“Frytet e Besimit” në qytetin e Koplikut

Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” është ndalur edhe në qytetin e Koplikut. Dhjetëra besimtarë myslimanë ishin mbledhur në xhaminë kryesore të qytetit për të marrë pjesë në këtë tubim vëllazëror.

Për të ligjëruar ishin nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli dhe zv/myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja.

Nënkryetari Luli foli për tre shtylla themelore të jetës së një besimtari: besimi në Allah, veprat e mira dhe pendesa.

“Besimtari gjatë gjithë jetës së tij duhet të mundohet të arrijë pikën më të afërt të besimit. Pas besimit, mënyra më e mirë e forcimit të bindjes ndaj Allahut është vepra e mirë. Një dimension tjetër mjaft i rëndësishëm i besimtarit është mëshira e Allahut dhe dera e pendesës. Të gjithë gabojmë, prandaj duhet të kërkojmë vazhdimisht falje dhe mëshirë”, – tha ndër të tjera z. Luli.

Zv/myftiu i Tiranës ligjëroi mbi rëndësinë e faljes së namazit dhe mirësitë që ai i përfton besimtarit.

“Allahu xh.sh na drejtohet në Kur’an që të falim namazin dhe të japim zekatin. Namazi është shpëtim për besimtarët, është rrugëzgjidhje për problemet, është durim, forcë, të shton durimin dhe shpërblimi i tij është i madh. Namazi është ruajtje nga veset dhe të këqijat”, tha z. Teqja.

Myftiu i Malësisë së Madhe, z. Edmir Smajlaj, falënderoi dy ligjëruesit dhe u bëri thirrje besimtarëve që këto këshilla të vyera t’i praktikojnë në jetën e tyre të përditshme.

12 tetor 2017

You must be logged in to post a comment Login