H. Selim Muça: Si agjëronim në komunizëm dhe provokimet që na bënin

Selim-MucaNga: NISIDA KNEZI

Ditët e nxehta të kësaj vere bëhen edhe më të vështira, shumë më të vështira madje, për të gjithë besimtarët myslimanë e mbi të gjitha për ata që agjërojnë. Këtë herë Ramazani ka përkuar me muajt korrik-gusht dhe 30 ditët e parashikuara me kalendar janë vërtet një sakrificë. E teksa jemi pikërisht tek kjo periudhë, me interes është të mësohet më shumë e të kuptohet më tepër rreth asaj që përfaqësojnë Ramazani dhe agjërimi. Ndaj me shumë interes e kureshtje kalova rreth 1 orë duke biseduar me Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, z. Selim Muça, duke e pyetur për shumë detaje. Një zotëri i urtë, shumë dashamirës në shpjegimin e tij, një personalitet i mirëzgjedhur për të udhëhequr Komunitetin Mysliman Shqiptar. Më rrëfen për periudhën më të vështirë, atë të komunizmit dhe mbërritjen e demokracisë, rininë e tij dhe kujtimet e nostalgjinë ndër vite, në muaj të ndryshëm kur ka përkuar Ramazani…

Zoti Muça, si i gjen shqiptarët Ramazani këtë vit?

Agjërimi i këtij muaji të Ramazanit i gjen agjëruesit të përgatitur me rezerva ushqimore, teksa kanë rregulluar shtëpitë e tyre, kanë bërë gjithë punët që duhen bërë. Sepse myslimanët i pastrojnë që të jenë të pastër gjatë muajit të Ramazanit. Të gjithë janë të përgatitur për këtë muaj. Mund të them se agjërimi ka nisur me entuziazëm. Janë të gjithë mirë dhe ndihen mirë. Përkon me stinën e nxehtë ky Ramazan, pikërisht me muajin korrik.

Sa e vështirëson kjo mbajtjen e agjërimit?

Në fakt koha është e nxehtë, është një ndër muajt më të nxehtë, dhe 20 ditë të Ramazanit kanë rënë në këtë muaj. Ata që janë të vendosur të agjërojnë e kanë pritur mirë, sepse agjërimi është edhe kalitje e durimit. Myslimanët e vjetër në moshë janë kalitur me këtë ide, kanë kaluar plot e plot muaj të Ramazanit. Ata që nuk e kanë kaluar ndonjëherë në stinë të nxehtë, patjetër që e kanë më të vështirë. Durimi për ta duhet kalitur. Ramazani është t’i durosh etjes dhe urisë. Unë për shembull kam kaluar muaj Ramazani në të gjitha stinët e vitit. Më duhet të them se në dimër është shumë më e vështirë sesa në verë. Por njeriu, kur vendos të agjërojë, i tejkalon dhe i sfidon të gjitha.

Çfarë është agjërimi dhe ç’do të thotë të agjërosh?

Agjërimi është një obligim, detyrim. Ua ka shkruar Allahu besimtarëve myslimanë këtë. Nëse je një besimtar mysliman, në Kuran shkruhet dhe thuhet saktë se është një detyrim, një obligim, në mënyrë për të qenë të mbrojtur, të ndershëm, të vendosur, të shpëtuar. Pra agjërimi është një detyrim i bërë nga Zoti. Të agjërosh është t’i bindesh Zotit dhe të rrish nga syfyri deri në iftar pa ngrënë, të durosh. Dhe një besimtar i devotshëm i kalon me sukses këto.

Le të kthehemi pak pas në kohë. Si agjërohej në kohën e diktaturës?

Ka qenë shumë ndryshe agjërimi. Pas vitit ’44 deri në vitin ’66 ishte periudha që agjërimi lejohej dhe kjo bëhej më së miri. Pas vitit ‘66 e deri në vitin 1990 kur erdhi pluralizmi dhe komunizmi e humbi davanë, ka qenë një persekutim i vërtetë për ne. Unë e kam pasur zanatin që kam punuar gjithmonë në terren. E kam parë me sytë e mi se si punonjësit në kooperativa persekutoheshin nga brigadieri apo nga sekretari i partisë. Mund të tingëllojë pak banale, por unë do ta them tekstualisht siç ka ndodhur. Me presh në duar, shkonin dhe u thoshin punonjësve: Kafshoje preshin, që të vërtetojmë që nuk agjëron. Ky ishte një perceptim shumë i fortë. Kam punuar në fushë dhe në mal, në dimër e në verë. Po kështu ka pasur mënyra e taktika të ndryshme nga kooperativistët. Merrnin bukë me vete për Ramazan gjoja për të ngrënë drekë. Donin t’i persekutonin njerëzit nëse agjëronin apo jo.

Po me ardhjen e demokracisë?

Pas pluralizmit, sidomos në vitet ’91 e ’92, njerëzit u liruan komplet dhe nisëm të agjërojnë hapur, pa asnjë frikë. Nuk kishte më asnjë frikë, edhe pse ndonjëherë dukej sikur moslejimi dhe frika ishin ende nëpër këmbë.

Ju keni qenë edhe vetë i kësaj kohe, apo jo?

Po, e vërtetë. E prisja Ramazanin. Mezi prisja faljen e Teravisë. Fillimisht kam ardhur në Tiranë në vitin 1992. Atëherë u lejua për ne, pasi kur vinim në Tiranë më parë, na diktonin dhe menjëherë bënin transferimin. Në atë kohë ne falnim Teravinë tek xhamia e Pazarit të Ri. Ishin ata që e lejuan të parët. Më pas filluan edhe xhamitë e tjera ta bënin. Nuk ndalohej më për askënd. S’kishte më asnjë pengesë.

Si e kujtoni periudhën e rinisë apo edhe më herët, kur mbanit Ramazan?

E kujtoj me shumë nostalgji. Unë mbarova Medresenë e më pas vazhdova studimet në shkollën e lartë. Bora ishte deri në gju ndërsa ne me fenerë në duar shkonim në xhami. Kënaqësia më e madhe ishte ngrënia në mënyrë kolektive e iftarit. Dhe kjo bëhej pa imponim, por vetëm me dëshirën e mirë të secilit prej nesh.

Çfarë hanit më shpesh? Çfarë ju pëlqente më shumë?

Petullat ishin ato që kishim shumë qejf për iftar. Ishte kënaqësia e ditëve të Ramazanit, ngrënia e iftarit. Grupmoshat që agjërojnë janë të ndryshme, por në bazë të shumë sondazheve të bëra, vihet re një tendencë në rritje e moshave të reja, kryesisht djem të rinj.

Çfarë do të thotë kjo?

Pas vitit ’94 dhe ’95 ka pasur rritje. Janë të shumtë ata që agjërojnë. Ka shërbyer shumë për këtë propaganda islame e Komunitetit Mysliman, e cila ka mirëfunksionuar në të gjithë Republikën. Është e vërtetë që shumë mosha të reja kryejnë çdo vit periudhën e agjërimit. Xhamitë mbushen plot, jemi shumë të lumtur për këtë.

Çfarë është syfyri?

Syfyri është të ndalurit e të ngrënit në një kohë që e përcakton kalendari, sepse gjithçka funksionon me kalendar. Është minuti i fundit që ndalon i ngrëni. Për shembull, tani është nga ora 3 e natës. Kështu që ne çohemi rreth orës 2 e 15 apo pak më vonë dhe hamë syfyrin, në mënyrë që gjatë ditës të jemi të përgatitur të durojmë urinë.

Po iftari?

Iftari është lejimi i të ngrënit, nga syfyri tek iftari. Pra njeriut i bie të hajë shumë pak nga iftari tek syfyri, sepse nata është e shkurtër. Pas iftarit, njerëzit ngaqë hanë shumë e rëndohen duan të hanë vetëm fruta, ndaj dhe syfyri nuk është se konsumohet i plotë. E kështu mbeten pishmane, pse nuk hëngra këtë frut në vend të tjetrit. Uria bën të vetën. Dhe pas ditëve të sakrificës vjen festa e Bajramit.

Çfarë përfaqëson ajo?

Kemi Bajramin e madh dhe atë të vogël. Pra Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Të gjithë myslimanët që kanë agjëruar, kanë festën e tyre të Bajramit. Lejohen të hanë dhe ta festojnë atë. E në këtë ditë është Sadakai Fitri apo e thënë ndryshe, lëmosha që myslimanët ndajnë për të varfrit. Pas këtij momenti kjo lëmoshë nuk quhet më e tillë por vetëm bamirësi. Sadakai Fitri është një ndihmë për të varfrit që e cakton Komuniteti Mysliman pasi njeh të dhënat e tregut. Nxjerr një mesatare, që për shembull vitin e kaluar ka qenë 3 mijë lekë. Edhe këtë vit pritet të mblidhemi e të vendosim. Të gjithë njerëzit e shtëpisë japin nga të ardhurat individuale. Për shembull djemtë dhe vajza ime japin nga rroga e tyre. Por vërejmë se njerëzit bëhen dhe kryeneçë. Nuk pranojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Ka nisur tashmë puna për ndërtimin e xhamisë së re, shumë e kërkuar kjo.  Si e pritët?

Me shumë vështirësi ka nisur, por ka nisur. Ka dy muaj që kanë nisur punimet. Ka vite që e kemi kërkuar këtë gjë, në mënyrë që besimtarët myslimanë të mos falen më në trotuare, por në xhami. Xhamitë tani janë plot, të tejmbushura. Të rinj ka shumë që vijnë. Duhet theksuar kjo: Ka një sensibilizim në masë të të rinjve që falen dhe ndjekin të gjitha ritualet. Është një gjë shumë e mirë. Duhet të gëzohemi, më në fund po ndërtohet.

(bw)

You must be logged in to post a comment Login