Festa e Sakrificës

haxhi dhe kurbaniKurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerave, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, me emrin e së cilës janë të lidhur ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman” etj.

Me emrin e kësaj feste lidhet edhe kulmi i bindjes, i besnikërisë dhe i dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm nga ana e profetit Ibrahim a.s., i cili u sinjalizua nga Zoti që të flijojë djalin e tij të vetëm, Ismailin. Besimi i madh ndaj Allahut bëri që Ibrahimi të jetë plotësisht i gatshëm për të kryer pa mëdyshje këtë frymëzim hyjnor, pavarësisht se sprova ishte e rëndë në mënyrë të skajshme: përballimin e kulmit të dhembjes fizike nga Ismaili që, megjithëse në një moshë të njomë, për dëshirën e Zotit, u tregua i gatshëm të flijojë jetën e vet dhe, nga ana tjetër, të dhembjes shpirtërore nga ana e Ibrahimit, që ishte në moshën e thellë të pleqërisë. Por qëllimi hyjnor është fisnik. Kur Allahu pa bindjen dhe përkushtimin e lartë të profetit Ibrahim urdhëroi flijimin e një dashi.

Kuptimi i flisë dhe i sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes. I Plotfuqishmi thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbaneve- kafshëve të therura), por tek Ai arrin bindja juaj…” (Haxh, 37)

Te Zoti fjalët dhe klithmat nuk kanë peshë. Ato çka Ai vlerëson janë punët dhe veprat e mira. Por edhe këto duhet të bëhen me sinqeritet e të jenë të pastra nga hipokrizia dhe egoizmi. Nuk është veprimi ynë i jashtëm i flisë që ka vlerë, por është mbytja e shtazërisë në shpirtin tonë, është thyerja dhe shporrja e zakoneve të liga nga sjelljet tona, është vënia e vetes në shërbim të së vërtetës kur dhe ku të jetë nevoja. Kjo është ajo që e do dhe e mbron Islami, ky është mësimi që jep e duhet të na japë ky akt, therja e kurbanit.

Por, ç’është qëllimi shoqëror dhe njerëzor i festës së Kurban Bajramit dhe si duhet të jetë edukata apo morali gjatë kohës së tij?

Qëllimi shoqëror i Bajramit është të mbjellë harenë në zemra, gëzimin në shpirtra, qetësinë e trupave, përforcimin e dashurisë shoqërore, mëshirën mes të afërmve dhe bashkëpunimin e ndërsjellë njerëzor.

Në këtë festë afrohen zemrat, bashkohen me lidhje miqësore, harrohen urrejtjet, takohen pas ndarjes, pajtohen pas mosmarrëveshjeve, shtrijnë dorën e pajtimit, përkatësisht ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore me dashuri, sinqeritet e vëllazërim.

Qëllimi shoqëror i festës është rikujtimi i anëtarëve të shoqërisë për të dobëtit dhe të paaftët, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare. Këtë qëllim të lartë shoqëror e simbolizon urdhërimi i Sadakatul –fitrit në festën e Bajramit të Fitrit dhe i prerjes së kurbaneve në festën e Kurbanit të Bajramit…

Qëllimi njerëzor i festës është shoqërimi i një numri të madh njerëzish në gëzim e hare, në një kohë të caktuar, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Kështu njerëzit ndiejnë lumturi të përbashkët, kurse fëmijët e një populli, pa marrë parasysh shtëpitë e shpërndara, bashkohen në shijimin dhe në përkujtimin e begative të Allahut. Në festë forcohen lidhjet ideologjike e shpirtërore që i caktoi feja për njerëzit, pa marrë parasysh llojllojshmërinë e gjuhëve dhe kombeve….

Shoqëri e lumtur konsiderohet ajo që e lartëson deri në kulm moralin dhe ndjenjën njerëzore gjatë kohës së festës, sepse në këtë kohë ajo tregon bashkimin, kooperimin dhe mëshirën e ndërsjellë të saj, derisa çdo zemër mbushet me dashuri, mirësi e kënaqësi dhe çdokush ia tregon hallet vëllait të vet në rast të katastrofave ose ngjarjeve tragjike, qoftë edhe në vende të tjera.

Sa njerëz ka që janë të zhytur në varfëri të thellë e për shkak të mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit nuk kërkojnë lëmoshë! Ata përjetojnë mjerim gjatë ditëve të festës, një mjerim jo të zakonshëm… Ne ndoshta i harrojmë, mirëpo njerëz të tillë kemi plot afër nesh, qoftë me lidhje familjare, shoqërore apo fqinjësore; kjo harresë nuk bën pjesë në shoqërinë e lumtur…

Prandaj, le ta tregojmë veten të vetëdijshëm gjatë festave tona dhe ta ndiejmë atë që e ndijën njerëzit e tjerë! Le ta pakësojmë dëfrimin dhe teprimin e t’ia ofrojmë atyre që kanë nevojë. Le të ndiejmë lidhje të fuqishme vëllazërore gjatë ditëve të festës, ashtu që katastrofat që i përjetojnë vëllezërit tanë të na nxisin në dhënie e sakrifikim!

Le të kufizojmë qeshjet tona dhe mbi fytyra të na ndrisë nuri i pikëllimit të sinqertë!…

/Revista Drita Islame, Shtator  2014/

You must be logged in to post a comment Login