Haxhi Hafiz Sabri Koçi (1921-2004)

Sabri Koci oratorKryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas komunizmit (1990-2003)

Në gjuhën fetare ky lloj njeriu si Hafiz Sabriu quhet Muxhahid, d.m.th. një njeri që shkrin veten për hir të Zotit. Është me të vërtetë një nder që ndodhet në mesin tonë një misionar i tillë, që nuk kurseu as jetën për ruajtjen e shtrirjen e normave morale islame, të luftuara aq egërsisht nga diktatura e shtetit të parë ateist në botë. Ne e falënderojmë për këtë, por shpërblimi i tij do të jetë te Zoti për shërbimin që i ka bërë fesë islame”, do të thonin studiusit për të.[1]

Haxhi Hafiz Sabri Koçi lindi më 14 maj të vitit 1921 në fshatin Orenjë të Librazhdit. Babai i tij ishte larguar në kurbet, në Selanik për të përballuar jetën e rëndë. Pa u mbushur ende viti i gëzimit të djalit, erdhi lajmi i kobshëm. Idrizi kishte vdekur dhe Sabriu mbeti jetim.

Kështu filloi një jetë plot vuajtje për familjen. Nënë Zenja mposhti dhimbjen dhe u bë për djalin e vogël jo vetëm nënë e dhembshur, por edhe babë, iu përkushtua rritjes dhe edukimit të të birit.

Vdekja e babait e bëri që në fëmijëri të hershme të hyjë shpejt në jetë, të mësojë e të përballojë vetë vështirësitë e t’i zgjidhë ato mbarë e mirë, si e lyp e drejta e zakoni i mirë e mësimet fillestare të fesë Islame që kishte marrë në shtëpinë e vet, e shquar për tradita fetare.

Një zotëri nga Shkodra, Kryetari i Komunës, Adem Kastrati, duke e parë zgjuarsinë e Sabriut të vogël 10 vjeç, ia mbushi mendjen nënës Zenjë dhe kushërinjve, që ta dërgonte në Shkodër për të mësuar. Dhe kështu i vetëm, në vitin 1932, filloi një jetë plot sakrifica e vështirësi, jeta e shkollës dhe jeta e punës. Djaloshi i vogël me sjelljen e tij, me devotshmërinë e tij, me përkushtim e mençuri, fitoi shpejt respektin e të gjithëve, e posaçërisht të mësuesit të besimit, Hafiz Muhamedit, i cili ishte edhe myezin në xhaminë e Rusit të Vogël. Hafiz Muhamedi, duke admiruar zërin e tij aq të bukur e lejonte të kryente ndonjëherë detyrën e myezinit. Pasi mori mësimet fillestare të fesë, Hafiz Muhamed Kastrati, duke parë përparimin e shpejtë të Sabriut në mësime dhe zellin e përpjekjet e tij, u interesua te myderrizi i shquar, Haxhi Muhamed Bekteshi, që ai ta pranonte si nxënës të vetin (talebe). Kështu, me ndihmën e pakursyer të Haxhi Muhamed Bekteshit, i cili e trajton si fëmijën e vet, Sabriu i përkushtohet plotësisht studimeve. Për këtë kohë H. Sabriu thotë: “Me sa mbaj mend unë, kah fundi i vitit tridhjetë Shkodra kishte arritur një zhvillim të madh të fesë… Në fakt, ishte ashtu siç i thonë arabët: “Mehdul el ilmi”, djepi i diturisë dhe i kulturës islame”.[2]

Shumicën dërmuese të lëndëve i mësoi te H. Muhamet Bekteshi, ndërsa disa prej tyre, si specialitete të veçanta, si: p.sh. ligjin mbi trashëgiminë dhe Kiraetin (ilustrimin e Kur’anit) e mësoi te Hafiz Sabri Beg Bushati[3], ndërsa tefsirin e mësoi te Sheh Qazim Hoxha në periudhën që ishte në Shkodër.[4]

Mbas 15 vjet pune këmbëngulëse, më në fund arrin të marrë diplomën (ixhazetin) nga Hafiz Muhamed Bekteshi. E përkthyer në gjuhën shqipe, diploma (ixhazeti) ka këtë përmbajtje:

“Kjo është formula e diplomës sime me të cilën vëllain tim Për Zotin, Zotninë tonë Sabri Idriz Koçi, i cili është i pajisun me të gjitha cilësitë e nalta Islame dhe i plotësoi shkëlqyeshëm të gjitha mësimet teologjike të mbështetuna në Kur’anin e Madhnueshëm dhe në Hadithet e Hazreti Muhammedit (a.s.) të mbështetuna edhe në arsyet mendore filozofike dhe unë nevojtar i varfër tek mëshira e të Madhit ZOT, i quajtur Muhamed Mahmud Beqir Shkodrani (Begteshi).

Data e diplomimit, muaji Rebiul-Evel, ditën e enjte 1370 Hixhri. Muhamet Teufik”.

Një vëmendje e veçantë i kushtohej zotërimit të gjuhës arabe, gramatikës dhe sintaksës së saj, që shërbente si bazë për mësimin e Kur’anit, ilustrimin dhe komentimin e tij. Por, duke marrë parasysh se shtrohej detyra e mësimit të Kur’anit përmendësh, për atë që dëshironte të fitonte titullin “Hafiz”, vështirësitë shtoheshin, aq më tepër duke marrë parasysh kërkesat e larta që kishte Myderrizi i shquar, Haxhi Muhamed Bekteshi.

Pas vitit 1939 emërohet imam në një lagje të vjetër të qytetit të Shkodrës, rrëzë kështjellës “Rozafat”, në Luguçesme, pastaj në Xhaminë e Bardhë e më vonë në lagjen Dudas. Ai me këmbëngulje u afrua me popullin, u njoh shpejt me burrat e nderuar besimtarë të lagjes, zuri miqësi me ta, për pak kohë ia ndryshoi gjendjen xhamisë, e zbukuroi atë.

Në vitin 1952 emërohet imam në Xhaminë e Rusit të vogël. Hafiz Sabriu plot përkushtim, me përgatitje të lartë fetare, me argumente bindëse, duke rrokur probleme që shqetësonin besimtarët, me fjalën e thjeshtë, por të zjarrtë shtonte radhët e besimtarëve, gjithnjë e më shumë të rinj vinin në xhami e ndiqnin ritet fetare, gjë që binte në kundërshtim të hapur me ideologjinë komuniste, me propagandën e Partisë. Dhe kundërshtimet e goditjet nuk vonuan.

Lidhur me këtë Hafiz Sabriu kujton: “Sekretari i Parë i PPSH-së për rrethin e Shkodrës në atë kohë, me paturpësi vjen e futet në xhami brenda dhe ma nxjerr rininë përjashta, ndërsa kryetari i degës më bën presione nga më të ndryshmet duke më thënë: “Ti je më reaksionari i të gjithë klerikëve, pasi po na e helmon rininë, po ju jep opium, më thotë se duhet të zhvishesha nga petku fetar. Në asnjë mënyrë nuk mund të pranoja diçka të tillë dhe të tërhiqesha nga ajo rrugë që kisha nisur qysh në fëmijëri”.[5]

Për ta larguar nga besimtarët e shumtë të Rusit, e transferojnë në xhaminë Plakë, një xhami shumë e njohur, por e vjetër. Nuk ishte lokali ai që i tërhiqte besimtarët. E meremetoi atë, futi ujin brenda dhe e pajisi për bukuri.

Duke parë popullaritetin në rritje të Hafiz Sabriut, organet shtetërore ndërhyjnë dhe e transferojnë në Krujë, gjoja duke e graduar nën/Myfti.

Për ta larguar nga besimtarët, që e ndiqnin kudo, me Dekretin Nr. 534, në bazë të vendimit Nr. 55, datë 23.5.1956 e transferojnë përsëri duke e emëruar Myfti në Kavajë, ku gjeti një mbështetje shumë të ngrohtë nga besimtarët.

Pavarësisht nga vështirësitë e pengesat e shumta, në Kavajë Hafiz Sabriu iu përkushtua detyrës me zell të pashoq. U zmadhua xhamia e Ali Hajdarit, kurse në fshatrat përreth u ngritën 15 xhami të reja. Veprimtaria ishte shumë e madhe në atë periudhë, në të cilën sa vinte e shtohej lufta e pushtetit dhe e organeve të sigurimit kundër fesë.

Ai kërkonte të kthehej në Shkodër, por në vend që t’i plotësohej kjo nevojë jetike për të dhe për familjen, e transferojnë në Korçë.

Me kërkesën e besimtarëve të lagjes Rus i Vogël emërohet përsëri imam në Shkodër. Tashmë përvoja e fituar në shërbim të fesë që në moshë të re, kishte arritur pjekurinë dhe Xhamia e Rusit, siç quhej, u bë objekt diskutimesh të ndryshme në familjet e besimtarëve dhe në zyrat e pushtetit. Populli kërkonte që të kultivohej feja, ashtu siç duhej, ndërsa diktatura gjithnjë e më shumë ashpërsohej. Të gjitha këtyre u erdhi fundi më 4 qershor 1966, kur i vunë hekurat dhe e arrestuan.

Hafiz Sabriu kujton: “Ishte e Xhuma. Pas faljes xhemati po përshëndetej me mua si asnjëherë tjetër. Të gjithë vinin e nuk po largoheshin. Kjo më bëri shumë përshtypje. U përmallova… E me të vërtetë, kjo qe Xhumaja e fundit për mua dhe për besimtarët”.[6]

Arrestimi i Hafiz Sabriut ishte një provë e qartë se organet e dhunës nuk lejonin asnjeri, qoftë ky edhe hoxhë apo prift të vepronte i lirë, të shkonte i lirë kundër interesit të politikës së Partisë në fuqi.

Me dënimin e Hafiz Sabriut me akuza të sajuara synonin të shuanin besimin në fjalën e Zotit, në mësimet e fesë, synonin t’i hapnin shtegun ideologjisë komuniste, synonin të përgatisnin vitin 1967, vit kur u ndalua me forcë e me dhunë besimi, një nga të drejtat më të vjetra, një nga liritë më të shenjta të njeriut.

Tani e priste burgu, puna e rëndë fizike, tortura e shoqëruar me të gjitha mungesat. Qëndroi në burg 20 vjet, 4 muaj e 18 ditë.

Jeta e Hafiz Sabriut është një provë e gjallë durimi e besimi, vullneti e përpjekjeje për jetë a vdekje. “Ashtu ishte shkruar prej Zotit (xh.sh.), shkruan Hafiz Sabriu, të përjetoja të gjithë atë që njeriu nuk ia dëshiron kurrë njeriut. U mbështeta në Zotin…”[7]

Komunistët, të lidhur me pranga e futën në burg, e ai doli vërtetë i moshuar e i lodhur fizikisht, por me shpirt të lirë, shpirtin e zemrën nuk mundën dot t’ia përulnin, besimin në Zotin nuk mundën dot t’ia shuanin, përkundrazi, vuajtja e mjerimi qe një provë për të. E ai fitoi e doli më i fuqishëm.

Më 22 tetor 1986 lirohet nga burgu. Një ditë përmallimi. Kishte hyrë 45 vjeç dhe dilte i moshuar, 65 vjeç. Jashtë e priste gruaja e drobitur nga hallet e jetës, djemtë që i kishte lënë fëmijë e ishin bërë burra. Por një gjë kishte rëndësi, kishte fituar mbi të gjitha të këqijat e mjerimet e burgut.

Ishte mëshira dhe fuqia e të madhit Zot, që pas 50 vjetësh të dalë në dritë e drejta, të shpërblehet gjaku dhe sakrifica e qindra e mijëra shqiptarëve, që vdiqën nën breshërinë e plumbave, që u shkrinë në qelitë e errëta apo lanë rininë e pjesën më të madhe të jetës në kampet e shfarosjes e në burgjet komuniste. Po Zoti i ndihmoi. U mposht me turp diktatura.

“16 nëntor 1990”. Kjo ditë nuk erdhi rastësisht. Ishin dëshirat dhe ëndrrat e një populli, të ndrydhura e të heshtura, që gufuan aq vrullshëm në ato ditë nëntori. Rinia shkodrane, duke marrë bekimin e prindërve dhe të moshuarve iu përvesh punës.

Atë ditë e gjithë Shkodra ishte në këmbë. Që në orët e para të mëngjesit njerëzit lëviznin nga të gjitha drejtimet: nga ura e Bahçallëkut, nga ura e Bunës, nga Tophana, nga Parruca, nga Perashi, nga Tepja dhe Ajasma po grumbulloheshin në sheshin e xhamisë së Plumbit, në oborret e shtëpive. Lajmi ishte përhapur në çdo familje, në heshtje e vesh më vesh.

Për këtë ngjarje të shënuar për fenë Islame dhe për të gjithë Shqipërinë Hafiz Sabriu ka thënë: Kjo ngjarje më forcoi edhe më tepër besimin në Zotin e vërtetë që thotë në librin e Tij të shenjtë: “Të pafetë duan e përpiqen me të gjitha mënyrat që të shuajnë dritën hyjnore nga zemrat besimtare të njerëzve, por Zoti ka vendosur që ajo dritë të mos shuhet kurrë”. (Kur’ani, 9:32).

Ceremonia e 16 nëntorit 1990 nuk qe thjesht një ceremoni fetare, ajo krahas vlerës së saj të ringjalljes së fesë, mori një karakter të hapur politik. Hafiz Sabriu ka thënë: “S’ka krim më të madh se t’i mbyllësh tjetrit derën e shpirtit, derën e ndërgjegjes e të kujtesës së të Madhit Zot”.

Në xhaminë e Plumbit u organizua një mbledhje e vogël nga përmasat, por me një rëndësi të veçantë historike për të ardhmen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë mbledhje, si të themi në ilegalitet, u vendos krijimi i “Bashkësisë Islame Shqiptare” me qendër në Shkodër.

Krijimi i Shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare” dhe miratimi i saj më 23.1.1991, zgjedhja e Këshillit të Përkohshëm, e Kryetarit Hafiz Sabri Koçi dhe sekretarit Z. Mithat Myftia, selia e saj në qytetin nismëtar të Shkodrës, qe një ngjarje me rëndësi që nxiti një veprimtari të dendur fetare në të gjithë Shqipërinë.[8]

Më 14 shkurt 1991 u organizua mbledhja e parë zyrtare me përfaqësues nga të gjitha rrethet që u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Në këtë mbledhje, pasi u diskutua gjendja dhe mundësitë, u shtrua për miratim statuti dhe programi i Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe u zgjodh kryesia e përbërë nga H. Sabri Koçi, Sali Ferhati, Ramazan Rusheku, Sali Tivari, Ismail H. Muçej.[9]

Kryetar i Këshillit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u zgjodh me votim unanim Hirësia e tij H. Sabri Koçi.

Haxhi Hafiz Sabri Koçi kishte besim të thellë në fuqinë e Zotit se feja në Shqipëri do të lulëzojë krahas zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë demokratike. Gjithnjë në fjalën e tij mishërohej qartë dhe në mënyrën më të kthjelltë dëshira dhe përkushtimi ndaj fesë dhe atdheut të tij.[10]

Pas një jete tepër aktive në shërbim të fesë, besimtarëve dhe të atdheut të tij, Shqipërisë, më 18 qershor 2004, Haxhi Hafiz Sabri Koçi u nda nga kjo jetë materiale për të vazhduar udhëtimin e tij të përjetshëm në prezencën e Krijuesit të tij, Allahut të Madhërueshëm.

Ai është vlerësuar nga shumë personalitete vendase dhe të huaja. H. Hafiz Sabriu është dekoruar me titullin “Qytetar Nderi” nga këshillat bashkiak të Tiranës dhe Shkodrës.

Figura e tij e nderuar është bërë tematikë simpoziumesh dhe panelesh në shumë aktivitete të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në qendër dhe rrethe. H. Hafiz Sabri Koçi do të mbetet një figurë e paharruar e Islamit në Shqipëri.

[1]. Luli, Faik, Dizdari, Islam, Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 625.

[2]. Nga intervista e H. H. Sabri Koçit, dhënë gazetës “Elif”, mars-prill, 1991, fq. 8, intervistoi në Kajro Muhamed Syla e Ahmet Ymeri.

[3]. Luli, Faik-Dizdari, Islam, “Një jetë në shërbim të fesë”, Tiranë, 1997: 13.

[4]. Po aty, fq. 13.

[5]. Nga kujtimet e Hafiz Sabri Koçit.

[6]. Kujtime të H. Sabri Koçit, blloku nr. 1. fq. 11-12.

[7]. Intervistë me H. Sabri Koçin, dhënë revistës “El Hilal”, botim special, Shkup 1991: 11.

[8]. Luli, Faik-Dizdari, Islam, “Një jetë në shërbim të fesë”, Tiranë, 1997: 79.

[9]. Tivari, Salih, Arritjet trivjeçare të Komunitetit Mysliman të Shqiptar, në gazetën “Drita Islame”, viti III, nr. 1 (44), janar 1994: 1.

[10]. Luli, Faik, Dizdari, Islam, Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 625-648.

 /Revista Drita Islame, Korrik 2013/

You must be logged in to post a comment Login