Haxhi, udhëtimi i jetës

Rituali i haxhit shpreh një akt adhurimi të shkallës më të lartë të mundshme. Ai paraqet horizontet e Madhështisë Hyjnore, të cilat ne nuk arrijmë t’i shohim ndryshe. Haxhi përbën një pikë kthese në ecurinë shpirtërore të besimtarëve. Kur viziton Qaben, shtëpinë e parë të adhurimit, një pelegrin bëhet dëshmitar i faktit se cilësitë tokësore si raca, prejardhja, statusi, bukuria, etj., nuk janë asgjë tjetër përveçse tituj të përkohshëm, të destinuar të humbasin. Ai do të përjetojë në ato momente një episod nga shfaqja e madhe e Ditës së Ringjalljes, ditë në të cilën atij do t’i duhet të japë llogari përpara Zotit për gjithçka ka bërë në jetë. Kjo është arsyeja përse Qabeja është “pika e referimit” për njerëzit, shumica e të cilëve bëjnë një jetë edhe më të virtytshme pas kryerjes së haxhit.

Ky obligim i Zotit Fuqiplotë zhvillohet në një atmosferë madhështore, të shkëlqyer e të bekuar, ku shfaqet mëshira e pafundme e Allahut, ku myslimanët, të cilët janë të merituarit e faljes hyjnore, bashkohen e shkrihen në mes të një entuziazmi të thellë besimi. Duke u nisur nga kjo optikë, haxhi nuk është thjesht një adhurim që është detyrë dhe kryhet mbështetur në mundësi materiale, fizike, etj., por, po aq i rëndësishëm sa kriteret e lartpërmendura është edhe aspekti moralo-shpirtëror. Këtë e pohon edhe fakti që Profeti a.s. e ka cilësuar haxhin, “haxhi mebrur”, që do të thotë “i bukur në shkallën më të lartë, i mirë e i dobishëm fund e krye”.

Dobitë shpirtërore e shoqërore

Haxhi ka plot dobi individuale dhe shoqërore. Më kryesoret janë këto: haxhi mundëson që individit t’i falen mëkatet dhe zemra e tij të pastrohet prej gjynaheve. Profeti i nderuar, paqja qoftë me të, në një hadith thotë: “Kushdo që për hir të Allahut kryen haxhin dhe u shmanget fjalëve dhe sjelljeve të pahijshme e nuk përlyhet prej mëkatesh, kthehet i pastruar sikur sapo të ketë lindur nga nëna.” (Buhari; Haxh, 4). Në një thënie tjetër qëndron: “Shpërblimi i haxhit të pranuar nuk është asgjë tjetër veç parajsës”.

Vlerat e besimtarëve që kryejnë haxhin në vështrimin e Allahut janë shumë të larta. Profeti e ka shprehur këtë të vërtetë duke pohuar: “Ata që kryejnë haxhin dhe umren janë mysafirët e Allahut. Nëse i drejtohen Allahut me lutje, Ai ua pranon. Në iu drejtofshin me pendesë, Ai i fal.” (Ibni Maxhe, Menasik, 5).

Haxhi e pastron egon e njeriut prej mëkateve, e bën atë të dëlirë, e pajis me kthjelltësi besimi, i çel dyert e një jete të re, përforcon jetën shpirtërore, konsolidon besimin që ai ndien kundrejt mëshirës dhe faljes hyjnore.

Haxhi forcon e rrit besimin, ndihmon në ripërtëritjen e besës së dhënë Allahut, çon drejt asaj pendese të fuqishme që nuk shkelet lehtë.

Haxhi i kujton njeriut të kaluarën e shkëlqyer të Islamit. Ai i sjell ndërmend besimtarit Profetin tonë, paqja qoftë me të, që me moralin dhe me veprat e tij ndriçoi botën, si dhe sakrificat e sahabëve të tij të zgjedhur dhe të njerëzve të ruajtur që i pasuan ata në mënyrën më të mirë.

Për më tepër, haxhi e mëson njeriun me durim, me vetëdisiplinë dhe bëhet shkak që ai të fitojë ndërgjegjen e bindjes ndaj urdhëresave hyjnore. Përmes ritualit të haxhit, njeriu e falënderon më shumë Zotin e vet për mirësitë e pasurisë, të shëndetit e të mirëqenies që Ai i ka dhuruar.

Për sa u përket vlerave shoqërore, haxhi, pa marrë parasysh ndarje në baza ngjyre, gjuhe, race, kombësie, kulture, pozite shoqërore, bashkon në një qëllim të vetëm miliona myslimanë duke u bërë shkak për krijimin e një tabloje të gjallë të barazisë e të vëllazërisë. Të gjithë haxhilerët, të pasur e të varfër, të fuqishëm e të dobët, të veshur njëlloj, duke ndjekur të njëjtat rregulla, duke iu nënshtruar të njëjtave vështirësi, duke lëvizur në të njëjtat kushte, kalojnë nëpër një edukim të barazisë fizike. Rituali i haxhit u mëson njerëzve që të mos mburren me pozitën shoqërore e politike, me begatinë e me pasurinë, por të njihen e të shoqërohen me myslimanë të tjerë.

Rituali i haxhit lë te myslimanët kujtime të thella që nuk do të fshihen gjatë gjithë jetës. Në saje të haxhit, mes myslimanëve që vijnë e bashkohen nga vende të ndryshme të botës lindin njohje e ndërveprime të bukura.

Haxhi e bën njeriun të përjetojë një panoramë që i përket parajsës dhe i shfaq të vërtetën se në këtë botë ai s’është veçse një vizitor i përkohshëm.

 Bujar Spahiu