Fondacioni Arsimor “H. Ali Korça” prezanton projektin e 100 bursave sociale

Fondacioni Arsimor “Hafiz Ali Korça”, i themeluar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi ceremoninë e lancimit të projektit të 100 bursave sociale të studimit, i cili u mundëson dhjetëra maturantëve të studiojnë me bursë deri në 100% të tarifës vjetore të studimit në një nga degët që ofron Kolegji Universitar Bedër.

Në këtë ceremoni, të zhvilluar në ambientet e “Tirana International Hotel”, ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm personalitetesh nga bota akademike, kulturës, artit, medias, biznesit, arsimit dhe sportit.

Në fjalën e tij përshëndetëse nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, falënderoi drejtuesit e fondacionit “H. Ali Korça”, drejtuesit e Kolegjit Universitar Bedër, si dhe vlerësoi praninë e miqve nga fusha e artit, kulturës dhe biznesit.

“Arsimi dhe edukimi i brezave të rinj është prioritet i KMSH-së. Dëshmi e kësaj janë medresetë me një traditë të shkëlqyer dhe Universiteti Bedër, institucione që kanë dhënë kontribut të çmuar në fushën e arsimit”, tha ndër të tjera nënkryetari Luli.

Drejtori i Fondacionit arsimor “Hafiz Ali Korça”, z. Dritan Laçi, theksoi se qëllimi i këtij projekti është mbështetja e atyre maturantëve, të cilët, për shkak të kushteve ekonomike, nuk kanë mundësi të vazhdojnë studimet universitare.

“Ne nuk mund të pretendojmë një të ardhme të ndritur, nëse nuk u japim mundësi studentëve që të vazhdojnë universitetin”, u shpreh z. Laçi.

Ndërsa rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. dr. Ferdinand Gjana, preku problematika të ndryshme të arsimimit të brezave të rinj në vendin tonë.

Ndër të tjera ai u shpreh: “Dikush lind i pasur, dikush lind i varfër, dikush në fshat dhe dikush në qytet. Askush nuk e ka në dorë diçka të tillë. Gjithkush i dorëzohet apo i përshtatet kësaj situate. Ne kemi një mundësi të mendojmë për të gjithë, me aq kapacitete sa kemi”.

Projektin e përshëndetën këngëtarët e njohur në vendin tonë si znj. Myfarete Laze, Mishela Rapo, Noizy, si dhe biznesmeni i njohur z. Said Fishta, të cilët ndanë me të pranishmit mbështetjen dhe vlerësimin e tyre ndaj kësaj nisme të fondacionit dhe universitetit.

Kolegji Universitar Bedër fton të gjithë maturantët e interesuar të bëhen pjesë e këtyre bursave duke aplikuar fillimisht në portalin e maturës shtetërore për një nga programet e studimit që ai ofron.

18 shtator 2017

 

You must be logged in to post a comment Login