HAFIZ SHABAN SALIAJ

nga Xhemal Balla

HAFIZ SHABAN SALIAJ

1934-2014

Hafiz Shaban Saliaj

Lindi në Tiranë me datë 05.11.1934 në një familje besimtare. Babai i tij u kujdes për arsimin e Shabanit dhe pasi mbaron arsimin bazë e dërgon në Medresenë e Tiranës në vitin 1950. Dallohet në përvetësimin e lëndëve fetare në përgjithësi e në veçanti të Kur’anit. Mësuesi i tij, Hafiz Mustafa Doraci, e fton t’i përkushtohet memorizimit të Kur’anit. Ndërkohë aktivizimi i tij gjatë muajit të Ramazanit në Mukabele me imam Hafiz Fiqiri Skënderin, bën të mundur që ai të fitojë dashurinë dhe respektin e besimtarëve me këndimin e bukur të Kur’anit.

Në vitin 1953 merr titullin “Hafiz”. Ishte i vetmi hafiz me titull gjatë kësaj periudhe. Pastaj vazhdoi studimet e mesme derisa në vitin 1956 merr diplomën e Medresesë. Duke parë presionin e pushtetit komunist ndaj fesë islame dhe praktikantëve të saj, regjistrohet në shkollën Pedagogjike si maturant i saj me konvertim të lëndëve dhe në vitin 1956-57 diplomohet mësues i ciklit fillor. Pas kësaj i nënshtrohet një kursi njëvjeçar për teknik gjeolog. Del me rezultate të shkëlqyera, i pëlqen puna e gjeologut dhe punon pa u shkëputur nga viti 1957 deri në vitin 1990, vit në të cilin del në pension.

Nuk e ndan për asnjë moment nga dora dhe në sirtarin e tavolinës së punës, në një qoshe të fshehur do të gjeje Kur’anin, të cilin e lexonte për të mos e harruar kurrë.

Përmbysja e pushtetit komunist dhe vendosja e demokracisë në vitin 1991, bëri që Hafiz Shabani të angazhohej me vullnet të fortë në detyrën fetare të imamit të xhamisë së Kokonozit dhe mësuesit të Kur’anit në Medresenë e rihapur. Ishte Hafiz Shabani, nxënësi i Hafiz Doracit, mësuesit të Kur’anit të viteve më parë, të cilin e zëvendësoi dhe mbeti i vetmi hafiz në rang kombëtar. Punoi me përkushtim në punën e mësimit të Kur’anit në Medrese dhe arriti të nxjerrë një hafiz nga nxënësit e tij. Si imam në xhaminë e Kokonozit dhe më vonë në atë të Et’hem Beut për njëzet vite me radhë, i kushtoi kujdes të veçantë njohjes së besimtarëve me parimet e fesë islame, për namazin, agjërimin, zekatin, haxhin dhe pajisjen me moral islam. Në veçanti namazin e ditës së xhuma e shoqëronte me predikime që i nënshtroheshin arsyes e logjikës për të mos bërë një adhurim formal. Vetëm në fenë islame do të gjejë paqe e qetësi individi, familja e shoqëria.

Nga viti 2005-2010 merr detyrën e Myftiut të Tiranës. Si kuadër e teolog zotëron vetëdije të thellë fetare, që i udhëhoqi imamët që të veprojnë sipas ligjeve të Sheriatit Islam. Ai i doli për zot të vërtetës dhe gjykoi gjithmonë brenda kuadrit të ligjeve të Sheriatit Islam. Misioni i tij mbeti si protagonist i personalitetit të një teologu të ndershëm, të ditur dhe të ngritur me ndjeshmëri dhe vizion për Islamin. Ai punoi vazhdimisht për ngritjen profesionale si teolog dhe me strategji për drejtimin e myftinisë duke shkuar vetë në çdo zonë të rrethit të Tiranës.

Që prej 2011 ai ka punuar si Kryevaiz i Shqipërisë në Komunitetin Mysliman, me pjesëmarrjen në xhami të ndryshme me predikimet e tij, duke u bërë shembull për të tjerët.

Hafiz Shabani ndërroi jetë më 30 Tetor 2014.

 /Revista Drita Islame, Nentor 2014/

You must be logged in to post a comment Login