Fëmijët shkruajnë dhe këndojnë për muajin e bekuar të Ramazanit

Merjemi, vajza e Omerit, mikut tim të besimit dhe të halleve, sapo i mbushi 12 vite të jetës së saj. Për këtë vit, ajo ka vendosur ta agjërojë të plotë muajin e bekuar të Ramazanit. Edhe në vitet e tjera, vajza ka agjëruar pjesën më të madhe të ditëve, me sa ka pasur mundësi; madje vitin e kaluar ajo pothuajse ia mbërriti, por javën e fundit u sëmur, dhe…

Merjemi është nxënëse e shkëlqyer e Medresesë dhe midis të tjerave, i pëlqen shumë letërsia dhe artet. Ajo lexon shumë dhe shkruan nga pak. Me shumë dëshirë e lexon revistën “Drita Islame”, veçanërisht pëlqen rubrikën “Hapësirë fëminore”, por edhe shkrime të tjera interesante. Teksa bisedojmë, vajza më tregon një shkrim të dy viteve më parë, ku janë edhe vargjet, të cilat i pëlqejnë shumë:

Ramazan, bekuar qofsh,

Për çdo vit më thua: Rrofsh!

Ajo i përsërit shpesh këto vargje dhe shton pas tyre me gëzim vargje të tjera të vetat, po aq të bukura dhe kuptimplote, të cilat burojnë nga zemra e saj e gëzuar, e mbushur me dashuri dhe shpresë:

Del blerim nga toka,

Vjen nga qielli dritë,

Na erdhi bekimi,

E presim si sytë.

Teksa vajza reciton vargjet e shkruara prej saj, na afrohet vëllai i vogël i Merjemit dhe thotë:

– Edhe unë e kam emrin Bekim! – Ne qeshim së bashku dhe e urojmë nga zemra këtë fëmijë të mbarë: Zoti të bekoftë!

Merjemi ka vendosur që iftarin e parë ta çelë me shoqet dhe shokët e klasës. Ata janë nga lagjet përreth, por ka edhe nga pak më larg si Selita, Yzberishti…

Ja si i shkruan Mejremit shoqja e saj më e ngushtë, Esmaja, e cila banon në një shtëpi të bukur në hyrje të Selitës:

Nga Selita do të çojmë,

Ujë të pastër nga burimi,

Pas agjërimit të urojmë;

Veç për Zotin, adhurimi!..

Kurse nga Yzberishti fëmijët dërgojnë këngë të bukura dhe vargje interesante. Ja si shkruan njëri prej tyre, i cili i ka prindërit tregtarë të miellit dhe prodhues të bukës, pastave dhe ëmbëlsirave:

Do të sjell nga Yzberishti,

Miell të bardhë sa më s’ka,

Të gatuajmë për iftarin,

Petanikë e bakllava!..

Merjemi më tregon me gëzim edhe një vjershë, që e ka shkruar nëna e saj, mësuese, e cila dëshiron t’u dhurojë për iftar dhe syfyr agjëruesve, qershi të freskëta të stinës:

Nga Përmeti e Çamëria,

Nga Kosova e Dardanit;

Vijnë arkat me qershia,

Me urimet dalë prej zemre:

Ju bekoftë Perëndia,

Agjërues të Ramazanit!..

Urimet, vjershat dhe këngët s’kanë të mbaruar, sepse çdo ditë e muajit të bekuar të Ramazanit është ditë feste e gëzimi, sakrifice dhe shpërblimi.

Po Merjemi dëshiron ta kënaqë edhe gjyshen e saj Mynevere, e cila për shumë e shumë vite e ka çelur iftarin me grurë të pastër të tokës sonë dhe me ujë burimi nga gurrat tona të dëlira. Gruri këto ditë është i njomë dhe gjyshi do ta sjellë atë nga fusha e Korçës ose nga fusha e Myzeqesë. Vajza ka shkruar në fletore:

Kur gjyshi më solli si dhuratë,

Një tufëz me kallinj nga ara,

Zotit iu luta dhe thashë:

Paskam nurin tënd përpara!..

Dhe kështu vjershat dhe këngët e fëmijëve s’kanë fund, në të gjitha ditët e këtij muaji të begatë.

Merjemi i mbledh me kujdes këto frymëzime dhe i shkruan në një fletore të re, për t’i pasur kujtim dhe për t’i përmendur e shumuar në vitet e tjera që do të vijnë.

Hysen Kobellari

/Revista “Drita Islame” – maj 2017/

You must be logged in to post a comment Login