe, malazeze dhe maqedonasve të vjetër, që jetonin brenda territoreve shqiptare, marrëdhënie që u bënë objekt të disa gazetave të cilat shkruan për këtë balancë të shkëlqyer etnike në qeverisjen shqiptare.

Mençuria, guximi, drejtësia dhe trimëria e Haxhi Ymerit shprehet mjaft bukur në një poezi, këngë trimërie popullore, që i kushtohet atij, para betejës në Qafë t’Morinës, afër Gjakovës, pranverë, 1881.

Haxhi Ymer Prizreni ndërroi jetë në Ulqin, më 12 qershor 1887, pas një atentati, që iu bë te pragu i shtëpisë ku banonte, duke u kthyer prej xhamisë, ku sapo kishte falur namazin e jacisë dhe teravisë, në muajin e bekuar të Ramazanit.

———————————————————————————-

[1]. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dok. 9, f. 20.

[2]. Instituti i Historisë Tiranë, konferenca e studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, f. 71.

You must be logged in to post a comment Login