Hafiz Sabri Koçi, prijësi që rrezikoi jetën vetëm për fenë

Në krye të kësaj lëvizje, që në thelb kishte të drejtat dhe lirinë e fjalës, të mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, lirinë e të shprehurit të besimit, u vendos Hafiz Sabri Koçi, i cili ishte shumë i lidhur me besimtarët e Shkodrës dhe gëzonte një reputacion të lartë si fetar dhe si qytetar. Ai qe treguar i çiltër, i sinqertë, dashamirës dhe i afrueshëm në jetën ditore e në detyrë, por njëkohësisht autoritar e serioz në lidhje me fenë. Hafizi kishte qenë gjithmonë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar popullin në hallet e problemet e përditshme, madje shpeshherë kishte bërë më shumë me shpirtin e sakrificës që e karakterizonte këtë ‘burrë të bardhë’.

Hafiz Sabriu e nisi detyrën si imam në Shkodër në vitin 1939 dhe për 15 vite rresht shërbeu pa u lodhur.

Pasi komunistët e larguan nga Shkodra, ai u kërkua nga besimtarët me këmbëngulje që të ishte imam në një nga xhamitë e qytetit. E transferuan si nënmyfti në Krujë (1954), me pretekstin e ngritjes në detyrë, por realisht Partia e shihte si rrezik autoritetin dhe popullaritetin që gëzonte në popull, prandaj dhe e transferoi. Për një kohë fare të shkurtër ai u bë i parapëlqyeri i krutanëve, fitoi zemrat e tyre. Të gjendur para kësaj situate, ‘shokët e partisë’ menduan që ta ‘lartësojnë’, ta ngrenë akoma më shumë në detyrë, nga nënmyfti në Myfti, por gjithmonë në një tjetër rreth të panjohur për Hafizin, pikërisht në Kavajë.

Emërimi si myfti në Kavajë (1956) i nxori më shumë në pah aftësitë e tij, sidomos dëshirën shoqëruar me veprim që feja islame të praktikohej më shumë nga besimtarët që gjithmonë e më shumë po i largoheshin asaj, duke u angazhuar me ‘punët e partisë’. Kavajasit e pritën shumë miqësisht Hafizin, madje ata e ndihmuan që të rihapte shumë xhami të mbyllura në qytet dhe në mbarë rrethin. Nuk do të zgjaste shumë kur sërish i vjen urdhri për transferim, e kësaj radhe në Korçën e largët, ndërkohë që kërkesat e shkodranëve për ta rikthyer në qytetin që i dha famë nuk reshtnin asnjëherë. Kështu, H. Sabriu, në kundërshtim me urdhrin, niset për në Shkodër, duke u rikthyer sërish pas disa vitesh shkëputjeje (1959). Aty do të shërbejë si imam xhamie deri kur e arrestuan më 4 qershor 1966. Ai vuajti për vite të tëra burgjeve të komunizmit vetëm për shkak të besimit, vetëm për petkun fetar dhe predikimet që kishte mbajtur para se të arrestohej.

Në një intervistë të mëvonshme, që gazetarët i marrin Hafizit, pasi i bëhet pyetja: A menduat për pasojat që mund të kishit në drejtimin e kësaj ceremonie? Ai kujton e thotë:

Duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet, nuk kisha se çfarë të humbisja. I përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mrekullueshme shkodrane, unë e ndjeva veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë. Por duhet theksuar se Hafizin e kishin thirrur në Degën e Punëve të Brendshme vetëm një ditë më parë dhe ai pohon se: Është e vërtetë që para se të vinte ajo ditë më thirrën në Degën e P. Brendshme, ku më thanë se në asnjë mënyrë nuk duhej të shkoja në këtë tubim, pasi rinia është e nxituar. Unë iu thashë: Do t’i përgjigjem thirrjes së tyre, gjithmonë sipas rregullave, dhe besoj se çdo gjë do të shkojë me qetësi.

/Drita islame

You must be logged in to post a comment Login